“Emri i trëndafilit” Pse duhej riparë një roman kaq i suksesshëm?

Emri i trëndafilit është romani i parë historik i Umberto Eco-s, i cili do të pasohej nga romane të tjera, si Ishulli i një dite më parë, Lavjerrësi i Fukoit, Baudolino, Varreza e Pragës, nga shumë vepra filologjike, si Për letërsinë, Të thuash gati të njëjtën gjë, Gjashtë shëtitje në pyjet, Si bëhet një punim diplome, si dhe nga Historia e Bukurisë dhe Historia e shëmtisë.
Teksa shkruante radhët e fundit të romanit që do t’i jepte famë botërore, Eco ishte përpara tri zgjedhjesh për të vendosur titullin. Kishte sajuar një duzinë titujsh, midis të cilëve ai që i pëlqente ishte Krime në abaci, kurse ai që e tërhiqte më pak ishte Blitiri, një term i përdorur nga logjistët mesjetarë për të përshkruar një fjalë pa kuptim. Emri i trëndafilit i shkreptiu në mendje i fundit, duke marrë shkas nga dy vargjet latine të cituara në fund të librit, marrë nga një benediktin i shekullit XII. Titulli nuk kishte të bënte fare me librin, edhe pse më vonë, të gjithë provuan të jepnin interpretime delikate. “Kur vendos titullin,- thotë Eco,- është më mirë të jesh ndershmërisht i pandershëm si Dymai, sepse është e qartë se Tre Emri i trendafilit PERFUNDIMTARmusketierët është në fakt historia e musketierit të katërt.” Askush nuk e kishte imagjinuar që ky roman, i botuar për herë të parë më 1980, do të bëhej një megaseller, me rreth 30 milionë kopje të shitura. Në të vërtetë, kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë, sepse, siç dihet, në kohën kur u botua Emri i trëndafilit, në Europën Lindore, në Kinë dhe në venet e tjera të Orientit nuk ekzistonin ende konventat, kështu që librat botoheshin pa leje e pa u paguar asgjë për të drejtat. Pas shumë ribotimesh, vjen tashmë pas rreth 30 vjetësh nga botimi i parë, një botimi i ri i Emrit i rishikuar dhe i plotësuar nga vetë Eco, i botuar në Itali nga Bompiani, në janar 2012. Sigurisht, rasti i Eco-s nuk është si ai i Manzonit, kur redaktoi romanin e tij Të fejuarit, sepse ky i fundit nuk bëri një rishikim, por një rishkrim.
Këtë e bëri kryesisht për veten. E bezdisnin disa fraza dhe përsëritje. Për lexuesin bëri disa përkitje të vogla, duke shkurtuar paksa citatet nga latinishtja. Edhe mund të mos e kishte bërë, sepse libri është shitur në miliona kopje. Pra, tridhjetë vjet më vonë, meqë nuk e kishte prekur kurrë, vendosi t’i hynte një herë mirë. Dy personazhet e vetme që kanë pësuar ndryshim në këtë botim të ri janë Uiliami dhe bibliotekari Malakia. Në portretin e bibliotekarit ishte një citim nga një roman i një shkrimtareje angleze. Pas kaq vitesh, mendoi që nuk ishte i domosdoshëm dhe e hoqi. Kurse Uiliamit i preu tufëzat e qimeve të verdheme në veshë, por kjo nuk ka të bëjë me faktin se është përpjekur që të duket si Shon Konery, siç është thënë. Eco i bëri ata më të pavarur nga burimet e tjera jo të domosdoshme. Në thelb, përse duhet t’i bënte këto portrete me stilin neogotik sipas portretit të abatit Valet? Me ndërhyrjen e tanishme, ata tingëllojnë më shumë mesjetarë. Edhe listat janë shkurtuar dhe autori mendon se lipset ruajtur ndjenja e masës, edhe për listat. E lehtësoi cazë listën e Darkës së Ciprianit: në vitet ‘80 sapo e kishte zbuluar këtë tekst të mrekullueshëm, duke qëmtuar të gjitha referencat, por për lexuesin e zakonshëm ishte një shkëmb pak i vështirë për t’u kacavjerrë. Nuk donte të përfundonte si Mozarti, të cilin Jozefi II e qortoi: shumë nota. Për këto dhe shumë gjëra të tjera interesante e të reja në romanin Emri i trëndafilit i Umberto Ecos, lexuesit mund të kenë tashmë në dorë botimin në shqip nga Shtëpia Botuese DITURIA, mars 2012.  Përgatiti: Jeta Hamzallari

Comments

Popular posts from this blog

PROTAGORA: Njeriu është masë e të gjitha gjërave

Kush është Frederik Shopen

OGUST KONTI: Për të krijuar shoqërinë e re çdo fantazi e vjetër duhej të lihej mënjanë, qoftë kjo e Zotit opo e dogmave metafizike, për barazinë apo sovranitetin e popujve