Enada Hoxha: Ditët e fundit të Agron Aliajt

Aida Tuci
Agron Aliaj hyri për herë të fundit dje në Teatrin e Operas dhe Baletit, i shoqëruar nga nxënësit, të cilëve maestroja u ka dhënë shpirtin -siç thotë Ilir Kerni- në këto 50 vjet karrierë. Gerd Vaso, Dion Gjinika, Ezdalin Gorani, me zor mbanin dhembjen për humbjen e njeriut që u mësoi gjithçka mbi baletin. Familjarët, bashkëshortja Valdete, djali Çezari dhe vajza Greta, prisnin dhe përcillnin miqtë, kolegët dhe personalitete të vendit që kishin ardhur në ceremoninë e lamtumirës. Në video-projektorin e vendosur në holl u dhanë pamje nga shfaqjet e shumta që ka vënë në skenë koreografi Agron Aliaj. Po Enada Hoxha, balerina e parë e Teatrit të Operas dhe Baletit, që për vite shihej në krah të mjeshtrit, ka më shumë për të rrëfyer…
Enada, të ka takuar shpesh të punosh me koreografin Agron Aliaj? Si ishte natyra e tij e punës?   
Agron Aliaj ishte një natyrë optimiste, me dëshirë dhe pasioni për jetën dhe artin e koreografisë. Në skenë ai ishte mjeshtri i vërtetë. Ai merrej jo vetëm me koreografinë, por edhe me kostumet, skenografinë deri edhe me muzikën e baletit që donte të vinte në skenë. Ishte i gjithanshëm. I binte pianos, pikturonte. Ishte njeri me shumë fantazi. Kishte momente që dëshironim që provat me të të mos mbaronin kurrë. Sa shumë projekte që kishim në mend të bënim të tre: Mjeshtër Agroni unë dhe Gerdi.
Çfarë latë në mes? Kishte shkruar dy vjet më parë një skenar për baletin dhe më thoshte shpesh që dëshironte të bënte një dokumentar. “Gjej njerëzit ta realizojmë, sepse skenari është gati”- më thoshte shpesh. Ishte një projekt i punës së tij 20-vjeçare me ne në Teatrin e Operas dhe Baletit. Besoj se atë dorëshkrim dhe shumë të tjera duhet t’i kenë familjarët. Ai shkruante shumë shpesh, kujtime, librete, poezi. E frymëzonte gjithçka qiellore dhe tokësore. Por dëshira më e madhe e tij ishte të vinte në skenë “Vajza e Faraonit”, një balet tepër i vështirë, që ai e kishte parë për herë të parë në kohën e studimeve në Moskë dhe në gjithë këto vite ëndërronte që të vinte dita që baleti të vihej edhe në skenën shqiptare. E kishim diskutuar disa herë dhe kishim vendosur që të fillonim punën për ta bërë realitet ëndrrën e tij… Unë e kam peng që nuk pozova një herë për piktorin Agron Aliaj, sepse shpesh më thoshte: “Ty, Enada, dua të të bëj një pikturë nudo”.
Ka ndodhur të debatoni në orët e gjata të punës?
Po kemi patur shpesh dhe debate njëri me tjetrin. Ai ishte një natyrë që përpiqej të ruante etikën për të mos lënduar tjetrin, por në profesionin tonë duhet të jesh i drejtpërdrejtë. Ndodhte që ishte dhe i drejtpërdrejtë dhe herën e fundit e bëri pikërisht atë ditë që u aksidentua… Ishim në provat e baletit “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”. Aq shumë u nevrikos me ne, sa nuk e përmbajti veten. Ai ishte një natyrë që kërkonte maksimumin që nga prova e parë deri tek e fundit. Së fundmi me ne kishte krijuar një raport jo si maestro me balerinin, por si kolegu me kolegun. Në skenën e Teatrit të Baletit kemi pasur çaste shumë të lumtura, por dhe shumë momente debati dhe tensioni. Do të më mungojnë shumë bisedat me të. Na thoshte gjithmonë: “Jeta është e bukur. Kam marrë çdo gjë nga kjo jetë dhe ndahem i lumtur prej saj”.
E kishte frikë vdekjen?
Vitet e fundit po largoheshin njëri pas tjetri gjithë miqtë e tij dhe kur dëgjonte për ndonjërin shfaqte trishtim të madh. Një njeri si ai, aq energjik, pasionant, me dëshirën e madhe për të jetuar, sigurisht që e kishte frikë vdekjen. Kur isha dje në shtëpinë e tij vajza po më tregonte se dy ditët e fundit pati një lloj optimizmi se do të ngrihej në këmbë, por pastaj e humbi shpresën dhe me sa duket vendosi të ikte. Ai nuk e kishte menduar kurrë veten se do të rrinte 3 muaj pa lëvizur dhe kjo e vrau shumë. Në momentet që humbiste vetëdijen “rikthej” shpesh në skenë, sepse fliste për projektet që, me sa duket, ishin të ruajtura në mendjen e tij: “Tani do të bëj një balet me vetëm një balerin në skenë”.
Somario
Kur isha dje në shtëpinë e tij, vajza po më tregonte se dy ditët e fundit pati një lloj optimizmi se do të ngrihej në këmbë, por pastaj e humbi shpresën dhe, me sa duket, vendosi të ikte. Ai nuk e kishte menduar kurrë veten se do të rrinte 3 muaj pa lëvizur dhe kjo e vrau shumë.

Comments

Popular posts from this blog

PROTAGORA: Njeriu është masë e të gjitha gjërave

Kush është Frederik Shopen

OGUST KONTI: Për të krijuar shoqërinë e re çdo fantazi e vjetër duhej të lihej mënjanë, qoftë kjo e Zotit opo e dogmave metafizike, për barazinë apo sovranitetin e popujve