Gjurmët e zhdukuna të historisë

Ardian Ndreca
Ne jemi nji popull që gjanat ma të randësishme i ka përcjellë gojë më gojë, tue ia besue kështu shpirtin shqiptar traditës së pashkrueme. Kjo gja ka ndodhë për shumë arsye, por kah ana tjetër nuk mund të themi se kemi qenë shumë kambëngulës në ruejtjen e dëshmive historike e aq ma pak në mbledhjen e tyne sistematike. Për kah e bukura duhet thanë se dikur na ka mjaftue natyra e në rastin ma të mirë jemi mundue me gdhend ndonji motiv floreal në dru apo me zbukurue objektin ma të madh të dashunisë sonë: armën.
Megjithatë edhe ne kemi pasë e vazhdojmë me pasë thesare të panjohtuna, shumë prej të cilave janë zhdukë e vazhdojnë me u zhdukë pa mbërrijtë me e pa asnjiherë dritën e diellit. Nji koleksionist i famshëm i Rilindjes europiane, Qiriaku prej Ankonet (Ciriaco d’Ancona, 1391-1452) tue udhtue nepër Ilirí, Epir, Greqi, Peloponez, pat mbledhë e përshkrue epigrame të ndryshme në gjashtë vëllime (Commentarii) që ma vonë, në vitin 1514, u dogjën. Prej atij material që ka shpëtue kuptojmë se çfarë pasunije kishte vendi ynë në lidhje me antikitetin. Ma vonë shumica e atyne relikeve u zhduken pa lanë gjurmë. E dijmë edhe arsyen edhe rrethanat, por asht e kotë me e trazue ndërgjegjen e keqe tonën.
Por po e lamë m’nji anë botën e lashtë, e po i sillemi kohës së re për me shenjue disa perla që kanë ekzistue deri vonë ndër ne.
Në Shkodër në familjen e pijeshitësit Dema janë ruejt me xhelozí pikturat e 4 apostujve të piktorit të madh italian Guercino (1591-1666) ose – gja që asht ma bindëse – të ndonji dishepulli të tij. Katër pikturat në fjalë janë të dokumentueme deri në vjetin 1951, madje edhe fotografi Gegë Marubbi i ka pasë fotografue.
Po në qytetin verior janë ruejt deri në vitin 1962 edhe disa partitura dhe letra të kompozitorit të shquem Franz Liszt, të cilat simbas dëshmive të shkrueme të dorëzuesit Kolë Luka, kishin mbërritë në Shkodër prej tregtarëve Shuk e Lukë Luka, të cilëve ua kishte dhanë nji çifut. Kështu që edhe ne shqiptarët, tue parafrazue nji shkrim të Baudelaire-it kushtue kompozitorit të pavdekshëm, mundena me thanë: «Cher Liszt, edhe ne prej vendit tonë të vogël, të përshëndesim në amshimin tand!»
Kurse në muzeumin e Fretënve françeskan asht ruejt nji unazë e gjetun prej Atë Shtjefën Gjeçovit e punueme në ar e me nji diamant konik përsipër, e cila ishte vlerësue prej specialistave të huej si e shekullit të II mbas Krishtit. Unaza u grabit prej “pushtetit popullor” e përfundoi në Muzeumin kombtar në Tiranë, ku shpresojmë që të gjindet ende!
Edhe familja Kakarriqi zotnonte dy portrete të pikturueme prej Rembrandt-it, të cilat kishin mbërritë në Shqipni nëpërmjet tregtarit shkodran Zef Shiroka, i cili në kohën e luftës civile që pasoi Revolucionin bolshevik rus i kishte marrë në Odesë si pagesë prej refugjatëve që donin me ikë prej terrorit të kuq. Kuadrot i përkitnin Ermitazhit të Shën Petërburgut, e qeveria shqiptare ua ktheu në shenj miqsie sovjetikëve, të cilët patën dërgue me i marrë në dorzim intelektualin Ilija Ehrenburg.
Miqsia me sovjetikët e ajo me Stalinin në veçanti, bani që edhe veshjet e arta të Preng Bib Pashës dhe të Marta Dodës, të familjes princore të Mirditës, të shkonin si “peshqesh” në Moskë. Tashma prej atyne veshjeve kanë mbetë vetëm fotografitë e Marubbit.
Në vitin 1951 familja Summa i shiti për pak e gja Galerisë së Arteve nji portret të humanistit italian Giovanni Pontano (1429-1503), autor i randësishëm i Rilindjes italiane.
Përsa i përket numizmatikës duhet thanë se Etnit jezuit i falën Viktor Emanuelit III, i cili ishte shumë mâ ekspert për paret e rralla sesa për shtetin, nji monedhë unike të mbretit Bohemund (simbas dikujt tjetër të Robert Guiskardit) e cila përfundoi ma vonë në Muzeumin romak ku gjindet edhe gjithë koleksioni i mbretit të parafundit italian.
Edhe sot e kësaj dite sende tjera të vyeme mshehen nëpër Shqipní dhe shumë prej tyne rrezikohen me u zhdukë përgjithmonë tue e vorfnue ma shumë alfabetin e historisë sonë kombtare. Sot, ndoshta gjaja ma e çmueshme që i mungon «inventarit» tonë shpirtnor asht dëshira me shpëtue gjurmët e së kaluemes; shohim përditë sesi jo vetëm privatët por vetë institucionet shtetnore ecin si qenje që s’lëshojnë as hije, tue lanë mbas vetes nji shkretinë.
Monumentet kombtare po kthehen në kafe dhe restaurante, po vidhen dhe shemben ditën e natën, e tash së fundit edhe po betonohen, sigurisht për me u ruejt ma mirë, simbas parametrave të teknikëve të sotëm.

Comments

Popular posts from this blog

PROTAGORA: Njeriu është masë e të gjitha gjërave

Kush është Frederik Shopen

OGUST KONTI: Për të krijuar shoqërinë e re çdo fantazi e vjetër duhej të lihej mënjanë, qoftë kjo e Zotit opo e dogmave metafizike, për barazinë apo sovranitetin e popujve