“Jetë e humbun”, Çoba rrëfen nga burgu në pikturën e Gjovalin Pacit


Për ekspozitën “Jetë e humbun”, me 100 portrete dhe kompozime, piktori Gjovalin Paci u frymëzua nga libri memuaristik me të njëjtin titull i ish-juristit Ejëll Çoba, i shkruar në vitet 1973-1978.
“Elementet që mbajtën ndezur frymën për të realizuar këtë ekspozitë janë të veçanta e shumë origjinale: rrëfimet e shkruara nga autori në kulmin e terrorit komunist, që përbënin rrezik për të, familjen e rrethin miqësor. Kalimi i cakut të jetëshkrimit jo në rrëfim për vetveten, por për të tjerët. Përjetime të vërteta të rrëfyera me ngarkesa emocionale. Faktet mbi të cilat mbështeten rrëfimet, të përjetuara drejtpërdrejti, larg klisheve, pa zbukurime e hiperbola. Gjuha e thjeshtë, faktet mbi të cilat ndërton rrëfimin nuk të lënë asnjë mëdyshje se e vërteta është ajo që thotë si njeri, si jurist në ato rrethana absurde.



Vizatimi me vërtetësi i karaktereve bashkëvuajtës, ku në të shumtën e rasteve përdor emra të vërtetë, ngjarjet dhe kohën kur ndodhin”…E bëjnë unik për Pacin rrëfimin për diktaturën, të njeriut që vuajti 24 vjet në burgjet komuniste. Ai e quan një detyrim moral hapjen e ekspozitës edhe për familjen Çoba, “që aq shumë i dha Shkodrës në të gjitha fushat e jetës, në veçanti në formimin kulturor e profesional”. Në kohën kur është shkruar libri, piktori ishte vetëm 13 vjeç. 100 punët e ekspozitë i prezanton të ndara në ciklet: personaliteti, familja, tradita, miqtë, përjetimet, tortura, simbolika komuniste, diktatura, komunizmi, post-komunizmi, memoria kolektive. Ka realizuar teknika të ndryshme realizimi, miks media mbi fletë alumini, vaj, pastel, teknikë miks mbi letër, akrilik, kolazh, tush mbi letër.
Kujtohet 6-muaj pas largimit nga jeta gazetari Alfred Kanini. Familja boton romanin e ndaluar në vitin 1985


Kush vdes i pari
Titullohet libri që la në dorëshkrim Alfred Kanini, gazetari që u largua nga jeta në nëntor të vitit të kaluar në moshën 68-vjeçare. “Kush vdes i pari” u prezantua dje në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në ceremoninë homazh që organizoi familja, bashkëshortja (Teuta) dhe vajza, të ardhura nga Florida, vendi ku ai jetoi pas emigrimit nga Shqipëria -stafit të RTSh-së dhe njerëzve që punuan për vite në Redaksinë e Kulturës në Radio Tirana. Alfred Kanini ishte përgjegjës i kësaj redaksie. Ish-kolegët sollën kujtime nga viti 1991, kohë e shqetësuar për gazetarët e RTSh-së. Antoneta Malja, që punoi për 20 vite me të, kujtoi kohën “kur gjithçka që transmetohej ishte në kontroll të rreptë e duhej të kalonte në disa filtra”, për grevën studentëve, që përgjegjësi kishte kërkuar “ose të transmetohej emisioni me zërin dhe mendimet e studentëve, ose e gjithë Redaksia e Kulturës, të jepte dorëheqjen”. Regjisorë, gazetarë, në ceremoninë përkujtimore kujtuan guximin e kolegut, seriozitetin dhe përgjegjshmërinë në punë, pasionin për letërsinë, bisedat për kulturën nëpër kafene, aty edhe cigaretet e pakta që me zor siguroheshin. Regjisori Alfred Bualoti rrëfeu për kohën kur përgatitej emisioni “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”, ish-kolegu Xhelil Aliu foli për njeriun që u rrinte larg kompromiseve, drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit, Zhani Ciko, mbante mend kohën e grevës së sindikatës të RTSh-së -asokohe Kanini ishte kryetar i sindikatës- Adi Krasta kujtoi sesi e kishte mësuar “Të montonte pa dhimbje”, Jani Duri rrëfeu për botimet që i ndaloheshin nga redaktorët e shtëpisë botuese. I kësaj periudhe është edhe botimi “Kush vdes i pari”, i shkruar në vitin 1985, që autori nuk desh ta botonte të shkurtuar. Është një roman për Himarën, frymëzuar nga historia, qyteti që kishte më për zemër. Në fund u shfaq edhe një material i përgatitur me filmime nga intervistat që Alfred Kanini kishte realizuar me njerëz të kulturës. Në material ishin futur edhe fragmente nga krijimtaria e tij, ku ngacmojnë vargjet: “Unë do të vdes/më kot më lutesh të zgjohem në këtë hark të kuq të perëndimit ku pisha digjet…”…
Alfred Kanini (10 qershor 1943 – 13 nëntor 2011) ka një histori të gjatë me RTSh-në, si gazetar, përgjegjës i Redaksisë së Kulturës në Radio Tirana, e më vonë edhe i Departamentit të Kulturës në Televizionin Shqiptar. Në vitin 2000 emigroi në Florida, ku edhe ndërroi jetë. Është autor i librave: “Mbi një platformë betoni” (1971), “Shirat e vjeshtës” (1972), “Vozabërësi dhe vajza e vrarë” (1975), “Mëngjeset e bregut të liqenit” (1978), “Ngarkesa e largët” (1979), “Pas mjegullës” (1980), “Njeriu që dua” (1983).

Jorida Pasku

Comments

Popular posts from this blog

PROTAGORA: Njeriu është masë e të gjitha gjërave

Kush është Frederik Shopen

OGUST KONTI: Për të krijuar shoqërinë e re çdo fantazi e vjetër duhej të lihej mënjanë, qoftë kjo e Zotit opo e dogmave metafizike, për barazinë apo sovranitetin e popujve