Albert Vataj

Tuesday, May 29, 2012

Kadare: Të hapen dosjet e fshehta për shkrimtarët, qeveritë i mbajnë nën urdhra

Në fund të intervistës me Dhurata Shehrin, dhënë për revistën kritike “Letra” (numri i parë i botimit), Kadare flet për një çështje tepër të rrahur në Shqipëri: hapjen e dosjeve. “Fshehtësia e tyre s’ka sjellë asgjë të mirë në këta njëzet vjet tranzicion. Përkundrazi, ka sjellë shumë të këqija. Kryesorja, i ka dhënë shtetit një pushtet të frikshëm mbi letërsinë (për të folur vetëm për të)”, – shprehet  shkrimtari dhe e drejton bisedën në një tjetër kah, te marrëdhëniet mes njerëzve të letrave që jetonin në Shqipëri dhe atyre që vinin nga jashtë. Ai është i mendimit që shërben për të hedhur dritë edhe mbi këtë aspekt. “Këtu s’është fjala për shkrimtarë të mëdhenj. Eshtë fjala për dhjetëra letrarë që hynin e dilnin në vendet ku rrallëkush mund të hynte dhe, ç’është më e keqja, shkelnin mbi besimin e shkrimtarëve vendas. Në rastin shqiptar janë dy të tillë, një zvicerano-suedez dhe një italian, që janë përmendur me emër dhe mbiemër në shtypin perendimor, si shërbyes të regjimit shqiptar”, – thotë Kadare.

Intervistoi: Dhurata Shehri   

Cila ka qenë kritika e parë që ju është bërë, me ç’rast dhe si e keni pritur ?

Ka qenë për librin tim të parë “Frymëzimet djaloshare”, një përmbledhje vjershash, shkruar në 1953 dhe botuar në 1954, kur isha ende nxënës në gjimnazin e Gjirokastrës.
Nga ky botim kam kujtime të veçanta. Pas njëfarë pakti me tim atë, sipas të cilit, unë s’do ta vija më emrin e tij midis emrit dhe mbiemrit tim (Ismail H. Kadare), kurse ai s’do të më përzihej më në punët e shkrimeve të mia, im atë ndiqte me një shpërfillje të plotë letrat që më vinin nga shtëpia botuese, lidhur me çështjet e këtij libri. S’kisha asnjë ide se ç’mendonte. Vetëm një ditë, kur në vend të letrës që prisja, erdhi një telegram, ku ma kërkonin me ngut dorëshkrimin dhe më duhej të shkoja në Tiranë për ta çuar, ai bëri një ndërhyrje. Në vend të udhëtimit me autobusin e linjës, i cili zgjaste rreth dymbëdhjetë orë, më tha se ishte mirë të shkoja me taksi.
Ky udhëtim i pazakonshëm më dha shijen e parë të peshës, për të mos thënë mendjemadhësisë, që mund të shkaktonte botimi i një libri. Në gjimnaz të gjithë flisnin për këtë, madje edhe mësuesi kujdestar më pyeti një ditë: ‘E ke çuar vërtet librin me taksi?’  Kishte nga ata që besonin se kjo bënte pjesë në atë që quhej “botim”, madje ishte pjesa më serioze e tij.
Lidhur me kritikën ose kritikët kisha dëgjuar si për diçka tepër të largët, por që s’kishte lidhje me kënaqësinë e letërsisë. U habita, nuk e di pse, që për librin tim u botua një kritikë. Përshtypja e kritikës ishte më e madhe se ajo e vetë librit. Disa e quanin nder të madh që kritiku, një “goxha profesor”, kishte shkruar kritikë për një kalama. Të tjerë, përkundrazi, e quanin turpërim që, përveç ca fjalëve të mira “sa për të larë gojën” (sipas tyre), kritiku i bënte vërejtje librit të një kalamani. Vërejtja kryesore kishte të bënte me natyrën soditëse të autorit të ri, i cili, sipas kritikut, e shikonte jetën më shumë nëpërmjet dritares sesa i përzier në të.
Nga kafeneja im atë nuk sillte asnjë mendim. Ndërkaq, qëndrimi ndaj kritikës ndryshonte me ditë, gjersa ajo përfundoi tek ideja se e meta kryesore e autorit ishte se qe ajo puna e “vështrimit nga dritarja”. Këtë e kuptova nga biseda e dy kushërirave tona, që kishin ardhur për përvjetorin e vdekjes së gjyshes. Nuk e fshihnin se ishin të skandalizuara: Përflitet vallë njeriu ngaqë vështron nga penxheret? (Për gratë e vjetra gjirokastrite, të mos dije të vështroje nga dritaret, e aq më tepër t’i thoshe tjetrit “mos vështro”, ishte baras me të qenët i pagdhendur).

Cili ka qenë apo është kritiku që ju ka bezdisur më shumë, apo që e keni bezdisur më shumë?

Kanë qenë dy. Për raste të tilla quhet sjellje e mirë të thuash “s’po përmend emra”. Nëse jeni kureshtare, për mua s’është problem t’jua them. Ishin R.Brahimi dhe K.Bihiku. Ishin të bezdisshëm për shumicën e shkrimtarëve të rinj, për mua veçanërisht. Pothuajse çdo gjë që shkruaja prishnin buzët.
Në romanin “Koncert në fund të stinës” kam përshkruar një rrahje midis një shkrimtari dhe kritikut të vet, në një hotel të Kinës. Ka qenë, me sa duket, ëndrra ime e hershme për njërin prej të dyve. Gjatë shqyrtimit të dorëshkrimit m’u bë vërejtja që ta hiqja këtë rrahje sepse turpëronte delegacionin shqiptar (shkuan shkrimtarët jashtë shtetit dhe në vend që të nderonin vendin, u rrahën mu në mes të Kinës). Unë nuk e hoqa rrahjen, por i bëra një retush: nga një skenë reale e bëra si të përfytyruar (d.m.th. te dera e dhomës së kritikut, shkrimtari, që ka shkuar për ta rrahur tjetrin, në vend që të trokasë, e përfytyron rrahjen me të gjitha imtësitë). Ndërkaq është shumë befasuese skena e kthimit të tyre nga Kina. Në shkallët e avionit të gjithë vënë re ca shenja të zeza në fytyrën e kritikut.
Më kujtohet se miku im D.Dilaveri, që ishte në dijeni të dorëshkrimit, më tha: po ti sikur e kishe hequr atë rrahjen e famshme.

A e ka kushtëzuar krijimtarinë tuaj sadopak kritika? Po kritika e huaj?

Kushtëzim, është një fjalë e madhe. Nuk besoj se mund të kem qenë i kushtëzuar vërtet ndonjëherë. I ndikuar, ndoshta, por në kohë të ndryshme, në mënyra të ndryshme. Vitet e mija studenteske në Tiranë kanë përkuar me kohën fill pas vdekjes së Stalinit, me Kongresin e 20-të, Konferencën e Tiranës. Diktatura shqiptare ndihej e trembur. Frikës së vjetër prej botës kapitaliste i ishte shtuar një frikë e re: prej vetë kampit komunist. Ky kamp jepte përshtypjen se po zbutej dhe pikërisht kësaj zbutjeje i druhej Shqipëria. Midis studentëve ndihej një farë fryme liberale, që qarkullonte në gjithë kampin e madh. Herë dukej se ishte qendra e këtij kampi, Rusia hrushoviane që e gjeneronte, herë shtetet satelitë, si Hungaria e pas saj të tjerët. Motiv i përbashkët i pakënaqësisë së këtyre të fundit ishte një farë antisovjetizmi. Bezdia prej flamurit sovjetik që ngrihej detyrimisht përbri flamurit kombëtar, ose të himnit sovjetik, e kështu me radhë, prej librave sovjetikë, vetë gjuhës ruse, që kishte nxjerrë nga shkollat gjuhët perëndimore e që ndoshta për këtë shkak dukej edhe më e vështirë.
Shqipëria kulturore, sidomos Tirana, e përjetonte çuditërisht këtë klimë të pazakonshme. Për fat të keq, letërsia vazhdonte të ishte e ngrirë. Zotëronin fuqishëm shkrimtarët militantë, një pjesë ish-partizanë. Asnjë shenjë rehabilitimi për shkrimtarët e ndaluar. Aq më pak për shkrimtarët e mënjanuar si Poradeci e Kuteli. Në këto kushte kritika shqiptare kishte humbur çdo autoritet dhe shkrimtarët e brezit të ri, vështirë se mund t’i merrnin seriozisht qoftë lavdet, qoftë qortimet e saj.
Në Moskë, në Institutin Gorki, ku shkova më 1958, u njoha me një kritikë, në pamje të parë disi ndryshe, në thelb e njëjta si në Shqipëri. Ngjarja e pashembullt mes së cilës u gjenda, ishte furtuna kundër Pasternakut. Kam mbërritur në Moskë në shtator të vitit 1958 dhe vetëm disa javë më pas, në tetor, ndodhi dënimi i bujshëm i tij. Ngjarja ishte me jehonë planetare, por qendra e ciklonit ishte në rrugën Hercen, ku ndodhej Lidhja e Shkrimtarëve dhe shtëpia e Hercenit, ku ishte Instituti ynë, dy hapa larg. Është pak të thuash se ngjarja ishte tronditëse për të gjithë, veçanërisht për shkrimtarët. Prej saj kuptoheshin shumë gjëra, e në radhë të parë, thelbi i raporteve midis një shkrimtari të shquar dhe shtetit autoritar.  Mjafton të përmendet se pak kohë më pas Pasternaku vdiq, ende pa e marrë veten nga tronditja.
Në Institutin Gorki u njoha me kritikën sovjetike, e cila pavarësisht zbutjes hrushoviane, nuk ndryshonte shumë nga e jona. Në seminare shqyrtoheshin veprat e studentëve. Dy grupimet, konservatore dhe liberale, atje i provoje mbi veten tënde.  Mund të them se ndaj kësaj “kritike sovjetike” kam pasur të njëjtin mosbesim sikurse ndaj asaj shqiptare.
Një këndvështrim i tretë, tepër i rrallë dhe i veçantë për shkrimtarët e bllokut komunist ishte ai i kritikës perëndimore. Pas botimit të “Gjeneralit” në Perëndim, më 1970 e kam pasur këtë rast të gëzueshëm. Për këtë libër e për veprat e tjera më pas, janë shkruar  artikuj e studime pa fund, madje libra të tërë. E kam të vështirë të përgjigjem nëse jam ndikuar prej tyre dhe në ç’masë. Tërthorazi, me siguri kjo ka ndodhur.

Te çdo shkrimtar që ka një publik botëror, në mënyrë të ndërgjegjshme ose jo, vepron ideja e universalitetit. Ajo është diçka e njohur për letërsinë, madje mund të thuhet se letërsia ka lindur bashkë me të. Por, nga ana tjetër, për shkrimtarin e një bote të ngritur mbi idenë e izolimit dhe të ndarjes me Perëndimin, ka gjasë që përkitja me këtë univers të jetë e papërballueshme. Në rastin tim, më është dukur se kalimi ka qenë i natyrshëm. Ishte pak a shumë sikur të gjendesha në një mjedis, në të cilin edhe pse nuk kishe qenë, të dukej i njohur ose i parë në ëndërr. Ka gjasë që të ketë luajtur rol thyerja qysh më parë, në ndërgjegjen time, e tabusë shqiptare, e fill pas saj, e tabusë sovjetike për letërsinë. Prej saj vjen ajo shpërfillja e një sërë ndjesish të tjera, disa prej të cilave, në mungesë të një emërtimi më të saktë, përcaktohen si mendjemadhësi.

Si do ta përshkruanit rolin e kritikës sot në krijimtarinë e një shkrimtari?

Në Shqipërinë e sotme është fare e lehtë që shumë gjëra t’i shpjegosh e t’i zbërthesh nëpërmjet një çelësi kryesor: armiqësisë. E vërteta është se në këtë vend armiqësia është prodhimi më i lirë. Armiqësi politike, partiake, krahinore, gjuhësore etj.                                                                                     Megjithatë,  këtu jemi në një bisedë për letërsinë dhe unë mendoj se letërsia, e cila ka tagrin të merret, ndër të tjera, me fajet dhe ndërgjegjen e një vendi, është e detyruar që, për fajet e saj, të përgjigjet ajo vetë dhe jo  t’i shkarkojë tek të tjerët.
Për njëfarë kaosi të krijuar në letërsinë shqipe këtë çerek shekulli, për çoroditjen, mungesën e sistemimit e të spikatjes së vlerave, e të tjera të ngjashme, siç mund të jenë  raportet e ftohta shkrimtarë-kritikë, nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me  çështjet e rënda të ekonomisë, bjerrjes morale, korrupsionit.
Së pari duhet thënë se pazmatimi letërsi-kritikë nuk është prodhim shqiptar, por botëror. Dhe as dukuria e sotme, por e të gjitha kohërave. Shkurt, është një nga “legjendat planetare” (për të shfrytëzuar shprehjen “legjendë urbane”) më të njohura. Si shumica e këtyre legjendave, është diçka e cekët e mendjelehtë, dy nga cilësitë që shpjegojnë edhe suksesin e saj.
Kundërvënia letërsi-kritike është tepër tërheqëse, jo vetëm për publikun e thjeshtë, por për vetë mjeshtrit e kësaj pune. Janë të pafundme thëniet, proverbat, maksimat e vetë shkrimtarëve kundër kritikëve. Nga kampi tjetër, ai i kritikëve, nuk mungojnë thumbat dhe nervozizmi, i fshehur keq. Ndërkaq duhet thënë se në këtë ndeshje, shpërdoruesit kryesorë dhe, në një farë mënyre, fitimtarët e paragjykuar janë shkrimtarët. Jo vetëm ata kanë përkrahjen e vetvetishme sentimentale të shumicës së lexuesve, por shkrimtarët dinë të shajnë e të fyejnë më mirë se kritikët, ngaqë ata shajnë e fyejnë pa kujdes. Kritikët, nga ana e tyre, për arsye të vetë profesionit, janë të detyruar që mërinë (ose hakmarrjen e tyre, nëse të tillë do të kishte), ta sistemojnë disi,  pra ta bëjnë me kujdes, me fjalë të tjera, ta dobësojnë.
Në regjimet totalitare mbi kritikët ra një fatkeqësi e papritur: shpesh ata u identifikuan me censurën, kontrollin shtetëror, e gjer me dëshmitë e fshehta, që i çonin shkrimtarët në burg.
Për t’u kthyer te legjenda, duhet thënë se acarimi kinse i pashmangshëm letërsi-kritikë është një nga kotnitë më të mëdha të kësaj bote. Letërsia e mirëfilltë dhe kritika kanë lindur bashkë dhe do të jenë gjithmonë bashkë.
Kur flasim për bazat e qytetërimit europian të hedhura në antikitet, qëllon që harrojmë se rolin kryesor e ka luajtur teatri. Në shkallinat e tij, si askund dhe si asnjëherë tjetër, arti dhe kritika për artin ishin bashkë. Mungonin revistat e forumet, por ndërkaq gjithë qyteti (cité-ja) ishte aty, për të thithur bashkë me artin, shijet, selitjen e parë estetike dhe idetë emancipuese.
Ka gjasë që interneti i sotëm të jetë një përpjekje, gjithsesi e dyshimtë, për të përtërirë raporte të tilla midis letërsisë dhe kritikës. Them, e dyshimtë, sepse diçka e errët qëndron midis: maskat, nofkat, pra fshehja e emrave. Një sistem i tillë maskash duhet të bjerë.

Ka një qortim për kritikën se ajo nuk e luan plotësisht rolin e duhur për afirmimin e shkrimtarëve të rinj. Mendimi juaj ?

Shkrimtarët shqiptarë kanë të drejtë të ankohen se Shqipëria është, ndoshta, vendi më i vështirë për atë që quhet «afirmim» (njohje, pranim) i shkrimtarit. Mosha e afirmimit sa vete rritet. Në sytë tonë shumë shkrimtarë vazhdojnë të përftohen si «të rinj» (rishtarë), në kohën që kanë kapërcyer të dyzetat, e disa po venë drejt të pesëdhjetave. Kjo s’është normale e as e shëndetshme për një letërsi. Për të mos thënë më të keqen: kjo e zbeh peshën e letrave dhe sidomos joshjen e tyre. Letërsia dhe artet kanë nevojë për joshje, për sharm. Ka qenë në vetë natyrën e tyre kjo përmasë dhe do të jetë përherë kështu. Regjimet autoritare nuk e durojnë dot hieroren (aureolën) e letërsisë dhe arteve, ndaj janë përpjekur t’ua ulin kokën krijuesve, në emër të kultit të modestisë.  Të jetë modest ose jo, kjo është punë vetjake e krijuesit. Janë politikanët ata që e kanë për detyrim modestinë, sidomos në Shqipëri. Mirëpo pikërisht këtu rolet janë përmbysur.
A ka përgjegjësi kritika në mosafirmimin ose afirmimin e vonuar të shkrimtarëve shqiptarë?
Mendoj se ka një farë përgjegjësie, por jo aq sa ç’flitet. Kritika duhet të ishte më energjike në theksimin e vlerave të autorëve të rinj. Të mos tregohej dorështrënguar, e trembur se mos iu rritej mendja, se mos nxitej dëshira për famë etj. Me këtë të fundit është lehtë të bëhen spekulime. E vërteta është se nuk ka shkrimtar në këtë botë që nuk dëshiron të bëhet i famshëm. I famshëm do të thotë  i njohur, i çmuar, i lexuar. Asgjë të keqe s’ka në këtë. E keqja do të ishte e kundërta.
Për t’u kthyer te përgjegjësitë për këtë gjendje jo të gëzueshme të autorëve shqiptarë, duke pranuar gjithë mungesat e jetës kulturore në Shqipëri, ngathtësinë e institucioneve, problemet e botimeve, mendoj se përgjegjësia kryesore ka gjasë të bjerë mbi vetë shkrimtarët (ose mbi shkrimtarët e rinj, në radhë të parë, meqenëse flasim për ta). Do të doja të isha i gabuar, por më është krijuar përshtypja se një pjesë këtyre autorëve, ndërsa përpiqen, me të drejtë, me shumë të drejtë, të çajnë rrugën drejt njohjes vetjake, nuk kujtohen se janë pjesë e një grupimi kolegësh, më saktë, sivëllezërish, (confréres) thënë ndryshe, besnikë të një tempulli, që sido që të vijnë punët, është shtëpia e tyre e përbashkët. Në qoftë se ky tempull, kjo shtëpi, do ta ketë humbur hieroren (aureolën) e vet, humbjen do ta ndiejnë të gjithë.
Është thënë edhe më parë se në tempull hyhet vetëm me dashuri.  Për fat të keq, kjo nuk po ndodh  gjithmonë në Shqipëri. Ndoshta ky është çelësi i humbur për të hapur dyert, atje ku ato qëndrojnë të mbyllura.

Floberi ka thënë se kritiku është ai që zgjedh rolin e spiunit në kohë lufte, ngaqë s’ka guxim të luftojë. Si do ta komentonit këtë shprehje?
Nuk e kam ditur këtë thënie të Floberit. Është gjithsesi e habitshme, sepse nga një anë i përket një shkrimtari tepër elitist, nga tjetra, na çon tek një paralajmërim për një gjëmë që do t’i përkiste kryesisht së ardhmes. Letrari denonciator ka qenë i njohur, por pritej shekulli 20-të që kjo flamë të shfaqej në gati gjysmën e globit.
Për të mos u zgjatur, kjo thënie na çon te çështja e dosjeve të fshehta, aq shumë e përfolur dhe aspak e zgjidhur në Shqipëri. Dosjet e fshehta duhet të hapen për letrarët. Fshehtësia e tyre s’ka sjellë asgjë të mirë në këta njëzetë vjet tranzicion. Përkundrazi, ka sjellë shumë të këqija. Kryesorja, i ka dhënë shtetit një pushtet të frikshëm mbi letërsinë, (për të folur vetëm për të). Me anë të dosjeve të fshehta, qeveritë kanë vazhduar të kontrollojnë e të kenë nën urdhër dhjetëra letrarë, të cilët i përdorin sa herë që iu volit, kundër lirisë.
Nuk them asgjë të re po të këmbëngul se asgjë e keqe nuk i vjen letërsisë shqipe nga kjo higjienë e ashpër, që quhet lustracion. Asnjë përmbysje nuk i ka ardhur letërsisë gjermane, çeke, hungareze etj., pas hapjes së arkivave. Thesari i letërsisë shqipe nuk dëmtohet. Për këtë është folur kaq herë. Ajo që do të shtoja ka lidhje me një sferë ende të paprekur të kësaj çështjeje: letrarët e huaj. Dukuria ka qenë dhe mbetet e njohur. Të gjitha shtetet komuniste kanë pasur miq të huaj. Një pjesë e tyre kanë qenë ndoshta naivë, por të sinqertë. Tërhiqeshin nga vendet e Lindjes për arsye të ndryshme: kulturore, ekzotike, sentimentale, nganjëherë ideologjike. Midis tyre kishte studiues letërsie e përkthyes, ndaj të cilëve ne kemi qenë e do jemi gjithmonë mirënjohës, për arsye që dihen. Ndërkaq, për fat të keq, jo gjithmonë ka qenë kështu. Midis tyre, në një numër më të vogël, kishte të tillë, për të cilët cilësori “i pasinqertë” do të ishte më e pakta gjë që mund të thuhej. Për t’i rënë shkurt, për shkrimtarët e ish-Lindjes, për shqiptarët ashtu si për kolegët hungarezë apo rusë, çekë, gjermanë etj., paskësh qenë e thënë që, pasi duruan denoncimet e kolegëve vendas, të duronin ato të “miqve”, atyre që, duke ardhur nga një botë e lirë, pranuan të bashkëpunonin me regjimet diktatoriale. Kjo temë ka mbetur tabu në Shqipëri. Hapja e dosjeve të fshehta do hidhte dritë mbi të. Dhe kjo zbardhje ishte e domosdoshme sepse për çoroditjen e krijuar në letërsinë shqipe këtë çerek shekulli, një pjesë të përgjegjësisë e kanë edhe këta vrojtues kinse të paanshëm.
Në një këndvështrim më të gjerë, sqarimi i së vërtetës për dramën e kulturës nën komunizëm plotëson të vërtetën e përgjithshme për të.
E vërteta s’mund të përmbyset. Në hulumtimin e asaj që ndodhi, qëllon që përmenden,  ndër të tjera, dy emra të mëdhenj: Bernard Shou dhe Henri Barby-s. Natyrisht që askush nuk i akuzon si mbrojtës të totalitarizmit, ndërkaq shpesh iu kujtohet, jo pa një farë qortimi, shpërfillja e tyre gjatë vizitave në botën sovjetike, kur nuk vërejtën asgjë për atë çka ndodhte atje.
Këtu s’është fjala për shkrimtarë të mëdhenj. Është fjala për dhjetëra letrarë që hynin e dilnin në vendet ku rrallëkush mund të hynte dhe, ç’është më e keqja, shkelnin mbi besimin e shkrimtarëve vendas.
Në rastin shqiptar janë dy të tillë , një zvicerano-suedez dhe një italian, që janë përmendur me emër dhe mbiemër në shtypin perëndimor, si shërbyes të regjimit shqiptar.
Kjo nuk e prek aspak mirënjohjen që përmenda më lart për të tjerët, miqtë që u treguan besnikë në të gjitha rrethanat.
Për t’u kthyer te ana e errët e tablosë, te miqtë e rremë, mendoj se çoroditja që ata mund të sjellin është e dëmshme te publiku shqiptar, i cili ka prirjen e mirë t’u besojë të huajve të paanshëm. Çoroditja mund të jetë edhe më shumë te publiku ndërkombëtar, përpara të cilit këta shfaqen si njerëz të shtëpisë, që i dinë nga brenda problemet shqiptare. S’do të kishte asgjë të keqe po të ndodhte kështu. E keqja është se qëndrimet e tyre janë aq kundërthënëse e të ndryshueshme saqë kërkojnë detyrimisht një shpjegim. Për ta mbyllur me një shembull të fundit, aspak të gëzueshëm, do të përmendja një përkthyes e njëkohësisht studiues franko-grek, i cili gjatë 30 viteve (pra gjatë komunizmit kur hynte e dilte sa herë të donte në Shqipëri, por edhe pas rënies së tij), nuk pushoi së përkthyeri, së studiuari, së lavdëruari, së propozuari për titullin “Doctor honoris causa» etj.,etj. një shkrimtar shqiptar, për të përfunduar befasisht, në një forum ndërkombëtar, në Paris, kushtuar pikërisht këtij shkrimtari, ku përkthyesi (tradutore-traditore) shfaqet me një fytyrë tjetër dhe thotë krejtësisht të kundërtën dhe është i vetmi në atë forum që flet keq për “shkrimtarin e vet”.
Ne ankohemi shpesh, me të drejtë, për klimën e acaruar në Shqipëri. Duke dashur që kjo bisedë të mos ishte e tillë, u përpoqëm t’i shmangnim acarimin. Megjithatë, ai u shfaq. Në   këtë rast, meqenëse një thënie e Floberit të madh u bë shkas, s’na mbetet veç të perifrazojmë refrenin e një kënge të njohur frënge: “Na plasi befas sherri. Dhe fajin e ka Floberi”.
Somario : Do të përmendja një përkthyes e njëkohësisht studiues franko-grek, i cili gjatë 30 viteve (pra gjatë komunizmit, kur hynte e dilte sa herë të donte në Shqipëri, por edhe pas rënies së tij) nuk pushoi së përkthyeri, së studiuari, së lavdëruari, së propozuari për titullin “Doctor honoris causa” etj.,etj. një shkrimtar shqiptar, për të përfunduar befasisht, në një forum ndërkombëtar, në Paris, kushtuar pikërisht këtij shkrimtari, ku përkthyesi (tradutore-traditore) shfaqet me një fytyrë tjetër dhe thotë krejtësisht të kundërtën dhe është i vetmi në atë forum që flet keq për “shkrimtarin e vet”.
Ne ankohemi shpesh, me të drejtë, për klimën e acaruar në Shqipëri. Duke dashur që kjo bisedë të mos ishte e tillë, u përpoqëm t’i shmangnim acarimin. Megjithatë, ai u shfaq.
Box
                                                                       
Revista Kritike “Letra”

Prej kohësh, kur bashkëbisedohet për librin dhe letërsinë, flitet me pasion, por edhe shqetësim për kritikën letrare. Ajo cilësohet njëkohësisht e domosdoshme dhe e munguar. Kjo gjendje dyfishe e saj ka arsyet e veta dhe një shtjellim i shpejtë i tyre përbën edhe platformën e kësaj reviste, kësaj “sprove” që zë fill këtu.
Kritika letrare, si vlerësim e gjykim sistemor e subjektiv mbi letërsinë, ka statusin e ndërmjetëses mes veprës e lexuesit, por edhe statusin post festum, si produkt që vjen pas shkrimit të letërsisë, tashmë edhe ajo vetë pjesë e këtij shkrimi në kuptim më të gjerë. Në ndërmjetësinë që merr përsipër kritika letrare në Shqipëri është tronditur parakushti i besimit. Thënë ndryshe, lexuesi nuk i beson më kritikës. Po ta heqim mënjanë faktin se ajo është e re edhe në raport me letërsinë shqipe, kritika letrare është luhatur mes himnizimit, anatemimit dhe ideologjizimit, sidomos këtë gjysmëshekullin e fundit. Sot kritika letrare vuan nga rënia e hierarkive, por paradoksalisht edhe nga mosrënia e hierarkive. Ajo vuan subjektivitetin e vet, siç paradoksalisht vuan antisubjektivitetin e vet. Mungesa e kritikës shqipe pas rënies së pushtetit të ideologjisë lidhet tashmë edhe me pushtetin e terminologjisë. Në këtë fazë ajo ka marrë trajtat e zbrazëtisë metagjuhësore. Me rënien e ideologjisë, e mbetur pa instrumentet e terminologjisë, ajo i është drejtuar subjektivizmit të skajshëm. Si e tillë, e papeshë, ajo është lehtësisht e kërcënueshme me margjinalizim, siç po ndodh.
Në mes të gjitha mungesave të kritikës letrare në Shqipëri, ajo që shkëlqen më shumë është mungesa e një mediumi kritik, e një reviste apo gazete kritike.
Revistën Kritike “Letra”, e themeluam për të plotësuar disi këtë mungesën e fundit, për të krijuar fizikisht mundësinë e një mediumi, dhe pastaj, dalëngadalë, për të fituar besimin në statusin e ndërmjetësit. Shumëkuptimësia e fjalës “Letra” që zgjodhëm për titull të revistës sonë, do të na prijë.

No comments:

Post a Comment