Kandiski, peneli shumëngjyrësh i abstraktes


Kush ishte piktori rus që njihet si ati i pikturës abstrakte. Teoritë e ngjyrës së një prej mendjeve më pjellore të shekullit të shkuar. Në një jetë me ulje ngritje, po aq sa dhe arti i tij Nuk i kishte mjaftuar një jetë e tërë Vasilij Kandinskij-t, që të arrinte atë dhuratë që i erdhi vetëm në vitin 1939, kur tashmë kishte mbushur 73 vitet: për të parën herë u vlerësua nga kritika franceze dhe drejtori i muzeut “Jeu de Paume” të Parisit bleu një nga telajot e tij, i pari që po hynte kështu në një muze francez. Nisi këtu për piktorin e madh një periudhë e re, që mosha nuk do ta lejonte ta jetonte për një kohë të gjatë, një periudhë krijimtarie të vrullshme, ku ai hidhte në telajo gjithë shëmtinë dhe rreziqet e pushtimit gjerman. Kishte kaq shumë kujtime të tilla, aq shumë sa ato pesë vite të mbetura nuk do t’i kishin mjaftuar kurrsesi.
Mund të ishte bërë në fakt edhe muzikant: familja e tij shquhej si adhuruese e muzikës dhe prindërit i inkurajuan interesin për të gjitha artet, por në fund e regjistruan në Universitetin e Moskës, që të studionte për ligje dhe ekonomi. Student brilant, arriti të diplomohej pa ndonjë mund të madh në vitin 1892 dhe u bë menjëherë pedagog në Fakultetin e Ligjeve në Moskë, ku përveçse si mësues vlerësohej për shkrimet e tij në fushën e ligjeve apo edhe si autor i veprave mbi spiritualitetin. Në po këtë vit u martua me kushërirën e tij Anya Chimikikian.
Ngjarja që do ta thyente jetën e tij ishte në prag: Në vitin 1895 vizitoi në Moskë një ekspozitë të impresionistëve francezë dhe mbeti i shokuar dhe i turbulluar nga ato vepra, veçanërisht i mbeti në mendje një seri e Claude Monet-së. Fillimisht ishte krejtësisht skeptik për vlerën artistike të atyre vizatimeve, por ndryshoi shpejt mendim, aq sa në krye të disa muajve dha dorëheqjen nga detyra e tij në fakultetin e ligjeve për t’iu kushtuar karrierës artistike. U regjistrua në një shkollë private që drejtohej nga Anton Azbé, por në një periudhë shumë të shkurtër kohe u ndje i lodhur nga leksionet e stërgjata për pikturën, duke e kaluar ndërkaq kohën e lirë duke vizatuar peizazhe impresioniste gjithë ngjyra. Pas dy vjetëve, braktisi shkollën dhe një vit më vonë u bë nxënësi i Franz von Stuck-ut; mjeshtri mbeti i mahnitur nga aftësia e Vasilij-it në vizatim, por nuk e aprovonte përdorimin e gjithë atyre ngjyrave gjithë shkëlqim dhe për një vit të tërë e detyroi nxënësin e tij të pikturonte vetëm në bardh e zi. Derisa në vitin 1900 ai e la edhe studion e Von Stuck-ut.
Ishte vetëm 34 vjeç dhe nga ajo periudhë nuk ka mbetur praktikisht asnjë dëshmi e përvojës së tij artistike në Monako: as edhe një pikturë, vizatim, as edhe ndonjë album me skica dhe nuk u mor vesh kurrë nëse punët e tij kanë humbur apo qe vetë autori ai që i shkatërroi. Në vitin 1901 themeloi grupin “Phalanx”, objektivi kryesor i të cilit ishte të paraqiste avantgardën franceze në ambientin provincial të Monakos, për këtë qëllim hapi edhe një shkollë ku mbante leksione. Pikturat e tij të viteve të para të shekullit kanë peizazhe të realizuara me spatul, në fillim gjithë hije e më pas gjithë intensitet; vizatoi edhe tema fantastike që vinin nga tradita ruse apo mesjeta gjermane; kjo periudhë është e karakterizuar nga eksperimentimi teknik, veçanërisht nga përdorimi i bojës tempera mbi letër të errët për të dhënë iluzionin e një sipërfaqeje të ndriçuar nga mbrapa. Në 1902-shin ekspozoi për të parën herë në Berlin dhe realizoi të parat gdhendje në dru. Ndërkohë themelimi i grupit dhe i shkollës së pikturës, e kishin kthyer Kandinskij-in në fanarin e komunitetit artistik të Monakos. Në po të njëjtin vit u njoh me një studente të re të arteve, Gabriele Münter, që në vitin 1903 u bë mikesha e tij. Duke u ndarë nga e shoqja, artisti u largua nga Monako me gjithë Gabriele-n me të cilën nisi një udhëtim nëpër Evropë, që do të zgjaste pesë vjet dhe gjatë të cilit pikturoi dhe ekspozoi veprat e tij.
Kur u kthye sërish në Monako, nisi të jetonte në një apartament pranë studios së piktorit Paul Klee, dy artistët nja dhjetë vjet më vonë do të ndanin bashkë përvojën e shkollës së artit Bauhaus. Në po këtë kohë, çifti bleu edhe një tjetër shtëpi në Murnau, në rrëzë të alpeve bavareze, ku Kandiskij-i dhe mikesha e tij e kalonin verën duke pikturuar. Gjashtë vitet e mëvonshme ishin ndoshta më të lumturat dhe më prodhimtaret e jetës së Kandinskij-t. Vizatonte vazhdimisht dhe pastaj, me kalimin e viteve në interesin e tij figurativ ndërhynte ndërvënia e pastër e ngjyrave nëpër kompozime thuajse abstrakte.
Ndërkohë që piktura e tij filloi të bëhej gjithmonë e më abstrakte, në 1909-ën u zgjodh president i “Neue Künstlervereinigung München” (NKVM). Ekspozimi i parë i grupit ndodhi në të njëjtin vit në galerinë Thannhauser të Monakos. Deri në fund të dhjetëvjeçarit pikturat e Kandinsky-t shfaqin një tendencë të qartë drejt rrafshësisë dhe për dendësi të njëjtë në zonat me ngjyra dhe sipërfaqen e shndritshme, që shkatërron çdo lloj iluzioni për thellësi. Në vitin 1910 prodhoi të parin akuarel abstrakt, në të cilën, në njollat më të errëta mbizotëronin dy ngjyra, e kuqja dhe e kaltra, që mesa duket ai i konsideronte si të lidhura, përderisa i vendoste gjithmonë bashkë. E kuqja është një ngjyrë e nxehtë, tenton të shpërhapet; e kaltra është e ftohtë, tkurret. Kandinnskij-i nuk aplikon ligjshmërinë e kontrasteve të vetëvetishëm, ai thjesht e vë re praninë e tyre. Kurse në kompozimin e vitit 1911, figurat janë kaq të thjeshtëzuara, ngjyra është krejtësisht arbitrare dhe hapësira krejtësisht e ngatërruar, sa është e pamundur ta shquash argumentin pa iu referuar kuadrove të tjerë të serisë. Shikuesi veçanërisht mbetet i çorientuar nga mënyra se si përdoren linjat dhe ngjyrat. Në 1911-shin, Kandinskij dhe Franz Marc tërhiqen nga NKVM dhe hedhin bazat e “Blaue Reiter”, duke botuar një almanak në vitin 1912. Ekspozimi i parë u bë në dhjetor, në galerinë Thannhauser të Monakos. Ndërkohë, në vitin 1911 Kandinskij-i kishte botuar "Spiritualiteti në Arte", në të cilin bën një ekspoze të ideve të tij mbi pikturën jofigurative, forcën e ngjyrës së pastër e analogjinë mes artit dhe muzikës. Por reagimi i publikut ndaj veprave të tij artistike nuk qe dhe aq entuziast, gjë që e zhyti në depresion Kandinskij-in që nuk shquhej për ndonjë karakter optimist. Ndërkohë ai ishte i interesuar edhe për Teosofibë, që e kuptonte si të vërtetën thelbësore, që shërben si sfond për doktrinën dhe ritualet në të gjithë fetë e botës; besimi në një realitet thelbësor që fshihet pas çdo aparence, e furnizon me një racionalitet natyror artin abstrakt.

Në vitin 1913 një vepër e tij u fut në “Armory Show” të Nju-Jorkut dhe me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore ai u kthye në Rusi, në Moskë, deri në 1921-shin. Me nisjen e kësaj lufte, Kandinskij-i duke qenë rus, formalisht ishte armik në Gjermani dhe në 3 gusht 1914, dy ditë pas deklarimit të luftës u nis bashkë me Gabriele-n në Zvicër, ku nisi të punonte për një ese të re "Pika, linja dhe sipërfaqja", që do të botohej më se një dhjetëvjeçar më pas, gjatë detyrës së tij në shkollën Bauhaus. Në nëntor, duke mos pasur shpresa për një përfundim të shpejtë të luftës dhe meqenëse marrëdhënia me mikeshën e tij po bëhej mbytëse, u ndanë, ajo në Monako dhe ai në Moskë. Qe një periudhë veçanërisht e vështirë për piktorin, në të cilën arriti të punonte vetëm një seri vizatimesh dhe gdhendjesh në dru dhe pastaj për dy vjet kaloi periudhën më të errët të jetës si i arrestuar. Në 1916-ën njohu Nina Andreevskij-in, një vajzë rreth njëzet vjet më të vogël, bija e një gjenerali rus. U dashurua dhe pak muaj më pas u martua me të duke formuar një çift ideal. Lumturia e tyre qe e shkurtër, e kompromentuar nga Revolucioni i tetorit, që shpërtheu në Rusi. Asokohe, Kandinskij-i gëzonte kushte të mira ekonomike, sepse kishte trashëguar nga i ati disa apartamente, por shtëpitë u shtetëzuan dhe për të parën herë atij i duhej t’i bënte llogaritë me varfërinë. Në pranverën e 1918-ës Kandinskij-i nisi të bënte pjesë në Departamentin e Arteve të Bukura të të “Komisariatit Popullor të Iluminizmit”, si shef i sektorit të kinemasë dhe teatrit. Një vit më pas, u emërua profesor i estetikës në 
 Universitetin e Moskës, ku ngriti Institutin për kulturë artsitike dhe në tre vitet e ardhshme u mor me organizimin e së paku njëzetëedy galerive të artit në qytetet e tjera ruse. Megjithë këtë punë si punonjës shtetëror, Kandinskij-i arriti që në njëfarë mënyre të gjente edhe kohën për të vizatuar, dhe i duhej ta bënte sepse kishte nevojë të fitonte. Në vitin 1921 qeveria vuri nën tutelën e saj artet, duke shpallur se ata duhej t’i shërbenin propogandës: arti abstrakt u cilësua dekadent. Kishte ardhur koha për t’ia nisur nga fillimi, por mundësitë ishin tejet të kufizuara. Për fat, një vit më pas mori ftesën e Walter Gropius-it për të dhënë mësim në shkollën e atit Bauhaus, në Vajmar.

Që përpara mbërritjes së Kandinskij-it, kjo shkollë kishte qenë objekt kritike nga ana e forcave ultrakonservatore, që e konsideronin si një bërthamë të makinacioneve dhe propogandës komuniste. Kur në vitin 1924, zgjedhjet rajonale të Vajmarit sollën një anim drejt të djathtës, shkollës iu prenë fondet duke e detyruar të mbyllej. Prandaj
Gropius-i u transferua në Dessau, ku projektoi dhe ndërtoi shkollën e ëndrrave të tij. Pesë vitet e mëvonshme, megjithë impenjimet akademike, përfaqësojnë për Kandinskij-in një periudhë aktiviteti artistik të paprecedent. Që nga viti 1926 deri në atë 1936 prodhoi 259 piktura në vaj dhe 300 akuarele, përveç veprave të tjera të panumërta të realizuara me mjete të ndryshme. Por për fat të keq, në fund të viteve njëzet, shkolla Bauhaus po bëhej gjithmonë e më e politizuar duke shkuar drejt shkatërrimit të saj; në vitin 1932 e mbyllën dhe u transferuan në një ish-fabrikë telefonash në periferi të Berlinit; vitin e mëpasshëm, pas ndërhyrjes së Gestapos, shkolla u mbyll përgjithmonë. Për Vasilij-in jeta nuk kishte qenë e qetë që nga ngjitja në fuqi e Hitlerit: edhe pse kishte marrë nënshtetësinë gjermane, mbetej gjithmonë një rus, që nuk mund të jepte prova të qarta të origjinës së tij ariane dhe që kishte qenë edhe një piktor abstraksionist, një aktivitet i shpallur si dekadent.
Pas njëmbëdhjetë vjetëve relativisht të lumtur, ja ku gjendet sërish në mërgim në Paris. Këtu nis të vizatojë sërish, duke menduar mundësinë për t’ia shitur pikturat e tij ndonjë galerie pariziene, por asnjë galeri e madhe nuk u shfaq e interesuar për veprën e tij. Megjithë suksesin profesional, vështirësitë ekonomike dhe shëndetit në rënie, Kandinskij-i ruajti një pasion të madh për punën e vet. Më në fund, në 1939-ën, kur ishte shtatëdhjetetre vjeç, mori të parën shenjë pozitive nga kritika zyrtare franceze. Drejtori i muzeut “Jeu de Paume” të Parisit, bleu një telajo të tij që titullohej "Kompozimi IX"; ishte i pari kuadër i artit abstraksionist që po hynte në një muze francez. Në sajë të këtij suksesi të vogël, piktori vijoi të vizatojë piktura kundër shëmtive dhe rreziqeve të pushtimit gjeraman, deri në ditën e vdekjes, 13 dhjetor 1944 në moshën shtatëdhjetetetë vjeçare.
MARRE NGA REVISTA JETA

Comments

Popular posts from this blog

PROTAGORA: Njeriu është masë e të gjitha gjërave

Kush është Frederik Shopen

OGUST KONTI: Për të krijuar shoqërinë e re çdo fantazi e vjetër duhej të lihej mënjanë, qoftë kjo e Zotit opo e dogmave metafizike, për barazinë apo sovranitetin e popujve