Letërsia e realizmit socialist, si duhet trajtuar?


Një shkrimtar i realizmit nuk do të flasë. Një tjetër, Naum Prifti thotë se shkrimtarët e sotëm janë ngjitur në skelën e letërsisë nëpërmjet realizmit socialist. Po si duhet trajtuar letërsia e realizmit socialist? A ka pasur vlera letrare apo raste që i kanë shpëtuar ideologjisë? Kush janë përfaqësuesit tipikë të kësaj letërsie? Diskutim mbi fenomenin letrar, veprat dhe autorët përjashtues nga përcaktimi “shkrimtar i realizmit socialist” nga Ardian Ndreca, Dhurata Shehri dhe Agron Gjekmarkaj.


Nga Aida Tuci
Shkrimtarët shqiptarë që përqafuan letërsinë e realizmit socialist, sot nuk pranojnë as të bëhen pjesë e diskutimeve rreth saj. Tentuam të flisnim me disa prej tyre, por frika nga gjykimi i stepi që në pyetjen e parë.
Pyetje:  “Si duhet trajtuar sot letërsia e realizmit socialist? A ka qenë e gjitha e indoktrinuar dhe në ndihmë të ideologjisë komuniste?.
Përgjigje: Nuk preferoj të flas dhe diskutoj për letërsinë e realizmit socialist, e para sepse unë kam studiuar letërsinë e ….dhe jo të realizmit socialist.
Pyetje: Por në këtë rast po ju referohem si shkrimtar…
Përgjigje: Nuk mund të flas. Një herë tjetër. Të kam borxh një intervistë (!)…
Me sa duket kanë zgjedhur heshtjen për të mos rënë në kundërshtim me veprën e tyre të dikurshme.  Në këtë diskutim “rrëmbyem” nga Amerika, zërin vetmitar të shkrimtarit të realizmit socialist. Naum Prifti është ftuar në “Zëri i Amerikës” për të folur për 100-vjetorin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, “Vatra” (si sekretar i saj). Në një moment ai i devijon thelbit të intervistës dhe i qaset debatit për letërsinë e realizmit socialist. Nuk ka asnjë hezitim ta quajë vetën pjesë të asaj letërsie, por nga ana tjetër e sheh si fenomen negativ tendencën për ta hedhur poshtë krijimtarinë letrare 45-vjeçare të periudhës komuniste. “Sot ka një tendencë që të hidhet poshtë e gjithë krijimtaria e realizmit socialist, si e panevojshme apo si e dëmshme, ose si penguese. Kjo nuk është e mirë sepse edhe shkrimtarët e sotëm janë ngjitur nëpër skelat e deritanishme të letërsisë shqipe, duke filluar që nga letërsia e vjetër, letërsia e Rilindjes, e Pavarësisë dhe letërsia e Realizmit socialist. Unë i përkas Realizmit socialist dhe ne shkruajtëm me këtë metodë, por nuk e morëm vesh kurrë se çfarë ishte në të vërtetë. Më e sakta që mund të thuhet për të ishte se ajo letërsi ishte e kundërta e realizmit kritik. Dhe në mënyrë të thjeshtë, në vend të realizmit socialist do të ishte më mirë të përdorej termi realizmi afirmativ, sepse qeveria komuniste nuk duronte kritika në adresë të tyre dhe për çfarëdolloj kritike që i bëhej merrnin masa të rrepta. Më shumë nga të gjithë kemi vuajtur ne që kemi shkruajtur në atë metodë çfarë nuk njihet dhe nuk vlerësohet nga shkrimtarët e brezit më të ri. Unë mendoj se jo e gjitha ajo letërsi është e vlefshme dhe kritika më e mirë është koha. Por sot po zhvleftësohet një pjesë e madhe e asaj letërsie, ndërkohë që brenda gjirit të saj ka gjëra me vlerë”.

Diskutim mbi fenomenin letrar, veprat dhe autorët përjashtues nga përcaktimi “shkrimtar i realizmit socialist” nga Ardian Ndreca, Dhurata Shehri dhe Agron Gjekmarkaj.
Ardian Ndreca Letërsia soc-realiste? Dritëro Agolli, shkrimtari më i mirë, argatët të shumtë 

Si duhet trajtuar sot letërsia e realizmit socialist? A ka qenë e gjitha e indoktrinuar, e stimuluar dhe e propaganduar në ndihmë të ideologjisë komuniste?
Mendoj se letërsia e realizmit socialist përmban nji gjymtim që asht pasojë e vetë shkollës. Mos të harrojmë se realizmi socialist asht fryt i mendimit dogmatik zhdanovist që përpiqej me i imponue artistave me nji seri rregullash strikte mënyrën e pasqyrimit të realitetit në art. Edhe tek ne kjo politikë kulturore ka ndikue në mënyrë të randë në disa autorë e diçka ma pak në disa të tjerë. Si letërsi, realizmi socialist asht për definicion militant dhe i lidhun me tema dhe me problematika që shpeshherë i kanë pre hovin krijues artistave. Skematizmi dhe militantizmi janë dy prej tipareve ma negative të saja. Kjo s’do të thotë se mes shkrimtarëve të asaj periudhe s’ka pase talente me fuqi krijuese të veçantë.
Në Shqipëri ka dy mendime për letërsinë e realizmit socialist; e para mohuese, madje shkon deri në mohim të plotë të saj, dhe e dyta përpiqet ta mbrojë duke kërkuar vlera. Ju si mendoni?
Mendoj se qëndrimi thjesht mohues, ashtu si edhe ai himnizues, janë vetëm teprime. Ajo ka qenë nji letërsi që ka pasqyrue nji kohë të caktueme, e cila nuk mund të shlyhet me nji të rame lapsit. Kritiku i letrave s’mund të jetë as mohues e as himnizues, por vetëm nji analizues dhe gjykues i asaj letërsie. Kur them “gjykues” nuk kam parasysh gjykatësin por kritikun, atë që shpreh mendimin e tij tue u mbështetë në nji metodë shkencore të caktueme.
Sot asht e nevojshme që qëndrimi mohues, nihilist ndaj asaj letërsie të ekuilibrohet prej njohjes ma të thellë të kushteve historike në të cilat ajo letërsie asht zhvillue. Asht krejt kollaj me i ba tabelë qitjet shkrimtarët e ndryshëm të asaj kohe, sidomos ata ma pak të talentuemit e ma shumë të ekspozuemit. Duhet të përpiqemi me kuptue mjetet që ata kanë pasë në dispozicion, lirinë e shprehjes, censurën e rreptë e nji seri faktorësh tjerë, pa të cilët nuk mund të kuptohet realizmi socialist.
Sipas jush, kush janë përfaqësuesit më tipikë të letërsisë së realizmit socialist?
Ndër përfaqsuesit ma tipikë do të përmendja Fatmir Gjatën, Dhimitër Shuteriqin, Kolë Jakovën, Dritëro Agollin, Teodor Laçon, Kiço Blushin etj. Për mue Dritëro Agolli asht ma i miri shkrimtar i asaj rryme, ma origjinali, edhe kur paraqitet si militant i thekun. Mandej ka nji masë të madhe argatësh, letërsia e të cilëve nuk i ka qëndrue kohës.
A keni hasur tek këta shkrimtarë shenja disidence?
Asht e pamundun me ndeshë në nji shkrimtar të realizmit socialist shenja disidence. Për ata që kanë jetue në atë kohë arsyet e këtij pohimi janë ma se të qarta. Që ndërmjet tyne ka pasë njerëz që s’e kanë dashtë regjimin e Hoxhës apo s’e kanë pasë “përnjimend” kjo s’mund të mohohet, por me dalë haptas s’ka qenë e mundun.
A mendoni se ka pasur një model shqiptar të letërsisë dhe krijimtarisë së asaj periudhe që nuk ngjason me vende të tjera ish-komuniste?
Së pari due me thanë se jo të gjithë ata që kanë botue nën komunizëm mund të klasifikohen tout court si shkrimtarë të realizmit socialist. Kemi për shembull Lasgushin dhe Mitrushin, të cilët (edhe pse kanë botue mjaft pak) janë të huej për realizmin socialist. Kemi mandej shkrimtarë si Sterjo Spasse, krijimtaria e të cilëve ndahet mes dy kohnave krejt të ndryshme; realizmi socialist nuk ka mujt me e ba krejtsisht për vete Spassen. Ka shkrimtarë si Sotir Andoni, Jakov Xoxa, Dhori Qiriazi, Frederik Rreshpja, Faik Ballanca e disa të tjerë, që edhe pse kanë krijue në atmosferën e realizmit socialist kanë ba nji letërsi që nuk ndjekë vijueshëm ketë hullí. Këta autorë në nji farë mënyre na kujtojnë, në përmasat e shpirtit shqiptar, disa artista e shkrimtarë sovjetikë si Mejerhold, Shostakiviç, Paustovskij, Zoshçenko që me krijimtarinë e tyne në tanësi i largoheshin kohës dhe rregullave të rrymës mbizotnuese.
Mendoj se me folë për modele unikale asht e pasaktë dhe e padrejtë, termin model mund ta përdorim vetëm në nji kuptim shumë të gjanë, analogjik.
Pavarësisht presionit ideologjik, a shihni vlera letrare te shkrimtarët e realizmit socialist?
Jam i bindun se edhe në gjinin e realizmit socialist ka nji mospërputhje mes kohës dhe letërsisë. E kam fjalën tek nji ndryemje apo nji shpërthim i shkrimtarit, i cili, me vetëdije apo pa vetëdije, i largohet kohës, rregullave, rrymës teorike. Asht mospërputhja mes subjektit dhe objektit në dialektikën hegeliane, temë kjo për të cilën ka shkrue faqe të epërme filozofi gjerman Ernst Bloch. Sado që nji mekanizëm i tanë zhdanovist asht përpjekë me e unjisue krijimtarinë artistike në pikëpamjen e nji shkolle të vetme me dogma të qarta, prapseprap letërsia nuk asht dorzue e tana në krahët e thatë të këtij dogmatizmi. Ka pasë autorë që e kanë mbajtë njenën kambë në kapërcyell, ka pasë shkrimtarë që kanë luejt me të vërtetë rolin e gjithmonshëm të shkrimtarit. Po të lexoni sot Përbindshin apo Nëpunësin e pallatit të ëndrrave të Kadaresë, do ta kuptoni ma mirë se ku e kam fjalën. Në anën tjetër nuk mendoj se letërsia e realizmit socialist ka ecë drejt nji emancipimi apo nji çlirimi të shkallëzuem prej vargonjve ideologjikë, e njikohsisht jam i bindun se edhe në atë periudhë ka pasë poezi, novela, tregime, romane që sot nuk mund të lexohen kurrsesi si pjesë e realizmit socialist. Sot, për mue, pjesa ma e paparaqitshme e prodhimit artistik te realizmit socialist asht kinematografia, e cila, ma shumë se asnji gjini tjetër, ka ndikue për keq në shijet dhe në botëkuptimin e shqiptarëve.
Kritika e lirë edhe në atë kohë ka vërejt përshkallëzime vlerash artistike në gjinin e realizmit socialist. Fakti që Kadareja u ba i njohun në Perëndim 20 vjet para se të binte komunizmi tregon se tek krijimtaria e tij perceptoheshin vlera universale. Akuzat se suksesi i tij sponsorizohej prej regjimit janë thjesht enfantillages, pse Perëndimi ndjek rregulla tjera lojet dhe mbi të gjitha Kadareja vijon ende sot me u botue dhe me u përkthye.
Për me pa sesi kritika në Perëndim kishte krijue që n’atë kohë nji perceptim të drejtë të përshkallëzimit të vlerave artistike në gjinin e letërsisë shqiptare, po sjelli si shembull disa gjykime të botueme në revistën Shêjzat të Ernest Koliqit, i cili siç dihet nuk kishte asnji debulesë për regjimin e Tiranës.
Në nji recension kushtue romanit Çlirimtarët tek Shêjzat (n. 7-8, 1960), citohet shkrimtari dhe publicisti polak Stefan Kisielewski (ai që e pat quejtë në vitin 1968 censurën komuniste “diktatura e gomarëve”), i cili vërente se ekzistojnë dy lloje letërsie socialiste, ajo që përshkruen socializmin “sine ira et studio” dhe ajo që “ndihmon socializmin në fushën jo letrare, taktike dhe edukative”. Autori e recensionit, me shumë gjasë Nermin Falaschi, vëren se Çlirimtarët hyn në kategorinë e dytë, edhe pse, sidomos në vëllimin e parë, ka faqe të shkrueme me stil delikat e të kandshëm, ka dialogë ekspresivë dhe të thellë.
E njejta pendë vëren tek recensioni i përmbledhjes së F. Gjatës Në pragun e jetës (Shêjzat, n. 5-6, 1962), se përtej njianshmënisë, konvencionalizmit dhe retorikës, tregimet në fjalë
shpeshherë shpalosin nji tosknishte të kthjellët e për mjaft aspekte të pasun, gja që dallon nji farë ngritjet artistike në stilin gazetaresk të autorit.
Ndërsa Martin Camaj në recensionin e romanit ”Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (Shêjzat, n. 7-8, 1965) thekson: “stili i tij [Kadaresë] në roman âsht i dendun, figurat plastike dhe esenciale në vizat trajtuese. (…) Âsht e para herë që nji shkrimtar i Shqipnisë së sotshme përpiqet të dalë nga nji formalizëm standard dhe të rroket me nji landë që don të trajtojë me mjete shprehëse të reja” (f. 257). Mbasi ka vu në dukje se “besojma” e tij asht e ndryshme prej autorit të romanit, Camaj vijon: “Kadare na shfaqet këtu mendimtar dhe rëmues i çashtjeve shqiptare tue i lëshue gjithnji nji sy edhe të kaluemes. Nuk e dij sa âsht dakort Kadare me këtë idé, por del qartë këta: tue qenë se populli ynë ka nji të kalueme kaq tragjike, âsht e pamundun që të mos kenë mbetë në karakterin e shqiptarit, posë disa cilsive kreshnike, dhe pasojat e tmerrshme!” (f. 260). Edhe pse Camaj nuk e sheh figurën e plakës Nicë si nji figurë tipike, ai shton: “mbas hamendjes seme, në nji vepër me intencione artistike, nuk âsht nevoja që çdo vehtje të jetë tipike për nji rreth shoqnuer të caktuem. Jeta âsht e mbushun me përjashtime” (po aty), dhe përfundon: “Vepra e Kadares do të mbesë ngjarje në letërsinë shqipe. Besoj se si e tillë ka me u gjikue edhe në të ardhmen, sepse me të gjitha të metat ajo paraqet nji origjinalitet në përmbajtje dhe në trajtë” (f. 261).
Si përfundim mendoj se realizmi socialist duhet studjue së pari në vetvete, tue nda krundet prej vlerave të mirëfillta e mandej duhet krahasue me letërsinë klandestine që shkruhej asokohe pa mujtë me u botue. Për ketë gja duhen kritikë të mirëfilltë, që të thellohen pa mllefe e pa ngjashnjime të damshme.


Studiuesit Shehri e Gjekmarkaj: Tallava socrealiste që duhet studiuar

Dr. Agron Gjekmarkaj, pedagog në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, mendon se nuk është i nevojshëm artikulimi i një qëndrimi zyrtar për sa i përket letërsisë së realizmit socialist. Lexuesi sot është aq i emancipuar sipas tij, sa t’i japë statusin një letërsie, një periudhe, apo një autori. “Në çdo regjim ka pasur letërsi servile e bashkëpunuese, por edhe letërsi cilësore”, – thotë Gjekmarkaj. Ndërsa Dr. Dhurata Shehri i qëndron besnike faktit se tashmë ka ardhur koha që kjo periudhë e letërsisë shqipe të studiohet. “Mendoj se duhet mbështetur përpjekja për ta studiuar me imtësi atë që ka ndodhur në letërsinë e shkruar gjatë viteve të diktaturës. Gjykimi dhe vlerësimi vijnë më pas. E theksoj fort çështjen e studimit, pasi letërsia e realizmit socialist u gjykua e vlerësua nga kritika përgjegjëse të realizmit socialist. Si e tillë, gjykimet e vlerësimet që na vijnë për këtë letërsi nga kritika e kohës e kanë të fortë përmasën ideologjike e jo domosdoshmërisht letrare. Me rënien e sistemit, për fat të keq ka mbetur në këmbë hierarkia e gjykimeve e vlerësimeve të këtij sistemi që ende përjashton, apo gjykon me kute ideologjike autorë të tillë si Martin Camaj apo Anton Pashku, vlera të rëndësishme të letërsisë shqipe”, – thotë ajo. Të dy pedagogët ndajnë mendimin se thelbi i letërsisë së realizmit socialist ishte ideologjik, duke pranuar rastet e veçanta kur autorët kanë sjellë vlera, ku bashkërisht i referohen shkrimtarit Ismail Kadare si shembulli i disidencës në letërsinë e realizmit socialist.

Si duhet trajtuar sot letërsia e realizmit socialist?
Dr. Agron Gjekmarkaj:  Mendoj se letërsia duhet të lexohet, të shijohet dhe të gjykohet. Sot është lexuesi i lirë ai që i jep status një letërsie, një periudhe apo një autori. Disiplina të tilla si “Historia e Letërsisë”, “Kritika Letrare”, “Teoria e Letërsisë”, i kanë të gjitha instrumentet për ta trajtuar këtë lloj letërsie si çdo periudhë tjetër të letërsisë shqipe. Ka shumë kategori lexuesish sot në Shqipëri. Nuk përjashtoj mundësinë që ende kjo letërsi të ketë lexuesit apo nostalgjikët e vet, por tendenca e përgjithshme është në kërkim të një letërsie tjetër, produkt i autorëve të lirë. Dua të them që nuk ka nevojë për një qëndrim zyrtar, i cili do të ishte i panevojshëm sepse raportin me realizmin socialist e kanë zgjedhur në njëfarë mënyre vetë shkrimtarët shqiptarë, duke u distancuar prej tij, duke e mohuar dhe përcaktuar si një rrymë që u është imponuar dhe jo zgjedhur prej tyre. Nuk di që sot të ketë ndonjë shkrimtar që shkruan në bazë të atyre rregullave. Por ritheksoj që sot pas 22 vitesh nga rënia e komunizmit, lexuesi shqiptar është mjaft i emancipuar dhe i ka dhënë përgjigje kësaj pyetjeje përfundimisht. Letërsia ka ligjet e veta të receptimit që favorizojnë letraritetin. Në çdo regjim ka pasur letërsi servile e bashkëpunuese, por edhe letërsi cilësore. Ka ndodhur kjo që në antikitet, në mesjetë, në fashizëm e nazizëm si dhe në komunizëm, madje ndodh edhe sot e kësaj dite.

Dhurata Shehri: Mendoj se ka ardhur koha që më në fund letërsia e realizmit socialist të studiohet. Duhet të ndahet letërsia nga propaganda, ideologjia nga arti, kolektivja nga individualja, veprat dogmatike nga veprat letrare. A ka qenë ajo e indoktrinuar? Të gjitha parimet e metodës së realizmit socialist kanë qenë jashtëletrare, ideologjike e pjesë të doktrinës së sistemit komunist. Për pasojë logjike, çdo tekst letrar që i bindej parimeve të realizmit socialist, pa asnjë dyshim ka qenë thellësisht i indoktrinuar. Por në letërsinë shqipe të atyre viteve ka pasur vepra që nuk i janë bindur parimeve të kësaj metode.

Sipas jush, kush janë përfaqësuesit më  tipikë të saj?
Agron Gjekmarkaj: Realizmi socialist ishte metoda e vetme e lejuar, ndaj askush nuk mund ta kundërshtonte atë haptazi, çka nënkupton që formalisht të gjithë duhej ta përqafonin atë dhe të ishin përfaqësues të saj. Pati shkrimtarë që me zell e aplikonin këtë teori, sepse ajo paraqitej njëkohësisht si një strehë e mirë për shterpësinë mendore. Janë pikërisht këta shkrimtarë dhe kritikë, të cilët pos krijimeve të veta “tallava socrealiste”, vëzhgonin kolegët që i shmangeshin rrymës të gatshëm për t’i vënë në satër. Mjafton të kujtojmë se nuk qenë të pakët ata shkrimtarë e kritikë përfaqësues edhe të luftës së klasave që morën pjesë në ekspertiza, të cilat çuan në burg apo edhe ndihmuan ndjeshëm në ekzekutimin e disa shkrimtarëve shqiptarë. Kësaj radhe, si përfaqësues tipik i  bashkëngjiten shkrimtarët veteranë, oficerët në lirim, talentet e reja në ara e kantiere, si dhe folklori popullor i kohës me taban ideologjik sa edhe sot të ngjeth mishin për fuqinë tjetërsuese të banalitetit.
Dhurata Shehri: Duke ndjekur logjikën e mësipërme, autorët tipikë të realizmit socialist janë autorët më të dobët, më skematikë, më të patalentuarit, më militantët, që zakonisht duhet të përmbushin kërkesat e sipërpërmendura.

A mendoni se tek shkrimtarët e realizmit socialist ka dhe qasje disidente?
Agron Gjekmarkaj: Ndonëse Ismail Kadare nuk e ka pranuar asnjëherë statusin e disidentit dhe e ka shkruar korpusin  kryesor të veprës së vet bash në kohën kur mbretëronte realizmi socialist, mendoj që pjesa më e madhe e tij  ka karakter disident. “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” është vepra më disidente që është shkruar në krejt Lindjen komuniste. Ndërsa totaliteti i letërsisë së tij, për mua nuk ka asnjë lidhje me realizmin socialist. Por meqë disidenca ndalohej me ligj dhe dënohej me burg, Kadare e gjeti zgjidhjen duke zbritur në honet e perandorisë osmane, duke trajtuar probleme aktuale me stilin e tij tashmë botërisht të njohur.

Dhurata Shehri: Sa për të bërë një marrëveshje fjale, kur flasim për disidencë në letërsi, unë nuk e kam fjalën për disidencën politike, që natyrisht nuk gjendet tek shkrimtarët që botuan gjatë periudhës së diktaturës. E kam fjalën për disidencën estetike, kundërvënien në rastin më të mirë e anashkalimin apo zbutjen e parimeve joletrare të metodës së realizmit socialist. Gjatë periudhës së diktaturës në Shqipëri ka pasur vepra që e kanë realizuar këtë disidencë estetike. Nuk janë të shumta për një periudhë gati gjysmëshekullore, por mjafton të përmendim se janë botuar në këtë gjysmëshekulli disa prej prozave më të mira të letërsisë shqipe që e përfaqësojnë atë në letërsinë botërore. E kam fjalën për romane të Ismail Kadaresë.

Pavarësisht frymës ideologjike propagandistike etj., a shihni vlera tek letërsia e realizmit socialist?
Sigurisht. Kadare, pjesën më të madhe të veprës së tij e ka shkruar gjatë kohës kur në letërsinë shqipe sundonte realizmi socialist dhe që asokohe ai konsiderohej një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të Europës, e kjo nuk është pak për një letërsi “të vogël” si e jona. Por dua të theksoj se ndonëse jo në këtë lartësi ka edhe të tjerë shkrimtarë të rëndësishëm, që edhe në atë kohë të vështirë i dhuruan vepra me vlerë lexuesit shqiptar. Në çdo kohë është prodhuar art dhe letërsi, pra edhe në dekadat e socrealizmit talenti dhe karakteri kanë bërë diferencën. Në gjykimin tim, vlera përbëjnë të gjitha ata libra që lexohen edhe sot, që do të lexohen edhe nesër, dhe pasi të jenë lexuar, lexuesi të formojë bindjen që ka lexuar një letërsi të mirëfilltë ose një letërsi si të tillë.

Dhurata Shehri: Shkrimtarët e mirë, e sidomos shkrimtarët e mëdhenj ia dalin të krijojnë vlera letrare edhe në kushtet e presionit ideologjik. Një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe  e jo vetëm, Ismail Kadare, një pjesë të veprës së vet e ka shkruar në këtë periudhë.

Comments

Popular posts from this blog

PROTAGORA: Njeriu është masë e të gjitha gjërave

Kush është Frederik Shopen

OGUST KONTI: Për të krijuar shoqërinë e re çdo fantazi e vjetër duhej të lihej mënjanë, qoftë kjo e Zotit opo e dogmave metafizike, për barazinë apo sovranitetin e popujve