Një kryevepër me nëntëdhjetë faqe

Preç Zogaj
Detyra ime është të shkruaj për librat që dalin, por lejohem të rekomandoj ndonjë titull për listën e librave të shkëlqyer që nuk duhen lënë pa u lexuar para se të vdesim. Një libër i tillë -e pohoj pa mëdyshjen më të vogël- është romani “Engjëlli im” i shkrimtarit kubanez Guillermos Rosales.
Kush ka dëgjuar për fatin tragjik të këtij shkrimtari të jashtëzakonshëm të viteve shtatëdhjetë-tetëdhjetë, që iku nga Kuba kastriste në ShBA për t’i shpëtuar atmosferës mbytëse që sundonte në atdheun e tij, që ra në depresion edhe në ShBA për një mori arsyesh vetjake e shoqërore, që e kishte zakon të shkruante dhe të griste pothuajse aq sa shkruante, që nuk gjeti dot paqen me veten dhe botën, derisa vrau veten në përmbushje të autoprofecisë së parashkruar në fatin e personazhit kryesor të romanit “Engjëlli im”, pra kushdo që ka lexuar diçka për këtë njeri ndien njëfarë habie kur e sheh romanin e tij të famshëm në raftet e librarive tona. Oh, qenka botuar në shqip!
Sa lajme të mëdha kalojnë pa u venë re! Një libër i imët, me jo më shumë se nëntëdhjetë faqe, “Engjëlli im” duket si send i fikur dhe i vdekur në këndin e fshehtë të librarisë. Por fillon të shndritë me një dritë të thellë, turbulluese dhe prekëse sapo nis ta lexosh. Duket sikur ngjallet prej leximit. Magjia në këtë rast është një ndërthurje: vjen prej vetë tekstit dhe njëkohësisht zbret prej vështrimit të përqendruar. Teksti jep, leximi zbulon dhe merr. Për ta thënë në një mënyrë tjetër, leximi i këtij romani është një fat. Pas kësaj, kur e sheh sërish në raftet e librarive, ke përshtypjen se romani rrëzëllen atje si xeheror.
Personazhi kryesor, William Figueras, që duket qartë se është vetë shkrimtari, ka lenë Kubën dhe ka ardhur në Miami të ShBA-së për t’i ikur muzikës, kulturës, televizionit, ngjarjeve sportive, historisë dhe filozofisë së ishullit ku sundon Fidel Kastro. Ashtu si vetë shkrimtari, ai nuk ka ardhur dhe nuk ndihet një ekzilant politik, por një ekzilant total nga vetë jeta. Figueras ka lexuar qysh në rininë e hershme shkrimtarët e mëdhenj të shekullit, mban gjithnjë me vete si Bibël, ngado ku shkon, një antologji të poezisë angleze. Atje në Kubë ka shkruar një roman për një histori dashurie ndërmjet një komunisti dhe borgjezeje, që mbyllej me vetëvrasjen e të dyve. Romani nuk është botuar kurrë, pasi specialistët letrarë të regjimit i kanë thënë se ishte i pistë dhe veç kësaj e trajtonte ashpër Partinë Komuniste. Pas kësaj, ka filluar të shohë djaj nëpër mure, të dëgjojë sharje nga të gjitha anët. Gjersa ka vendosur t’ia mbathë. (Ironikisht Figueras do të përfundojë keq edhe në Miami, në përpjekjen për të shpëtuar nga mjerimet e jetës me dashurinë dhe nëpërmjet dashurisë). Ai i zhgënjen të afërmit që ka në ShBA me pamjen e lëshuar dhe me krizën e tij të brendshme. Pritet keq prej tyre, asnjëri nuk ka dëshirë ta mbajë në shtëpinë e vet apo në ngarkim. Prandaj vendosin ta çojnë në një azil të tmerrshëm në Miami, një strehë debilësh e të braktisurish, të cilët shfrytëzohen e keqtrajtohen si kafshë nga autoritetet. Vendosja e Figuerasit në këtë lloj azili nuk premton asgjë përveç mornicave që shkakton shpërfytyrimi që pëson qenia njerëzore nga mjerimi dhe mungesa e mbrojtjes. Gjithçka në atë shtëpi fundërrinash është e shëmtuar, e pistë, e egër. Administratorët, njerëz të pashpirt dhe cinikë, abuzojmë pamëshirshëm me të mjerët. Figueras e afishon në hollësira denatyrimin njerëzor atje. E gjithë kjo nën “refrenin” e antologjisë se poetëve romantikë anglezë, të strofave nga Bajroni, Koleridge, Blake e tjerë, që kumbojnë si një kolonë zanore e dhimbjes dhe sarkazmës së egër me gjithçka ndodh në të ashtuquajturën “shtëpi të pritjes”.
Sërish, përveç stilit të zgjedhur që përcjell tensionin e dëshpërimit, nuk shohim akoma diçka të rrallë apo të panjohur. Por e jashtëzakonshmja e ka ngritur pritën diku nga mesi i romanit. Në “shtëpi” vjen një grua e re, Fransina, një si pupël e dallgëve dhe erërave, një qenie që ka dashur gjithmonë të mbyllet dhe të vizatojë në vetminë e saj fytyra njerëzish, që nuk ka pasur kohë dhe mundësi të sqarohet me ata që nguteshin, që donin ta preknin, që donin ta nxirrnin me forcë nga vetmia e saj, që donin t’i shijonin me dhunë hiret e saj. Banore e një planeti engjëjsh, Fransina është flakur me pafajësinë e saj në botën e ashpër të lakmive dhe dhunës. Të afërmit e kanë sjellë në “shtëpinë e pritjes” për ta hequr qafe. Ajo nuk kundërshton dhe nuk reziston për asgjë. Vetëm vizaton, vetëm sheh në një pikë, mbrohet vetëm në një mënyrë, duke iu drejtuar racës së egër mashkullore me “engjëlli im”. Këtë bën edhe me Figuerasin, por ky është vetë një alterego e saj. Dalëngadalë preket thellë nga nënshtrimi jotokësor i gruas, që në fakt është një lloj triumfi hyjnor mbi dhunën. Bie në dashuri me të, dashurohen të dy, ëndërrojnë dhe planifikojnë të dy largimin nga internati i ndyrë, për t’u vendosur si burrë e grua në një shtëpi me qira në qytet. Kjo ëndërr e bukur do të ketë fatin e një fluture në një lukuni grerëzash. Në pikëpamje të interesit, romani nuk humbet asgjë nëse e tregojmë fundin tragjik. Madje, lexuesi e merr me mend se nuk mund të ketë një fund të lumtur në historinë e dashurisë mes Figuerasit dhe Fransinës. Ata do t’i ndajnë. Vajzën do ta marrin dhe do ta largojnë pa adresë, kurse ai do të mbetet në shtëpinë e tmerrshme, me Castanon, plakun njëqindvjeçar që dëshiron pa pushim të vdesë, me Idan, zonjën e madhe të dikurshme që ëndërron më kot ardhjen e fëmijëve për ta marrë, me Edyyn, të luajturin mendsh që rri e çirret para televizorit dhe kërkon vazhdimisht një Luftë të Tretë Botërore, me drejtorin, zotin Curbero, që vazhdon të përcjellë jetën e tij prej borgjezi falë parave që u zhvat banorëve…
Libri të mrekullon me mënyrën si është treguar dashuria e Figueras me Fransinën. Vështirë të gjendet një shembull i ngjashëm ku poezia e dashurisë të ngrihet prej mjerimit, pisllëkut dhe barbarisë dhe të mbetet kaq e pastër dhe e kulluar. Nëse për një çast do të kërkosh të gjesh arsyen pse është kaq prekës ky subjekt, mendja të shkon të dy gjëra: e para, ke përshtypjen se Fransina është i pari personazh engjëll në historinë e letërsisë që dashuron një tokësor. E dyta, tregimi në vetë të parë i Figueras është si një kantatë për fuqinë përtëritëse të dashurisë. Por është njëkohësisht një vajtim i thellë, pa nëntekste t- tjera, i humbjes së saj apo dëbimit total që pëson njeriu pa levën e dashurisë. Autori i “Engjëlli im”, Guilemo Rosales vrau veten në Miami në vitin 1993, duke i dhënë romanit të tij kuptimin e një testamenti të vulosur me gjak.
Ai shkroi një roman të pavdekshëm për aventurën e krijimit të oazit të dashurisë prej dy artistëve dhe të fluturimit të tyre me këtë dashuri në botën e madhe ku dështojnë, munden dhe vriten; shkroi një roman për zbulimin dhe afishimin e njerëzores në botën e ngarkuar me kontraste dhe pamundësi. Ka gjithmonë dritë në sytë e djallit. Ky është një citim kyç në romanin “Engjëlli im”. Në të vërtetë Figueras nxitet të shkojnë kundër rrymës, merr guxim të sfidojë rrethanat për shkak të tërheqjes së tij nga një ndjenjë e paprogramuar, e tallur dhe e anatemuar në mjedisin ku jeton. Kjo është ndjenja e dashurisë. Ndjenja jetëdhënëse, kryengritëse dhe kobsjellëse në palumturinë e saj.
Stili i ngjeshur i të shkruarit dhe përdorimi me mjeshtëri i dialogut janë në lartësinë e përmbajtjes së romanit. Të duket e çuditshme në një anë që kaq shumë episode dhe ndjenja të mund të përmblidhen në një libër me nëntëdhjetë faqe. Ky është një roman konciz, i gdhendur deri në imtësi, pa pjesë të tepërta. Një roman ku rrezatimi është shumëfishi i lëndës.
“Engjëlli im” është botuar në shqip nga shtëpia botuese “Tirana time”, në përkthimin e Urim Nergutit, një përkthyes kërkues dhe i talentuar që po afirmohet me përkthimet e tij cilësore për “Skendeberg book’s” dhe “Tirana time”.
Mapo

Comments

Popular posts from this blog

PROTAGORA: Njeriu është masë e të gjitha gjërave

Kush është Frederik Shopen

OGUST KONTI: Për të krijuar shoqërinë e re çdo fantazi e vjetër duhej të lihej mënjanë, qoftë kjo e Zotit opo e dogmave metafizike, për barazinë apo sovranitetin e popujve