Një roman për urrejtjen e porositur

Preç Zogaj
“Varreza e Pragës” është romani më i fundit i shkrimtarit dhe dijetarit të famshëm italian të ditëve tona, Umberto Eko, botuar në shqip nga shtëpia botuese “Dituria”, në përkthimin e shkrimtares së talentuar Ledia Dushi. Në vazhdën e disa prej veprave të mëparshme të autorit, “Varreza e Pragës” është një roman i përzishëm i tipit thriller me sfond historik nga gjysma e dytë e shekullit nëntëmbëdhjetë në Itali dhe Francë, me shtresime dhe referenca të dendura kulturore dhe dokumentare të kësaj periudhe dhe, kryesorja, me zbulimin e intrigave dhe komploteve të prapaskenës së historisë, ku vlon llumi dhe krimi, ku paragjykimet racore, armiqësitë dhe djallëzimi i palës tjetër porositen dhe fabrikohen për qëllime politike, ku ngjarjet që vinë të lustruara, të zbukuruara apo të mitizuara në aulat dhe bibliotekat publike kanë një tjetër fillesë, një tjetër morfologji nga ajo që dimë. Romani voluminoz i Ekos është një rrëfim i asaj që jo vetëm nuk është thënë, por ka lindur për të mos u thënë, për të mos u dëshmuar, për të mos parë dritën e diellit. Dhe është njëkohësisht edhe një bashkim i hatashëm i puzlave të urrejtjes antisemite, që përgatiti atmosferën e holokaustit hitlerian në Gjermani tri dekada me vonë. Në këtë kuptim, Eko ka hapur në romanin e tij arkivin e errët të një parahistorie dhe historie që llahtarisi njerëzimin, siç është ajo e gjenocidit antihebre. Cinik dhe i pandjeshëm sikur po ekspozon qetësisht skenarin e ardhëm të një filmi horror, Eko sjell pamëshirshëm në romanin e tij kutërbimin e shekullit nga falsiteti, kobet e fanatizmit, racizmit dhe ligësisë njerëzore,  teatrin makabër të qenies së varur nga përbetimet e fshehta të antizotit, antikrishtit, antihebrejve e tjerë.
Romani është ndërtuar në formën e digresionit si një rrëfim-kujtim i trefishtë dhe i alternuar i tre personazheve, që ndihmojnë, korrigjojnë dhe plotësojnë njëri-tjetrin. Ata janë Simonini, personazhi kryesor i romanit, ai që në prag të  pleqërisë vendos të kthejë kokën nga e kaluara e tij prej protagonisti në hije në një varg ngjarjesh të rëndësishme dhe t’i hedhë ato në letër. Personazhi i dytë është abati Dala Picola, një kimerë e rrethuar me mister, që herë ngjan të jetë një heteronim i personalitetet të dy-trefishtë të Simoninit, dikush që nuk ekziston në të vërtetë, por është kujtesa tjetër e të njëjtit personazh, herë duket sikur rron i fshehur diku pranë banesës së Siomoninit dhe vjen si hije kur ky është në gjumë për të korrigjuar e plotësuar kujtimet e tij. Simonini dhe Dela Pikola do të alternohen deri në fund në rrëfimin e ngjarjeve, por autori do ta lerë në dorë të lexuesit të besojë nëse janë dy personazhe në një qenie, apo dy njerëz të ndryshëm. Personazhi i tretë është Narratori, vetë shkrimtari, që ndërhyn sipas rastit për të sistemuar e venë rregull në kallëzimet nganjëherë kaotike të dy personazheve të tjerë, por edhe për të hapur skenën e ngjarjeve në gjerësinë e tregimit në vetë të tretë.
Personazhi kryesor, ai që rrëfen më shumë se dy të tjerët, ai që ka një jetë të tijën dhe një identitet lëndor të padyshueshëm është Simonini, piemontez, nipi Giovani Batista Simoninit, nga i cili ka trashëguar urrejtjen kundër hebrejve dhe më shumë se kaq urrejtjen ndaj gjithçkaje, si një ndjenjë, sipas tij, vitale. “Urrej, pra jam” është diktoni i tij. Simonini ka humbur kujtesën, por me ndihmën e Zigmund Frojdit, me të cilin njihet në Paris, arrin të dalë nga amnezia e pjesshme dhe të fillojë të kujtojë ngjarjet që do të tregojë në roman. Është jeta e dikujt, që ka startuar si falsifikator dokumentesh. Për shkak të kësaj dhuntie që është “arti i tij” do të bëhet i nevojshëm për shërbimet sekrete të Garibaldit, të Francës perandorake, të  Francës së komunarëve, të Prusisë, të Rusisë. Derdhet gjak në çdo mision ku do të përfshihet ky agjent gjakftohtë, cinik, mendjemprehtë dhe me fat. Në rrëfimin e tij hyjnë e dalin një mori personazhesh të stisur apo historikë, si Galribaldi, Kripsi, Duma. Së bashku me dyzimin e tij Dala Picola dhe me Narratorin, Simonini  sjell atmosferën e kohës në Italinë garibaldine dhe pastaj në Francën e Napoleonit të tretë, ku arratiset për të mbuluar gjurmët e shërbimeve të përgjakshme në atdheun e tij.
Me hundën e tij të hollë, Simonini nuhat rizgjimin e racizmit në Francë dhe në Prusi, dëshirën e autoriteteve dhe shërbimeve sekrete të këtyre vendeve për të shtuar skelete në raftin e antisemitizmit. Kjo dëshirë përkon me urrejtjen e tij të vjetër, por njëkohësisht është edhe një mundësi për t’u pasuruar. Simonini i futet punës për të kompiluar me jehona kujtimesh dhe leximesh raportin e një mbledhjeje të rabinëve nga gjithë bota në një varrezë të Pragës, rreth varrit të rabinit të shenjtë Simon Beh Jehuda. Simonini do të mëtojë ta zbresë këtë mbledhje nga legjenda në realitet, sikur ajo zhvillohet një herë në shekull për të përcaktuar masat e reja të planit çifut për sundimin e botës, duke larguar nga skena Kryqin, Kishën dhe qytetërimin kristian. Ai raporton sikur ka marrë informata të gjalla dhe të hollësishme për mbajtjen e kësaj mbledhjeve, për pjesëmarrësit e saj, për fjalët që ata kanë thënë dhe vendimet që kanë marrë.”Ka tetëmbëdhjetë shekuj që fuqia që iu premtua Abrahamit u rrëmbye nga Kryqi”, thotë njëri prej rabinëve dhe shton: “Nëse populli i Izraelit është shpërndarë në gjithë botën, do të thotë se gjithë bota duhet t’i përkasë. Neve na përket Lëkura e Artë që nga koha e Aronit”. Rabinët kanë mbledhur kaq shumë ar, domethënë kaq shumë forcë, thotë raporti. Plani i tyre është të mbingarkojnë me borxhe me kontrata të gjithë perandorët dhe shtetet, të marrin në dorë gjithë burimet e ekonomisë, të marrin në dorë edukimin, domethënë manipulimin e mendjeve. Nëse ari është pushteti i parë i kësaj bote, i dyti është shtypi. “Duhet që tani të marrim drejtimin e të gjitha gazetave të përditshme të çdo vendi”, vendosin rabinët e mbledhur në varrezën e Pragës.
Megjithë kontradiktat e mëdha dhe  përmbajtjen plagjiate, raporti i Simoninit do të përdoret nga francezët dhe prusianët për të përcaktuar politikat e diferencimit dhe vigjilencës ndaj hebrejve si parathënie e politikave të mëvonshme të deportimit të tyre. Po ky Simonini -mjeshtër i falsifikimit- del se ka  falsifikuar me dorën e tij shkrimin e oficerit francez Drejfus, sikur ky u shiste informata prusianëve. Çështja e famshme “Drejfus” ka një vend në roman, si bëmë e fshehtë e personazhit kryesor. Lexuesi do të ketë rastin të lexojë gjithashtu faqe të tëra nga bota e errët dhe mistike e sekteve okulte, ngjarje të jashtëzakonshme, të shkruara me saktësi, që interferojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrëfimin e trefishtë të Simoninit, Dela Picola-s dhe Narratorit. Por goditja e madhe do të vijë në fund, kur vala gjithnjë në ngjitje e antisemitizmit në një anë dhe shërbimet ruse tashmë në anën tjetër do t’i diktojnë personazhit kryesor ngritjen e raportit të tij për mbledhjen e rabinëve në varrezën e Pragës në statusin e “Protokolleve të Sionit”, një dokument shumë më i gjerë i të ashtuquajturit komploti çifut. “Se sa shumë ekzistenca e këtij populli bazohet në një vetëmashtrim të vazhdueshëm duket edhe në të famshmet Protokolle të Pleqve të Sionit”, do të thoshte Adolf Hitleri në vitin 1925.
Në romanin “Varreza e Pragës” Umberto Eko tregon se Protokollet në fjalë i ka kompiluar një agjent i trefishtë francez, prusian dhe rus-Simonini. Në mos ai, një tjetër. Një roman për urrejtjen e porositur, “Varreza e Pragës”  ka tingëllimin e një satire shumë të hidhur ndaj historisë ashtu siç nuk e njohim, por duhet ta njohim.  Rrëfyesi kryesor është dikush që flet vetëm keq dhe kjo krijon përshtypjen se romani është një lloj katalogu i veseve të ulëta të popujve, racave, besimeve, sekteve e tjerë. Mund të jetë kjo një mënyrë e caktuar për të folur edhe për veset . Disa kritikë dhe vetë Vatikani e kanë akuzuar autorin për teprime dhe dykuptimësi mesazhesh. Në të vërtetë dendësia dhe lakuriqësia e fakteve të llojllojshme e bën akoma më tërheqës këtë roman të shkruar nga një erudit. Ashtu si Servantesi shkroi Don Kishotin për të diskretituar në një anë romanet e kalorësisë, Umberto Eko ka shkruar një roman në të cilin kërkon të diskreditojë romanet që janë përdorur për ndërtimin e teksteve politike të antisemitizmit. Romani kërkon përqendrim dhe përkushtim të veçantë për t’u lexuar.

Comments

Popular posts from this blog

PROTAGORA: Njeriu është masë e të gjitha gjërave

Kush është Frederik Shopen

OGUST KONTI: Për të krijuar shoqërinë e re çdo fantazi e vjetër duhej të lihej mënjanë, qoftë kjo e Zotit opo e dogmave metafizike, për barazinë apo sovranitetin e popujve