Sodoma, edukim tranzicional

Romani Sodoma, edukim tranzicional, me autor Rami Sabriun, i botuar së fundmi nga Shtëpia Botuese “DITURIA”, është një krijim jo vetëm i guximshëm, por edhe risisjellës e i larmishëm për nga tematika. Substanca letrare e tij ka një karakter të mirëfilltë lirik, që buron prej pranisë së subjektit të rrokshëm, prej skicimit të personazheve, si dhe të rrugës evolucionare të tyre, e sidomos prej magjisë së rrëfimit autorial për të ngritur ngrehinën tekstuale letrare. Në të trajtohet një temë sa reale, aq edhe imagjinative, sa subjektive, po aq edhe universale. Është tema e dyzimit të njeriut, e tjetërsimit të tij, e mohimit të vlerave dhe triumfit të antivlerave. Vepra e merr materialin e ndërtimit të saj artistik nga një realitet mjaft i njohur në letërsinë shqiptare dhe atë të përbotshme. Ngjarjet vendosen në Sodomë, qyteti që së bashku me Gomorrën u shkatërruan nga Zoti për shkak të mëkateve që kishin kryer banorët e tyre. Pra, përmasa tematike dhe shtrirja narrative e temës ka si referencë letrare dhe model ligjërimor Biblën dhe Kur’anin, dy tekste që na japin informacionet e para mbi Sodomën dhe popullin e saj, i cili kishte filluar të praktikonte një veprim të ulët e të panjohur më parë: sodomizmin (homoseksualizmin). I mbrujtur nga një temë e tillë, romani është një pasqyrim i kohës, i mbështjellë me një tis biblik e kur’anor, një gjetje kjo jo e rastësishme. Dihet që Bibla ka frymëzuar dhe ndikuar te shumë autorë në kohë e vende të ndryshme (Aligeri, Miltoni, Bodleri, Kamy, Prusti etj.), gjë që pasqyrohet edhe në letërsinë shqipe (Fishta, Kuteli, Kadare), por autori i këtij libri na e ka sjellë këtë frymëzim në mënyrë krejt origjinale. Romani përbëhet nga dy pjesë dhe nëntë kapituj, secili prej tyre me disa nënndarje, dhe çdo kapitull paraprihet nga një Psalm i marrë prej Biblës apo nga një Sure të marrë prej Kur’anit. Psalmet dhe Suret përdoren si kode tematike, për t’u shtjelluar e shpërndarë më pas në diskursin narrativ të tekstit që pason, por edhe në funksion të ligjërimit dhe plotësisë artistike të romanit. Përmes këtij boshti ndërtohen tablo të gjera e gjithëpërfshirëse të jetës së individëve të veçantë (Durim X, Syri Bastari, Mira, Gjergj Lekaj, Vujtimi, Mirhumi etj.), të cilëve autori u jep karakter universal. Mënyra sesi i formëson karakteret, si dhe roli i rrëfimtarit në krijimin e marrëdhënies lexues-autor-tekst, janë dy hollësi që ia vlen të ndalesh. Me një stil të veçantë narracioni, si dhe me përdorimin e simboleve të ndryshme, autori arrin të ndërtojë paradigmën e një letërsie të pakohë… Është një roman që luhatet ndërmjet dy kohëve, para dhe pas nëntëdhjetës. Kjo sepse edhe vetë autori i tij u përket dy kohëve. Pavarësisht se përgjatë gjithë veprës flitet për Sodomën, në të vërtetë kemi të bëjmë me një aludim për Shqipërinë nën regjimin totalitar, për periudhën tranzicionale që pasoi e duke mbërritur deri më tani dhe këtu. Romani karakterizohet nga një përshkrim i papërsëritshëm e i fuqishëm ngjarjesh dhe gjendjesh të mjerueshme njerëzore, nga një shpërfaqje gati-gati vizuale dhe e përjetueshme e një realiteti “sodomas” që u instalua në Shqipërinë e pasviteve ‘45, por që në forma të tjera, vazhdon të jetë i pranishëm edhe në ditët e sotme. Personazhet rrugëtojnë përgjatë jetës së tyre të pashpresë, pa pritur që dëlirësia, dashuria, sinqeriteti dhe besimi tek e drejta do të vlerësohen ndonjë ditë. Fati tregohet aq mizor me ta, sa u krijon përshtypjen se po i vë në lojë. Nuk besojnë më në asgjë, pasi besimi u vdes bashkë me idenë që Sodoma do të jetë e tillë përjetësisht. Disa vdesin (nën tortura), të tjerë merren zvarrë nga koha, e të tjerë ende arratisen nga ky vend “të mallkuarish”. Nga këtu marrin kuptim edhe fjalët e thëna diku nga fundi i romanit: “…askush nuk mund ta përmbajë një popull që nga shtypja më e egër ka dalë në liri. Sidomos kur shtypësit e djeshëm kthehen në liridashësit e nesërm dhe përpiqen të përfitojnë sa më shumë të jetë e mundur në atë boshllëk, i cili qëndron ndërmjet së djeshmes dhe së nesërmes, e që për shkak të babëzisë së tyre, nuk përfundon kurrë. Të nxitur nga kompleksiteti i fajit të djeshëm, e ndoshta nga një frikë që kjo e djeshme i bën të kenë kundrejt të nesërmes së tyre, ata do të jenë gjithmonë një hap përpara çdo njeriu që deri më sot ka folur për lirinë e, për pasojë, iluzioni i lirisë së nesërme do të jetë po aq absurd sa dhe vetë shtypja e tyre e djeshme, duke i bërë të enden pafundësisht qorrazi në boshllëkun midis së djeshmes dhe së nesërmes, e duke e kthyer kështu në një të sotme që tenton drejt pafundësisë, përderisa secilit prej tyre vdekja i duket diçka e largët, po aq e largët sa dhe e nesërmja që vonon të vijë në këtë të sotme që nuk është koha e përshtatshme për të qenë njeri.”
Shkrimtarët janë të parët që duhet të shprehen në emër të lirisë e të së vërtetës, të parët që duhet t’i mëshojnë së ndërgjegjshmes dhe të jenë besnikë të saj në çdo lloj regjimi (qoftë diktaturë apo demokraci). Pikërisht këtë ka bërë edhe autori i këtij romani: ka thënë atë që është, atë që i ka parë mendja e i ka dëgjuar ndërgjegjja. Hysni Ndreu

Comments

Popular posts from this blog

PROTAGORA: Njeriu është masë e të gjitha gjërave

Kush është Frederik Shopen

OGUST KONTI: Për të krijuar shoqërinë e re çdo fantazi e vjetër duhej të lihej mënjanë, qoftë kjo e Zotit opo e dogmave metafizike, për barazinë apo sovranitetin e popujve