Vorre të harrueme shqiptarësh në Romë

Ardian Ndreca
(Shefqet Verlaci, Ali Këlcyra, Mehdi Frashëri)
Pakkush e din se nën hijen e qiparisave, dikund buzë rrugës Ostiense, bri piramidë së Kaio Qestit (Caius Cestius) prehen eshtnat e do shqiptarëve jo të parandësishëm për historinë tonë të XX qindvjetë. Nën ato selvija të denduna kanë gjetë paqën e amshueme njerëz që s’i bashkon as kombsia, as bindjet politike, as feja e as pozita shoqnore, por ma së shumti fati i keq me vdekë larg prej atdheut. Në ato vorre prehen njerëz me kombësi angleze, gjermane, ruse, suedeze, shqiptare, daneze, serbe, greke, italiane etj. Aty pushojnë poetët Keats e Shelley, pak ma tutje asht edhe vorri i djalit të vetëm të Goethes; mbi rrasa tjera lexohen mbishkrimet cirilike të disa mbasardhësve të Pushkinit e Tostoit. Edhe dy marksistat ma të mëdhenj italianë Antonio Labriola e Antonio Gramsci gjinden po në këto vorre.
Dikund në nji prej rreshtave ndeshim vorrin e Shefqet Verlacit (Elbasan 15/12/1877 – Zyrih 21/7/1946), pranë tij edhe i biri, Ismaili, i vdekun në Romë në vjetin 1985. Feudali ma i madh i shek. XX, i shpronësuem dhe i degdisun larg atdheut, ka nji vorr krejt modest. I biri qe nji prej antarëve të komitetit antikomunist në mërgim, militoi jashtë atdheut pa njohtë asnji sukses e jo krejt për paaftësi të tijën, por edhe për atë të shokëve të vet.
Shefqet Verlacit i kujtojmë qeverinë e pranverës së vitit 1924, menjiherë mbas atentatit ndaj Zogut. Por vrasja e dy amerikanëve në Mamurras si edhe atentati ndaj Avni Rustemit me 20 prill do të shenjonin përfundimisht fatin e keq të qeverisë së tij. Po ai Verlac do të merrte në dorë qeverinë shqiptare prej prillit 1939 deri në dhjetor 1941, e do të lexonte – kujton konti Ciano – “si i lodhun e si i pa mbushun mendjet” fjalimin me rasën e ofrimit të kunorës shqiptare Mbretit t’Italís. Përfaqsues i mendësisë së vjetër, por njeri me nuhatje politike, Verlaci në vitin 1939 ishte nji politikan të cilit i kishte kalue krejtsisht koha.
Pak ma tej ndodhet vorri i nji prej bijve ma të shquem të Tosknisë, Ali Klissurës (Këlcyrës) mbi rrasën e të cilit shenjohet data e lindjes 28/5/1891 dhe ajo e vdekjes, në Romë, me 24/9/1963.
Meriton me u pru i plotë epigrafi i shkruem denjësisht në nji pllakë bronzi:
“Në këtë tokë të Romë s’amshuëme
pushon në paqen e Perëndisë trupi i Ali Klissurës.
Shqipëri – Liri – Drejtësi
Këto ideale të forta kombëtare – njerëzore
qenë përmbajtja e jetës së tij
për këto jetoi sakrifikoi luftoi
gjër në frymën e fundit
luftoi me fjalë udhëheqësi në gojë
luftoi me shkrim letrari në letër
luftoi me armë ushtari në dorë
idealet e tija le të mbeten porosi e përhershme
për bashkëluftëtarët e tij
për brezat e ardhëshëm arbërore”.
Organi[zata] Balli Kombëtar
Në Mërgim 24/IX/1964

Ali Klissura, patriot i kulluem, tribun i vegjëlisë që i ra mohit origjinës së tij prej bejleri, sulmoi në vitin 1920 me njimijë vetë italianët në kalanë e Tepelenës, e tue diftue nji oratorí të pashoqe mbërriti me entuaziazmue nji popull që kishte hupë shpresën në fitore. Si antizogist edhe ai kishte për të ikë prej Shqipnijet mbas ngjarjeve të dhjetorit 1924 për të jetue në Paris, së bashku me opozitarë të tjerë të Bashkimit kombëtar.
Në periudhën e Luftës së Dytë, Ali Klissura bashkë me Mithat Frashërin do t’u bajshin udhëheqësit e organizatës Balli Kombtar, tue u përpjekë me të gjitha forcat me ruejt nji ekuilibër politik, i cili, simbas tyne, do t’i drejtonte shqiptarët kah aleatët e jo në prehën të bolshevikëve. Fatkeqsisht, mbas vitit 1946, Balli Kombtar e përzuni prej radhëve të veta tue marrë shkak prej telegramit të famshëm të Grenoblës, ku A. Klissura me shumë të tjerë falenderonte Duçen për përzanjen e Zogut prej Shqipnijet. Krenat e Ballit ashtu si edhe komunistat e Tiranës, ju kundërvunë – post factum – edhe për paktin Dalmazzo-Këlcyra, me të cilin pranohej nji farë gjendje paqeje ndërmjet nacionalistave dhe trupave italiane. Por faktet duhen gjykue në kontekstin e vet historik, mbasi po ata që e përzunë pa të drejtë prej Ballit Kombtar, u detyruen mbas vdekjes me shkrue atë epitaf që ka edhe sot mbi vorr.
Pak hapa ma tej gjindet vorri i Mehdi Frashërit. Dy data të thjeshta lexohen te vorri i tij: 28/2/1872 – 25/5/1963. Pranë tij prehet bashkëshortja, Nejre Frashëri-Biçaku (25/5/1885 – 13/8/1969), dhe me radhë vijnë emnat e të bijve: Vehbiut, Medihasë e Ragipit. Te kambët e vorrit naltohet kah qielli nji qiparis i madh e i dobët, me rranjët e përqafueme me eshtna të vdekunish, i brishtë si vetë eshtnat, aq sa i ka detyrue punëtorët e vorrezës me e lidhë për sigurí.
Mehdiu ka lindë në Frashër, me shumë gjasë me 28 shkurt të vitit 1874, e jo në 1872 siç lexohet te rrasa e vorrit. Së pari ka ndjekë gjimnazin e famshëm Zosimea të Janinës e ma vonë liceun e Monastirit, të cilin e ka krye në vitin 1894. Në vitin 1898 ai përfundon me sukses Fakultetin e Shkencave politike dhe ekonomike në Stamboll tue dhanë me rezultate të nalta provimin e doktoraturës.
Krejt i ri Mehdiu ndërmori nji karrierë të shkëlqyeshme në administratën otomane, tue u emnue së pari si atashe pranë qeveritarit të ishujve të Arkipelagut – ku ndejti deri në 1901, mandej e gjejmë në Peqin me detyrën e nënprefektit deri në vitin 1903 dhe nënprefekt në Ohër deri në 1906. Kur bullgaro-maqedonët nisën revolucionin e 5 gushtit 1903, Mehdiu mbante lidhje miqsore me Komitetin Ballkanik të Londrës, tue mendue që nji të nesërme edhe bashkatëdhetarët e tij do të kërkonin autonominë prej Portës së Naltë. Ma vonë emnohet prefekt në Thrakí ku qindron deri në shpalljen e Kushtetutës së Turqve të Rí, në korrik të 1908. Me 7 dhetor 1908 bahet prefekt në Serres (Maqedoni), tue mbajt ketë detyrë deri në shtator të 1909. Ma vonë emnohet prefekt i Senidjes (sanxhaku i Novipazarit) e prej këtu dërgohet si qeveritar në Samsun. Në 1911 emnohet Bej i Jeruzalemit dhe qeveritar i Palestinës, kurse në janar 1912 ngarkohet edhe me detyren e Nën-Komisarit të Naltë të Turqís në Egjipt. Jep dorëheqjen me 28 nandor 1912 dhe kthehet në Egjipt ku rrin deri në prill të vitit 1913, prej aty kthehet në atdheun e tij që sapo kishte fitue lirinë. Sapo mbërrin në Shqipní zgjidhet si përfaqsues i qeverisë pranë Komisionit Ndërkombtar të Kontrollit, detyrë që mban deri në shtator të 1914.
Prej 1914 deri në 1918, në mbarim të Luftës I Botnore asht i internuem në Shën Mitër Koronë, ku jep landën e gjuhës dhe letërsisë shqipe në kolegjin e mirënjohtun arbëresh,.
Në 1919 asht për pak kohë Ministër i Mbrendshëm, mandej delegat i Shqipnisë në Konferencën e Paqes. Menjiherë mbas Parisit, Mehdi Frashëri emnohet Ministër i Punëve të Jashtme. Në vjetin 1921 asht deputet i Elbasanit e nji vjetë ma vonë shkon si delegat i Shqipnís pranë Lidhjes së Kombeve e mandej delegat në Konferencën e Lozanës. Në 1923 ngarkohet si përfaqsues i Shqipnisë pranë Komisionit ndërkombtar të demarkacionit e të vendosjes përfundimtare të piramidave ndërmjet Shqipnisë dhe Greqisë dhe ndërmjet Shqipnisë dhe Jugosllavís. Në vitin 1926 Mehdiu asht i pranishëm si delegat në Asamblenë e jashtëzakonshme të Lidhjes së Kombeve për pranimin e Gjermanisë. Në qershor të 1926 asht i caktuem president i delegacionit shqiptar per traktatin e ekstradimit me Greqinë, e në dhjetorin e të njejtit vit nënshkruen traktatin e tregtisë dhe lundrimit me Greqinë. Prej vitit 1928 deri në 1930-ën e gjejmë përsërí delegat i Shqipnisë pranë Lidhjes së Kombeve. Me 11 prill 1929 asht president i t’sapoformuemit Këshill të Shtetit e në 1930 bahet ministër i ekonomisë kombtare, në vitin 1931 asht rishtas president i Këshillit të Shtetit. Prej 22 tetorit të 1935 deri me 3 nandor 1936 asht kryeministër për herë të parë. Ajo e tija asht qeveria ma liberale e gjithë asaj periudhe, me Dhimitër Berattin Ministër të Ekonomisë kombtare, Fuad Asllanin Ministër të Punëve të Jashtme, Ethem Toton Ministër të Mbrendshëm, Rrok Gerën Ministër të Financave.
Mehdiu donte me zhdukë mbrapambetjen, me reformue ekonominë kombtare, me zbatue ato reforma radikale që ishin mundue pa sukses me zbatue fanolistat në vitin 1924, ndër të tjera tue përgatitë nji projekt për reformën agrare. Programi i kryeministrit ishte i përbamë prej 16 projekt-ligjesh e prej po aq sqarimesh, por mbi të gjitha Mehdi Frashëri po inaguronte nji mënyrë krejt të re komunikimi politik në Shqipní: ai ia bante të ditun popullit projekt-ligjet e nuk u mjaftonte me shpall ligjet e aprovueme, siç kishin ba qeveritë e maparshme. Interesant asht individualizimi i dhjetë plagëve të bujkut shqiptar, organizimi i shoqnive bujqësore, lufta kundër fajdexhijve dhe spekulatorëve, krijimi i Bankës Bujqësore, transformimi i të dhjetave në detyrime fiskale, stabilizimi i çmimeve në tregun e mbrendshëm, krijimi i kapitalit industrial në nji klimë shoqnore e politike liberale. Qeveria siç dihet dështoi e Zogu ngarkoi Koço Kottën me formue nji qeveri të re.
Prej vitit 1937 deri në vitin 1938 Mehdiu asht ministër fuqiplotë i klasit I, i ngarkuem për përfaqsimin e Mbretnís pranë Lidhjes së Kombeve. Në vitin 1939 ai asht Kryetar i Këshillit të Shtetit, ndërsa në periudhën prej 1939 deri në 1943 internohet në Italí, tue jetue në Romë e për pak kohë në Merano. Kthehet në atdhe mbas armëpushimit të shpallun prej marshallit Badoglio.
Me 13 tetor 1943 forcat aleate bombardojnë disa lagje të Tiranës tue shkaktue të vdekun e të plagosun ndër civila. Kaosi dhe gjendja e pasigurtë shtyjnë shumë patriotë shqiptarë me u mbledhë me 16 tetor në nji Kuvend Kombtar i cili do të caktonte formën e qeverisjes së shtetit. Mbledhja e dytë e Kuvendit, e mbajtun me datën 18 të po atij muej zgjodhi parinë, kurse mbledhja e tretë shpalli ndamjen e Shqipnisë prej Italisë dhe shfuqizoi vendimet e Asamblesë së 12 Prillit 1939 si edhe abrogoi gjendjen e luftës së Shqipnisë me t’gjitha shtetet me të cilat ishte në konflikt Perandoria italiane. Prej kësaj mbledhje u caktue që forma supreme e Shtetit shqiptar të ishte Këshilli i Naltë i Regjencës i përbamë prej Mehdi Frashërit, Fuad Dibrës, Lef Nosit dhe Atë Anton Harapit. Prej 24 tetorit të 1943 deri me 3 nandor 1943 Mehdiu mban përkohsisht, për të dyten herë në jetën e vet, postin e kryeministrit. Ndërsa prej 20 tetorit 1943 deri me 25 tetor 1944 ai merr mbi shpatulla detyrën ma me përgjegjësí të jetës së vet, atë të Kryetarit të Këshillit të Naltë të Regjencës. Në fund të nandorit 1944 ikë prej Shkodret për në Itali, dhe jeton në Romë deri në fund të jetës së vet.

*   *   *
Sot në Shqipní zotnon moda politike e sjelljes në atdhe të njerzve të mëdhaj që kanë vdekë jashtë. Para pak vitesh nji ministër i qeverisë Berisha, mbasi u zotue se do të përmirsonte cilësinë e diellit, premtoi se do të sillte në Shqipni eshtnat e Ismail Qemalit; ministri në fjalë ka hy tashma në guinness-in e gafave. Së fundi u fol se duen me kthye n’atdhe edhe eshtnat e Zogut. Ndoshta politikanët e sotëm, tue u nisë prej afinitetit, kanë ma shumë të drejtë me sjellë në Shqipni vetëm eshtnat e Esat Pashë Toptanit, të cilat gjinden në nji vorrezë ushtarësh serbë në Paris.
Sa për të tjerët, ata kanë tregue me fakte se nuk dijnë me nderue kend. Në kohën e komunizmit janë sjellë në atdhe eshtnat e Migjenit, Luigj Gurakuqit dhe Pashko Vasës. Të tre kishin nga nji vorr të denjë në Itali dhe në Liban. Sot te vorret e tyne në Shkodër digjen plehnat e sillen qentë e zgjebosun. Ka vite që shkruej për ketë gja, por asht krejt e kotë. Njerëzit e mëdhaj që kanë ba kombin tonë u bajnë hije liliputëve, prandaj asht ma mirë t’i lamë me pushue në tokë të huej, pse barbaria jonë nuk ka kufi ndaj atyne që meritojnë nderim, as kur janë në jetë e as kur ndahen prej saj.

Comments

Popular posts from this blog

PROTAGORA: Njeriu është masë e të gjitha gjërave

Kush është Frederik Shopen

OGUST KONTI: Për të krijuar shoqërinë e re çdo fantazi e vjetër duhej të lihej mënjanë, qoftë kjo e Zotit opo e dogmave metafizike, për barazinë apo sovranitetin e popujve