Esteti vizual te regjisori rus, Aleksander Sokurov


Aleksander Sokurov, është njëri prej regjisorëve më të talentuar rus, që ende është gjallë dhe vazhdon ta befasojë publikun, që përkujdeset për të parë një reflektim krejtësisht të ndryshëm mbi ekzaminimin e qenies njerëzore në ekran. Aleksander Sokurov është regjisori që përthen çdo vlerë të normuar në ekran, duke zënë kështu një vend të rëndësishëm jo vetëm në historinë e kinematografisë ruse por edhe në atë botërore.
I lindur në Siberi – me një cen në këmbë, shkaku i një shpërthimi atomik, Sokurov qysh në rininë e tij filloi të punojë për televizionet lokale, para se të hynte në shkollën prestigjoze të filmit VGIK, ku kreu studimet për film dhe ku nisi kritikën e tij mbi kinemanë.. Përgjatë studimeve ai pati shkruar: “Kinematografia nuk është art, por thjesht një sharm, një tentativë” Këto fjalë që dëshmohen përgjatë gjithësecilit film të tij, megjithëse nuk e nxjerrin kinematografinë jashtë kategorisë së artit, e zbehin dimensionin e ndjeshëm që kinematografia si art ia rikthen ngjarjes. Te Sukurov një ngjarje mbetet e vdekur, nuk ka ndonjë gjykim për të, e as moralizëm, thjesht imazhe të mrekullueshme filmike me një sharm marramendës.
Megjithëse krijimtaria e Aleksander Sokurovit nuk ngërthente në vete ndonjë gjykim politik, ajo nuk arriti t’i shpëtojë censurës së Bashkimit Sovjetik. Përgjatë regjimit të Bashkimit Sovjetik, krijimtaria e tij mbetet nën hije dhe nuk arrin të depërtojë te publiku. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, krijimtaria e tij arrin të dalë në pah, dhe përmes çmimeve të fituara në festivalet më prestigjoze të filmit të klasifikohet edhe ndër shijet e publikut që përcjell rrjedhat e kinemasë.


Krijimtaria e Aleksander Sokurovit, që pozicionohet në majata e kinematografisë ruse, ka edhe pikat e saj të ulëta. Filmat si “Save and Protect” dhe “Moloch” mund të thuhet se janë të turpshëm për një regjisor të kalibrit të tillë, qfare është Sokurov. Një ndër veprat e tij, që edhe e bëri të famshëm për publikun e gjerë është filmi “Russian Ark” që është gjiruar për 99 minuta pa ndërprerje. Kjo vepër e tij, edhe pse tejet artistike mbetet sipërfaqsore për publikun që përkujdeset të ndërtojë bindje për Aleksandër Sokurovin.
Sa i përket krijimtarisë së mirëfilltë të tij, vlen të përmenden filmat si “Man’s Lonely Voice” dhe “Second Circle” që na përcjellin deri te kryevepra e krijimtarisë së tij “Mother and Son, 1997”.
Ironia te Sokurov është se ai përgjatë regjimit të Bashkimit Sovjetik, ku ishte nën filterët e censurës komuniste, krijoi më shumë filma se në kohën e sotme ku gëzon liri të plotë nga censura.
Stili i Aleksandër Sokurovit është shumë i ngjashëm me atë të Andrei Tarkovskit: kapjet e gjata, mënyra se si aktorët natyrshëm kundërveprojnë në ekran, tingujt dhe muzika që mishërohet me natyrën janë vetëm disa nga këto ngjajshmëri. Megjithëse ka edhe dallime të mëdha mes botëkuptimeve të tyre, mund të thuhet se të dy janë regjisorë spiritualë në kuptimin që të dy janë në përndjekje të vazhdueshme të pyetjeve që lidhen me ekzistencën e qenies njerëzore. Të dy janë të angazhuar që përmes personazheve në ekran, ta bëjnë të dukshëm realitetin e brendshëm të qenjes njerëzore.
Dhe është pikërisht realiteti i brendshëm që përfaqsohet nga personazhet në ekran ajo që e bën dallimin mes 


Tarkovskit dhe Sokurovit. Te Tarkovski ne shohim se diçka po e rëndon gjendjen shpirtërore të personazheve kryesorë: një “shtypje” po ndodh te ta, por prapseprapë kemi përpjekjen e jashtëzakonshme të tyre për të qarë rrugën përpara. Kjo përpjekje te Tarkovskij shënon kapërcimin e kësaj “shtypje” duke e mbivendosur mbi të personazhin të çliruar. Pra, mund të themi se krijimtaria e Tarkovskit lufton drejt çlirimit shpirtëror, ndryshe nga krijimtaria e Sokurovit që ndalet te përshkrimi vizual i gjendjes shpirtërore.
Te Sokurov gjithashtu vihet re një “shtypje” mbi personazhet kryesore, por tek ai, kjo “shtypje” është e pakapërcyeshme. Personazhet fare pak, ose aspak nuk bëjnë përpjekje për të luftuar kundër kësaj shtypjeje. Në vend të kësaj përpjekje të munguar ata përshkruajnë gjendjen e shtypur në të cilën ndodhen. Pra mund të thuhet se krijimtaria e Sokurovit më shumë se përshkrim është një shqetësim estetik që përmes regjimit vizuel na jep një pasqyrë të gjendjes së shtypur brenda së cilës gjindet qenia njerëzore.
Kjo është e dukshme sidomos te kryevepra e tij “Mother and Son, 1997” që përshkruan ditët e fundit të një gruaje të vjetër që është nën përkujdesjen e djalit të saj. Në këtë film “shtypja” është kudo: jo vetëm në fytyrën e nënës dhe djalit, jo vetëm brenda shtëpisë klaustrofobike të ndriçuar lehtë, por në frymëmarrjen dhe gjithsecilën fjalë që ata artikulojnë. Vetë artikulimi i fjalëve dhe frymëmarrja duket se përbën një përpjekje tashmë të pavvarur nga sëmundja te ta. Shtypja vepron aq rëndë te nëna dhe djali, saqë kur djali hedh një shikim jashtë shtëpisë ai i bën këtë pyetje nënës së tij: “E pra, a është mirë të jetosh këtu?” dhe ajo i përgjigjet: “Të jetosh këtu nuk është rëndë, aspak rëndë” Kjo gjendje e rëndesës te ta, është kapur me aq mjeshtri nga Sokurov sa nuk është çudi të shohësh edhe natyrën duke bashkëpunuar. Dendësia e errët, retë e errëta mbi peisazhin shtërpë përgjatë gjithë filmit, përforcojnë ndjesinë e shtypjes te nëna dhe djali, që duken të pafuqishëm për të dalë nga gjendja në të cilën ndodhen.
Por ku qëndron kuptimi i një jete të tillë, nën shtypje? Filmi “Mother and Son, 1997” e strehon këtë pyetje përmes skenës ku djali tashmë i përgjërohet nënës së tij, që ta vazhdojë jetën dhe nëna ia kthen “Për se?”-“Për se?” atëherë djali mëshirshëm nuk i thotë se ajo duhet të jetojë për të, edhe pse filmi përgjatë gjithësecilës skenë na bën të ditur, se krejt çfarë ata të dy kanë është njëri-tjetrin. Pra, në fund të fundit boshllëku që është krijuar në lidhjen familjare te ta, i ka izoluar ata nga dashuria e vërtetë dhe ata duhet ta rishpikin këtë lidhje të humbur që prapë e quajnë “dashuri” Filmi “Mother and Son, 1997” e përcjellë këtë rishpikje që në fund të fundit është pasive, duke qenë se personazhet nuk bëjnë më përpjekje, nuk lëvizin, sepse tashmë janë nën presionin e koncepteve të rrejshme nëpërmjet të cilave ata kanë udhëhequr jetën e tyre.
“Mother and Son, 1997” mund të thuhet se është regjistrimi më autentik në shirtin filmik që përshkruan gjendjen e shtypur të shpirtit njerëzor. Kurse Sokurov është regjisori bashkëkohor që përmes gjenialitetit të tij, i dha kinematografisë dhe publikut një rrëfim të jashtëzakonshëm mbi shtypjen shpirtërore që ndodh te qenjet njerëzore që udhëhiqen në jetë me koncepte të rrejshme, dhe gabimisht të fituara.
Vlerat që Sokurov i normoi në ekran shprehin njëherësh gjenialitetin dhe veçantinë e tij si regjisor. Me përjashtim të Tarkvoskit dhe Bressonit, Sokurov është një ndër regjisorët e rrallë që vendos theksin mbi cilësinë e harmonisë shpirtërore te qenia njerëzore përmes imazheve delikate, të thella dhe misterioze.
Glauk Tahiri

Comments

Popular posts from this blog

PROTAGORA: Njeriu është masë e të gjitha gjërave

Kush është Frederik Shopen

OGUST KONTI: Për të krijuar shoqërinë e re çdo fantazi e vjetër duhej të lihej mënjanë, qoftë kjo e Zotit opo e dogmave metafizike, për barazinë apo sovranitetin e popujve