Kur demokracitë përplasen


Volker Perthes

Sot detyra e demokracive perëndimore është që të pranojnë dhe të përballen me “dallimet demokratike” në nivelin ndërkombëtar, duke synuar koalicione shumëpalëshe për menaxhimin apo zgjidhjen e problemeve

Berlin, qershor – Natyra multipolare e sistemit të sotëm ndërkombëtar sërish do të vihet në pah gjatë samitit të radhës të G20-ës në Los Cabos të Meksikës. Tani problemet globale nuk zgjidhen, krizat nuk menaxhohen, rregullat globale nuk definohen vetëm nga një numër i vogël i fuqive perëndimore. Fuqi të mëdha dhe të mesme, si India, Brazili, Indonezia, Koreja Jugore, Turqia dhe Afrika Jugore po ashtu kërkojnë të kenë ndikim.
Disa prej këtyre fuqive vazhdojnë të jenë ekonomi në lulëzim. Megjithatë, politikisht, shumica prej tyre e kanë kapërcyer pragun që e pengonte qasjen e tyre në vendimmarrje. Pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së vazhdojnë të mbrojnë të drejtën e tyre për t’u vërë veto rezolutave, derisa fuqia e tyre ushtarake vazhdon të jetë e pakonkurrencë. Megjithatë, ato nuk kanë më burime dhe legjitimitet të mjaftueshëm për t’u përballur të vetme me sfidat globale ose krizat.
Ndarja në dy pole është gjë e së kaluarës dhe ka shumë pak gjasa që të shprehet në një “G2” kinezo-amerikan. Po ashtu, ka shumë pak gjasa që në të ardhmen e afërt ndonjë prej shteteve të klubit, si G-7 ose G-8 do të jetë sërish në pozitë të tillë. Madje edhe G-20 në përbërjen e vet aktuale mund të mos  përfaqësojë në mënyrë të duhur forcat që do ta bëjnë shekullin njëzet e një.
Për SHBA-në, Bashkimin Evropian, Japoninë dhe anëtaret e tjera të “Perëndimit të vjetër”, lajm i mirë është se shumica e fuqive në lulëzim që po synojnë rol më aktiv global janë po ashtu demokraci. Brenda G20-ës vetëm dy shtete – Kina dhe Arabia Saudite – nuk duan në mënyrë eksplicite që të bëhen demokraci liberale, derisa i treti, Rusia, është zhvilluar në autokraci me fasadë demokratike.
Lajm edhe jo aq i mirë është se këto fuqi të reja demokratike jo domosdo e përkrahin agjendën politike të Perëndimit të Vjetër. Për shembull, ato kanë dallime rreth politikave për klimën, duke i parë si kërcënim për zhvillimin. Ngjashëm, ndonëse fuqitë e reja të mesme dhe të mëdha mund të mos pajtohen, ato janë në përgjithësi më skeptike si rreth sanksioneve ndërkombëtare, ashtu edhe ndërhyrjeve ushtarake.
Për më tepër, disa prej këtyre shteteve më të rëndësishme kanë dallime të konsiderueshme me SHBA-në, e shpesh edhe me BE-në, rreth qasjes së duhur sa u përket konflikteve rajonale, posaçërisht në Lindje të Mesme. Kështu, më 2010, SHBA-ja e gjeti veten në një kontest të rëndë diplomatik me Turqinë dhe Brazilin rreth zgjidhjes së konfliktit me Iranin rreth programit të tij bërthamor.
Ndonëse nuk e pranoi, SHBA-ja shihej qartë se ishte e pakënaqur për shkak se këto dy shtete u munduan të luajnë rol të pavarur diplomatik.
Dallimet janë po ashtu të dukshme aty ku fuqitë e mëdha dhe të mesme demokratike kanë formuar grupe të reja apo klube, si BRICS, së bashku me fuqitë jodemokratike. India, Brazili dhe Afrika Jugore po ashtu janë duke përdorur formate të tilla në mënyrë pragmatike për të ndjekur interesat e tyre apo thjesht për të demonstruar peshën e tyre të shtuar ndërkombëtare. Ka shumë pak ujdi midis tyre në një anë dhe Kinës apo Rusisë në anën tjetër – sa u përket vlerave politike apo çështjeve themelore të rendit ndërkombëtar.
Së bashku me shumë shtete të tjera në Jugun global, megjithatë, Rusia dhe Kina kanë tendenca që ta mbrojnë parimin e mosndërhyrjes dhe ato në përgjithësi nuk janë të gatshme të përkrahin përpjekjet amerikane apo evropiane për projektimin e demokracisë apo mbrojtjen e të drejtave të njeriut në shtetet e tjera.
Jo shumë pak politikëbërës në SHBA dhe Evropë kanë reaguar me habi, madje edhe neveri, ndaj përpjekjeve të këtyre fuqive në lulëzim për të ndjekur agjendat e tyre në skenën botërore. Reagimet e tilla pjesërisht pasqyrojnë mënyrën e vjetër të të menduarit, të rrënjosur në Luftën e Ftohtë, kur shtetet demokratike mund të kishin dallime rreth detajeve, mirëpo pajtoheshin rreth çështjeve kryesore të politikës ndërkombëtare. Ata që ndiqnin agjendë ndryshe rreth çështjeve substanciale, ose nuk ishin pjesë e “kampit demokratik”, ose nuk ishin shtete me ndikim në skenën ndërkombëtare.
Për dallim nga kjo, një karakteristikë e rëndësishme e botës së sotme është se vlerat e përbashkëta demokratike nuk garantojnë marrëveshje rreth çështjeve substanciale të politikës ndërkombëtare. Sa më shumë demokraci që të ketë, aq më shumë konflikte interesi dhe dallime pritet që të dalin në pah midis shteteve demokratike.
Nuk ka arsye që të veprojmë me nervozizëm kur shtetet si Turqia, Brazili dhe Afrika Jugore caktojnë prioritete të ndryshme prej atyre të Evropës apo SHBA-së, apo kanë qëndrime të tjera rreth trajtimit të konfliktit arabo-izrael, Iranit, ndihmave zhvillimore, promovimit demokratik apo mbrojtjes së ambientit. Shembulli i SHBA-së tregon në mënyrë të qartë se fuqitë e mëdha demokratike shpesh ndjekin interesat e tyre pa pasur parasysh të mirën e përbashkët që e kanë definuar të tjerët. Me fjalë të tjera, rendi demokratik po bëhet gjithnjë e më i shumtë. Detyra e demokracive të etabluara perëndimore është që të pranojnë dhe të përballen me “dallimet e tilla demokratike” në nivelin ndërkombëtar, duke synuar koalicione shumëpalëshe për menaxhimin apo zgjidhjen e problemeve.
Në parim, BE-ja ndodhet në pozitë më të mirë se SHBA-ja (e aq më shumë Kina) për t’u marrë me këtë detyrë. Evropianët janë mësuar të përballem me dallime dhe të arrijnë konsensus midis shteteve që në parim mendojnë ngjashëm. Në këtë aspekt, Evropa duhet të mësohet të jetë më e qartë dhe më transparente rreth interesave të ndërlidhura me politikat e saj, e jo vetëm të sugjerojnë se qëndrimet e saj për një temë specifike paraqesin zbatimin e vetëm racional të vlerave normale demokratike.

(Autori është drejtor ekzekutiv i “Stiftung Wissenschaft und Politik”, (SWP), institut ky gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë me seli në Berlin. Vështrimi është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Sindycate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)

Comments

Popular posts from this blog

PROTAGORA: Njeriu është masë e të gjitha gjërave

Kush është Frederik Shopen

OGUST KONTI: Për të krijuar shoqërinë e re çdo fantazi e vjetër duhej të lihej mënjanë, qoftë kjo e Zotit opo e dogmave metafizike, për barazinë apo sovranitetin e popujve