Plejadë ngjyre, idesh e ndjenjash


Nga Dr. Ilir Muharremi
E vërteta në art është e lidhur me botën e synimeve, aspiratave, shpresave, idealeve që frymojnë, ndezin dhe lëkundin shpirtrat, mendimet e paragjykimet tek njerëzit e zakonshëm. Këtë e vërejtëm në “Plejadën e Artistëve Ndërkombëtar”, të organizuar nga piktorja Miradije Ramiqi. Ngjarja në Hotel Prishtina, mblodhi për një javë artistë të ndryshëm, nga vende të ndryshme.
Arti i jep idetë estetike në një nivel të lartë, dhe sipas strukturës së ndërgjegjes së rëndomtë të njeriut.
Shkëmbimi ideve, polemikat artistike e zbrazja e ngjyrave në pëlhurë shfaqeshin si dramë artistike me karaktere të ndryshme, që ngjallnin freski, melankoli dhe frymëzim tek artistët. Pronari i hotelit Blerim Islami - që ishte donatori kryesor i këtij manifestimi - ditë e natë shoqërohej me artistë dhe vlerësonte, kritikonte dhe polemizonte veprat të cilat krijoheshin përditë nga duart e mjeshtërve të rinj, të cilët në gjithë lëvizjen e karaktereve dhe situatave jetësore e mbërthenin spektatorin.
Artistët, Lumturi Blloshmi, Agron Mulliqi, Ferid Morina, Adrian Dule, Natali Nikolovska, Fatos Bylykbashi, Magbule Xhemajli, Fatos Arapi, Marjana Goxhabeliu, Brunilda Mumajesi... përpiqeshin të qëllonin idenë e brendësisë me një lëvizje dhe lëkundje ndjenjash, duke u izoluar në personalitet apo duke individualizuar. Kjo pra ndodhi në një shkallë, përderisa pjesa tjetër e artistëve ishin izoluar nëpër dhoma, ku krijonin artin e pandikuar, me një varg emocionesh e ndërgjegjesh teorike të një dialogu të brendshëm intraverz. As ata në asnjë mënyrë s’mbetën të thatë e të ftohtë, ngaqë filozofia dhe idetë jepeshin si shqetësim i natyrshëm i një karakteri që përpiqet t’ua gjejë shkakun gjërave.
Temat ishin të ndryshme, disa ishin të pasionuar pas arkitekturës e disa polemizonin me individualitetin, duke nxjerr personazhe artistike logjike të pasqyrimit dhe vazhdimësisë së realitetit objektiv të kohës dhe hapësirës. Pra, raportin e elementit ekspresiv dhe substancial në figurën artistike; raportin e elementit përshkrues, psikologjik, njohës e vlerësues, krijues e transformues; raportin e elementit emocional e racional, rrugët e afirmimit estetik e të patosit.
Për shembull, objekti i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare u plasua në versione të ndryshme. Disa artistë i theksonin kupolat si elemente kryesore, mbresëlënëse, estetike e përshkruese, pjesa tjetër grilat e saj, që i vendosnin në një kozmos pa gravitet, duke dashur të theksojnë hapësirën kompozicionale të objektit. Me forcën e tyre interpretuese, me funksionin e një bote kërkimore, kuptimore, estetike, filozofike e sociale, ata krijonin ndeshjen mes spektatorit dhe veprave. Depërtimi në përmbajtje të veprave ishte i lehtë, sepse përdornin metoda e forma konkrete të perceptimit. Qëndrimi vlerësues i artistëve stimulohet nga tërësia e pikëpamjeve ideologjike. Lëvizjet e brushës ishin të ngadalta dhe precize, ndërkohë që të tjerët spërkatnin me duar e këmbë mbi pëlhurë, duke paralajmëruar kështu se i tërë trupi është funksional dhe i preokupuar me ndjenjën që se realizimi shërbehet me çdo gjymtyrë. Temat më tepër ishin objektive se subjektive, dhe me qëllim kohor, ngaqë për t’u zhytur në ujërat subjektive koha është më e gjatë.
Spontaniteti ishte një fenomen pozitiv, një teori dhe praktikë artistike që shënon thëllimin e mëtutjeshëm të krijimtarisë. E tërë puna njëjavore përfundoi me një ekspozitë, ku artistëve iu ndanë mirënjohje. Organizatorja falënderoi sponsorët, kryetari i Prishtinës Isa Mustafa, ishte i pasionuar pas veprave. Ai në natën solemne shprehu vullnetin dhe gëzimin që kishte ndarë për artistët. Madje, i ftoi ata në një tubim në hotelin prishtinas Swis Diamond. Artistët nuk flisnin gjë, i merrnin mirënjohjet dhe rreshtoheshin të emocionuar, stresuar, por edhe të dominuar nga veprat.
Do të theksoja se artistët nëpërmjet veprave, por edhe me shijet, format e kulluara dhe bukuritë e kulluara të tyre, realitetin e quanin prozaik, poetik, shpirtëror. Një frymëzim aspak vulgar, ngaqë qetësia mbretëronte në kompozicion, e perspektiva shfaqte atë dimensionin e tretë iluziv në pikturë. Modernizmin dhe postmodernizmin e shihnin si koncept estetik dhe të praktikave të shkollave të vjetra të artit.

Comments

Popular posts from this blog

PROTAGORA: Njeriu është masë e të gjitha gjërave

Kush është Frederik Shopen

OGUST KONTI: Për të krijuar shoqërinë e re çdo fantazi e vjetër duhej të lihej mënjanë, qoftë kjo e Zotit opo e dogmave metafizike, për barazinë apo sovranitetin e popujve