Bleona Qereti: Në Shqipëri jam superstar, do këndoj edhe 72 vjeç


Nga Ilda Lumani

Elegante, e freskët, edhe pse me dy orë gjumë, asnjë shenjë pagjumësie nuk vijëzohet në portretin e saj...Bleona Qereti është kthyer mëse në formë. Gati për të ripërsëritur suksesin e një dekade më parë, kur vendosi të bënte një tur në gjithë Shqipërinë. Këtë herë për shkak të vendosjes së menjëhershme për prezantimin e albumit të parë të saj në anglisht, në Shqipëri axhenda është e vogël: tre koncerte, një në Vlorë që do të jetë sot në mbrëmje, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, një në qytetin e saj të lindjes, ku pati edhe daljet e para skenike, në Elbasan dhe një në Shkodër, qytetin e babait të saj. Më tej sipas ofertave do të shihen edhe mundësi të tjera. Në një takim të saj me median, Bleona përveç turit të saj, tregoi edhe për vështirësitë e hasura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për sakrificat e saj duke braktisur çdo gjë për te realizuar këtë album dhe futjen në tregun muzikor atje... A do t'ia arrijë?! Bleona pohon se nuk do të ndalet kurrë pa e parë veten në MTV. Dhe kjo madje do të ndodhë shumë shpejt!
Bleona, keni realizuar albumin tuaj të parë anglisht me qëllimin për të hyrë në tregun amerikan. Përse po e promovoni në Shqipëri?
Nuk ka arsye më të mirë se sa ta nisja këtu turin. Unë këtu kam nis karrierën. Më kanë dashur që kur jetoja në Allias dhe merrja Ledinën (Çelo) tek Medreseja dhe shkonim në shkollë bashkë.
Unë mendova se duhet të nderoja njëherë Shqipërinë, vendin ku kam 20 vjet që bëj karrierë. Vendosa jo pa qëllim që koncertin ta bëj në Vlorë, me rastin edhe të 100 vjetorit të Pavarësisë. Turi do të vijojë në Elbasan, që është dhe qyteti i parë ku kam filluar karrierën dhe jam ngjitur në skenë e më tej dhe Shkodra vendi i tim eti. Duke qenë se nuk kam kohë as buxhet, mendova që të jenë vetëm këto 3'qytete në fillim dhe nëse do të ketë oferta janë të mirëpritur. Sigurisht që shtrirja e vogël e këtij turi vjen edhe për faktin se unë vetëm 2 javë më parë vendosa të realizoj këtë turne dhe çdo gjë është bërë me nxitim dhe shumë dashuri për të qenë prezente në vendin tim. Albumi tashmë ka mbaruar dhe jam e lumtur që bashkë me mua në këtë turne Dj zyrtar i Timbaland, Dj Brasco. 

Do të ketë një klip që do të prezantojë albumin?
Ende nuk kam vendosur se cila do të jetë kënga që do të prezantojë albumin. Pasi të kem zgjidhur këtë dilemë do të ketë. Po unë deri më tani i jam përkushtuar albumit i cili ka kushtuar jo pak.
Po projekte të tjera muzikore?
Me krenari them se kam fituar një projekt me shumë vlerë, siç është projekti im me Gippsy King, të cilët do të kenë një tur koncertor në Europë dhe unë do të çel koncertet e mia. Kjo është edhe mënyra më e mirë për të prezantuar albumin tim. 

Është folur edhe për një tentativë tuajën për të hyrë në kinemanë amerikane?
Po është tërësisht e vërtetë. Unë Kam mbaruar një film me Stiven Segal, është një serial që del në nëntor në kanalin "Real" në ShBA.
Bleona a ka qenë e lehtë që Timbeland të pranonte të punonte me ju?
Jo nuk ka qenë aspak e lehtë për ta bindur në fakt. Timbelend e kam takuar në vitin 2009 gjatë ndarjes së çmimeve muzikore Gramy dhe veç pas një viti më pas kam arritur të hyj në studion e tij. Ai pa këmbënguljen time që unë një vit rresht nuk ndalova, por i shkoja çdo ditë në studio deri sa ai pranoi të punonte me mua.
Mendoni se tashmë me këtë album që mban firmën e Timbalend keni gjetur kartëvizitën e duhur për të hyrë në tregun amerikan?
Timbeland nuk të hap dyert, në USA ka një shprehje 'ti mbahesh mend sa kënga jote e fundit', unë nuk pres nga ai të më hap dyer. Unë shkova të punoja në studio dhe të kisha këngë nga ai. Këngët i kam kualitative dhe unë kam mundësi falë kësaj që të jem në një pistë gare dhe mund të garoj me të gjithë “ferrarët” e tjerë. Këtu varet nga artisti.
Ka shumë mënyra për t'u bërë i famshëm, por unë kam zgjedhur mënyrën profesionale dhe kam bërë mirë. Mund të kisha dalë në 'People' si e dashura e ndokujt, por nuk kam dashur. Dua të bëhem e famshme në Amerikë vetëm me punën time. Ajo që më ka ndihmuar mua të arrij deri këtu ka qenë pasioni dhe këmbëngulja. 

A e keni ndjekur shqiptaren Rita Ora, çfarë mendoni për suksesin e saj?
Sigurisht që e kam ndjekur. Rita Ora ka një shans të vërtetë për të konkurruar në botë. Rita ka fat, ka Londrën nga pas, është e talentuar dhe është një hapje rruge për gjithë artistët shqiptarë. Unë do të doja që të arrija në Amerikë, të kisha një sukses të tillë. Unë kam vendosur të ndryshoj imazhin e Shqipërisë në botë me gjithçka që kam. Do të isha e lumtur që të jem ambasadore e artit në botë.
Albumi juaj thatë se ka kushtuar shumë, ku i keni gjetur paratë?
Kam pasur sponsor për albumin, por edhe kam pasur paratë e mia. Ju siguroj që nuk janë lekët e Ganit, siç është komentuar në ndonjë media. Gani është një nga njerëzit më të rëndësishëm të jetës sime, dhe do të jetë gjithmonë. E falënderoj përzemërsisht për gjithçka.
Ka pasur ndonjë moment që jeni dekurajuar?
Unë jetoj për këtë punë, unë pa muzikën nuk jetoj dot tani është kthyer në një sfidë ose do arrij atë që dua ose do plakem duke u përpjekur për të arritur. MTV ka qenë synimi im dhe do të jem shumë shpejt dhe kjo është ëndrra ime. Për atë po punoj dhe mendoj se do arrij shumë shpejt. Mua më ka ndihmuar karakteri që kemi si komb të arrij deri këtu. Unë nuk pi drogë, as alkool, s'kam pirë kurrë në jetën time, por kam një energji skandaloze si të jem në efektin e tyre. Por mua ka qenë mbështetje shumë e madhe familja ime që kam arritur deri këtu, veçanërisht mami. 


Bleona a ja ka vlejtur deri më tani gjithë kjo sakrificë?
Ja ka vlejtur kaq shumë ky rrugëtim, sa nëse do të nisesha sërish, do ta ribëja edhe njëherë të njëjtën rrugë. Unë kam sakrifikuar çdo gjë, duke filluar që nga jeta private, që nuk kam jetë private dhe nga ana financiare. Nuk jam bërë nënë si shoqet e mia, por kam një qenë 6 muajsh. Unë kam zgjedhur këtë rrugë dhe do t'ia arrij. Ky turne që po bëj do të jetë një sukses si ai i 2002-shit. Unë përpara muzikës nuk kam njeri. Shpesh ndihem e vetmuar dhe kam bërë shumë sakrifica për këngën, por do t’ia arrij. Këtë e dinë si mami, babi, vëllai dhe Gani. Në Shqipëri unë jam superstar dhe do të këndoj deri në 72 vjeç.



Comments

Popular posts from this blog

PROTAGORA: Njeriu është masë e të gjitha gjërave

Kush është Frederik Shopen

OGUST KONTI: Për të krijuar shoqërinë e re çdo fantazi e vjetër duhej të lihej mënjanë, qoftë kjo e Zotit opo e dogmave metafizike, për barazinë apo sovranitetin e popujve