Adriani ndërmori një politikë paqesimi dhe konsolidimi dhe i caktoi ushtrisë një rol kryesisht mbrojtës


ADRIANI             
Adriani, si Imperator Caesar Divi Traiani filius Traianus Hadrianus Augustus, dhe Divus Hadrianus, i njohur si Hadrian (Publius Aelius Hadrianus, 76-138), kishte dashuri për gjithçka që vinte nga Greqia. Mbretërimi i Adrianit ishte një nga periudhat më të qëndrueshme dhe më të mbara të Perandorisë Romake. Pa dyshim, ndihmesa e tij më e madhe ishte politika e kufijve. Duke braktisur politikën e pushtimit që kishin ndjekur paraardhësit e tij, ai punoi për konsolidimin dhe unifikimin e një perandorie shumë të madhe. Ai udhëtonte pa pushim për të kontrolluar fortifikimet dhe garnizonet.
Administrator i efektshëm, Adriani ndërmori riorganizimin e plotë të efektivave ushtarake dhe shpalli reforma administrative të rëndësishme. I pasionuar pas artit, letërsisë dhe arkitekturës, ai u akuzua nga aristokracia romake se shpenzonte shumë dhe se e donte në mënyrë të tepruar kulturën greke.
Adriani erdhi në pushtet si rrjedhim i veprimit të fundit të kushëririt të tij, perandorit Trajan, i cili e adoptoi atë si djalin e tij kur ishte në shtratin e vdekjes. Adriani e mësoi këtë lajm me anë të një letre, kur ishte guvernator i Sirisë. Sipas zhurmës së përhapur, autorja e vërtetë e letrës ishte Plotina, gruaja e Trajanit. Me gjithë aftësinë dhe shkathtësinë e tij, Adriani nuk e mori pushtetin pa vështirësi. Senati reagoi ndaj zhurmave që thonin se bëhej fjalë për një komplot, duke ekzekutuar menjëherë katër gjeneralë të Trajanit.
Adriani i dërgoi një letër Senatit, për t'i kërkuar falje që nuk ishte këshilluar me të, duke i dhënë siguri të plota se asnjë anëtar i Senatit nuk do të dënohej me vdekje pa u gjykuar në fillim nga perët e Senatit. Ai dërgoi në Romë mikun e vet besnik, Antinou, ndërkohë që vetë merrej personalisht me trazirat që shpërthyen në rajonin e Danubit.
Gjeneralët e kritikonin Adrianin se kishte braktisur politikën e pushtimit, të ndërmarrë nga Trajani në Armeni dhe Mesopotami, duke e zëvendësuar atë me nënshkrimin e traktateve të paqes. Adriani ndërmori një politikë paqesimi dhe konsolidimi dhe i caktoi ushtrisë një rol kryesisht mbrojtës. Ai filloi realizimin e një linje mbrojtjeje (lime) të përhershme në kufijtë. Atje ku relievi nuk siguronte pengesa natyrore, në rajonet që i nënshtroheshin presionit të vazhdueshëm të barbarëve, u ngritën fortifikata. Madje, edhe lumenjtë e rëndësishëm, si Rini dhe Danubi, u fortifikuan në vendet e pasigurta. Muri i famshëm i Adrianit, që shtrihej midis Anglisë dhe Skocisë, përbënte vetëm një pjesë të një programi të gjerë fortifikimesh.
Fortifikatat e Adrianit përforcoheshin nga patrulla ushtarësh të vendosur në kampe të përhershme. Strukturat e brendshme të ushtrisë u perfeksionuan dhe disiplina u bë më e rreptë. Ushtarë të përkohshëm, të cilëve u ishte mësuar përdorimi i armëve të rënda, ruanin në vazhdimësi postat kufitare, ndërkohë që legjionet qëndronin të pozicionuara në brendësi të kufirit. Në afërsi të këtyre bazave dhe fortifikatave filluan të formoheshin koloni civile. Adriani u jepte këtyre kolonive statusin e komunave dhe i nderonte shpesh me vizita të tij. Gjatë një mbretërimi pothuajse paqësor, atij iu desh të nënshtronte hebrenjtë, të cilët ngritën krye, kur ai themeloi një koloni pagane në Jeruzalem dhe u përpoq të ndalonte të bërit synet.
Adriani shpresonte që mbretërimi i tij të ishte një periudhë si ajo e Augustit dhe e shpalli këtë në monedhën e tij. Nën autoritetin e tij, perandoria arriti një nivel paqeje dhe stabiliteti, të cilat nuk i kishte provuar që prej kohës së Augustit. Adriani diti të ruante popullaritetin e tij në Romë duke organizuar lojëra cirku, me luftime gladiatorësh dhe me anë të reformave fiskale bujare, nga të cilat mund të përmendet anulimi i borxheve ndaj shtetit.
Dashuria e tij për arkitekturën shprehet plotësisht në tempujt e shumtë dhe në ndërtesat private, që u ndërtuan me urdhrin e tij në Athinën e dashur e, madje, edhe në Romë. Pa dyshim që veprat më të njohura të mbretërimit të tij janë Panteoni, Tempulli i Venusit dhe vila e tij e mrekullueshme e Tivolit. Zemërgjerësia e tij bëri që klasa senatoriale të mos e mbështeste.
Shkrimtari i krishterë Tertulieni e ka quajtur Adrianin omnium curiositatum explorator, eksplorues i gjithçkaje që është kurioze. Adriani udhëtonte në të gjithë perandorinë që të plotësonte dëshirën e tij për të mësuar. Ai kishte interesa të gjera dhe shumë talent që bashkonin tek ai shpirtin praktik të romakëve me zhdërvjelltësinë e mendjes së grekëve. Gjeneral i aftë, ai nuk sprapsej asnjëherë përpara ashpërsisë së jetës së kampit. Adriani ishte, gjithashtu, edhe një administrator i zoti. Për shkaktë edukimit grek, ai ishte i pasionuar pas artit, letërsisë, shkencës, gjë që ishte e rrallë te romakët. Ai themeloi Atheneumin e Romës, shkruante poema dhe këndonte. Talenti dhe cilësitë që ai kishte nuk mundën ta bënin atë të tërhiqte simpatinë e aristokracisë romake, e cila i hidhte poshtë me përbuzje këto aktivitete intelektuale dhe i konsideronte si jo të denja për një romak të vërtetë.

Për ta fyer, Adrianit i vunë nofkën "Greku". Arsyeja e vënies së kësaj nofke ishte dashuria e tij për kulturën greke, por, gjithashtu, edhe ajo që romakët e konsideronin si "sensualitetin e tij të tepruar". A nuk kishte qarë ai si një grua, kur, i rrëmbyer nga Nili, vdiq i preferuari i tij Antinou? Adriani e hyjnizoi atë dhe themeloi në vendin e vdekjes së tij një qytet, të cilin e quajti Antinoe. Monedha e Mantinesë, ku Antinou kishte një tempull, u stampua me portretin e tij. Ende ekzistojnë shumë buste të këtij djali të ri, me tipare të ëmbla dhe shumë i bukur.


JETËSHKRIMET – KURESHTI NGA JETA E ADRIANIT

* Meqenëse ishte admirues i zjarrtë i kulturës greke, Adriani iu fut njohjes së mistereve të Eleusisit, ashtu siç kishte bërë edhe Augusti përpara tij. Këto liturgji të fshehta, prej të cilave më e njohura është kulti i Demeterit në Eleusis, u dhuronin atyre që njiheshin me këto mistere (mistëve) një përvojë fetare individuale, që mungonte në fenë zyrtare. Ato premtonin jetën e amshuar dhe lumturinë pas vdekjes. Ata që njiheshin me misteret betoheshin se do ta ruanin sekretin, kështu që ne dimë pak gjëra mbi ritet që zhvilloheshin në Telesterion ose salla e mësimit. Kandidati recitonte formula dhe përjetonte një lloj zbulimi pasi pinte një pije të shenjtë. Një himn i Demeterit vendos një lidhje ndërmjet origjinës së Mistereve dhe legjendës së perëndeshës së të korrave, që niset në kërkim të vajzës së saj, Kore, të rrëmbyer në mënyrë të mistershme.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk