Diokleciani, perandori romak që lindi në Iliri
DIOKLECIANI
Diokleciani (Gaius Aurelius Valerius Diocletianus) lindur
reth (243 -313), nën emrin Diokle, ishte një perandor romak nga 20 nëntor 284
deri me 1 maj 305. Diokleciani lindi në Iliri, bir i një shkruesi të senatorit
Anulino, ai u ngrit shpejt në gradat e ushtrisë romake. Prijësi i ushtrisë
romake, u zgjodh me 20 nëntor 284 si zëvendësues i Numerianit të vrarë nga Ario
Apro, dhe pas vrasjes së Karinos, në korrik 285, ai u bë perandori i vetëm,
duke ndryshuar emrin në Dioklecian.
Diokleciani erdhi në pushtet, kur perandoria ishte zhytur në
anarki të plotë. Gjatë gjysmëshekullit paraardhës, 26 gjeneralë ishin shpallur
perandorë, pastaj ishin vrarë. Me prejardhje shumë modeste (ai ishte bir
skllevërish), Diokleciani rivendosi rregullin në perandori dhe mbretëroi pa
rival, për 20 vjet.
"Perandoria e re" e Dioklecianit ishte një monarki
absolute. Dominati zëvendësoi Principatën e Augustit. Pushteti suprem u nda
ndërmjet 4 "tetrarkëve" dhe roli i Romës u reduktua vetëm si
kryeqytet administrativ, ndërsa vendimet politike merreshin nga provincat.
Regjimi e vuri theksin tek efektshmëria e administratës dhe te mbrojtja kundër
barbarëve.
Nisur nga asgjë, arritjet e Dioklecianit i detyrohen
talentit dhe vullnetit të tij. I dalë nga radhët e ushtrisë, ai u bë guvernator
i Mesisë, pastaj konsull dhe komandant i gardës së pallatit. Ai u dallua gjatë
luftës së Persisë. Pas vdekjes së Numerienit, ai u shpall nga rivalët e tij si
njeriu më i denjë për fronin perandorak. Meqenëse mbretërimi i tij kishte
filluar me vrasjen e paraardhësit të tij, Diokleciani u tregua shumë i
kujdesshëm dhe vendosi të ndante komandat e rëndësishme me rivalët, që,
ndoshta, kërkonin ta mënjanonin.
Në fillim, Diokleciani zgjodhi si ndihmës një gjeneral ilir,
Maksimianin, i përshkruar nga Aurel Viktori si "një mik besnik, disi i
pagdhendur, por i pajisur me aftësi të madhe ushtarake dhe me një shkathtësi të
natyrshme". Detyra e tij qëndronte në administrimin e çështjeve shtetërore
në pjesën perëndimore të perandorisë, në territorin gal, ku kishin shpërthyer
revoltat, si dhe në sigurimin e një mbrojtjeje më të mirë të Romës kundër
sulmeve të gjermanëve. Maksimiani u bë bashkëperandor, mori titujt Cezar,
August, Herkul, dhe e vendosi "oborrin" e tij perandorak në Milano.
Kjo ndarje e pushtetit funksionoi aq mirë, sa në vitin 293
Diokleciani e shndërroi diarkinë në tetrarki. Ai emëroi dy gjeneralë të rinj,
që u bënë Cezarët e dy Augustëve. Konstanc Klori u bë ndihmës i Maksimianit,
ndërsa Galeri, i Dioklecianit. Për të lehtësuar mbrojtjen ushtarake, perandoria
u nda në katër rajone, secili i pajisur me kryeqytetin e tij administrativ.
Shuma të konsiderueshme iu kushtuan një programi të gjerë
ndërtimesh, por mbretërimi i Dioklecianit është shquar për reforma të
qenësishme në administratën ushtarake dhe civile, me një ndarje gjithmonë e më
të qartë të këtyre dy degëve të pushtetit politik. Provincat u zvogëluan shumë,
gjë që lehtësoi administrimin dhe unitetin e tyre. Guvernatorët u çliruan nga
komanda ushtarake. U krijua një njësi e re, dioqeza, që përbëhej nga shumë
provinca. Çdo dioqezë drejtohej nga një vikar, i deleguari i prefektit të
Gjykatës, i cili ndihmohej nga një ekip funksionarësh civile. Një sistem i ri i
vlerësimit të taksave, i shoqëruar me një regjistrim të përgjithshëm, lehtësoi
përllogaritjen e të ardhurave të parashikuara për çdo pjesë të perandorisë. Për
herë të parë u bë i mundur parashikimi i shpenzimeve në funksion të
parashikimit të ardhurave të sigurta.
Politika ushtarake mbeti në radhën e parë të shqetësimeve.
Bretanja e Madhe u ripushtua, ndërsa territoret e Mesopotamisë dhe të Armenisë
e zmadhuan perandorinë. U ndërtua një sistem fortifikimesh të përhershme
përgjatë kufijve të perandorisë. Studimi i listave ushtarake tregon për
mobilizimin e shumë njësive të reja. Pajisja me uniforma dhe armë sigurohej nga
fabrikat e armëve dhe fabrikat e leshit dhe të lirit. Si pasojë, krahu i punës
sa vinte dhe bëhej më i pakët. Rekrutimi i vullnetarëve nuk ishte i efektshëm.
Në ushtri dhe në industritë e lidhura me të, fëmijët ishin të detyruar të
ndiqnin karrierën e prindërve të tyre.
Përpjekjet për të reformuar ekonominë nuk patën efekt
jetëgjatë. Ligji i famshëm i Maksimumit, i vitit 301, që fiksonte çmime
maksimale për mallrat dhe pagat, solli zhdukjen e produkteve nga tregu dhe monedha
e re nuk arriti të stabilizonte ekonominë. Por, megjithatë, mbretërimi i
Dioklecianit shënoi një periudhë qetësie dhe paqeje për perandorinë. Në vitin
305, pasi vuri në vijë çështjen e pasardhësit të tij, Diokleciani abdikoi dhe u
tërhoq në pallatin etij luksoz në Split, në bregun dalmat, ku vdiq nga pleqëria
9 vjet më vonë.
Historia nuk e ka vlerësuar sa duhet rëndësinë e veprës së
Dioklecianit. Fakti që ai i persekutoi të krishterët e errëson kujtimin e tij,
por është e vërtetë se gjykimet historike bazohen më shumë në paragjykime, sesa
në fakte. Për Laktancin, shkrimtar i krishterë, Diokleciani qe një zog i së
keqes, i cili, me kopracinë dhe poshtërsinë e tij, e zhyti të gjithë botën në
errësirë. Autorët paganë, si Aureli, duket se qëndrojnë më afërtë vërtetës, kur
i gjykojnë veprimin e tij si të efektshëm dhe ligjet e tij gjithmonë të drejta.
Përpjekja e madhe e Dioklecianit që perënditë tradicionale
romake të rijetonin dhe kulti i tij perandorak përbënin një kërcënim për të
krishterët, të cilët kishin jetuar në paqe që prej ligjit të Tolerances, të
vitit 260. Në mëngjesin e 23 shkurtit të vitit 303, trupat perandorake i vunë
zjarrin një kishe të Nikomedisë, e cila shihej nga pallati i Dioklecianit.
Ligji i parë, i dalë të njëjtën ditë, urdhëronte që të mbylleshin të gjitha
kishat dhe të digjeshin tekstet e shenjta. Ai u ndoq nga një ligj i dytë që i
urdhëronte të gjithë besimtarët e fesë së krishterë të adhuronin perënditë
pagane dhe, nëse nuk e bënin një gjë të tillë, ata do të dënoheshin me vdekje. Peshkopi
Donat qe një nga viktimat e shumta të persekutimit. Pasi refuzoi të hiqte dorë
nga besimi i tij, atë e futën në burg, për 6 vjet, dhe ndaj tij u ushtrua 9
herë tortura e këmbalecit. Me gjithë vuajtjen e madhe, ai arriti të mbijetonte
dhe krijoi një lëvizje skizmatike për të protestuar kundër kthimit tek Kisha të
të gjithë atyre që kishin hequr dorë nga besimi i krishterë gjatë
persekutimeve.
JETËSHKRIMET – KURESHTI NGA JETA E DIOLECIANIT
* Me vendim të gjeneralëve dhe të tribunëve, Valer Diokleciani,
komandant i gardës së pallatit, zgjidhet perandor, për shkak të urtësisë të
tij. Ai ishte një burrë i fuqishëm dhe thuhet se ishte i pari që u vesh me
pallto të qëndisur me ar dhe që lakmoi këpucët me mëndafsh dhe copë të kuqe, të
zbukuruara me gurë të çmuar.
* Gjithashtu, ai ka qenë i pari, pas Kaligulës dhe
Domicianit, që kërkoi të thirrej "zot" ose "perëndi" në
publik. Por cilatdo qofshin të metat e Dioklecianit, ato kompensoheshin nga
cilësitë dhe zemërgjerësia e tij. Sepse, ndonëse mori titullin "zot",
gjithmonë ai sillej me romakët si një baba.
* Ndonëse asnjëherë nuk u adhurua si perëndi, Diokleciani
konsiderohej bashkë me Maksimianin si "bij të perëndisë dhe krijues
perëndish". Në vitin 287, ai e quajti veten Jovi, përfaqësuesi i Jupiterit
mbi tokë.
* Diokleciani, i vendosur në Nikomedi, vazhdoi të qeveriste
pjesën Lindore të Perandorisë sipas mënyrës së monarkëve lindorë, i veshur me
rroba të pispillosura dhe duke kërkuar që njerëzit të përkuleshin në praninë e
tij.
Comments
Post a Comment