Epikuri: Të gjithë kemi një prirje të natyrshme për gëzimin dhe kënaqësinë e shqisave


EPIKURI       
Epikuri (greq.πίκουρος, Epikouros) filozof grek (341-271 p.e.r.) u lind më 341 para Jezu Krishtit në ishullin e Samosit, ku kaloi edhe rininë. Prindërit e tij, Neoklesi dhe Sherastrata, me prejardhje nga Athina, jetonin si kolonë në ishull që prej njëmbëdhjetë vjetësh. Epikuri kishte tre vëllezër, që më pas shkuan të gjithë në shkollën e tij. Ai mori mësime pranë platonikut Pamfilos, pastaj shkoi në Teos, port i vogël i bregut të Azisë së Vogël, për të ndjekur mësimet e Nausifanesit, nxënës i Demokritit të Abderës, që e futi në teorinë e atomit, në etikë dhe në logjikë. Në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, Epikuri u nis të kryente shërbimin ushtarak në Athinë. Duke frekuentuar paralelisht Akademinë, ndoqi aty mësimet e drejtorit të atëhershëm, Ksenokratit, rreth viteve 400-314 para Jezu Krishtit.
Në vitin 321 para Jezu Krishtit, banorët vendas të Samosit dëbuan kolonët e ardhur nga Athina dhe Epikuri ndoqi familjen e tij në Kolofon, pranë Efesit. Dhjetë vitet që pasuan përbëjnë një kohë të errët të jetës se tij. Megjithatë kjo periudhë duhet të jetë e rëndësishme për pjekurinë e tij fiiozofike, përderisa në vitin 310 para Jezu Krishtit, hapi një shkollë së bashku me vëllezerit e tij, në fillim në Mitilenë, në ishullin Lesbos, pastaj në Lampsakë, në bregun aziatik të Dardaneleve. Atje lidhi miqësi të mëdha, që do ta shoqëronin gjatë tërë jetës. I ndjekur nga shumë prej nxënësve të tij, Epikuri u nis për në Athinë në vitin 306. Me të mbërritur në këtë qendër filozofike, e vetme në botën greke, bleu një shtëpi të rrethuar nga një kopsht (kepos), prej nga mori dhe emrin shkolla e tij. Aty dha mësim për tridhjetë e pesë vjet. Pas vdekjes së tij, më 270 para Jezu Krishtit, Epikuri pothuaj u hyjnizua por pjesa më e madhe e rreth treqind shkrimeve humbi. Prej tij janë ruajtur veçse tre letra vërtetimi të Herodotit,Pitoklesit dhe Menecit, si dhe një përmbledhje e dyzet "sentencave". Filozofia e tij u paraqit në mënyrë mjaft të plotë te De natura rerum (Natyra e gjërave) e poetit romak Lukrecit (rreth viteve 98-55 para Jezu Krishtit), që bazohet ndoshta mbi një paraqitje të përpiluar nga Epikuri dhe e ruajtur ende në atë kohë, si dhe në dialogët filozofikë të Ciceronit (106-43 para Jezu Krishtit). Ne gjejmë pjesë të tij në punimet kundër epikurianëve të Plutarkut (rreth viteve 146-125 pas Jezu Krishtit). Në fund, kompiluesi grek, Diogjen Laërci, i ka kushtuar Epikurit një vëllim të tërë nga dhjetë që përmban vepra e tij e titulluar Jeta dhe doktrina e filozofëve të shquar.
Demokriti i Abderës sistemoi teorinë e mësuesit të tij, bashkëkohës i Leucepitit (rreth viteve 460-370 para Jezu Krishtit), sipas së cilës bota është e përbërë nga atome. Ideja se në një fluks të materies së pandërprerë, atomet kombinohen në forma gjithmonë të reja për të dhënë objekte të ngulitura mirë, kishte patur një ndikim të madh tek Aristoteli Epikuri rimori nga Demokriti teorinë e atomeve, por jo atë të përceptimit, sepse ishte skeptik për sa i takon aftësisë sonë për t'i kapur me anën e shqisave gjërat në mënyrë të vazhdueshme dhe të saktë. Epikuri kishte zbutur në ketë mënyrë materializmin e tij: nëse universi lëndor dhe rrokja nuk përputhen, mes të dyjave duhet të ketë vend për jolëndoren.
Filozofë të natyrës, të tillë si Lukreci dhe poetë si Ovidi (43 para jezu Krishtit -27 pas Jezu Krishtit), e gjetën veten te doktrina e Epikurit. Të krishterët e morën nëpër këmbë si "materialiste" dhe si "hedoniste". Me shekullin e Iluminizmit, pastaj me filozofët materialistë të shekullit XIX - të tillë si Kari Marksi - Epikurit iu kthye nderimi Cilësori "epikurian", që për shekuj shkaktoi fyerje dhe poshtërime, sot më shumë është një urim.
Për njerëzit është thelbësore të gëzohen sensualisht nga jeta, në paqe dhe pa angështim. Kjo është arsyeja për të cilën e kapim dhe e kuptojmë natyrën veçse si materie dhe nëpërmjet ndërmjetësimit të shqisave tona. Kjo kërkon që njerëzit të kuptohen me njëri-tjetrin, duke u çliruar nga frika e perëndive dhe e botës së përtejme. Ky është tërë sekreti i epikurizmit.
Kur Epikuri filloi të studionte në Athinë, Aristoteli jetonte ende. Liceu i tij, i drejtuar nga Teofrasti (rreth viteve 372-287 para Jezu Krishtit, nxënësi më i shquar i mësuesit), vazhdonte të lulëzonte, ashtu si ishte e frekuentuar edhe Akademia e Platonit. Por platonikët dhe peripateticienët nuk ishin të vetmit filozofë të kohës, as të vetmit që e mbanin veten për Sokrat. Diogjen Ciniku (rreth viteve 404-323 para Jezu Krishtit), për shembull, banonte në një kade, domethënë në një skamje të vullnetshme, për të treguar përbuzjen e tij për qytetërimin dhe nevojat jo të natyrshme. Krahas nxënësve të sektit të "cinikëve" (fjalë për fjalë: "duke jetuar si qentë"), të tjerët pretendonin se u pëlqente rreptësia e jetës së Sokratit, kurse një pjesë tjetër, përkundrazi, kishin si model për të jetuar gëzimin e vetë Sokratit, të lumtur per t'ia shtruar me të ngrëna dhe me të pira në çdo rast të mundshëm.
Këta të fundit ishin ata që afroheshin më shumë nga ideali i jetës i Epikurit. Fakti i pakundërshtueshëm se të gjithë kemi një prirje të natyrshme për gëzimin dhe kënaqësinë e shqisave, ishte në të vërtetë pikënisja e teorisë së Epikurit, e përftuar nga përvojat e ndryshme të udhëtimeve të tij të gjata. Është pikërisht kjo teori, që ai e zbërthente me një sukses të madh në shkollën e tij, të pagëzuar thjesht "Kopshti". Nëse ajo që ka me të vërtetë rëndësi për ne është ajo që kapim nëpërmjet ndërmjetësisë së shqisave, atëherë bota e prekshme nuk është një botë dukjesh dhe gënjeshtre, por bota e vetme e vërtetë. Ajo që shton mendimi, është gabimi. Ndërkaq, nëse përvoja jonë ndjesore është e vërteta e vetme, cila është ajo tërësi gjërash të dallueshme që bota na ben t'i shohim? Fakti që mund të shquash dhe të emërtosh gjërat sipas koncepteve, e kishin bindur Platonin dhe Aristotelin se jolëndorja dhe shpirtërorja qëndrojnë tek ato ose kanë qenë në zanafillën e tyre.
Kundër këtij idealizmi platonik dhe pasplatonik, Epikuri iu kthye teorisë atomiste të Demokritit të Abderës (rreth viteve 460-370 para Jezu Krishtit): çdo materie është e përbërë nga atome, domethënë nga grimca fare të vockla "të pandashme", të gjallëruara nga një lëvizje e përhershme. Këto grimca mblidhen në bashkime rastësore pak a shumë të qëndrueshme ose pak a shumë jetëgjata - që janë pikërisht gjërat që kapim me anën e shqisave tona. Rrokja e tyre është thjesht materiale, sa më pak elemente shpirtërore të ketë tek ato. Epikuri lë të kuptojë se atome shumë të imëta (të dritës) përhapen nga siperfaqja e gjërave, që i përcjellin përceptimit tonë "figura të vogla" të këtyre gjërave. Duke i cilësuar "fotone" më shumë se atome, grimcat që mundësojnë "projektimin" e figurave të gjërave në retinën tonë, kuptojmë se teoria e Epikurit nuk është mjaft larg nga psikologjia bashkëkohore e përceptimit. Mënyra me të cilën shpjegon gjenezën e koncepteve të përgjithshme është gjithashtu "bashkëkohore", edhe kur ai flet për ngurtësimin e figurave në kujtesë. Epikuri vëren se bashkë me kohën, kujtimi fiksohet më pak në hollësi të veçuar, por përbën skema formale me anën e të cilave përceptimet e reja janë të rregulluara dhe mund të mobilizohen sa t'u lëshohet një fjalë e vetme, pa çlirimin e organeve të ndijimit. Epikuri edhe këtu nuk fut shpirtëroren, por vetëm kujtimin, të cilin e mban për një mjet material të regjistrimit. Për shembull, ne dimë se ç'është një qenie njerëzore, sepse kemi parë qenie të tilla dhe se kemi një përshkrim të sigurt për to.
Njohja - dhe kjo është ndoshta ndihmesa më e rëndësishme e Epikurit - megjithatë nuk është një proces i thjeshtë i mbartjes dhe i arkivimit të figurave nga figura; ky proces është i drejtuar më shumë nga ndjeshmëria jonë, nga ndjenjat tona të kënaqësisë dhe të pakënaqësisë, shkurt nga interesi ynë fizik dhe ndjesor për njohjen. Për ç'qëllim duam ta njohim natyrën? Kjo është pyetja e Epikurit, së cilës ai i përgjigjet: për të mposhtur frikën që vjen nga besëtytnia dhe me këtë të shmangim pakënaqësinë. Në qoftë se dimë se vdekja nuk ekziston për sa kohë ndodhemi këtu dhe ne nuk ekzistojmë kur ajo ndodhet këtu, nuk kemi nevojë t'ia kemi frikën, përderisa nuk "do ta pësojmë" kurrë.
Të qetësuar në këtë mënyrë, mund t'i përkushtohemi jetës në këtë botë, me të vetmin qëllim: që ta gëzojmë sa më mirë që të jetë e mundur. Kënaqësia (në greqisht hedone), sigurisht që nuk është ajo që filozofët e rreptësisë e kanë qortuar nën emrin e "hedonizmit", duke parë tek ajo një shthurje të trashë. Të gëzohesh me të drejtë, do të thotë të gëzohesh me zgjuarsi, në mënyrë që të kesh gjithmonë miq dhe të mos kërcënohesh nga smira e tjetrit dhe të kujdesesh për trupin tënd. Të gëzohesh me të drejtë, do të thotë gjithashtu të gëzohesh me masë, të dish të kënaqesh, pa dëshiren e dëmshme të lavdisë dhe të pushtetit. "Fshihe jetën tënde!" - e tillë është këshilla e filozofit, që me këtë mendim është një fëmijë i asaj kohe helenike në të cilën politika nuk është më çështje e çdo qytetari, por një pasion i rrezikshëm, shpesh vdekatar, i princave dhe mbretërve. Në Greqinë klasike "E Mira", parimet e se cilës morali filozofik i këshillonte për t'i dëshiruar me gjithë shpirt, shkonte shpesh bashkë me "Virtytin" - vendimi i palëkundur për të dhënë çdo herë gjënë më të mirë të vetvetes, si në luftë ashtu edhe në paqe, si gjatë garave sportive ashtu edhe në lojërat mendore. Në kthesë të shekujve IV dhe III para Jezu Krishtit, kohë kur Epikuri jepte mësim, virtyti i qytetarit që merrte pjesë gjallërisht në fatin e bashkësisë së tij nuk ishte ende i domosdoshëm - nuk kishte më bashkësi urbane ( polis), me fatin e se cilës ishte lidhur natyrshëm lumturia e çdo qvtetari. "Jeta vetjake" - në kuptimin modern të fjalës - zinte tashmë rreshtin e parë. Individi i përcaktonte vetë parimet e tij të së Mires, jo më si me sofistët, për të arritur me çdo kusht dhe pa skrupull pushtetin dhe lavdinë, por thjesht për të bërë deri në fikje "një jetë të mirë" dhe pa frikën e vdekjes.

Veprat: Veprat e Epikurit nuk janë ruajtur pos disa fragmenteve, kurse Diogjen Laerti shënon 41 vepra (Mbi natyrën; Mbi atomet dhe hapësirën e zbrazët; Kundër Megaranëve; Mbi perënditë; Mbi fatin; Mbi figurat; Mbi muzikën e tjera).

JETËSHKRIMET – KURESHTI NGA JETA E EPIKURIT

* Takimi i parë i Epikurit me filozofinë, kur ishte katërmbëdhjetë vjeç, na jepet nëpërmjet një anekdote: një ditë kur po lexonte në shkollë Teogoninë e Hesiodit (shekulli VIII para Jezu Krishtit) dhe pjesën që kujton Kaosin kryesor të Universit, pyeti mësuesin se nga vinte Kaosi. Mësuesi, duke mos ditur si t'i përgjigjej e këshilloi t'ua bënte këtë pyetje filozofëve, çka përcaktoi më pas prirjen e djaloshit.

* Epikuri theksonte se kur njeriu i njeh ligjet e natyrës, ai me vetë këtë fakt çlirohet nga frika prej perëndive, ngase natyra nuk është armik i njeriut dhe çdo gjë që ndodh në të, nuk i ngjanë ndërmjetësimit të perëndive, por ka shkaqet vetjake natyrore. Andaj njohja e vërtetë është e çliruar nga të gjitha mashtrimet njerëzore dhe paragjykimet dhe para së gjithash nga frika religjioze. Madje as nga vdekja nuk duhet të frikësohemi dhe ndaj saj mund të kemi qëndrim indiferent: «Derisa ne ekzistojmë nuk ka vdekje, kurse kur arrin vdekja, atëherë ne më nuk jemi».

* Aspektin progresiv dhe rëndësinë e madhe e origjinalitetin e filozofisë së Epikurit, sidomos vlerën e tezës mbi deklinacionin e atomeve i theksoi edhe Marksi në disertacionin e vet të doktoratës: Ndryshimi ndërmjet filozofisë së natyrës së Demokritit dhe të Epikurit.

* Sipas Epikurit, qëllimi themelor i filozofisë është lumturia e njeriut e cila në esencë është identike me kënaqësinë. «Ne kënaqësinë e pranojmë si të mirë të parë dhe të lindur, kjo na shërben si pikënisje për çdo dëshirë dhe evitim dhe te kjo ne gjithmonë arrijmë si ndaj ndonjë qëllimi, sepse çdo të mirë ne e vlerësojmë me ndjenjën e kënaqësisë si masë». Pikërisht pra, nëpërmjet kënaqësisë ose pakënaqësisë ne përcaktohemi për pranimin ose refuzimin e ndonjë akti. Mirëpo, sipas Epikurit, njeriu nuk duhet të kërkojë kënaqësi të rastit dhe kalimtare por vijimësinë e saj, kështu që njohja ka rol të madh për zbulimin e rrugës drejt lumturisë së vazhdueshme. Vetëm kafsha jeton nga rasti në rast, për kënaqësinë momentale. Botëkuptimi i njeriut shkon më larg dhe kujtesa dhe intelekti i tij mundësojnë që ai të shqyrtojë jo vetëm të tanishmen por edhe atë të kaluarën dhe të ardhshmen. Njeriu jo meditativ jeton njësoj si kafsha dhe i lihet rastit: gjithnjë në gjueti për t'u kënaqur momentalisht, sot i gëzueshëm, nesër i pikëlluar dhe i demoralizuar. Ndërkaq, lumturia që është e denjë për njeriun si qenie e arsyeshme, është diçka tjetër nga çasti, dëfrimi i veçantë i kënaqësisë, nga kënaqësia e shkurtër dhe e drejtpërdrejtë. Lumturia është rezultat i tërë jetës, i jetës në tërësi që udhëhiqet nga mendja praktike. Në këtë drejtim, vlera e madhe që Epikuri i dha njohjes flet për elementet sokratike në etikën e tij. Të privuarit e ndjenjës së kënaqësisë do të ishte vërtet në kundërshtim me natyrën njerëzore, mirëpo, njeriu si qenie intelektuale assesi nuk është e domosdoshme që në të gjitha rastet të përcaktohet nga kënaqësitë më të afërta të dhëna drejtpërdrejtë, por me faktin se për shkak të një dëfrimi të ardhshëm më të madh është në gjendje të heqë dorë nga kënaqësia momentale dhe kalimtare. Pikërisht për këtë shkak, duke evituar të keqen, duhen injoruar të mirat kalimtare. E mira më e lartë është lumturia e plotë, e cila qëndron në gjendjen pa dhembje dhe në qetësinë shpirtërore (ataraksia). «Kur themi se kënaqësia është qëllim, ne nuk mendojmë për kënaqësinë e njeriut të shfrenuar, as për kënaqësitë gastronomike, siç mendojnë disa të painformuar, ose ata që kanë pikëpamje të tjera, ose ata që janë të disponuar keq ndaj nesh. Qëllimi ynë është: të mos vuajmë fizikisht dhe të mos shqetësohemi shpirtërisht. As orgjitë dhe lojërat, as kënaqësitë me të rinjtë dhe me gratë, as kënaqësia duke ngrënë peshkun dhe çdo gjë që ofron tavolina e pasur me ushqim - kurrgjë nga këto nuk jep jetë të frytshme. Këtë e jep arsyeja».

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk