Nga zanafilla te e përkryera
Nga Dr. Ilir Muharremi
Arti i sotëm është jashtë mase i ndryshëm me synime
tërësisht të çuditshme dhe këmbëngulje të rreptë për të shkëputur traditën.
Megjithëse artistët e sotëm punojnë me gjithçka - që nga bojërat e vajit tradicional
tek regjistrimet në video e deri tek kafshët e ngordhura. Një pjesë e mirë e
artit modern e nxjerr artin nga galeritë dhe e vendos në hapësira që nuk kanë
lidhje tradicionale me të. Artisti Ismet Jonuzi të premten mbrëma, në Galerinë
e Arteve, prezantoi punën tashmë të njohur për opinionin e gjerë.
Është skulptor i formuar dhe i nënshtrohet më shumë
konceptualizmit duke prekur dhunën, egërsinë, forcën e brendshme të ndrydhur,
dhe apelon për një liri artistike absolute. Koreografitë dhe antinomitë e tij
janë ngjyrore me një konflikt tragjik të imazhit transcendental që përplasem
dhe krijojnë një realitet herë ëndërror e delikat, herë përthyer nëpër
ravijëzime metaforash të rrokshme, njëmendësime figurash e shëmbëllimesh që
pranvendosën si nëpër ikona bizantine.
Artisti Jonuzi dukshëm i përveçon pushkët, mitralozat,
kallashët, bajonetat e nagatanëve, që krijohen vetëm për të marrë jetë
njerëzish ose kafshësh, ai i shtrembëron me një protestë artistike, dhe nga
mbeturinat e këtyre pushkëve ai krijon imazhin e njeriut të ulur, i cili ngjan
me makineri. Hekuri është i ftohët, i fortë, dergjet në vetvete krahas bimëve
të njoma e të brishta të rreshkura pa lëng. Gjembat qarkohen nga zjarret dhe
shpërndajnë energji të frikshme si shigjeta e shpata të rreshkura, të zhytura
në një denduri të gdhendur me mjaftë përkushtim nga skulptori i artit
tredimensional, duke i dhënë formë të përkryer këtyre zjarreve.
Ato marrin jetë njerëzish, i lakuriqizojnë deri në esencë
dhe në piedestal forcojnë pushtetin, por fuqia e pushtetit fitohet me art. Ajo
që më rra në sy ishte edhe titulli i ekspozitës “Nga vija te forma”, ose thënë
më ndryshe nga zanafilla e deri tek e përkryerja. Vijat, gjenden gjithkund në
hapësirë, në peizazhe, në objekte të formave, janë baza e domosdoshme. Kthimi
tek vija, fuqizohet me sinqeritetin e imagjinatës kreative, duke i dhënë dritë
hyjnore dhe impresive vizatimeve.
Janë të vrullshme dhe lirike, në disa pjesëza janë edhe të
vrazhda, të lehta, por edhe të ndjeshme. Ideja fuqizohet dhe pasqyrohet nëpërmjet
dorës si dirigjuesja finale, dhe shpalosja e një ndërgjegje tejet të sinqertë
të artistit. Përdorimi mjeshtëror dhe i mirëfilltë i vijave, vërehet sidomos në
vizatimet e shkëlqyera, që janë të lira, plot fryt dhe jetë, të spërkatura nga
zjarrmia e Prometheut dhe të kërcënuara nga gjarpërinjtë e Olimpiasë.
Zhyten në qetësinë e pa fund, e pa shoqe, figurinë mistike,
që si burim esencial ka tokën ku konkurron e forta dhe e dobëta. Figurat, janë
të menduara, të planifikuara, të ndërtuara me qëllim të jetojnë në një të
ardhme të gjatë e të menduar mirë. Ndërkaq, tek forma gjejmë vijën, hapësirën
dhe vëllimin. E krijuar me dy dimensione, e nëse analizohen me kujdes hasim
edhe ne dimensionin e tretë iluzor, i cili gërshetohet mjaftë mirë me tekstura,
formacione dhe dritëhije.
Dominuese është ngjyrosja e skulpturave, me qëllim për të
krijuar konfliktin dhe lojën, dhe për të ngacmuar në tërësi tiparet dhe
karakteristikat të cilat vijnë në shprehje duke krijuar përshtypje se a janë të
vërteta apo lëvizin në një kohë të pa kapshme për njerëzimin. Komunikimi dhe
thyerja e distancës në mes publikut dhe veprave zgjojnë vullnetin dhe durimin e
dikurshëm.
Shpaloset përkushtimi dhe energjia pozitive që rezulton me
kryengritje të vrullshme, për të na bindur me fanatizëm, për një udhëtim
miqësor, në botën e artistit. Çdo lakim forme, apo vijëzim, prejardhje ka
ndjeshmërinë, jo përbuzjen, efektet janë të pashembullta, që godasin egon dhe
aterojnë në kujtesë deri në përjetësi.
Ndoshta kjo është edhe qëllimi ngacmues i artistit! Arti i
tij është një mozaik, ose një kombinim i metaltë i armëve të mbetura të
shkapërderdhura në formë ritmi me lëvizje të rregullta. Krijimet e
parafytyruara në hapësirë ngjeshën njëra me tjetrën, zhvillojnë këndelljen,
paqen, butësinë, peshojnë rëndë për nga vlera dhe estetika, aspak nuk janë
nervoze sepse reflektimi i lirizmit ndodhet në substancën e tyre.
Comments
Post a Comment