Azem Shkreli preku shpirtin e fjalës
Se Shkreli,
shkruante ngadalë,më mësoi koha që banonim bashkë. Azemi në zgjim ka qenë i
hershëm. Çdo mëngjes, shkruante me makinë shkrimi, mendimet e natës. E bëre një
libër, i thashë në një mëngjes të vonshëm timin. "Jo nuk është libër,
është veç një poezi".
Azem Shkreli jetonte shpejt, dhe shkruante ngadalë. Kam dy njohje me të. E para: si fëmijë, kur sapo kisha nisur t'i lidh shkronjat, në shkollën e fshatit Bogë të Rugovës. Aty mes librave e njoha në fjalë, në vargje. Nga të gjithë autorët e tjerë që mësonim në shkollë, tek Azemi preknim gjunjët dhe gjurmët tona. Shikonim vetën tonë në fërkime vargjesh me gurë, me kroje, me lugje, me male...E dyta; si i rritur në Prishtinë, kur isha student, aty e njoha si njeri, ishte ashtu siç e kisha mbjellë në kujtesën e shkronjave si nxënës filloreje, i pafajshëm, fjalë-pak, mendim-shumë. Edhe pak për njohjen e dytë; ka qenë vjeshtë. Viti 1993. E takove në banesën e tij, në “Breg të Diellit”. Ishte vetëm. Kisha përgatitur librin tim të parë me poezi. Ia dorëzova. E lexoi kalimthi. Tha, do e lexoj ngadalë. E vendosi mbi tavolinën e tij të punës. Një makinë e vjetër shkrimi. Ca gjethe e boça pishash Rugove, rrinin me fletët e shkrimeve të tij të shpërndara mbi tavolinë. Folëm gjatë. Si çdo takim i parë me njeriun që tek ti është maje respekti, kalon shpejt. Dhe, sado gjatë që biseduam, mbi katër orë, mbeta mangët për shumëçka. "Poezia, aq sa don mjeshtëri për ta shkruar, po aq mjeshtëri don për ta lexuar, do kondicion, durim", më tha duke më përcjellë deri poshtë, në fund të shkallëve, në hyrje të banesës së tij. E lashë dorëshkrimin dhe mora presionin e kohës së vlerësimit. Nuk dija se kur ta zgjedh ditën për ta thirr në telefon. Ndjeja diç të përzier; frikë dhe besim. Cila do jetë fjala e tij për librin? Nuk i bëra telefon. Kishin kaluar dy javë. E takova te Fakulteti Juridik, ecte shpejt. " Librin e kam kryer", më tha, "eja në banesë, të pres në mbrëmje". Nga ora 19°° deri pas mesnate qëndruam aty. Kur i sosëm fjalët për poezinë, bënim pauza duke lexuar me zë, herë unë, e herë ai, vargje nga libri i Dritëro Agollit "Pelegrin i vonuar", të cilin e kishte marrë të nënshkruar nga autori. Pas kësaj mora librin bashkë me shenjat e nënvizuara me stilolaps të kuq, i kishte korrë fjalët e tepërta. "Poezia nuk duron teprime, ajo edhe ashtu i ka miqtë e rrallë dhe nëse bëhesh i mërzitshëm, miqtë, lexuesit, do të ikin".
Poezia
na e la miqësinë. Takoheshim herë pas here. Ai dilte të pinte kafe tek “Qafa”,
një korridor i gjatë dhe i errët
kafiterish. Ai korridor korrespondonte më gjendje e rëndë. Koha ishte ngrysur.
Ajrit i vinte erë lufte. Aty ishte vendi ku takoheshim. Pak poezia,pak gjeografia
e Rugovës, na bënin të ndjeheshim të afërt. Na bënin miq. Ai lëvizte shpesh
Kosovë-Gjermani, kishte familjen jashtë Kosovës. Gruan e sëmurë në dializë prej
shumë vitesh. Kohën dhe kokën i kishte të ndarë në dysh. Më tha " unë
lëvizi shpesh. Të shumtën e kohës nuk jam këndej. Eja e rri në banesën time. Kur
të jem unë aty, i ndajmë edhe dhomat, një unë,një ti". Kur do nisesh
andej?, - e pyeta unë. -Të shtunën, më tha. Për një vit banuam bashkë. Azemi
vinte e shkonte. Bënte jetë dinamike. Me stres. Vetëm kur qetësohej reflektonte
prush, tregonte se sa e mundonin shkuarje-ardhjet. Sikur kërkonte ilaç qetësimi
në bisedat për Rugovën. "A ke qenë kah malet"? pyeste. Sa herë që
kthehej nga udhëtimi i largët, më bënte këtë pyetje. Fliste me mall, për gurë,
për kroje, për lisa...Flisnim e flisnim për fëmijërinë; për majtën e kohës me
hije lisash.
Se Shkreli,
shkruante ngadalë,më mësoi koha që banonim bashkë. Azemi në zgjim ka qenë i
hershëm. Çdo mëngjes, shkruante me makinë shkrimi, mendimet e natës. E bëre një
libër, i thashë në një mëngjes të vonshëm timin. Kishte edhe dy ditë për të
udhëtuar jashtë. "Jo nuk është libër, është veç një poezi", më tha,
dhe ma dha ta lexoja. Ishte poezia "Libër i vockël" nga libri i
ndërprerë (botuar pas vdekjes) "Zogj e gurë". Kishte kaluar mbi një
muaj, që çdo mëngjes shkruante variantet e natës, të së njëjtës poezi. E pyeta,
" kaq kohë për një poezi?".. "Ç'të bëj, po kërkon shumë nga unë,
e unë nuk po mund t'ia jap atë që po kërkon". Prapë mëngjesin e ditës tjetër
shkruante me makinë shkrimi mu atë poezinë që kërkonte shumë prezencë. Derisa
po prisnin te na nxehej çaji, pa e pyetur më tha: "poezia vazhdimisht
kërkon prezencën tënde, nuk do ajo që ta lësh vetëm dhe do që t'i besosh, ta
ndiesh. Poezia është vetëm rrëfimi i gjendjes emocionale. Është e ndodhura
brenda teje, atë të ndodhur duhet ta bartësh tek lexuesi, duhet t'ia dëshmosh,
e pa këtë dëshmi, nuk ka besim mes lexuesit dhe poezisë."
Azem
Shkrelin e njoha fizikisht në kohë të keqe. Kohët e robërisë s'i duan njerëzit
e ndjeshëm. Azemi ishte i tillë. Me
ndjenja të buta. Unë mbarova studimet dhe u ktheva në Pejë. Takoheshim më
rrallë. Ai prapë vazhdonte me udhëtimet jashtë Kosovës. Dëgjoheshim në telefon.
Telefoni shpesh binte i shurdhër. E dija se ishte diku nëpër Evropë tek po
bënte udhëtime për t'i qetësuar dhimbjet e tij.
Për
të fundit herë, e takova në Pejë. Ishte mars i vranët. M'u duk disi i lodhur dhe me hir mërzie. Qëndruam rreth gjysmë ore në një lokal
plot zhurmë, afër stacionit të autobusëve. Donte të udhëtonte për Prishtinë. E
shoqërova deri te autobusi. "I ke rralluar ardhjet" , më tha. Dhe,
kurrë nuk shkova më. Dhe,kurrë nuk e pashë më!
Ishte
muzg i mbrëmjes së 24 majit të 97-tes. Sapo isha kthyer nga Rugova. Kisha
varrosur një dhembje të madhe, vëllain tim, Shabanin, që kishte ndërruar jetë në
agim të ditës. Ishte dhembja e parë. Më e rënda. Dhembjet tjera i kisha
kapërcyer si mes ëndrrash djalërie, që rrallë o kurrë realizohen. Malësorët e
mi, flisnin, të vogël, vesha-veshë. Dëgjova; ka vdekur Azem Shkreli! Nuk kisha më mish,as asht për dhimbje. Kam
rënë herët atë natë, Jam zgjuar herët. Isha mpirë nga dhimbjet. Kalova kohë të
gjata mërzie. Dikur,u shumuan motet e vdekjes. Ndihesha me fat, që kam njohur Njeriun.
Sot e përgjithmonë ketë fat e mëkoj. Jetova kohë te Azem Shkrelit.
Veç
edhe pak për poezinë. Poezia e Azem Shkrelit është festë. Është çlodhje.
Lartësia e saj është Olimp. Është bërë biografi gurësh e kroje etjesh...! Krejt
konkret; Azem Shkreli është identitet
letrar. Mendim i veçantë i shqipes. Azem Shkreli vdiq shpejt. Krejt është e
shkuar. Koha që iku, iku. Ai do lexohet ngadalë. Do të kujtohet bukur. Do
përfytyrohet në kujtesën e fëmijëve të lindur pas nesh. Pastaj, do të shërbejë
si Dhiatë e Vjetër. Pastaj... pastaj mbajmë mend; Azem Shkreli preku shpirtin e fjalës. Mësoi si
hesht e pathëna. Si dhemb ajo. Mësoi, mësoi... Ra këndej. Bëri maje mendimi. Dhe,u
ngjit deri në qiell...!
SALI
BEQIRAJ*
Comments
Post a Comment