Danilo Kish pena delikate serbo-kroate


Danilo Kish ka qenë një shkrimtar shumë i njohur në ish-Jugosllavi dhe tejet saj, tregimtar dhe poet që shkroi në dialektin serbo-kroat. Kritika sot është e një mendje, që ndikimet e tij kryesore në letërsi kanë qenë kryesisht nga Bruno Schulz, Vladimir Nabukov dhe Jorge Luis Borges, mes edhe shumë autorëve të tjerë bashkëkohorë. Vepra e tij më e famshme është “Një varr për Boris Davidoviq” (përkthyer dhe në shqip) dhe “Enciklopedia e të vdekurve” (e përkthyer në shqip). I ati i Danilos (Eduarti), ishte një hebre hungarez, që punonte si inspektor hekurudhe - ndërsa e ëma (Milica), serbe e Malit të Zi nga Cetinja. Lufta e Dytë Botërore e shkatërroi këtë familje, sepse i vdiq i ati dhe anëtarë të tjerë të familjes u dërguan në kampet e përqendrimit. Ai shpëtoi dhe për fat - së bashku me të motrën (Danica), dhe të ëmën - e kaluan një pjesë të luftës në Hungari. U kthyen në Federatë dhe Kish mbaroi shkollën e lartë më 1954 në Mal të Zi. Më ’58 ishte studenti i parë që mbaroi në Beograd për Letërsi të Krahasuar. Punoi atje në një revistë të njohur të Kohës, “Vidici” deri më 1960 dhe më 1962 botoi dy librat e parë të tij “Mansarda” dhe “Psalm 44”. Shkrimtari arriti të marrë më 1973 - çmimin prestigjioz vendas NIN për veprën e tij Peščanik ("Ora e rërës"), një çmim që e riktheu fill më pas, për bindjet e tij politike. Gjatë jetës së tij të shkurtër krijuese mori shumë çmime ndërkombëtare dhe u zhvendos në Francë për pjesën më të madhe të mbetur të jetës së tij. Vdiq më 1989 nga kanceri, duke lënë shumë hamendësime se do të ishte Nobeli i atij viti. Është një nga autorët, për të cilët ka shprehur tepër konsiderata dhe ka pasur njohje edhe shkrimtari ynë Ismail Kadare.

Serenatë për Anën*
Dëgjova një si fëshfërimë nën dritare dhe më shkoi ndërmend se ndoshta kishin ardhur të ma vrisnin tim atë.
Dhe bash atëherë, violina- m’i vuri të gjitha në mëdyshje dhe ma shtendosi tmerrin. Ai që po luante nën dritaren tonë, vërtetë s’dukej ndonjë virtuoz, por ishte natyrisht i kllaposur në dashurinë për time motër, Anën. Violina kishte gati tingullin e njeriut. Ishte dikush që me veshët e ngrehur nga yjet, i këndonte druajtur, time motër Anës, duke u munduar që me zërin e tij – t’i dukej sa më mashkullor, por edhe i thellë. Megjithatë, kjo këngë më ngjante sërish me një si pëshpërimë:

Përse Zoti e krijoi dashurinë..
Përse netët...

At’ dekik, Ana, përfundimisht e gjeti shkrepësen dhe tash e këqyra nga shkëlqimi i dritëzës së saj, humbur në një si mugull, teksa qëndronte pas perdeve, veshur krejt me të bardha. Dhe kur është kthyer për t’u shtrirë sërish - dëgjova sesi ime më, duke u dridhur - po e këshillonte me fjalë të kujdesshme:
“Ana duhet ta kujtosh gjithmonë këtë. Kur dikush të kushtohet kështu, atëherë duhet ta ndezësh shkrepësen. Kjo ishte shenja e një qasje të fisme”.
I qetësuar prej zërit të nënës, sërish jam zhytur në ëndërr, ku më dukej se ndjeja kundërmimin e pyllit, apo një si livadh të gjelbër.
Në mëngjes kemi gjetur në dritare një degëz me lule molle, që i ngjante një kurore të argjendtë dhe dy-tre trëndafila flak’ të kuq. Dhe, sërish- përpara të gjitha atyre që do mësonim (ditën e nesërme në shkollë) një nxënëse ka pyetur: ”Cili ishte ai gomar, që na erdhi natën në oborr”, kurse unë, në kët’ agim , i drejtuar nga aroma, shquaja lulet nga kopshti i zotit Rigo, sepse ia kisha krasitur vetë trëndafilat, bash ato që’ më kujtonin shpesh jargavanët.
Nuk do të doja të shtoja edhe - gjykuar thjesht nga zëri - se ky gomar që shikonte trëndafilat - ishte vetë zoti Fuks, I Riu, këpucari, i dashuruar tinëz me time motër, Anën.
Ana, a s‘më thua, a i kam shpikur vallë të gjitha këto?
(Lule dhe kundërmim)
*Shqipëroi nga origjinali serbisht Ben Andoni

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk