ISMAIL KADARE Patriarku i letrave moderne shqipe


Ismail Kadare lindi më 28 janar të vitit 1936 në qytetin e Gjirokastrës. Atje ai kaloi fëmijërinë dhe kjo la gjurmë të thella në gjithë jetën dhe krijimtarinë e tij. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin "Asim Zeneli". Më pas kreu studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, pastaj në Institutin "Gorki" të Letërsisë Botërore në Moskë. Këto studime iu ndërprenë për shkak të krizës politike ndërmjet Shqipërisë dhe ish Bashkimit Sovjetik. Kadareja ka punuar në gazetën "Drita", pastaj drejtoi revistën "Les letres albanaises". Së fundi punonte në profesion të lirë. I. Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit të vendit qysh prej viteve '60. Në fund të vitit 1990, dy muaj pas rënies së shtetit diktatorial, Kadare u largua së bashku me familjen në Paris, por mbajti lidhje mjaft të shpeshta me Shqipërinë. Ismail Kadare është një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, ambasador i saj në botë. Kadare është shkrimtari që i ktheu mitet legjendare në realitet, shkrimtari që bëri histori prej prehistorisë; pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern, ai arsyetoi estetikisht në mënyrë të përkorë dhe për kohën absolute. Në Shqipërinë e ndodhur në udhëkryq vepra e Kadaresë ka qenë dhe mbetet një shpresë apo një ogur i bardhë për të.
    Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale.
    Vepra e Ismail Kadaresë është përkthyer në 32 gjuhë të huaja duke arritur kështu një rekord të përhapjes në tërë botën e qytetëruar.


Pa ty

Ti ike udhës së pafundme
Ku zverdhin drurët gjetherënës
Mbi gjokse pellgjesh tani tundet
I arti medalion i hënës.
Lejlekët ikën.
Fill pas teje
Si stof i keq u zbeh blerimi
Dhe ngjajnë toka, pylli, reja,
Me negativin e një filmi.
Tani ne fusha shkoj menduar
Ku nis të fryjë erë e ftohtë,
Ku ca mullarë të gjysmuar
Duken që larg si Don Kishotë.
Ç'të bëj, po them me vehten time,
Në këtë ore te vone te muzgut,
Ku qerrja baltave bën shkrime.
Të lashta sa të Gjon Buzukut?
Do të shkoj të ulem përmbi pellgjet,
Te pi në gjunjë duke rënë,
Në grykë e di që do të më ngelet
I ftohtë medalioni i hënës.

Kristal
Ka kohë që s'shihemi dhe ndiej
Si të harroj unë dalngadalë,
Si vdes tek unë kujtimi yt
Si vdesin flokët dhe gjithçka

Tani kërkoj unë posht' e lart
Një vend ku ty të të lëshoj.
Një strofe a note a një brilant
Ku të të le, të puth, të shkoj.

Në s'të pranoftë asnjë varr
Asnjë mermer a morg-kristal.
Mos duhet vall' prap të të mbart
Gjysëm të vdekur, gjysëm të gjallë?

Në s'gjetsha hon ku të të hedh
Të gjej një fushë a një lulnaje
Ku butësisht porsi polen
Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj.

Të të mashtroj ndoshta kështu
Dhe të të puth e t'ik pa kthim
Dhe nuk do te dimë as ne, askush
Harrimi ish ky, a s'ish harrim.

Mall
Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për Ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet ,
Dhe rrallë shihemi sa rrallë.

Edhe m'u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylbere në mes.

Dhe thënja e vjetër e Heraklitit
Seç m'u kujtua sot për dreq:
"Të zgjuarit janë bashkë ne botë,
kurse te fjeturit veç".

Në ç'ëndërr kemi rënë kaq keq,
Që dot s'po zgjohemi vallë?..
Ca pika shiu ranë mbi qelq,
Dhe unë për Ty seç ndjeva mall...

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk