LULE BORE kënga emblematike e muzikës shkodrane


Simon Gjoni dhe himni “Lule borë”

Është një këngë, të cilën jetëgjatësia e pakundërshtueshme artistike e ka shpallur pa zyrtarizma burokratike, Himn të muzikës lirike shqiptare. Është kënga “Lule bore”...(!)
Po të pyesësh, njerëz, se cili është kompozitori i saj, shumë syresh,  tkurrin supet për të thënë: “Se dimë, por ajo është e të gjithëve”, të tjerë të thonë se, “është një këngë e popullit...”.
Në morinë e përgjigjeve për autorësinë e kësaj kënge, qëndron  pikërisht fshehtësia e magjisë dhe e notës së paarritshme që ajo ka të ngjeshur brenda saj dhe që lidhet vetëm me një emër; kompozitorin dhe dirigjentin e mirënjohur Simon Gjoni. Pavarësisht se ka 55 vjet që është kompozuar, “Lule bore”, këndohet  si në ditët e para që filloi të transmetohet në Radio-Shkodra, si atëherë kur artisti harmonizoi notat për t’ia dorëzuar një mori këngëtarësh, e për të qënë paskësaj e pranishme së bashku me gëzimin e shqiptarëve në të gjitha pikat e globit.
I lindur ne qytetin e Shkodrës, talenti i Simon Gjonit, spikati që kur ishte i ri dhe kur kontribuoi si drejtues i shumë formacioneve të ndryshme orkestrale dhe vokale të qytetit të tij. Me një sensibilitet dhe origjinalitet të dukshëm në kompozicion ai krijoi në vitet 1946-1947  një seri këngësh të paharruara që shquhen sa për ndjeshmërinë e tyre sa poetike aq edhe të sinqerta, të figurshme dhe fisnike si, “Lule bore”, “Sy larushës”, “Sytë e tu si drita”, “Fyelli i çobanit”, “Nëna dhe çika” etj. Ishin pikërisht këto këngë të cilat e çuan më tej traditën qytetare të lirikës shkodrane, ndërsa u përhapën me shpejtësinë e dritës në Shqipëri.
Sa më lart vetiu, të vjen në mendje se vlera e muzikës dhe e këngës nuk qëndron tek juritë, por vetëm tek çmimi që populli e dekoron me jetëgjatësinë e saj. Në Moskë, në vitin 1956 trio Mula, Athanas,Tukiçi, korri sukses të jashtëzakonshëm me këngën “Lule bore”, në Vjenë në vitin 1961 festivali i rinisë u çel me introduksionin e Lule Bore. E sot, ajo këndohet së bashku me publikun dhe në Nju Jork, ku koncertet përfundojnë me himnin e këngës shqiptare “Lule-bore”.
Në ish-Bashkimin Sovjetik, Lule borë, ishte kaq e përhapur sa që shqiptarëve iu drejtoheshin: “A..., ju jeni nga vendi i Lule borë”, kujton këngëtari Avni Mula, një nga interpretuesit më pikantë të kësaj kënge në atë kohë, por që nuk e ka harruar pa një interpretim lirik të mirëfilltë në disa koncerte edhe vajza e tij, sopranoja Inva Mula.
I mirënjohuri Çesk Zadeja e konsideronte “një model të papërsëritshëm në lirikën shqiptare”. Sipas familjarëve të tij, trashëgimtarë të veprës, Simon Gjoni ka dhe mbi 50 këngë të të njëjtit stil si “Lule bore”, botuar së fundmi nën kujdesin e bashkëshortes së tij Hermira Gjoni në një album të veçantë.
Pak vite më parë, në një Festival këngë në Radio-Televizion , kur dueti i arrirë artistikisht, Vikena Kamenica dhe Kastriot Tusha, interpretoi këngën “Vajzë e vogël”, e interpretuar vetëm një herë nga Llukë Kaçaj, u duk se publiku e harroi konkurrimin e këngëve-shkak i organizmit të festivalit të fund-vitit. Salla ishte ngritur e gjitha në këmbë në duartrokitje... Në fakt çmimi i ishte dhënë këngës përshëndetëse, sepse kënga që është këngë, ja që di t’i rezistojë kohës, sistemeve, doktrinave, mentaliteteve, snobizmit...!
Është pikërisht kjo këngë që  aktualisht është një këngë hit në Kosovë dhe në diasporën shqiptare.

Simon Gjoni, legjenda e heshtur e muzikës simfonike
Studimet e larta Simon Gjoni i kreu në Akademinë e Lartë muzikore të Pragës, në klasën e dirizhimit simfonik me profesorët V. Smetacek, R. Brook, A. Klima. Në vitin 1954, ai ishte pjesëmarrës si kompozitor në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës, së bashku me kolosët botërorë, si Shoporin,  Janson, Rihter, Fisher, Fournet etj. Në vitin 1956 në sallën “Mestska  Knihovna” dirigjon Shubert “Rosamunda” dhe Grieg “Perr Gynt”. Po në këtë kohë dirigjon veprën “Pygmalion” të kompozitorit  Jiri Benda. Në vitin 1957 në sallën “Dum Umelco” ai drejtoi “Simfoninë orkestrale për violinë e kontrabas” të K. Dittersdorf. Suksesi i këtij koncerti pasohet nga ai i pjesës simfonike të Franc Listzi-it “Les Preludes”.
Simon Gjoni, është një ndër dirigjentët e parë të orkestrave tona simfonike të Teatrit të Operas dhe Baletit dhe të Radio-Televizionit. Ne vitin 1958, kur u emërua dirigjent në TOB, shumë vepra të shquara e gjetën interpretimin e “parë” tek dirigjenti i ri, i cili i interpretoi ato duke zbuluar ngarkesën emocionale të tyre me një ndjeshmëri të lartë.
Përmendet baleti “Lola”, “Laurencia”, operat “Don Paskuale”, “Berberi i Seviljes”, “Paliacot”, “Franceska da Rimini”, “Pranvera”, etj. Për herë të parë nën kujdesin e tij incizoi krijimtarinë e deriatëhershme të kompozitorëve shqiptarë Zadeja, Gaci, Nova, Grimci, operetën “Lejlaja” të T.Daisë, operetën “Agimi” të K.Konos, Koncertin nr.1 për violinë të Zoraqit, Rapsodinë për piano dhe orkestër të Tonin Harapit, gjithashtu edhe muzikën e disa filmave shqiptare.
Nga autorët botërorë ekzekutoi për herë të parë në Shqipëri Beethoven “Simfoni nr.8”, Mendelson “Uverture”, Beethoven “Eleonora”, Uverture K.M. Veber “Gjuetari Magjik”, Liszt “Prelude”, Dvorzhak “Valle simfonike”.
      Krijmtaria e tij ka kaluar thuajse të gjitha gjinitë ; nga kënga, romanca, kantata, suita, poemat, veprat instrumentale e deri tek veprat e mëdha orkestrale si 11 valle simfonike, vepra këto ku ndihet atmosfera e kohës , besimi i kompozitorit ndaj popullit të tij prezenca e të cilit është e pashmangshme me të gjitha dukuritë në këto vepra.
     Në maj te vitit 1960 kompozoi odën lirike “Pranvera jone”, me tekst të Ismail Kadare, dhe një suite simfonike me katër kohe. Një vit më pas kompozoi “Poema e rapsodit” për bas-celo-piano. Balada “Lufton shqipja” u këndua menjëherë nga basi i papërsëritshëm Llukë Kacaj.  Në 1962 ai kompozoi vallen e parë simfonike shqiptare, e pasuar më pas me 10 valle simfonike të tjera që paraqesin një gërshetim të mrekullueshëm të muzikës së kultivuar me muzikën popullore. Secila nga vallet është një vepër me vete krejt e vecantë dhe e ndryshme nga të tjerat .
      Si  pedagog Simon Gjoni, dha nje kontribut të çmuar deri në castet e fundit të jetës, kur përgatiti me dhjetra studentë. Ai ishte një ndër pedagogët e parë në themelimin e Konservatorit Shtetëror të Tiranës së bashku me Çesk Zadene, T.Guraziun, Y.Skenderin. Shumë muzikantë e cilësojnë Simon Gjonin si një  shëmbull të rrallë ku gjeneratat mund të mësojnë për kërkesat sistematike, këmbënguljen dhe disiplinën e lartë artistike.
    U nda nga jeta në 31 Tetor 1991. Emri i Simon Gjonit siç e ka cilësuar Zadeja i madh ,”do të mbetet i skalitur në pentagramin e muzikës shqiptare, së cilës i shërbeu me dashuri dhe respekt”.


LULE BORE      
Tuj shetit ne mal e n’ koder
Tuj prek lulet gjith’ me dor’
Ne nji kopesht ma t’ bukur n’Shkoder
Ty te gjeta lule bore

Ref
Je e vogel por e plot
Ty t‘ kerkoj une tash sa mot
Tash sa mot une ty t’ kerkoj
Dhe me ty jeten ta coj

Eja eja lule bore
Se me ty do thurr kuror
Eja eja lule bore
Se me ty do thurr kuror

Pash ma t’ bukren stin pranvere
Pash ma t’ bukrin trandafil
Mos ja fal ti askujt eren
Se per mu vetem ke cil 

Comments

  1. "Tuj kërkue n`ar e n`kodër
    Tuj prek lulet t`gjith me dor`
    Veç n`nji kopsht të vogël n`Shkodër
    Ty të gjeta lulebore...."

    Je e vogël, por je e plotë
    Ty t`kërkoj unë tash sa mot
    Tash sa mot un`ty t`kërkoj
    N`gëzim me ty jetën ta shkoj.
    Eja, eja lulebor`
    Unë me ty do thur kunor`..."

    ReplyDelete
  2. Pjese te teksit origjinal te kenges, te shkruar nga Zef Pali. Lule Bore eshte nje kenge nga me te kenduarat ne Shqiperi dhe jo vetem. Kjo magji dashurie ka thurur shume rrefenja duke prodhuar sakaq shume muza te Lule Bores, aq sa do ta kemi te pamundur te dime me saktesi se kush e kishte kete fat

    ReplyDelete
    Replies
    1. I'm looking for informations about Zef Pali, but in the web I just found Zef Palaj, a friar very important expert in albanian etnography and literature. Is it the same person? Thank you for answering!

      Delete
  3. Kush është vajza, që iu kushtua "Lule Bora"?
    Është një histori e çuditshme, të cilën e kanë marrë përsipër shumë vajza të asaj kohe. Shumë prej tyre kanë thënë se janë pikërisht ato , të cilave u është kushtuar "Lule Bora. Por vajza e vërtetë, nga lindi ky frymëzim, tani ndodhet në Amerikë. Në një koncert, që muzikantët shqiptarë kishin organizuar në Nju Jork, ku mes të cilave ishte edhe gruaja e Simon Gjonit, ata kanë kënduar edhe këngën "Lule Borë""E kanë prezantuar këtë këngë si të Pjetër Gacit, të Prenk Jakovës, apo këngë popullore. Megjithatë, kjo këngë është e Simonit",- thotë me bindje gruaja e tij Hermira Gjoni.. "Mbaj mend- thotë ajo, - që këtë këngë e kemi kënduar shpesh në Nju Jork, në shumë koncerte. Dhe kur e kemi kënduar në një koncert, erdhën e na uruan shumë njerëz. Mes tyre vjen njëra dhe na thotë "Unë jam Lule Bora". U habitëm dhe u mblodhëm të gjithë përreth duke e pyetur. Ajo na tregoi historinë e krijimit të kësaj kënge. Dhe na rrëfeu."Unë atëherë kam qenë gazetare dhe punoja në gazetën "Bashkimi. Isha vajzë e re 19- vjeçe. Shkova në Shkodër me një shërbim. Dikush më kishte dhënë një pako për Zef Palin. Atje ku shkova ta takoja në Shtëpinë e Kulturës, ishte një kopsht i bukur dhe u ulëm të pinim një kafe. Ndërsa unë i flisja për letërsinë, për gazetarinë, etj, ai nxori një letër nga xhepi dhe ndërsa unë vazhdoja të flisja ai çuditërisht shkruante. Kur kishte mbaruar, ma drejton letrën mua dhe më thotë: këtë e kam për ty. Pastaj këputi një tufë lule bore dhe m'i zgjati mua. U ngritëm për të ikur (unë duhej të kthehesha në Tiranë). Por unë nuk e dija që fati kishte caktuar që unë të jetoja atje dhe të takoja bashkëshortin tim atë ditë. I thashë, po këto lulet ku t'i çoj? - Hajde më tha- tek ime më se është e sëmurë dhe jepja asaj lulet. Shkova dhe lulet ia fala nënës së tij. Unë më pas u ktheva në Tiranë, dhe vazhdova me të përditshmen time. Ndërsa pas katër ditëve dëgjoj në altoparlantin e gazetës "Bashkimi" : " Nga Radio Shkodra do të dëgjoni këngën "Lule Bore". Kështu rrëfeu vajza ( Florenca Pali) historinë e vargjeve të "Lule Borës". Më tej frymëzimi kishte kaluar tek kompozitori. Gruaja e kompozitorit, Mira, rrëfen se si autori i vargjeve, Zef Pali, sa ishte nisur Florenca për në Tiranë ia kishte dhënë vargjet Simonit. "Nëse të frymëzojnë këto vargje, merri dhe muzikoi"- i kishte thënë poeti. Ndërsa Simoni, menjëherë kishte hedhur muzikën dhe grupi, i miqve të tyre Tish Daija, Zef Gruda, Tonin Rrota,etj, që kishin kompleksin e vogël muzikor në radio Shkodra e kishin incizuar "Lule Borën". Ndërsa Florenca e kishte dëgjuar pas katër ditësh në radio. "Asnjëra nga ato vajza që thonë se unë jam "Lule Bora" nuk thotë të vërtetën. Në të vërtetë unë jam ajo që frymëzova ato vargje, e më pas atë muzikë - kishte rrëfyer Florenca, atë ditë pas koncertit në Nju Jork.
    Kjo eshte nje nga legjendat rreth Lule Bore

    ReplyDelete

Post a Comment

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk