PERIKLIU: Lumturia mbështetet te liria dhe se vetëm kuraja mund të sjellë pak liri në këtë betejë


       
Perikliu (Pericles ,Perikles),rreth 462-429 p.e.s., greq: Περικλς, dmth. "i rrethuar nga lavdia", ishte një burrë shteti i shquar dhe me ndikim, udhëheqës i shtetit demokratik të Athinës në epokën e lulëzimit të saj më të lartë, orator,demokrat dhe gjeneral.
Perikliu, demokrat i zjarrtë, është zgjedhur strateg për më shumë se 20 vjet. Vendimet e tij politike e shtrinë ndikimin e Athinës përtej kufijve të saj dhe ndihmuan në zhvillimin e një perandorie athinase. Ambicia e tij imperialiste pati si rezultat luftën e Peloponezit kundër Spartës dhe aleatëve të saj. Ai vdiq në vitin e parë të konfliktit, si viktimë e murtajës.
Qeveria jonë është origjinale. Ajo nuk ndjek shembullin e asnjërit prej fqinjëve tanë. Po, të tjerët na kanë kopjuar, ne nuk kemi kopjuar nga askush. Na quajnë demokraci, pasi i gjithë populli dhe jo vetëm një pakicë merr pjesë në jetën politike. Edhe në drejtësinë tonë ndiqet parimi se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Ne i emërojmë administratorët tanë në funksionet e tyre sipas meritës dhe aftësisë që kanë dhe jo duke u ndikuar nga origjina e tyre. Asnjë qytetar, qoftë edhe i varfër, nuk lihet jashtë punëve të qytetit, nëse ai mund të kontribuojë sado pak. Mos harroni asnjëherë se lumturia mbështetet te liria dhe se vetëm kuraja mund të sjellë pak liri në këtë betejë.
Perikliu mbizotëroi në skenën politike në kulmin e periudhës klasike, kur Athina u bë një kryeqytet ku lulëzonin kultura dhe artet. Ai ëndërronte të fillonte një lëvizje të gjerë rindërtimi në shtetet e tjera greke, ku tempujt dhe ndërtesat publike ishin dëmtuar nga luftërat kundër persëve, por iu desh të mjaftohej me zbukurimin e Athinës.
Posti i gjeneralit ose i strategut ishte i vetmi ku mund të rizgjidheshe çdo vit. Prandaj ai lakmohej nga të gjithë ata që kishin ambicie politike, si Perikliu. Strategu kishte të drejtën ekskluzive marrjen e vendimeve dhe dhënien e urdhrave në periudhë konfliktesh. Pasi vendimet të miratoheshin nga Asambleja, ushtrimi i ndikimit politik kërkonte mbështetjen pa rezerva të popullit. Në fakt, titulli i strategut të jepte një status dhe ndikim, por jo një pushtet të vërtetë.
Perikliu, me ndihmën e një aleati politik, Efialtit, përfundoi reformat demokratike të Klistenit, duke vendosur parimin e shpërblimit të të zgjedhurve. Tashmë, Athina ishte një demokraci e kompletuar, në të cilën asnjë qytetar nuk mund të mënjanohej nga ushtrimi i funksionit publik me pretekstin se ishte i varfër. Tuqididi pretendon se Athina vetëm emrin kishte demokraci dhe se në të vërtetë "qeverisej nga qytetari i parë". Kjo është krejtësishte pavërtetë, sepse Perikliu ishte vetëm njëri nga 10 strategë të zgjedhur dhe sepse asnjëri prej tyre nuk mund të qeveriste pa mbështjetjen e të gjithë popullit. Çdo vit ai duhej të rizgjidhej. Aty nga fundi i karrierës, kundërshtarët e tij politikë u përpoqën t'ia lëkundnin popullaritetin, duke sulmuar miqtë e tij. Ai e humbi postin një herë, por më vonë u rizgjodh dhe vdiq duke ushtruar funksionin e tij.
Reformat e Klistenit, të bazuara në parimet e Solonit, vendosën në Athinë një demokraci të vërtetë. Përveç krijimit të funksionit të strategut, Klisteni ishte autori i vendosjes së ostrakizmit, sistem i dëbimit politik, që bënte të mundur shmangien e konflikteve të pushtetit me një opozitë të vazhdueshme. Me votën e dy të tretave të qytetarëve, personi që "dëbohej" duhej të largohej nga Athina për 10 vjet. Ostrakizmi bëri të mundur që Perikliu dhe shumë të tjerë të eliminonin rivalët politikë.
I cilësuar si "historiani i pare shkencor", Tuqididi shkroi një histori të mrekullueshme të luftës së Peloponezit. Ai është historiani i parë që e ka tejkaluar tregimin e thjeshtë të ngjarjeve, duke u interesuar më tepër për shkaqet që qëndrojnë pas tyre. Në analizën që u bën shkaqeve të luftës, ai nënvizon rëndësinë e krijimit të dy blloqeve influencash brenda Greqisë, situatë, që, sipas tij, e bënte konfliktin të pashmangshëm. Ai e admironte Perikliun pikërisht për talentin që ai kishte për ta kthyer Asamblenë në anën e vet.
Aspasia, e dashura e Perikliut, Anaksagora, profesori i tij, dhe Fidiasi, skulptori i Partenonit, kanë dalë përpara drejtësisë pothuajse në të njëjtën kohë, për shkaqe të ndryshme. Perikliu u përfshi drejtpërsëdrejti vetëm në procesin e Fidiasit, i akuzuar se kishte gdhendur në mburojën e Athinasë portretet e tij dhe të strategut akt që u konsiderua si sakrilegj nga akuzuesit e tij. Kjo fushatë shpifjesh pati efektet e saj, pasi Perikliu nuk arriti të rizgjidhej atë vit. Ai e rifitoi titullin e strategut një vit më pas.
Dështimi elektoral i Perikliut atë vit pati si shkak zhgënjimin e athinasve në luftën kundër Spartës, si edhe mospranimin e politikës së tij. Në shumë aspekte kjo luftë ishte pasojë e drejtpërdrejtë e dëshirës së Perikliut për të transformuar Lidhjen e Delosit në Perandorinë Athinase. Korinti, rivali tregtar i Athinës, i kërcënuar nga vullneti ekspansionist i Perikliut, thirri Spartën në ndihmë. Kur Perikliu ua ndaloi anijeve të Megarës hyrjen në portet e qyteteve aleate të Athinës, lufta u bë e pashmangshme. Strategjia e Perikliut qëndronte në shmangien e çdo konfrontimi me armikun, duke u mbështetur në fuqinë detare të Athinës. Kjo do të thoshte që popullsia e fshatrave duhej të shkonte në qytet dhe të këqyrte, e pafuqishme për të vepruar, vjedhjen dhe shkatërrimin e të korrave dhe të fermave nga armiku.
Epidemia e murtajës, nga e cila vdiq edhe Perikliu, ishte pasojë e mbipopullimit urban. Vdekja e strategut të madh e la Athinën të ndarë. Është e kotë të shtrohet pyetja se si do të kishte ndikuar Perikliu në rrjedhën e historisë, nëse do të kishte jetuar më gjatë. Por duket se ndarjet politike, që dolën në pah pas vdekjes së tij, e bënë vazhdimin e luftës të vështirë dhe çuan në disfatën përfundimtare të Athinës.
Demokratët e bindur, si Perikliu, donin ta vazhdonin luftën, por disa elementë më konservatorë ishin për bisedime me Spartën dhe qenë gati të pranonin një Këshill të ndikuar nga spartanët. Pas Perikliut, asnjë strateg nuk bëri përpjekje për të patur një ndikim të qëndrueshëm mbi politikën.
Nuk është rastësi që periudha kur Perikliu mbizotëroi në skenën politike, u konsiderua Epoka e Artë e kulturës athinase. Perikliu erdhi në pushtet në momentin kur Athina po rindërtohej, pas plaçkitjes së qytetit nga persët. Të gjitha monumentet duhej të restauroheshin. Athinës Nike (Fitimtare) iu ngrit një tempull dhe Akropoli u pajis me një hyrje madhështore (Propiletë). Por vepra më prestigjioze qe Partenoni, që i kushtohej perëndeshës mbrojtëse të qytetit, Athinasë, statuja e të cilës, e lartë 12 metra, ishte prej fildishi dhe ari. Athina, me të drejtën e krenarisë për rolin e saj në mposhtjen e fuqive të huaja, donte t'i thurte lavde madhështisë së vet. Teatri u zhvillua dhe arriti pikën kulmore me tragjeditë e Eskilit dhe të Sofokliut dhe me komeditë e Aristofanit. Filozofëve, si profesori i Perikliut, Anaksagora, u bëheshin pyetje mbi natyrën e universit. Skulpturat klasike, ashtu si edhe mendimi filozofik, i thurnin lavde Njeriut, në të gjithë madhështinë e tij.
Kleoni u përpoq, pas vdekjes së Perikliut, të orientonte politikën athinase. Demokrat si edhe ai, Kleoni rriti rrogën e heliastëve (anëtarë gjyqi) nga 2 në 3 obole në ditë. Si edhe Perikliu, Kleoni e konsideronte si shumë të rëndësishme sigurimin nga ana e Athinës të një aleance të fortë greke dhe trefishoi haraçin e aleatëve. Ai këshilloi që të jepeshin dënime shumë të ashpra për qytetet që nuk do t'i qëndronin besnike Athinës, ndërsa për Mitilenën, veçanërisht, kërkoi dënimin me vdekje të të gjithë qytetarëve të saj meshkuj dhe kthimin në skllevër të grave dhe të fëmijëve. Fitorja e tij kryesore ushtarake në Sfakteri u pasua nga një humbje e mynxyrshme detare në Amfipolis, ku edhe gjeti vdekjen. Kleoni është keqtrajtuar shumë në dëshmitë historike. Komeditë e Aristofanit, për shembull, e paraqesin si një personazh të ndyrë dhe arrogant. Ndonëse demokrat, populli athinas ushqente admirim dhe respekt për klasën aristokratike. Është aristokrati Perikli dhe jo Kleoni, që ka mbetur i lidhur me imazhin e demokracisë athinase.

JETËSHKRIMET – KURESHTI NGA JETA E PERIKLIUT
* Kundërshtarin politik të Perikliut, Tuqididin, e pyeti njëherë mbreti i Spartës, se kush nga të dy ishte më i fortë në gojtari dhe në luftë. Tuqididi upërgjigj:
- Po të luftoj unë me Perikliun e mund dhe e shtrij për tokë, ndërsa kur të ngrihet ai do të dijë të tregojë me të tillë elokuencë sikur të ishte ai fituesi që më ka mundur mua. Të gjithë të pranishmit do ta besojnë, edhe pse e kanë parë me sytë e tyre të kundërtën.
Perikliu bëri ndërtime publike madhështore në Athinë.
Atje punuan artistët më të shquar të kohës nën drejtimin e Fidias. Qytetarëve të Athinës u dukej se Perikliu kishte shpenzuar pa masë për të zbukuruar qytetin. Gjatë një mbledhjeje ai u kritikua shumë. Perikliu qetë-qetë u përgjigj:
- Po mirë. Në qoftë se ju duket që unë kam shpenzuar shumë nga fondi publik, atëherë do t'i paguaj vetë të gjitha shpenzimet e mia.
Kjo bëri shumë përshtypje dhe qytetarët e Athinës nuk e përmendën më çështjen e shpenzimeve.
* Një mbledhje zgjati deri natën vonë nga një fjalim i gjatë i Perikliut, një qytetar fare i panjohur, që kishte një çështje personale kundër athinasit të madh, ia ndërpreu me ashpërsi fjalën disa herë. Kur mbaroi fjalimin e ndoqi prapa deri në shtëpi duke e sharë dhe duke e kërcënuar. Perikliu nuk e prishi fare qetësinë, madje nuk i hodhi asnjë shikim për ta parë. Kur arriti te pragu i shtëpisë iu drejtua shërbëtorëve që po e shoqëronin me pishtare në dorë:
- Shoqërojeni me pishtarë këtë njeri deri në shtëpinë e tij.
Kjo ishte hakmarrja e Perikliut ndaj këtij njeriu.
* Perikliu ishte nisur me anijet e tij të luftës për një ekspeditë të vështirë kundër anijeve të Samos. Një eklips i diellit i shqetësoi shumë ushtarët dhe detarët. Për t'i bindur ata se nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme dhe të rrezikshme nga errësimi i papritur i diellit, thirri personelin e shërbimit të anijes dhe në sytë e te gjithëve i hodhi mantelin e tij në kokë një detari.
- Sheh tashti? - e pyeti.
Tjetri u përgjigj se nuk shihte. Pastaj Perikliu i tha:
- Ke frikë?
- Jo, se është manteli juaj që nuk më lejon të shoh.
- Atëherë çfarë ndryshimi ka midis kësaj dhe asaj që ju habit aq shumë?!
* Kur Perikliu ishte në shtratin e vdekjes të gjithë miqtë e kishin rrethuar dhe flisnin për punët e mira që kishte bërë për atdheun dhe për cilësitë pozitive të karakterit të tij.
Dikush lavdëronte madhështinë e ndërtimeve që ishin bërë me urdhrin e tij, dikush paqen dhe sigurinë e madhe të Athinës, dhe dikush tjetër ndihmat për të varfërit.
Perikliu duke dëgjuar këto lavde, u ngrit dhe tha:
- Ka edhe një gjë tjetër që unë mburrem më shumë.
Dhe kjo është se për shkakun tim asnjë nuk ka mbajtur zi në Athinë.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk