Ikja vullnetlirë e një shpirti të dlirë

Nga Albert Vataj

Një ikje e trishtë që la pas një SMS që i drejtohej bashkëshortes, Jutta Benzenberg, ku thuhej-s’paku ç’ka media mori përsipër me kumtu se - është shkru: “Është bekim të largohesh i qetë nga kjo botë. Unë nuk mund të vazhdoj më. Kur të kthehesh, eja pa vajzën”. Ai ka vendosur me vullnetin e tij të lirë të ndal rendjen. Pas disa qasjesh, kurrqysh të dyzuara, veç të njëmendta, por jo fort të ngulmta, ai i vuri fre turrit nëpër mjegull, duke pohuar se “Unë nuk mund të vazhdoj më”. Ardian Klosi i ka dhënë fund vazhdimësisë dhe s’bashku me të çdo përçapjeje prej mishi. Duke hyrë në rrugëtimin e amshimit, kandet me na lanë një mesazh që nën vetvete është më shumë se vdekja që mori atë. Ajo është një ikje e parathënë, dhe njiherash një kushtrim për vetëdijet e mbamendjeve të rrokshme në naltësinë e metafizikës që mëtoi Uni i tij. Një lamtumirë e këtillë, saora është një re e mrrylët që varet mbi kokat tona që notojnë në groteskun e këtij absurdi. Në kryeherën e vet është dashtazi një shkundje në harrimin tonë kolektiv të hiçit, një vramëndje më e qenësishme dhe e patëdytë e një moralisti dhe idealisti, që diti të ngre kultin e tij të dlirë, përmes përmendoresh shtatlarta të ndyrësisë që ndërsenin terratisje në atë copë qiell të mbetun. Vullnesa e ikjes, e ysht tançka të tij përnga ma t’epërmet zotnime që munet një shërbesë brendie me i ofru një kande të tillë lirie e dlirësie, që mëtoi Ardian Klosi. Ai guxoi gjithherë, dhe fitoi gjithnjë, anipse triumfet për të nuk kishin atë shkëlqim, atë shpërthim që mundi me ia mbush shpirtin e tij t’paepun. Lamtumira e tij është lamtumirë që ka trishtu prej s’mbahet mend njerëzinë, ka trandë memorin kolektive, ka kushtru në zbraztësinë e hapërdame përreth tyre. Ai nuk kërkoi me këtë me vesh kurrnji petk, që tjetërkush si ai kishte hedhun supeve ma herët. Cekim në këtë mbamëndje emra emblematik të shkencës, artit, dijes e dinjitetit njerëzor. Me ikjen e parakohshme, Klosi dëshmoi vullnetin e lirë të një shpirti të dlirë dhe delikat, brofi një turr të patëdytë të një shqiptari dhe shpishkryesi të mjeshtërisë së epërme. Tash që ai nuk jeton më fizikisht, zotnon më shumë qiell, liri më shumë, gjithçkanë që mundi dhe deshti, tançka që ëndërroi dhe preku me pasionin e pamatshëm të amshimit që e rrok tashembas në kraharorin e vet të yjëzuar.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk