Mbi funksionin e gjuhës së Nolit dhe Konicës
Nga Martin Camaj
Nuk asht e rendomtë që as në studime letrare apo gjuhësore –
stilistike të sotme të vehen njeni afër tjetrit Noli e Konica, dhe jo nga
shkaqe se kemi të bajmë me dy temperamente të ndryshme, me dy shkrimtarë me dy
metoda pune të ndryshme apo me qëllime letrare të paparashikueshme – gja që
shum arësyet nuk i përgjigjet së vertetës (këtu mund të kuptojmë dhe arësyet me
karakter pragmatik) –, por na paraqiten të ndamë këta dy emna ma tepër për
motive paragjykimesh doktrinare të preme.
Në kohën tonë, kudo në botë bihen shpesh herë gjykime mbi
këtë apo atë artist si mbas qefit apo interesit, pa kritere të caktueme, mbas
të cilave mëshefen dhe qëllime jetëshkutra të nji momenti të nji grupi apo
sistemi. Për shembull ngatrrohen apo vehen në nji plan prodhimtaria letrare dhe
qëndrimet kazuale të shkrimtarit, me fjalë tjera ngatrrohet vetja apo biografia
me artin e vetjes dhe nuk vehet aspak në dukje funkcioni i prodhimtarisë ase
sherbimi i veprës së tij për zhvillimin e gjithëmbarshëm të letërsisë së nji
kombi, funkcione e shërbime këto shpesh herë të paparapame prej vetë
shkrimtarit.
Në këtë kumtesë pak faqesh dëshroj pikrisht të ve në dukje
në vija të përgjithshme nji shërbim që i banë kulturës shqiptare këta dy
mendimtarë. Noli, i cili jetoi ma gjatë, përjetoi deri dikund dhe fazat e
ndikimit të veprës së vet, pa marrë para sysh pesimizmin apo skepticizmin e tij
që para fakteve, së pakut për ne si studjues, janë deri dikund irrelevante.
Përkundra Konica nuk pati fat si shkrimtar dhe s’dihet a qe vetëdijës i vlerës
së shkrimeve të veta. Dhe për së vdekuni, si për çudi ende nuk ka ardhë
rrethana t’i njifet ky funkscion. Breznitë e reja nuk e njohin dhe nuk kanë si
ta njohin mbasi nuk mund ta studjojnë drejtpërsëdrejt. Por të dy këta
shkrimtarë qysh nga fillimi i veprimtaris së tyne si shkrimtarë patën nji
problem të përbashkët për të zgjidhë: me ç’gjuhë të shkrueme shqipe do t’i
silleshin botës shqiptare për të mundë të sqarojnë mendimet e tyne ?
Shkrimtarët e Veriut, me qëndër Shkodrën, si ndjekës të nji
tradite të gjatë dhe të pandërpreme nuk e patën këtë kujdes sepse pretendoshin
që dhe lexuesi duhej ta njifte këtë traditë; prandej pika nga niseshin Noli e
Konica për sa i përket gjuhës ishte tjetër tue qenë se gjindeshin në rrethana
krejt të ndryshme nga bashkatdhetarët e Veriut. Të dy ishin koshientë se
veproshin në nji kohë kur ende nuk kishte nji drejtshkrim të qindrueshëm të
gjuhës shqipe, kur gega dhe toska, secili tue folë djalektin e vet gjeshin
vështirësi jo të vogël të kuptoheshin në punën e përbashkët, në rrugë dhe në
kafe. Dihet nga ana tjetër se nga njiherë moskuptimet dhe mes njerëzvet të
njëjtës gjuhë rrjedhin dhe prej ndryshimeve kuptimore të njejtës fjale në dy
djalekte të ndryshme. Si për shembull: fjala kokë-a në toskënishte don me than
kryet e njeriut nësa në Veri kokë asht synoim i fjalës kokërr që përdoret për
të shënue nji send të rrubullakët në përgjithësi ase njesitë e bagëtisë së
imtë, si dele apo dhi.
Besoj se problemi gjuhësor për ta, sidomos në Amerikë, ishte
i vështirësuem sepse ata do të shkrueshin për të qenë të kuptuem nga bashkësi
shqiptare ardhë nga krahina të ndryshme të Shqipnisë. Dhe asht për tu habitë se
si Noli e Konica, pa qenë gjuhëtarë, d.m.th. gjurmues të gjuhës me metoda
profesionale, shumë çështje i panë fare qartë. Si parim kryesor ata patën të
shprehunit e thjeshtë, tue pasë gjithmonë para sysh se për ke shkrueshin.
Konica reklamon mbi syprinën e librit Në hijen e hurmave: “Një librë për të
shkuar kohën e për të nxënë shkrimin e gjuhës. një librë për gra e për burra,
për të vegjël e të mbëdhenj”. Qëllimi asht i qartë: ai u sillet të gjithëve
sepse asht i bindun se gjuha e përdorun në këtë libër asht e kuptueshme për të
gjithë. Nji vrejtje e meriton përcaktimi: “shkrimi i gjuhës” që ka nji ndryshim
të madh nga “gjuha e shkrimit” që sot e ndigjojmë pajandá. Konica niset nga
pikpamja formale e jashtme d.m.th. paraqitja e gjuhës me shkrim. Mbasi
shqiptari gjuhën amtare e dinka sepse ai e mësoi nga goja e s’amës, atëherë
çështja ishte që ai ta përshkruente besnikisht e ta kuptonte. Asgjamagut ata
çka porosiste Konica nuk asht as sot nji ga e thjeshtë: me probleme të ngjashme
merrët sot dhe lingvistika moderne.
Përkundra sintagma “gjuha e shkrimit” shënon përmbajtjen,
prandej paravê kushtin se gjuha si pajë shpirtnore e nji kombi ka tashma
trajtën e vet specifike e se në këto forma e grumbull rregullash ortografike e
gramatikore kuptohet e shkruhet prej secilit. Ju e dini se për të arritë këtë
nuk asht e lehtë për ne shqiptarët as sot, as nuk ka qenë e lehtë për asnji
komb të përparuem të botës. Si njerëz thellësisht të kulturuem si Noli e Konica
e kuptoshin fare mirë këtë problematikë me të cilin ishin drejtpërdrejt të
ballafaquem, përpara formimit të nji shteti shqiptar: Dhe ja pse këta dy
shkrueshin shqip për të qenë të kuptuem prej nji bashkësie shqiptare,
pjesëtarët e së cilës vijshin kryesisht nga Jugu, por prej të gjitha krahinave
tjera të Shqipnisë. E vërtetë ata shkrueshin toskënisht vetëm, por si do ta
shohim ma poshtë ajo ishte aq e qirueme dhe e rrafshët, sa besoj se do ta ketë
kuptue dhe para pesëdhetë vjetsh çdo gegë me nji pregatitje kulturore diskrete
të prodhimtarisë letrare shqipe, sepse njohja e mirë e nji dialekti kushtëzon
kuptimin e dialektit tjetër.
Problemi i parë, çështja e shkrimit të shqipes, ia ka vra
gjithënji mendjen Konicës, sikurse e dishmojnë edhe artikujt në të përkoëshmen
“Albania” tue ba që të interesoheshin dhe albanologët e huej ma të mëdhaj të
kohës.
Por Konica di se detyra e shkrimtareëve asht dhe zhvillimi e
përpunimi i gjuhës shqipe. Ky kujdes shprehet qartë në parathanjen e "Nën
hijen e hurmave” : “Gjuha shqipe, aq’ e vjetër sa greqishtja dhe latinishtja po
e mbetur shumë pas nga shoqet, ka nevojë të zhvillohet e të vejë përpara që të
fitojë kohën e humbur. Ne këmi nevojë për dy soj veprash: gjëra origjinale, të
çpikura prej shkrimtarësh të vërtetë edhe përkthime”.
Në nji pikë duket se kanë qene plotësisht dakord Noli dhe
Konica në përpunimin e gjuhës së shkrueme: për formimin e gjuhës letrare apo të
shkrueme losin nji rol të madh përkthimet. Për sa di, Noli vetë nuk i ka
formulue pikpamjet e veta në nji studim të veçantë: ai këtë çështje e
konsideroi si çështje personale për të cilën s’ishte nevoja të ishte i
informuem alemi e polemi.
Me këtë nuk do të thotë se ata nuk kishin parime të caktueme
të cilëve përvoja vetë ua kishte sugjerue. Noli sidomos përvojën e vet e bani
në përkthime dhe pikrisht atë eksperiencë stilistike – gjuhësore në shqipnimin
e shkrimit shejt veprave tjera liturgjike, ku janë përmbajtun regjistrat e
ndryshëm gjuhësor nga të gjitha veprimtaritë e jetës landore e shpirtnore.
Besoj nuk gabohem nëqese baj këtë paralajmërim: studimet e hollësishme që nji
ditë sigurisht do të ndërmerren mbi gjuhën e Nolit do të zbulojnë vartësinë e
tij nga përkthimet e Kristoforidhit e se mësuesi i vertetë i tij qe elbasanasi
i madh, afruesi i vërtetë i dy kryedialekteve të shqipes. Noli ashtu si shumë e
shumë artistë të tjerë të fjalës shqipe nuk arritën kurr atë njohësi të thellë
të shqipes që e pati Kristoforidhi, por ai e thjeshtësoi këtë gjuhë tue qirue
nga syninime fjalësh e formash së shuma idiomatike kështu që veprat origjinale
dhe përkthimet e Nolit publiku i gjanë i kuptoi ma lehtë. Si artist mandej që
Kristoforidhi nuk ishte, Noli i dha gjallni e vlerë artistike gjuhës së
përdorun si mjet shprehës. Mue më duket se asht i pari shkrimtar shqiptar që u
largue nga shprehjet idiomatike, prandej dhe nga rendi i fjalëve dhe
konstruktet arkaike e nëndialektore të shqipes, rrugë që ndoqën me të madhe ma
vonë gazetarët dhe shkruesit e prozës ekspozitive. Prandej asht dhe fare i
kuptueshëm ndikimi që ushtroi në Shqipni fill mbas lufte e ma vonë gjuha e
Nolit përkthyes dhe prozator.
Mbas luftës në vendin tonë Konica u përjashtue zyrtarsht nga
letërsia dhe rrjedhimisht dhe shkrimet e tija si modele gjuhësore-stilistike.
Nuk mund të mohojmë ase pohojmë se në mënyre indirekte Konica ndikoi ase nuk
ndikoi në zhvillimin gjuhësor të mbasluftës në Shqipni: edhe në këtë pikë
përgjegjen do të na e japin studimet e ardhshme.
Mjerisht shkrimet e Konicës, sikurse asht vu re shpesh në
dukje nga studjues të ndryshëm të letërsisë sonë, janë të shpërndame në katër
krih ndër revista e gazeta, sot fare të rralla. I pa mundun asht prandej dhe
kategorizimi i këtyne shkrimeve dhe filli i zhvillimit të Konicës si shkrimtar.
Nji ribotim i Konicës me nji syzim kritik do të ishte ma se i nevojshëm. Por,
dihet nga përvoja se gjallnimi i një vepre në tanësi e nji shkrimtari nuk varet
as nga botimet ma luksoze, as prej fjalëve ma të zgjedhuna të kritikës letrare,
por nga interesimi i bashkëkohorëve dhe i breznive, nga leximi e shijimi i saj
prej nji publiku. Mbas hamendje dhe mosinteresimi i lexuesve shqiptarë ja
paralizoi pendën këtij stilisti të shkëlqyeshëm shqiptar. Noli dhe Fishta, tue
qenë se ishin pjesëtarë organizimesh fetare komplekse, e patën ma të lehtë të
ndigjoheshin e të lexoheshin nga nji publik i gjanë. Në këto rrethana
inkurajuese ata dhanë nji varg veprash të cilat u ribotuen.
Nuk dalim jashta temës së paraqitun ma naltë nëqese
përmendet sado përciptas komunikimi apo ndërlidhja e shkrimtarëve tanë me botën
e gjanë shqiptare. Dukunia në vetvete, e kuptueme si djalog mes artistit e
publikut, asht objekt studimi ndër analizat moderne të kritikës së artit në
përgjithësi dhe të historisë së letërsisë posaçe. Pikrisht kjo ndërlidhje mes
shkrimtarit dhe lexuesit shqiptar në kohën e rilindjes sonë kombëtare dhe
frytet ma të mrekullueshme dhe vuni bazat e bashkimit dhe të krijimit të
shtetit shqiptar. Ky komunjon shenon njikohësisht dhe lindjen e kulturës dhe të
letërsissë vert-è shqiptare.
Konica provoi apo ndieu ma tepër se asnji shkrimtar tjetër i
yni pakujdesinë e lexuesit dhe si e dini sjellje e bashkëvendasve e pazmatoi
për së tepërmi sa të reagonte me shkrim ma randë se sa nji njeri i idhnuem dhe
i fyem me gojë. Por nuk duhet harrue se ai e kuptoi gjendjen e lexuesit
shqiptar dhe në nji vend tjetër porosit librin shqip si shplodhje mbas punës së
vështirë të ditës: “Edhe né, të lodhur nga mundimet e jetës, le të qëndrojmë si
udhëtari i Saharasë në një oasis, dhe le të këndojmë nga prrallat që tregojnë
në hijen e hurmave”
Edhe si shkrimtare ata luejtën rolin pionierëve. Gjindeshin
para problemesh dhe vështirësisë si na sot kishim me i gjykue elemenare, si per
shembull para çështjeve të shkrimit të shqipes dhe formulimit të nji gjuhe të
kuptueshme nga të gjithë, tue ja arritë kështu së paku në vija të përgjithëshme
normalizimit të kryedialektit të tokënishtes. Prej kohës në të cilën Noli e
Konica vepruen deri në ditët tona gjuha e kultura jonë në përgjithësi ka ba
hapa të mëdhaj në zhvillimin e saj. Nji vrull zhvillimi shënohet në laminë e
arësimit të përgjithëshëm. Sot (1969) dinë të lexojnë dhe të shkruejnë shqip
afërsisht 85 % të shqiptarëvet me nji drejtshkrim mjaft të njisuem. Procesi i
njisimit të gjuhës asht në vlim e sipër prandej asht vështirë të nepen mendime
të preme. Rrugat dhe metodat që ndiqen janë në shumë pika pa analogji apo
shembuj në historinë e formimit të gjuhëve letrare evropiane. Dikur thohej, për
shembull, se gjuha e trajtojnë shkrimtarët, prandej si metodë hukumtimi u
ndiqte rava e zhvillimit të shkrimtarit gjatë veprave. Këtë pajë e shfrytzoshin
nji mbas nji brezni shkrimtarësh dhe ma në fund vihej në trajta të
kristalizueme dhe të përvetësueme, nga nji bashkësi gjuhësore. Në këtë mes nuk
duhet të nënçmohet rruga e nji shkrimtarit si individ. Individi nga ana tjetër
dihet se nuk asht nji element i shkëputun nga shoqnia dhe koha në të cilën
jeton: tue u mbështetë në nji individ na mbështetemi në nji traditë, në kohën
në të cilën ai veproi. Si ilustrim le të marrim Konicën. Ky nuk qe poet në
kuptimin klasik të fjalës, por vetëm prozator e si i tillë përdorues i shumë
regjistrave gjuhësorë. Si i tillë funkcioni i gjuhës së tij duhej të ishte i
dukshëm në përdorimin e gjithëmbarshëm të gjuhës. Kompetenca Konicës nuk i piku
nga qielli, ajo asht rezultat i disa cilësive vetjake të tija. Tue u mbështetë
në shkrimet e tija zbulojmë formimin e njeriut në disa gjuhë evropiane të
përparueme, të cilat ai i njifte mirë. Nga kjo rrjedh rendi i logjikshëm i
mendimeve, prandej sintaksi i gjuhës shqipe në veprat e Konicës asht i rrafshët
me nji rend fjalësh e fjalish arkitektonisht të përsosuna. Asht interesant dhe
fakti se ky si njeri i hovshëm që ishte, këtë drejtpeshim e humb dhe në
pikpamje gjuhësore ndër disa shkrime polemike. Në këtë mes na del në shesh dhe
natyra e tij që ndikon dhe në karakterin e gjuhës: shkrimtarët tjerë shqiptarë
të kohës së tij, emocioni, dispjeku, i çoi drejt shprehjes në vargje poetike me
përmbajtje mallëngjimi, mallkimi deri në elegji. Përkundra Konica në këso
rastesh duket se harron se asht tue shkrue e vehet e gërthet me inventarin
gjuhësor të njeriut të rrugës. Prap nga kjo rrjedh se Konica shqipen e ka mësue
nga goja e popullit tue u nisë nga jugu deri në veri të Shqipnisë. Komponent me
randësi në shkrimet e Konicës asht stili: ai mbas mendimit tim na ka lanë faqet
në prozë ma të kthjellta dhe ma të ambla të toskënishtes deri sot të pa
arrituna. këtë shije dhe gjallni tërheqëse ja jep pikrisht ai kolorit i ambël,
pothuej lirik, i gjuhës së vendlindjes që përvetësohet në fëmini bashkë me
përshtypjet e para që mbetën për të tanë jetën. Këtë kthjellësi lirike
gjuhësore e ndeshim dhe në disa kangë popullore lirike të jugut të Shqipnise
dhe në disa pjesë poetike të Lasgush Poradecit.
Konica e kuron shumë fjalën tue e vu gjithmonë në vendin e
vet, me dije, për qëllim efekti sepse shqiptarit dhe në bisedë i pëlqen të
mbështesë mendimin në nji fjalë. Mun mbas shqiptimit dhe theksimit të kësaj
fjale-qendër, ban dhe nji pauzë të vogël, po e quejmë psikologjike në mënyrë që
ajo të ngjesin në mëndjen dhe në shpirtin e ndigjuesit. Këtë din ta bajë dhe
Noli tue përdorë nganjiherë dhe fjalë të hueja si “liberator” me kuptimin
“shpetimtar”, “savanta” në vend të “dijatarit”, etj.
Të dy u shmangen neologjizmave nji fjalëshe; dhe për të ju
largue fjalëve të shumta të hueja formojnë vetë ase marrin nga gegënishtja për
kuptime të ndryshme kompozita (fjalë të përngjituna), si për shembull Konica:
mendje-fisnik, ark-mbajtës = zhgjetar, faqe-bukur cipë-hollë, gjellë-bërës = guzhinjer,
erë prurëse = elbizen, flladitëse.
Fjalë të tilla Noli ka me shumicë: kryedinak = njeri shumë
dhelpënak, këpucë-lëpirës = servil, gjysmë-çilimi = njeri i pa krypë dhe pa nji
personalitet, varrë-mihës = rojtar vorresh që natyrisht çel dhe vorrë e ban çdo
punë tjetër ne lidhje me këtë profesion.
Edhe sot, kur nevoja e skajeve të reja nga regjistra të
ndryshëm fjalësh mjetesh moderne dhe kuptimesh abstrakte ndihet dhe te na ma
tepër se askund; fjalori i shqipes po pasunohet dita ditës me fjalë të përngjituna,
veshtrimi i të cilave mund të kuptohet lehtësisht nga çdo folës i gjuhës.
Si Noli ashtu dhe Konica kaluen pjesën ma të mirë të jetës
jashtë Shqipnisë. Shkrimet e tyne ishin të drejtueme bashkatdhetarëve në
diasporë, kryesisht shqiptarëvet të Amerikës. Ata tue shkrue patën para sysh
gjithënji që të ishin të kuptuem nga të gjithë shqiptarët. këtij qëllimi ia
arritën me nji përqindje të naltë. Rruga që ata ndoqën qe kjo: ata zgjodhën
forma të rrafshta stilistike, u larguen me qëllim nga variantet e shumta të
leksikut nëndialektor të formave morfologjike të rralla. Pa ditë ndoshta i u
mbajtën disa principeve, ndjekja e të cilave çon drejt nji unjisimi gjuhësor.
Ky kontribut asht i përbashkët ke Noli dhe ke Konica.
(1969)
Comments
Post a Comment