Papafingoja e krismës së thatë



Nga Edi Rama

Sivëllait tim Ardian Klosi 

Jemi tallur shpesh kahera me të papërmbajtur gaz për vdekjen e gjithnjë e tallura mbaronte me hamendjen se cili nga të dy do të shkruante obituarin e tjetrit. Sikur s’vete të të lëvdonj kur të vdesësh se do ta bëjnë të tërë, ndaj lërmë të vdes unë më i pari, më thosh doktori, e aman, shtyhej Dani më tutje, mos më lëvdo e bëj çmos t’i pengosh sa të mundësh të më lëvdojnë, se do të detyrohem të ngrihem nga varri e t’i bënj ta ndërrojnë menjëherë pllakën, nuk i duronj dot lëvdatat e tyre teksa më kallin në dhe e unë s’u gjegjem dot.
Ishte ilaç i fortë doktor Klosi, kështu e thërrisja e kështu ia kam të shkruar edhe emrin në celularin nga e thirra për të fundit herë mbrëmë që s’ma hapi e s’ma hapi të tijin në ato dekika tmerri, kur zilja e vet binte e binte në shtëpinë buzë liqenit po ku i measnjëtëpërngjasuarin mik i shtrenjtë, kishte lënë vetëm trupin e varur në Papafingon e Krismës së Thatë. Krisma e Thatë ishte bërë pjesë e lojës sonë të fjalëve për vdekjen qyshse me duart e tij që s’u binin veç tasteve të kompjuterit, po kapnin edhe gurë për të bërë mure edhe vegla për të prerë e latuar dërrasa dhe sajuar dyshemera e dritare, doktor Klosi ishte duke e ndërtuar me kursime e hope atë shtëpi të paqme, larg Tiranës e mes ullishtave që u bënë makthi i tij i madh ngaqë i zhbëheshin vit pas viti para syve prej furisë barbare të ndërtimeve mbi liqen. Më ngjiti deri lart mes të qeshurash në kantierin e tij prej ustai sqimatar, duke më treguar se si kishte përzënë muratorë të pagdhendur e marangozë çaprazë, ngase i kishte ardhur në majë të hundës se sa keq silleshin me gurët e me turrën e dërrasave të palatuara, e më tregoi atë ditë edhe papafingon që shikonte nga liqeri, një dhomë e vogël ku ai parashihte vendin ideal të shkrimtarisë arratiake. S’do ta harroj kurrë si u var prej të qeshurës së tij buçitëse mbi parvazin ende pa dritare, kur i thashë këtë e paske bërë për t’ia dhënë vetes me një krisëm të thatë teksa mbi liqer ka rënë muzgu i thellë e dëgjohen së largu krrakrrakrratë e zgalemëve të errësirës. Hyri kësisoj Kërcitja e Thatë në lumin e shakave tona ku na bashkangjitej hera – herës për lundrim edhe Kujtim Spahiu, miku i pandashëm i fëmijërisë së Danit, kitarristi i famshëm i petroninsave të Maturës ’72, në një trio që mbante me barkun në dorë prej të qeshurave shpërthyese tavolinat e ziafeteve tona të herahershme me miq. Madje para ca vitesh, në një artikull therës të radhës mbi masakrën mjedisore doktori e pat përdorur në fund Krismën e Thatë dhe, si fare rrallë për shkrimet e veta, më pat marrë në telefon për të më thënë duke qeshur, lexoje lexoje se do kënaqesh andej nga fundi po s’u kënaqe që nga fillimi.
Kishte shumë të mira doktor Klosi, shumë punë të mira bëri e shumë të tjera u mundua të bënte pa i’a dalë dot, kështu që e di fort mirë se s’do t’i pengonja assesi njerëzit e zgjuar ta lëvdojnë për bëmat e tij në këtë ditë të shakasë së vet më të rëndë dhe prandaj as mundimin nuk do ta marr sado të më mërzitet, le të ngrihet e t’ua thotë vetë pot ë dojë lermëni rehat, por duke e mbajtur fjalën e dhënë për të mos e lëvduar unë vetë në ikje të tij nuk rrinj dot pa e treguar, jo për ta lëvduar jo, një të mirë që s’besoj se do t’ia vërë kush në dukje ngase pakkush e ka njohur prej fare afër siç unë pata fatin. Eshtë një e mirë e rrallë, shumë e rrallë, e mira e mendjeve të bekuara prej një bujarie të rrallë të perëndisë, që rrallë shumë e kam ndeshur në këtë jetë edhe pse jo rrallë jeta ma ka sjellë të takonj njerëz mendjendritur, e mira e një ane tjetër të sensit të lindur të ironisë që sivëllai im i shtrenjtë e kishte me pash. Ironizimi i vetvetes, material i rrallë e prandaj fort i çmuar i minierës së mendjes njerëzore, që i jep njeriut të bekuar me këtë pasuri fuqinë e jashtëzakonshme të të mospasurit kurrë frikë nga frika e as nga vdekja, të të qenit gjithnjë i lehtë pupël prej vetëdijes së përkohshmërisë mbi këtë tokë dhe ndaj edhe asnjëherë ngurrues për t’u përballur sy më sy me idiotësinë njerëzore apo për ta refuzuar me shpoti banalitetin e së përditshmes, e sidomos i jep fuqinë e të bërit pafundësisht xhibla me vdekjen si në një lojë kukamçefthi brenda mendjes.
Ishte gjenuin doktori në gjithçka bënte po edhe në gjithçka ëndërronte për këtë vend, e donte Shqipërinë pa hile, i’a donte historinë këtij dheu pa lajlet e lujlet e mbivendosura mbi lëkurën e vet si makijazhe vulgare, i’a donte deri thellë në zemër bukuritë e vrazhda e prandaj u dha prej vitesh me të gjithë fuqinë e qënies së  brishtë në mbrojtjen e tyre prej furisë barbare mbi Shqipëri, i’a donte të tëra hiret gjuhës shqipe ai e kështu ndodhi që u përpoq shumë qysh në krye të herës të shtonte diçka të vyer në vandakun e letrave të saj, i donte si nuk i donte edhe njerëzit Dani, i donte në mënyrën e tij dhe them se i donte më shumë se shumë ndër ata që dashurinë për tjetrin dinë ta nxjerrin lehtësisht në sipërfaqe ndryshe nga ai. Por mbi të gjitha Dani ishte gjenuin në të jetuarit e jetës si një mundësi që duhet marrë seriozisht, po pa e marrë veten aq seriozisht sa të jepesh pas kotësive të kësaj bote derisa të harrosh se në këtë botë ke ardhur për të menduar, kuptuar, dhënë dashuri e mund, qeshur dhe ikur duke jetuar, jo për të marrë më shumë e më shumë dhe ende më shumë akoma se ç’të duhet dhe për të ndenjur mbi tokë përjetësisht, e prandaj edhe shakanë më të madhe ai nuk e bëri me tjetërkënd po me veten, dhe nuk e bëri vetëm po bashkë me vdekjen, të cilën në fund e talli keq duke i dhënë fund kukamçefthit me të pa lejuar që ditën e hyrjes në shtëpinë e fundme ta vendoste ajo, Madhëria e Gjithëfuqishme mbi kohën, e jo ai, doktor Klosi, vdekëtari i gjithëvetëdijshëm për përkohshmërinë e vet.
Nuk e di doktor a i qëndrova deri këtu ekzigjencës sate të vjetër për mos të të lëvduar nëse ti do të ikje i pari, por një gjë duhet ta dish Dan, me këtë shaka të rëndë plumb që bëre do ta kesh të pamundur përgjithnjë të harrohesh këtyre anëve për punët e mira që bëre siç unë e di fort mirë se ti do të kishe dëshiruar në fakt të ndodhte. E tani lejomë të të them edhe diçka tjetër, mua vetë ma ke punuar keq fare sot duke ma bërë të pamundur të të kërkoj mendim për çka kam shkruar për ty, siç bëja gjithnjë për skripturat më të posaçme dhe siç nuk do të bëj më dot kurrë paskëtaj kur në mbarim të çdo skripture nga ato që lypin dritën e syve të tu në fund, do të më dërgosh vetëm jehonën e të qeshurës së tallaztë të Papafingos së Krismës së Thatë në vend të vërejtjeve të tua prej ustai të dorës më të parë. Dhe më e tmerrshmja është se sipas teje, do të duhet të qesh edhe unë njësoj si atë ditë atje buzë parvazit e si ngahera xhanëm me ty. Po s’do ta bëj dot më tani që s’je, e di pse? Sepse, mes ne të dyve, më i miri për ta merituar jetën po edhe ai i patrembshmi nga hija e vdekjes ishe ti sivëllai im.
Me lotë të urryer në sy, të dëshiroj me të gjitha fuqitë e shpirtit që atje ku tanimë ke mbërritur doktor Klosi, të gjesh përveç mungesës së shumëpritur të vulgaritetit e të plehrave të kësaj bote, një e nga një edhe të gjithë ata që me dhuntitë e tua i ringjalle apo ëndërroje t’i ringjallje përmes shqipes sate të mrekullueshme. 

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk