Bojken Lako: Me “Grifshat” eksperimentoj dhe ndryshoj dhe veten!


Ilda Lumani
Gjithmonë vjen me risi në tregun muzikor. Vetëm pak ditë më parë në radiot e kryeqytetit janë prezantuar tre këngët e tij të reja që do të jenë pjesë e albumit të ri “Bojken Lako dhe Brezat”. Ndërkaq, prej kohësh, ai njihet edhe si mentor i një nga grupeve më interesantë, siç është ai “Grifshat”. Puna më e fundit e tyre është kënga “Në pafundësi” konkurruese në festivalin “Top Fest”. Por kantautori i mirënjohur i muzikës rock, Bojken Lako, do të na sjellë një surprizë këtë të diel në spektaklin “X Factor Albania”, ku është i ftuar special. Do të sjellë një këngë të krijuar prej tij 20 vjet më parë, “Bullet on your tang”, e cila këtë herë do të interpretohet nga “Brezat”!
Bojken, sapo keni publikuar tre këngë të reja. Si është bërë shpërndarja e tyre?
Po, janë tre këngë, që i kam nxjerrë në radio, janë këngë të një albumi të ri që do të dalë në qershor. Këngët janë gjysmë elektronike dhe gjysmë rock. Bëhet fjalë për këngën “Të zakonshëm”, “Tirana” që doli në verën e shkuar dhe “Love, love, love”. Tre këngë që vijnë këtë herë në një variant elektronik. Në fakt, përsos këtyre këngëve, në këtë frymë është gjithë albumi, “Bojken Lako dhe Brezat”. Këngët e albumit janë punuar me Trim Radojën, në orkestrim dhe muzikë “live”, sepse është i orientuar tek muzika elektronike. Ndërkaq, kënga “Të zakonshëm” do të shoqërohet edhe me klip më vonë.
Prezantoheni me këngën “Në pafundësi” që interpretohet nga grupi “Grifshat” në Festival. Si i gërshetoni shijet tuaja muzikore, duke qenë se jeni dy breza të ndryshëm?
Nga puna që po bëjmë tani jam i kënaqur se i rrahim mendimet dhe në përfundim vendosim së bashku, pra funksionon ideja e “Brezave”. Në albumin që do të nxjerrim do ta vërtetojmë mjaft mirë këtë.
Është më tepër fryt i një pune të gjatë që nuk nis me një këngë, por nis në studio, me kohë, duke njohur këta muzikantë të rinj. Duke parë talentin tek ata dhe duke dashur të bëhet një gjë më e përzier mes shijes së brezave dhe tingullit që shoqëron brezat. Për shembull, tingulli që më ka shoqëruar mua 16 vjeç ka qenë tjetër me atë që shoqëronte adoleshencën në vitet 2000, sot gjithashtu është tjetër. Është një bashkim tingujsh, miks i kulturave dhe tingujve folk, rock dhe elektronike, që nxjerr një produkt interesant dhe të veçantë.
Merrni ju më shumë nga të rinjtë apo ata nga ju?
Marrëdhënia është e ndërsjellë. Është një kërkesë e brendshme e imja për të ndryshuar edhe unë vetë, për të qenë në kohë dhe duke dashur të eksperimentoj dhe të ndryshoj vetë.
Nga vetë artistët thuhet që albumet nuk shiten. Atëherë, a ia vlen që të publikosh një album?
Ia vlen, jo për fitime, sepse edhe sot në botë artistët nuk fitojnë nga albumet, por fitojnë nga koncertet. Është koha e internetit që e ka dëmtuar shijen e muzikës dhe shpërndarjen e muzikës. Megjithatë, për mua, albumi është konkretizim i punës dhe prezantimi i diçkaje të re dhe të denjë në muzikë.
Këtë të diel do të merrni pjesë si i ftuar special në “X Factor Albania”. Me çfarë do të prezantoheni?
Do të jetë kënga “Bullet in your tang”. Kjo këngë është kompozuar nga unë në vitin ‘92. Çuditërisht, unë nuk e kam futur në asnjë album, pavarësisht se e kam kënduar në çdo koncert. Është incizuar në disa variante, në vitin ‘96 dhe para 2 vjetësh ishte pjesë albumit “Paramoto”, e grupit “Banda Adriatica”. Është një këngë anglisht që është luajtur dhe cover nga grupe të tjera. Është një nga këngët e mia më të vjetra dhe e kthej në bashkëpunimin me “Brezat”. Shpresoj të mirëpritet!
Çfarë simbolike ka kënga që e bën të ketë vlerë edhe 20 vjet pas krijimit të saj?
Është shkruar për një personazh simbol që ka shoqëruar adoleshencën time që është njeriu që nuk mund të flasë dhe të shprehet, është këngë pas viteve të diktaturës. Kjo këngë ka disa vargje që mua më kanë shoqëruar në çdo këngë gati-gati. “Mundohu të rebelosh/ kur askush nuk të shikon”. Kjo është pjesë e filozofisë që e kam përdorur edhe në këngë të tjera.
Me të drejtë mund të cilësoheni mentori i grupit “Grifshat”. Çfarë e bën të veçantë këtë grup dhe këngën e re “Në pafundësi”?
Së pari, nga ana ime është bashkimi i disa talenteve, ata vetë kanë qenë elementë që unë i kam gjetur gati. Janë njerëz që i kam bashkuar. Unë dua të vlerësohet fryma e të gjithë këtyre vajzave që kanë prirjet e veta muzikore dhe që bashkohen, pasi janë të rrymave të ndryshme, dhe për mua është kënaqësi që të vlerësohet ky bend. Unë i pyes shumë, flasim shumë para se të regjistrohen këngët, nëse ato kanë propozime për të futur elementë të rinj në një këngë, unë jam shumë i hapur dhe mendoj që ia kemi arritur në këtë punën tonë të fundit të sjellim një bandë të mirë. Ka qenë ideja e grupit që kënga të ishte baladë dhe elektronike dhe “Në pafundësi” është e tillë.
A mendoni se gjykimi i jurive është gjithmonë i drejtë?
Gjykimi i profesionistëve të vërtetë mendoj se është gjithmonë i drejtë. Ata që nuk vlerësojnë drejt në festivale nuk janë profesionistë, por mendoj se me eksperiencën në fushës së muzikës, sukses është kur kënga bëhet hit, kur kënga mbetet në memorien e njerëzve dhe çfarë vlere merr ajo në kohë. Unë nuk mërzitem nga gjykimi i momentit, pasi këngët ngelen dhe unë jam i kënaqur me çfarë kam bërë deri më tani.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk