Bujar Kapexhiu: Amaneti i fundit i Ferdinand Radit
Sa herë që i afrohej grumbullit të dosjeve në raftin e
bibliotekës që të kërkonte ndonjë material, dora i prekte gjithmonë dosjen me
etiketën e vendosur në qoshe: “Humor nga Ferdinand Radi”. Aty ndalonte një çast. Dora rrinte pa lëvizur
mbi kapak. Edhe ritmi i frymëmarrjes i ndryshonte. “Kur? – pyeste veten. Kur do
mundem ta botoj?” Dhe ja erdhi momenti që Bujar Kapexhiu të përmbushte amanetin
e fundit të mikut të tij, aktorit të njohur, dramaturgut dhe humoristit
Ferdinand Radi. Libri “Menu me barcaleta për të gjitha gustot” sapo ka dalë në
treg. Për Bujar Kapexhiun që ka ilustruar mrekullisht librin me karikaturat e
tij, ky ishte plotësimi i amanetit të mikut të skenës dhe humorit.
Çfarë është ky libër
që ju e konsideroni si amanetin e fundit të aktorit Ferdinand Radi?
Ky është një libër që gjithkujt që e lexon do t’i dhurojë
buzëqeshje. Dhe erdhi momenti dhe libri u botua falë kontributit të biznesmenit
Dofë Doçi, i cili menjëherë e përkrahu idenë time për ta përmbushur amanetit e
fundit të Ferdinand Radit.
Ky është dorëshkrimi
i fundit i tij apo ka dhe të tjera?
Nuk besoj se ka dorëshkrime të tjera. Ky është dorëshkrimi i
fundit që ka lënë pas Nandi. Nuk arriti dot të shkruante më. Unë mora aq sa ai
arriti të shkruante deri në fund të jetës. Ai e priste librin të dilte, por nuk
arriti ta shihte. Prandaj unë ndjej shumë kënaqësi sot që libri u botua.
Libri është ilustruar
nga karikatura të realizuara prej jush, ku në qendër të të gjithë personazheve
është e njëjta figurë, ajo e Ferdinand Radit, por herë si kuzhinier, herë si
statuja e lirisë, herë si kërmill, boksier etj. Kjo është e qëllimshme nga ana
juaj?
Unë gjeta variantin që të gjitha personazhet e barcaletave
të shkruara prej tij t’u vija fytyrën e Nandit. Po të shihni librin, ai është
vizatuar si ambasador, kuzhinier, prift, Skënderbe, kërmill, politikan etj. Në
të gjitha idetë që kam pasur për të vizatuar këto karikatura jam frymëzuar
pikërisht nga barcaletat e tij. Të gjithë këta janë personazhe humori në këtë
libër të shkruar prej Nandit, ku ai thumbon me humorin.
Shumë barcaleta janë
vërtet thumbuese, madje dhe politikisht. Këto janë shkruar para apo pas viteve
’90?
Këto që janë në libër janë shkruar pas viteve ’90. Humori i
tij gjithmonë ishte shumë goditës dhe herë pas here shumë i ashpër, sidomos me
politikanët, por dhe kundër diktaturës. Ka qenë një nga njerëzit e parë që ka
folur për lirinë, për demokracinë. Vinte nga një familje e persekutuar dhe u
aktivizua kundër diktaturës që në vitet e para.
A kishit vështirësi
për ta skalitur figurën e tij në karikaturë?
Jo, ai ishte tip që realizohej shumë me lehtësi. Në
karikaturë ka tipa që është vështirë t’u bësh karikaturë, sepse kanë disa
tipare të rregullta që nuk spikasin, si në një fotografi, dhe s’kanë asgjë të
veçantë. Kurse Nandi kishte tipare që spikasnin, trupmadh, hundën të mbledhur,
flokë të rëna. Pra ishte shumë kollaj për t’u kapur në karikaturë si personazh.
I pëlqenin
karikaturat tuaja, nuk kishte hatërmbetje për ndonjërën prej tyre?
Padyshim që i pëlqenin karikaturat e mia. Ai më kërkonte dhe
kishte nga një kopje për çdo karikaturë. Ai ishte një natyrë që e pranonte
shumë humorin. Madje bënte humor dhe me veten. Bukuria e tij këtu qëndronte se
fillimisht tallej me veten dhe bënte humor me veten, pastaj me të tjerët.
Ky është libri i parë
i tij me barcaleta?
Ky është i dyti dhe i fundit fatkeqësisht. Unë me Nandin e
kemi filluar bashkëpunimin shumë e shumë vite më parë, kur ai më shprehu
dëshirën se donte të botonte një libër me anekdota. Më propozoi që kopertinën e
librit t’ia bëja unë. Libri i parë pati shumë sukses dhe kështu ne të dy nisëm
punën për librin e dytë, të cilin ai nuk arriti ta shihte të botuar, e që unë e
sjell tani për lexuesin shqiptar. Gjatë kohës që po përgatisnim pikërisht këtë
libër të dytë ai u largua nga kjo jetë dhe ky libër për mua mbeti si amaneti i
tij i fundit.
Promovimin e librit do ta organizojmë shumë shpejt, ndoshta
në Teatrin Metropol. E kam konceptuar si një spektakël, ku aktorët të
interpretojnë për publikun disa nga barcaletat që janë botuar në libër,
shoqëruar sigurisht në sfond edhe me karikaturat që ilustrojnë librin.
Si e keni njohur
Ferdinand Radin?
Ferdinandi ka qenë specialist në fabrikën “Partizani”, por
ishte shumë i pasionuar pas teatrit dhe sportit. Gjithmonë aktivizohej me
grupet teatrore, në festivale të ndryshme, ku ka fituar edhe çmime. Ka qenë
aktor dhe dramaturg. Ishte Kujtim Spahivogli ai që e spikati Nandin si talent
dhe e mori me teatrin e të rinjve pranë Akademisë së Arteve. Pas kësaj u
angazhua me shumë filma dhe së fundmi ishte aktor në Teatrin Kombëtar. Unë e
kam njohur në teatër. Ai na bashkoi atë si aktor e mua si regjisor. Një miqësi
që zgjati deri ditën e fundit.
Aida Tuci
Mapo
Comments
Post a Comment