Ema Qazimi: Estrada, një pasuri që u duhet kthyer artistëve


Yllka Selita
Ema Qazimi, artiste këngëtare e mirënjohur e skenës shqiptare, e suksesshme, me një
karrierë të pasur muzikore mbi dyzet vjet në skenë, filloi të këndojë që në moshë
të re në fundvitet 60-të dhe ekzaktësisht në vitin 1968, në skenën e Estradës së Shtetit dhe më pas duke u ngjitur në skenën e madhe të aktivitetit më të rëndësishëm kulturor të vitit në atë kohë, Festivali Kombëtar i Këngës së Lehtë Shqiptare në Radio, më
vonë në Radiotelevizion. Ema Qazimi në atë kohë ishte një vajzë 14-të vjeçare, kur kompozitori i mirënjohur Avni Mula do t'i besonte  këngën e tij: "Letër Nënës" 
Që nga ajo kohë, artistja e vogël në moshë, por e madhe në zë, në shpirt dhe në talent,
do të udhëtonte pa u ndalur për dyzet vjet me radhë në udhën e bukur e të gjatë të
këngës dhe duke u nderuar në vitin 2010 me titullin ”Mjeshtre e madhe e Punës”. Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë” kujton me mall ngjitjen e parë në skenë dhe shpreh dhimbjen e saj që Estrada është mbyllur pasi mendon se është një pasuri që ju duhet kthyer artistëve dhe brezave të rinj.

Para disa ditësh ju u mblodhët për të përkujtuar 60 vjetorin e krijimit të Estradës. Si ndjetë në këtë përvjetor?
Ndjehem shumë e emocionuar, kërkoj me sy gjithë kolegët e mi, të cilët kanë kontribuar me vite këtu, dhe më vjen keq sepse shumica janë shkëputur, pasi ky institucion ka pushuar së qeni që në 2005, por unë do të doja  që të falënderoja Suela Konjarin, drejtoreshën e Qendrës Kulturore Tirana që  krijoi këtë mundësi dhe sikur po e sensibilizon paksa opinionin, sepse kjo trupë ka ekzistuar për 60 vjet dhe ka qenë shumë e suksesshme. Këtu kanë debutuar artistë nga më të mirët dhe nga e gjithë Shqipëria.
Në cilin vit ka qenë ngjitja jua e  parë në skenën e Estradës?
Në vitin 1968 në moshën 14 vjecare kam ardhur për herë të parë, më pas e kam frekuentuar vazhdimisht derisa në vitin 1982 unë u bëra këngëtare definitive në Estradën e Shtetit. Më pas në vitin 1985 bëra edhe koncertin tim të parë recital me 30 shfaqje në të gjithë territorin e Shqipërisë por numrin më të madh të shfaqjeve sigurisht që e dhamë në Tiranë. Kam kujtime shumë të bukura me këtë trup.
Çfarë ndodhi me ju, pasi u mbyll Estrada?
Unë momentalisht jam e aktivizuar në Qendrën Kulturore “Tirana”, pasi më duhet edhe disa vite punë për të dalë në pension, sigurisht që jap atë kontributin tim modest, por do të thosha së trupa e Estradë duhet të ringrihet, sepse ka kaq shumë artistë të rinj që dua të afirmohen dhe ka shumë talente qoftë të zhanrit të humorit, qoftë këngëtarë, të cilët mezi presin që të kenë një vend ku të performojnë, pasi Estrada është një pasuri që u duhet kthyer artistëve dhe mbi të gjitha brezave të rinj. Më vjen vërtet keq se nëpër rrethe këto trupa funksionojnë ende.
Keni një periudhë që jeni shkëputur nga skena e festivaleve, a e ndjeni mungesën?
Sigurisht që e ndjej mungesën e skenës së festivaleve, por koha bën të vetën, dhe ne duhet t’u lemë radhën të rinjve. Unë I ndjek dhe shoh se ka shumë zëra të mirë sot. Por është shumë e vështirë që të vetëmenaxhohen, pasi unë mendoj se nuk ka asgjë që atë provojnë dhe që  ka shumë prurje, sepse skenë arrin që të bëjë vetë seleksionimin, do të thosha se më e rëndësishmja sot është ngritja e agjencive të menaxhimit. Sepse atëherë ne menaxhoheshim nga shteti dhe  kishim drejtues që bënin një plan e programe. Ndërsa sot gjithçka është privatisht.
A do të ringjiteshit përsëri në skenë për të performuar apo ndoshta të riktheheshit me një recital tuajin?
Jo nuk e kam menduar, por gjithsesi unë i qëndroj atyre që thash më lart, se sot është radha e të rinjve.
Ju keni kënduar një duet me vajzën tuaj një festival, a vazhdon ende ajo të merret me këngën?
Vajza ime ka marrë një drejtim krejt tjetër dhe ajo ngjitje në skenë ishte thjesht një dëshirë e jona e kahershme dhe asgjë më shumë. Ajo ka ndjekur tjetër rrugë. Ka studiuar për piano, ka mbaruar masterin teori muzike, dhe tashmë punon në Zvicër. Ishte një ide e Ardit Gjebresë që ne të bënim një duet tek “Kënga Magjike”, një duet që u mirëprit, por vajza nuk donte të vazhdonte më tej se e ndjente që s’kishte atë që ajo kërkonte tek vetja. Të jesh fëmijë i një artisti është e vështirë, të formosh shpejt personalitetin tënd të veçantë. Kjo sepse të ndjek hija e prindit dhe nuk të shohin si individ më vete, pra është e vështirë të formosh portretin tënd. Ndaj Eshela zgjodhi rrugën e muzikës jo të këngës.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk