Ferdinand Radi vjen mes miqve të kinemasë dhe humorit

“Unë vetë besoj shumë në humorin e popullit tim, atë e kam hasur kudo në jetë, në bejtet shkodrane, të cilat për mua janë ‘Iliadat’ shqiptare, në këngët polifonike të Jugut apo rapsoditë e Veriut…”. Ky do të ishte “testamenti” artistik i Ferdinand Radit, miqtë e të cilit mblidhen sot në kinemanë e Arkivit të Filmit për të festuar 70-vjetorin e lindjes së aktorit. Përveç montazhit me rolet e tij në kinematografi, me këtë rast do të promovohet edhe libri “Meny me barcaleta për të gjitha gustot”, një amanet i aktorit, realizuar nga miku i tij, Bujar Kapexhiu. “Siç thotë një shkrimtar: Fjala dallohet nga tri karakteristika: është shumë e lehtë, është në lëvizje, është mjet informacioni. Te Ferdinand Radi, të tira karakteristikat e fjalës përcjellin një interes të veçantë stilistik dhe strukturor, rimtin e humorit, ekonominë e humorit dhe logjikën alogjike të humorit”, – kështu shkruan për librin që sapo ka dalë në treg shkrimtari Dritëro Agolli. Pjesë nga ‘Barcaletat e të gjitha gustove’ do të lexohen edhe në këtë 70-vjetor të artistit, nga miqtë dhe kolegët e tij që do të jenë të pranishëm në këtë aktivitet. “Shakaja e zgjuar në humorin e Nand Radit, kur ka sadopak shijen e pelinit bëhet ilaç. Dhe për këtë ilaç, s’ka nevojë vetëm një njeri, por një shoqëri, e sidomos kjo e jona”, – thotë regjisori Dhimitër Xhuvani, një prej miqve të aktorit. Ferdinand Radi u lind në Durrës, në 29 gusht 1942. Ai ishte nipi i Vinçens Prenushit nga nëna, e i Lazër Radit nga babai. Në vitet e shkollës ai shquhej për humorin e tij të hollë. Ishte i shkathët, i fuqishëm dhe merrej edhe me sport. Fillimet e veta Radi i ka në sportin e futbollit, ku nga viti 1958 deri në vitin 1962 luajti me ekipin e parë të Dinamos, derisa mbaroi shkollën e mesme, por që në një moment iu desh të zgjidhte midis sportit dhe artit. Vendosi t’i përkushtohej artit falë ndihmës dhe njohjes me Kujtim Spahivoglin, njohje nga e cila do të kushtëzohej më pas vetë jeta e Ferdinand Radit. Spahivogli u bë shoku dhe miku i tij më i ngushtë, i cili ndikoi drejtpërdrejt në formimin e tij artistik. Në karrierën artistike ka realizuar role si në teatër ashtu edhe në kinematografi. Në teatër ka spikatur në “Vizita e damës plakë”, “Ezopi”, “Rikardi III” etj., ku shquhet për role të veçanta karakteri. Ndërsa në kinema ka interpretuar me mjeshtëri figura e tipa që mbahen mend nga publiku edhe pse role dytësore, si Zani te filmi televiziv “I Treti”; te filmi “Kur zbardhi një ditë”, kapter Mevlani te “Historiani dhe kameleonët”; Sejmeni te “Balada e Kurbinit”; arixhiu te “Vdekja e kalit”, si dhe roli i fundit i Mishariut në filmin “Nata”.
Mapo

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk