Natasha Sela: Artisti flet në skenë, jo në jetë
Nga Izaura Ndoj
Një shtrat dhe tetë persona. Një
shtrat dhe shumë ëndrra. Një shtrat dhe shumë dashuri… “Ëndrra në papafingo”, me
regji të Erion Isait, është një shfaqje e një stili të veçantë, ku nuk kemi një
grup statik personazhesh nga fillimi në fund. Janë 8 aktorë që veshin dhe
zhveshin lëkura të shumë personazheve. Dramaturgjia nuk është një e tërë, me të
njëjtët personazhe, me të njëjtën problematikë e me të njëjtin bosht. Në një
intervistë për “Koha Jonë”, aktorja Natsha Sela rrëfen rikthimin e saj në skenë,
bashkëpunimin me këta aktorë të rinj, si dhe punën e saj ndër vite. Në këtë
komedi përmblidhen “Ëndrrat e një nate vere” nga William Shekspir, “Dialogje
dhe mologje” të krijuara enkas për këtë shfaqje, si dhe nga kryevepra botërore
“Dekameroni”, e Xhovani Bokaços dhe një fragment i dramatizuar. Personazhet e
përzgjedhur edhe falë një audicioni zhvilluar kohë më parë, janë aktorët
Natasha Sela, Kastriot Rramollari, Albana Sançolli, Ajlin Petrela, Lorenc Kaja,
Denis Kurushi, Olta Çali dhe Klesta Shero. Sipas regjisorit, këto personazhe
vijnë me një stil të veçantë, pasi shpeshherë dalin nga lëkura e tyre dhe
tregojnë qëndrimin e tyre personal si aktorë. “Ata kulmojnë me karakteret
gjeniale të Shekspirit. Aty ku një marangoz, një endës, një ndreqës gjyrykësh,
një rrobaqepës etj., mblidhen për të krijuar një tragjedi, atë të Piramit dhe
Tizbës. Kjo ëndërr e tyre e madhe për të “shokuar” publikun me një tragjedi rrëqethëse,
duke mos ditur se si bëhet, i bën ata superkomik”, - thotë regjisori. Një pikë
tjetër e fortë është përfshirja që i bëjnë aktorët publikut. Në këtë shfaqje,
publiku jo vetëm do të shijojë lojën e aktorëve, por shpesh do të bëhen pjesë e
kësaj komedie nëpërmjet aktorëve në situatat që ata kanë. E gjithë shfaqja
është punuar nën drejtimin artistik të Suela Konjarit. Asistent regjisor Amos
Zaharia. Redaktore Doloreza Rrapollari dhe koordinatore Hesiona Dërmishi.
Kohëzgjatja rreth 100 min. Shfaqja do të jepet në datat 6, 12, 13 maj, salla
“Shekspir” ora 20:00.
Natasha riktheheni në Qendrën Kulturore Tirana me multikomedinë “Ëndrra
në papafingo”. Si ndjeheni?
Në këtë spektakël kam disa role,
filloj që nga ëndrra që jemi të shtrirë në krevat, pastaj kemi murgesha dhe në
fund “Ëndrra e një nate vere”. Të gjitha këto role, në këtë multikomedi janë
role të larmishme, janë të mrekullueshme dhe për këtë arsye mendoj që kemi bërë
diçka. Në këtë shfaqje, publiku jo vetëm do të shijojë lojën e aktorëve, por
shpesh do të bëhen pjesë e kësaj komedie nëpërmjet aktorëve në situatat që ata
kanë.
“Ëndrra e një nate vere”, ju ka falur një rol maskilist përballë
publikut. Është hera e parë që eksperimentoni një vepër të Shekspirit?
Tek pjesa “Ëndrra e një nate
vere” kam rolin e një burri. E veçanta për mua është se nuk është se e në këtë
pjesë kam pasur ndonjë rol gjatë karrierës sime artistike, por ky është një rol
i plotë dhe për faktin se është një vepër e Shekspirit dhe bën fjalë për një
grup amatorësh që duan të bëjnë një shfaqje, poeti gjen disa miq të tij dhe i
ndihmon. Sigurisht që këta aktorë nuk janë të përsosur, por janë një grup zanatçinjsh
ku njëri është i mefshtë, tjetri ekspresiv dhe roli i Piramit që kam unë është
një rol me shumë temperament dhe shumë ekspresiv, gjithnjë mendon se ky di më
shumë se të tjerët, është i gatshëm të bëjë çdo rol që ka vepra.
Ky rikthim erdhi falë bashkëpunimit me regjisorin dhe aktorët e rinj.
Ju si e ndjeni veten mes entuziazmit të tyre?
Për sa i përket regjisorit mendoj
se aftësia dhe vrulli në punë janë dobitë e tij. Mendoja se nuk do t’i arrija
dot, por jo, të rinjtë të japin energji, të bëjnë të ëndërrosh në skenë dhe të
japin nga energjia e tyre. Sigurisht, ata na ndihmojnë ne dhe ne japim
eksperiencën tonë tek ata. Këta të rinj, jo vetëm që janë të talentuar, por
janë djem dhe vajza të mrekullueshëm që e duan skenën po me të njëjtin pasion që
ne e kemi dashur në fillimet tona.
Dramaturgjia nuk është një e tërë, me të njëjtët personazhe, me të
njëjtën problematikë e me të njëjtin bosht...
Pa diskutim që kjo pjesë mban
brenda saj tri fragmente. Për sa i përket pjesës së murgeshave, mua më është
besuar roli i kryemurgeshës dhe në çdo minutë gjendemi përballë flirtit me
priftin që i është besuar Kastriot Ramollarit. Por, duhet theksuar se ky
flirtim është shumë i matur, nuk është i ekspozuar në detaje të veçanta.
Si e kujtoni rolin tuaj të parë në skenë duke ditur që për 22 vjet keni
qenë pjesë e teatrit “Bylis” në Fier?
Në teatër kam pasur një rol tek
“Zonja nga qyteti”. Ka qenë një moment i veçantë, pasi e ftuar në këtë shfaqje
ka qenë Violeta Manushi në teatrin e Fierit. Përveç këtij roli kam vendosur një
seri rolesh gjatë 22 viteve karrierë si aktore e këtij teatri. Pas teatrit, në
vitin 1995, jam emëruar në Estradën e Tiranës deri në momentin që u shkri.
Momentalisht jam pjesë në Qendrën Kulturore në Ministrinë e Mbrojtjes. Në këtë fushë
ndjehem mirë, pasi jam specialiste aktrimi ku punoj me fëmijët e ushtarakëve.
Ju kemi parë mes teatrit dhe filmit. Ku e ndjeni më mirë veten?
Teatri është ai që më fal më shumë
emocion dhe për faktin se komedinë e kam më për zemër. Ndërsa, filmi më bën të
ndjehem komode sidomos në filmin “Njerëz dhe fate” me rolin e Bedries, ishte një
personazh i popullit. Por, ajo që dua të theksoj është se artistët flasin në
skenë, jo në jetë.
Një familje, dy artistë në jetë por, a keni menduar ndonjëherë të
realizoni një pjesë përkrah Fatosit?
Jo, në fakt, nuk e kam menduar.
Sigurisht që kemi punuar së bashku në teatrin e Fierit ku kemi vënë dhe shfaqje
së bashku, por momentalisht Fatosi është shumë i zënë me Teatrin dhe ne jemi të
ndarë në karrierën tonë, por nuk i dihet asnjëherë nuk thuhet kurrë.
Comments
Post a Comment