Rita Lati: Ëndrra ime, të luaj në skenë me Melpomeni Çobani



Yllka Selita
Emri i saj sot është në radhët ë aktorëve më të njohur. Ajo është aktorja e humorit Rita Lati, që ka sjellë buzëqeshje dhe gëzim në të gjitha familjet shqiptare. Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë” Lati rrëfen jetën e saj, si artiste por edhe detaje nga jeta private. Jashtë dritave të skenës ajo është po aq gazmore se edhe mbi të. Megjithëse ndihet e realizuar në jetën e saj, ajo ka një dëshirë. Një nga ëndrrat e saj më të mëdha është që të luaj në skenë me “Artisten e Popullit” Mepomeni Çobani.

Ju sot jeni nga emrat më të njohur të humorit shqiptar, çfarë kujtoni nga ngjitja juaj e parë në skenë?
Janë të shumta emocionet që të dhuron skena, por me qenë se po flasim për emocionet e mia të para do të kujtoja këtu mbrojtjen e diplomës me Estradën e Vlorës, pasi që prej aty unë nisa edhe karrierën time artistike, si aktore e kësaj trupe. Kanë qenë emocione të shumta me të gjitha premierat që luanim. E gjithë jeta ime artistike është e mbushur me emocione të forta. Jeta ka emocione të shumta, të mira dhe të këqija, por emocionet e skenës janë për mua ato që më mbajnë dhe me freskojnë gjithmonë.
Ju erdhët nga Estrada e qytetit të Vlorës në estradën e Tiranës, si u pritët nga koleget tuaja të reja?
Të them të drejtën, kur erdha gjeta pesë aktore femra aty dhe isha e tepërt. Kujtoj se nuk më pritën me ndonjë dëshirë të madhe Mbaj mend dhe që bënë sikur më folën dhe e ndjeja se, sipas atyre unë isha shumë e tepër. Por prioriteti im ishte parodia dhe unë vija nga një eksperiencë shumë e madhe në Estradën e Vlorës. Ishte pikërisht drejtori Sul Dibra, dhe mirënjohja ime është e pafund për të, ai që vendosi që edhe pse unë isha ende në Vlorë emërimi im kishte ardhur në Tiranë. Përkrahja e madhe e tij, por edhe e Vegim Xhanit dhe Vasillaq Vangjelit, mbi të cilët u mbështet karriera ime ato vite. Kjo ndihmë dhe natyrë ime, pasi unë jam shumë paqedashëse, i kaloj gjërat me shumë sportivitet, bwnw që të ambientohesha, të përshtatesha, edhe në një trupë të re. Nuk e di a më donin por unë i doja.
Sa është numri i roleve që keni luajtur ju me Estradën e Shtetit?
Nuk e di me saktësi se sa është numri i roleve të mia, por di të them se puna ime ka qenë shpesh në studiot e Saimir Çilit dhe Aleksandër Lalos, pasi parodia është e mbështetur gjithmonë në të kënduarit live.
Duke qenë se ju këndoni gjatë interpretimit të parodisë, pse nuk u bëtë një këngëtare e mirëfilltë?
Kam drejtuar një variete me Vegim Xhanin, e cila ishte edhe një provë për mua, pasi sapo kisha ardhur në Estradën e Tiranës. Hapjen e kompozoi Luan Zhegu dhe e shkroi Jorgo Papingji. Unë aty nuk bëja parodi, por këndoja vërtet “Mirëserdhët”. Kjo ishte një këngë e mirëfilltë dhe me nota shumë të larta. Kjo variete u vu në skenë nga Vasillaq Vangjeli dhe kujtoj se kur punoja me Luanin në piano. Ai më thoshte shpesh “Rita, ti mund të kapësh mikrofonin kur të duash dhe të bëhesh këngëtare”. Por në fakt kënga është pjesë e imja, pasi unë kam studiuar për kanto, pavarësisht se përfundova aktore. Por nëpër koncerte të ndryshme që bënim në turne, mbaj mend para shumë vitesh që shkuam në Amerikë kur shkoi Estrada, Sheri Mita, me këtë rast dua të ngushëlloj edhe familjen e tij, nuk më la fare që të luaja parodi por vetëm këndova, kështu që unë e kam provuar edhe që të jem një këngëtare e mirëfilltë.
Pra ju keni provuar edhe të këndoni, po çfarë ju ka mbajtur të lidhur pas aktrimit?
Por që në fëmijëri, mbaj mend se edhe pse më pëlqente shumë që të këndoja, po kaq dëshirë kisha edhe të recitoja. Pra kanë qenë dëshira shumë të mëdha. Sot megjithëse unë jam një aktore edhe kënga është brenda meje dhe nuk di të them se çfarë më ka mbajtur të lidhur pas aktrimit, sepse unë kam zgjedhur që t’i bëj të dyja, duke luajtur në parodi.
Si nis një ditë e juaja e zakonshme?
Unë zakonisht jam paksa gjumashe dhe zgjohem vonë nga gjumi, pastaj pi një kafe turke. Zakonisht për kafe nuk dalë asnjëherë jashtë, vetëm në rastet kur kam ndonjë obligim, përshembull kur duhet të dal për ndonjë intervistë, vetëm këto janë gjërat që më bëjnë të pi kafe jashtë paradite. Pastaj kam dëshirë që të gatuaj dhe mezi pres vajzën time Rozën. Pasdite zakonisht shoh televizor, pasi jam shumë e lidhur me televizionin, pra një jetë e qetë dhe kur kam prova, sigurisht që një pjesë të mirë të ditës ma zënë provat. Edhe kur jam në momente pauze, mezi pres shfaqen e radhës. Sapo kam ardhur nga Greqia dhe do të shkoj së shpejti me shfaqen në Australi.
Ju jeni shumë në formë këto kohë, a keni ju një sektet tuajin?
Unë sekrete kam shumë dhe nuk mund t’i them se ndryshe nuk do të ishin të tilla, (qesh). Bëj shaka, se unë jam një libër i hapur dhe nuk mbaj sekrete, sa i përket pyetjes suaj nuk kam ndonjë sekret. Wshtë gjenetike, megjithatë e ndjej se jam rrudhur paksa, kam shtuar dy kile, që më duhet urgjentisht t’i heq. Ndoshta këto janë komplekse që të gjitha femrat e moshës sime i kanë, pasi ne e kompleksojmë veten. Tek e fundit nëna ime më shihte si rritesha unë, unë po shoh si rritet vajza ime dhe këto janë etapa të jetës. Megjithatë unë mendoj se e dua shumë këtë Ritën që jam tani. Jam lodhur shumë në jetë dhe kam ardhur në një pikë relaksi dhe të shijoj mbi të gjitha punën, sepse është ajo që më mban dhe më jep forcë. Sigurisht që një pjesë e forcës sime është edhe Roza, që unë jam shumë e lumtur teksa e shoh ajo po del në jetë.
A ka trashëguar Roza talentin tuaj?
Roza është aktore e lindur, dhe e ka bërë aktrimin me mamin që ka në shtëpi. Por unë të them të vërtetën nuk desha që ajo të ndiqte Akademinë e Arteve për aktrim. Pasi ka ardhur një kohë tjetër dhe tregu sa vjen e bëhet edhe më i egër. Duke qenë vetë pjesë e këtij tregu, nuk doja që Roza të përballej me këto lloj sfidash, konkurrencën. Pasi ne vërtet kemi vënë një emër, por ishte edhe koha e tillë që na përkrahu. Unë i dhashë një profil tjetër, por falë aftësive të saj, ajo drejton një emision në një televizion dhe është në ekran për ditë. Sigurisht, ajo ka manieriat e saj aktoriale dhe Roza para shumë shikuesve tregon se është vajza e Ritës dhe është e talentuar.
Cili është stili juaj më i preferuar i veshjes?
Nuk e di, por mendoj se njeriu e përshtat ve stilin e të veshurit. Unë nuk ndjek shumë tendencat le të themi, pasi zgjedh që të vesh gjëra që e di se më shkojnë, që të ndjehem mirë dhe bukur. Për këtë, model kam pasur mamanë, e cila gjithmonë ka qenë shumë e kujdesshme që në atë kohë. Unë dua që të ndihem mirë, krenare, artiste, por njëkohësisht edhe nënë. Mendohem shumë para se të vesh apo të qep diçka. Kur shoh disa foto të miat në vite them, si jam veshur kështu, por mos harrojmë që kam qenë shumë e preferuar në atë kohë, më kanë parë dhe më kanë bërë komplimente dhe jam ndjerë e vlerësuar kur më kanë thënë që më pëlqen në këtë stil. Mendoj se shoqëria dhe fansat e mi më pëlqejnë kështu, me buzë shumë të kuqe edhe pse flokët tani i kam bërë të verdha, me atë stilin klasik në përgjithësi. Sportive unë e kam shumë të vështirë që të vishem, vetëm kur më duhet të ngas biçikletë.
Si janë marrëdhëniet e tua me Rozën ju jeni shoqe apo keni marrëdhënie mama- vajzë?
Është shumë e vështirë me këtë brezin e sotëm. Kam bërë edhe të egrën dhe kam bërtitur, e kam përkëdhelur aq shumë, apo edhe kur i kam bërtitur, pasi ka ikur unë kam qarë. Kam dashur që ti bëj të gjitha rolet, aq më tepër, të rritësh një fëmijë pa baba është edhe më e vështirë, pasi Roza ka ikur nga babai i saj 8 vjeçe. Pra i kam bërë të dyja rolet vetë, nëna ime thoshte gjithmonë liro- shtrëngo. Pra i kam bërë të dyja. Mos kujto se jam artiste dhe jam shumë tolerante, pasi jam artiste, po aq sa jam rritur edhe në Orikum. Kështu që edhe e kam lodhur Rozën, por edhe kënaqësi i kam dhënë shumë dhe ajo më vlerëson shumë për gjithçka. Roza është gjithçka për mua, është ajo që ma bën jetën më të bukur. Roza sot është 23 vjeç dhe unë jam shumë e lumtur që ajo ka dalë në jetë.
E keni menduar ndonjëherë se si do të reagoni kur Roza të vij dhe t’ju prezantojë shokun e jetës?
Po me pëlqeu, sigurisht që Roza do t’a kuptojë, se më njeh mirë, por si do që të jetë unë do ta respektojë se do të jetë zgjedhje e vajzës sime.
A keni menduar që të rindërtonit jetën tuaj me një mashkull në krahë?
S’kam menduar nuk mund të them, por ndihem e plotësuar me jetën time të ndërtuar në këtë formë. Punoj shumë dhe kam arritur diçka edhe kur kam menduar jam bërë prapë pishman dhe jam tërhequr, nuk e di. Unë ndihem shumë mirë kështu, mjafton që të më thonë të dua dhe të kam xhan dhe kam gjithë botën.
Cilat janë projektet e juaj më të afërta?
Pas një jave do të nisem për në Australi dhe kur të kthehem, do të fillojë sezonin veror dhe aktivitetet nëpër pistat verore. Kam edhe dy projekte, por që për momentin nuk do të doja që të jepja më shumë hollësira. Dhe ndoshta më pas do të bëj edhe unë pushimet.
A keni ju një peng profesional apo shpirtëror?
Dëshira ime më e madhe që më ka mbetur peng ishte që të luaja një rol me të madhen Melpomeni Çobani pasi unë e kam dhe e kam pasur idhull. Gjithmonë më është dukur një vullkan që shpërthente në skenë. Para pak ditësh festuam 60 vjetorin e Estradës dhe më kur e takova Melpomeni më tha; “ti më kujton veten time në skenë”. U lumturova shumë dhe ky është një peng që e kam në zemër. Dhe peng shpirtëror kam edhe që nuk i kam prindërit e mi për të më parë të realizuar. Do të doja ta falënderoja shumë nënë time dhe Zotin që më kanë dhënë këtë talent dhe mendoj se unë do të jem gjatë në skenë.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk