Robert Ndrenika: Te Doktor Shuster kam dhënë edhe nga vetja

Një komedi e trishtë e dramaturgut dhe regjisorit serb Dushan Kovaçeviç, “Doktor Shuster” ka tërhequr vëmendjen e regjisorit Spiro Duni për ta sjellë premierë në skenën e Teatrit Kombëtar. Arsyet se përse regjisori Duni zgjodhi pikërisht “Doktor Shusterin” nga gjithë krijimtaria e Kovaçeviçit ka qenë përsiatja e kësaj vepre me realitetin shqiptar. “Si regjisor bëra këtë përzgjedhje nga shumë vepra të suksesshme që ka ky autor, sepse mendova se për Shqipërinë kjo është vepra që flet më shumë, duke u nisur nga nëpërkëmbja që i ndodh njeriut nga ky post-komunizëm që është jo vetëm serb, por është dhe shqiptar, rumun apo bullgar. Nëpërkëmbja e njeriut që ka fatin e personazhit kryesor të kësaj vepre, që është Doktor Shuster, i cili merr një pension në këtë pseudo-demokraci aq sa nuk paguan dot as ngrohjen e shtëpisë. Përveç kësaj e pëlqeva veprën si tepër origjinale, ku protagonistë janë dy vëllezër, një motër e vëlla që mosha i ka bërë halucinantë dhe kanë humbur disi nga ky realitet. Si qenie shoqërore ne i ndeshim këto fenomene tek të gjithë baballarët dhe nënat tona.


Gjithë këtë traumë psikike, këtë nëpërkëmbje vlerash që ndodh në këto 22 vjet post-komunizëm. Gjithashtu ishte dhe një shqetësim i madh që ne hasim përditë sapo hapim gazetat në mëngjes, ku lexojmë veç kronika vrasjesh dhe përveç personazheve motër e vëlla kemi dhe dy vëllezër kriminelë që krimin e kanë sport. Besoj dhe kjo ka lidhje me Shqipërinë”, – tha regjisori Spiro Duni. Ai që ka folur më pak në gjithë këtë sipërmarrje është aktori Robert Ndrenika, por një ditë para premierës aktori i madh i skenës e sheh veten si para një provimi. “Për një aktor, çdo premierë është si një provim, kështu është dhe për mua përballë publikut”, – thotë ai. Ndërkohë që e ka dashur shumë këtë rol që në momentin e parë që ka lexuar “Doktor Shusterin” e përkthyer nga Timo Flloko. “Kjo është një pjesë ballkanike post-komuniste, që ndoshta të çon deri në pikëpyetje nëse u bë mirë apo jo kalimi nga ai sistem tek ky sistem. Ai sistem kishte disa të meta shumë të mëdha të një natyre tjetër, por ja që na doli se edhe ky sistem paska disa probleme, por të një natyre tjetër. Unë mbaj mend se kur ishim ne të rinj talleshim gjithmonë me kohën e Zogut dhe kurrë nuk e kritikonim sistemin në të cilin jetonim. Më kujtohet në atë kohë regjisori kosovar Abdurrahim Shala që erdhi në Shqipëri. “Bre burrë, – tha ai, – shkon në çdo vend të botës dhe je i lirë, e kur hyn në atdheun tand hapet një derë me tela me gjemba e kur del, prap mbyllet ajo derë me tela. Të nesërmen e kësaj që tha, e përcollën. Pra ajo që ne e themi artistikisht dhe ju përmes penës suaj është që të kritikosh dhe sistemin ku jeton, jo me qëllimin për ta goditur, por për ta përmirësuar. Në këtë pikë kemi qenë në një mendje me regjisorin dhe kjo është një temë ballkanike dhe shumë shqiptare që kritikon disa fenomene të këtij sistemi. Në këtë rol jam dhe unë, është eksperienca ime, gjithçka. Më pëlqeu ‘Doktor Shusteri’ që kur ma dha për ta lexuar të përkthyer Timo Flloko para disa vitesh dhe kur regjisori Spiro Duni më kërkoi bashkëpunimin, e pranova me shumë dëshirë. Sesa e kam realizuar, do ta shohë spektatori në premierën e ditës së enjte”, – thotë aktori Robert Ndrenika. Premiera e komedisë së trishtë “Doktor Shuster” do të jetë të enjten në Teatrin Kombëtar. Në role interpretojnë: Robert Ndrenika, Flutura Kureta, Olta Gixhari, Artan Imami, Mir Sina dhe Ogert Islami.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk