Wolfang Amadeus Mozart, shenjtori që ktheu muzikën në religjon
Wolfang Amadeus Mozart një nga muzikantët më brilantë që
bota ka njohur ndonjëherë. Mjeshtër me dhunti të veçanta që kompozoi gati në të
gjitha zhanret muzikore si dhe prodhoi një numër të madh veprash, pavarësisht
nga vdekja e tij e parakohshme në moshën 35 - vjeçare. Kombinimi i bukurisë
shkëlqyese të tingullit me elegancën klasike dhe perfeksionin teknik i bëri
veprat e tij të pavdekshme.
Moxarti lindi në Salzburg të Austrisë më 27 Janar të
1756-ës. Ai u pagëzua me emrin Johan Krisostomus Volfang Theofilos Moxart ku
nga greqishtja, Theofilos do të thotë «I dashur nga zoti». Më pas ky emër u
përdor në italisht Amadeo ose Amade (në Frëngjisht), që ishte dhe emri i tij i
preferuar. Gati të gjitha dokumentat zyrtarë të ruajtur mbajnë firmën “Amade”
Babai i tij, Leopold Moxart, ishte një kompozitor i njohur deri diku, një
violinist i shkëlqyer si dhe muzikant i oborrit të Kryepeshkopit të Salzburgut.
Leopoldi ishte gjithashtu autori i librit “Shkolla e
Violinës, një nga librat më të mirë të kohës për mësimin e violinës. Ana Maria
Pertl, nëna e Moxartit u martua me Leopoldin më 1947-ën dhe solli në jetë 6
fëmijë, prej të cilëve vetëm Moxarti dhe motra e tij 5 vjet më e madhe, Ana
Maria Nanerl, mbijetuan. Të dy fëmijët që në moshë të vogël shfaqën talent në
muzikë, kështu që Leopoldi filloi t’u kushtonte atyre kohë dhe energji për të
perfeksionuar talentin e tyre. Veçanërisht, kur karriera e tij nuk kishte më
shanse të përparonte, ai iu përkushtua vetëm fëmijëve të cilët do të mund të
siguronin të ardhurat në familje.
Nanerli ishte një pianiste shumë e mirë që në moshën
8-vjeçare, ndërsa Amadeus që kur ishte 3 vjeç shpenzonte orë të tëra me
tastierën, duke eksploruar tingujt. Pas përkujdesit të të atit, ai shumë shpejt
filloi të shfaqte dhunti mahnitëse. Luante me symbyllur faqe të tëra muzikore
si dhe krijonte vetë muzikë. Kur ishte 5-vjeç, ai filloi të kompozonte dhe t’i
shkruante pjesët e tij. Leopoldi atëherë filloi t’i kopjonte e t’i
transformonte ato në forma muzikore më korrekte. Shumë shpejt Moxarti filloi të
mësojë si ti shkruante vetë pjesët muzikore, por për shumë vjet me radhë, ishte
Leopoldi ai që i mbikqyrte dhe i korrigjonte ato. Kjo është dhe arsyeja pse
disa mendojnë se në të vërtetë ishte Leopoldi, kompozitori i pjesëve muzikore
të para të të birit. Talenti i Nanerlit dhe sidomos ai i Moxartit mund ta çonin
familjen më larg sesa Salzburgu, për këtë arsye Leopoldi u tërhoq nga detyrat që
kishte në oborrin e Kryepeshkopit dhe e gjithë familja filloi një turne në
mesin viteve 1763.
Fillimisht ata udhëtuan në Mynih, më pas në Vjenë ku luanin
pjesë muzikore për familjen mbretërore të Habsburgut. Moxarti i habiti të
gjithë me aftësitë e tij dhe shumë shpejt fama u përhap kudo. Ata shkuan në
Paris dhe më pas, në 1764-ën, në Londër.
Atje Moxarti kompozoi simfoninë e tij të parë vetëm kur
ishte 7 vjeç. Mendohet se para kësaj simfonie ka qënë të paktën dhe një tjetër
kompozim që sot ka humbur. Të mirëpritur kudo që shkonin nga familjet
mbretërore dhe elita, familja Moxart vazhdoi turneun e saj në Hollandë, përsëri
në Francë dhe në Zvicër për tu kthyer sërish në Salzburg në 1766-ën, gati tre
vjet pas të ashtuquajturit ”turne i madh“. Familja kishte fituar të ardhura të
konsiderueshme gjatë këtij turneu e për më tepër Moxarti kishte perfeksionuar
aftësitë e tij muzikore. Mund të luante me symbyllur në piano, organo, violinë,
violinçelë e të tjera vegla muzikore, mund të improvizonte lehtësisht në çdo
lloj gjinie muzikore, të kopjonte ashtu siç duhej stilin e çdo lloj autori si
dhe të kompozonte pjesë muzikore të njëjta me kompozimet më të mira të asaj
kohe.
Këto të gjitha vetëm kur ishte10 vjeç. Një sërë udhëtimesh
të tjera pasuan për Moxartin, ku ndër më kryesoret në këtë periudhë ishte
udhëtimi 3-vjeçar në Itali (1770-1773).
Atje ai studio me At. Xhiambatista Martinin, një nga
muzikantët më të njohur të kohës. Në Bolonjë atij iu dha titulli “Kalorës i
Urdhërit të Artë” nga Papa Klementi XIV. Ky lloj titulli i jepte atij të
drejtën të quhej Kavalier. Për një farë kohe ai i nënshkroi punët e tij me
nënshkrimin Kavalier, por më vonë nuk e përdori asnjëherë këtë titull.
Kudo që shkonte nderohej për kompozimet e tij, megjithatë
akoma nuk po i ofrohej ndonjë post nga elita e provincave italiane. Në
1773-shin Amadeus Moxart u kthye sërish në Salzburg ku kompozoi disa nga veprat
e tij më të njohura si operan “La Finta Giardiniera”, 5 koncerte për violinë,
një sërë simfonish e pas 1777-ës vazhdoi me më tepër simfoni, gjashtë sonata
për piano si dhe muzikë kishtare.
I pakënaqur me ato që kishte arritur dhe i nxitur nga babai
i tij ambicioz, Moxarti dhe nëna e tij nisen përsëri në turne. Ata qëndruan në
Mynih e më pas në Manheim, ku Moxarti kompozoi pjesë të tjera. Në Manheim
Moxarti njihet dhe dashurohet me Alozia Weber, një këngëtare operash. Ai vendos
të qëndrojë me të dhe babain e saj duke shkruar opera që do ti këndonte e
dashura e tij e zemrës. Pavarësisht kundërshtimit të të atit dhe kërkesës së
tij për të vazhduar turnetë në mënyrë që të fitonte emër, Moxarti nuk u bind.
Pas vdekjes të papritur të së ëmës, gjërat u përkeqësuan dhe Moxarti shkoi në
Paris ku pavarësisht zhgënjimeve të njëpasnjëshme dhe dhimbjes që i shkaktoi
vdekja e së ëmës, nuk qëndroi larg kompozimit.
Leopoldi po mundohej me çdo kusht për ta kthyer djalin e tij
të talentuar në Salzburg, ndërkohë që ky i fundit po kalonte një zhgënjim dhe
në dashuri. Alozia, pasi kishte fituar disi famë, u nda prej tij. Moxarti
vendos të kthehet në Salzburg.
Deri në 1780-ën, ai punoi për Arkipeshkopin Koloredo.
Ndonëse ishte i pakënaqur me pagën që merrte, në këtë periudhë ai kompozoi
sonatat më të rëndësishme për piano. Në 1770-ën, ai fitoi një komision në Mynih
për një nga operat më të suksesshme të shkruara ndonjëherë, operan “Idomeneo,
Mbreti i Kretës“.
Në 1782-shin, kundër dëshirës të të atit, Moxarti martohet
me motrën e vogël të ish të dashurës së tij, Kostancën. Pas martesës, Moxarti
shkon në Vjenë, ku për një farë kohe gëzon sukses me veprat e tij. Ndërkohë
marrëdhëniet e tij me të atin dhe motrën ishin ftohur. Nuk ekziston asnjë lloj
korrespodence e tij në këtë periudhë me Nanerlin. Pika e tyre e vetme e takimit
ishte korrespodenca me të atin. Nga ana tjetër, Moxarti ndihej shumë i lumtur
me gruan e tij. Nga letrat e mbetura evidentohet se ai e donte shumë Kostancën
dhe ajo nga ana tjetër ia kthente këtë dashuri me të njëjtin afeksion,
pavarësisht zërave që flisnin për tradhëti bashkëshortore nga atë dyja palët.
Po nga letrat e tij, një tjetër personazh, Antonio Salieri, një kompozitor i
oborrit, del në pah në jetën e Moxartit. Ai ishte kompozitori i preferuar i
Perandorit Jozef II-të. Në letrat e Moxartit dhe të atit, flitet për komplote e
intriga të Salierit me qëllim mosecurinë e Moxartit.
Si drejtor i operas së Vienës, nuk mund të mohohet influenca
e tij në vendet ku Moxarti donte të përparonte, megjithatë në asnjë nga letrat
nuk qartësohet se në ç’mënyrë ky njeri mund të ketë ndikuar kundër tij. Me
operan si kulmi i karrierës së një kompozitori që siguronte para dhe famë,
kuptohen lehtë konkurrencat e kohës, për këtë arsye probleme të këtij lloji
mund t’i kalojnë limitet e së vërtetës. Historira të frikshme midis Salierit
dhe Moxartit dolën në skenë rreth 25 vjet pas vdekjes së këtij të fundit. Megjithatë,
akoma nuk është evidentuar se nga mund ta kenë burimin këto histori që nuk
patën as mbështetjen e të vesë së kompozitorit të madh.
Opera ishte një nga pasionet më të mëdha të Moxartit. Operat
e tij më të famshme“Martesa e Figaros“ (1784), apo “Don Zhuani“ (1787) u pritën
me entuziazëm nga publiku. Shumë vepra të tjera të mrekullueshme si “Haydn“,
kuartete në violinë të kompozuara për nder të kompozitorit të madh Joseph
Haydn, 12 sonata për violinë, 10 sonata për piano, kuintete etj u kompozuan nga
Moxarti po gjatë viteve të qëndrimit të tij në Vienë.
Ndryshe nga ato që thuhen, (se ai e krijonte çdo gjë në
mendje), Moxarti fillimisht i skiconte të gjitha idetë e tij dhe mbante shumë
shënime. Më pas i përfundonte të gjitha kompozimet në bazë të këtyre shënimeve
dhe memories së tij të jashtëzakoshme. Shumë herë shënimet e tij tregojnë se
janë lënë mënjanë e nuk janë përfunduar për një arsye ose një tjetër.Analiza e
disa të tjerave tregon se ato janë nisur, janë lënë mënjanë dhe ai është kthyer
tek ato pas shumë kohësh për t’i përfunduar. Megjithatë, është plotësisht e
vërtëtë se ky gjeni i muzikës arrinte të kompozonte me mendjen e tij vepra të
tëra dhe bile në kohë shumë të shkurtër. Nga materialet e mbledhura, mendohet
se ai duhet të ketë punuar 6 deri në 8 orë çdo ditë (përveç ndoshta të dielave)
për vite me radhë për të realizuar ato që ne kemi në dorë tani. Më tepër se 40
vepra ku përfshihen marshe, koncerte apo simfoni të tij nuk janë gjendur akoma.
Moxarti ishte gjithë kohën i zënë duke kompozuar, duke dhënë
mësime, duke organizuar koncerte apo duke mbyllur pagesa për punët e tij.
Menjëherë pasi puna e tij shitej, blerësi i saj mund ta kopjonte e ta shiste
duke fituar para nëpërmjet saj, pa shkuar asnjë kacidhe në xhepat e autorit (E
drejat e autorit akoma nuk ishte e njohur në Austri deri 30 vjet pas vdekjes së
tij). Për këtë arsye Moxarti i ruante manuskriptet e tij duke mos përfunduar
pjesët për piano në mënyrë që të nxirrte fitime prej tyre. Kjo mund të jetë dhe
arsyeja pse në një pjesë të veprave të tij mungon pjesa për piano.
Dy gjigandë të tjerë të muzikës patën kontaktet e tyre të
para me Moxartin. Atëherë 8-vjeç Johan Nepomuk Hummel qëndroi rreth 2 vjet me
Moxartin për të vazhduar më pas një turne me të atin, ashtu si dhe mësuesi i
tij kish vepruar në fëmijërinë e vet. Në prill të 1787-ës, Ludwig van Bethoven
mbërriti në Vienë. Evidencat tregojnë se ai erdhi atje për tu bërë nxënës i
Moxartit. Megjithatë takimi i tyre ishte shumë i shkurtër, ndryshe nga ato që
thuhen. Bethoveni qëndroi në Vienë vetëm dy javë pasi nëna e tij ishte shumë e
sëmurë. Nga ana tjetër, Moxarti në këtë kohë po përgatitej të lëvizte së bashku
me familjen e tij. Në fillimet e 1787-ës, ai dhe gruaja e tij po kalonin kohë
të vështira. Koncertet sa vinin e pakësoheshin e bashkë me to dhe fitimet. Një
sërë arsyesh mund të kenë ndikuar këtu. Së pari Moxarti nuk konsiderohej nga
elita Vieneze kompozitor superior dhe veprat e tij nuk ishin aq të kuptueshme
për ta. Së dyti një luftë me perandorinë osmane mund të ketë tërhequr vëmendjen
e fisnikëve.
E së treti ai kish humbur shumë në lojërat e fatit. Vdekja e
të atit, gjithashtu pati ndikim në punën e tij. Për shkak të martesës me
Kostancën, Moxarti nuk u përfshi në testamentin e të atit. Duke pasur parasysh
kontributin e tij në “arkën familjare“ nga koncertët e hershme me të atin,
Moxarti u hidhërua pa masë nga ky “refuzim” i familjes së tij, i projektuar nga
i ati e i mbështetur nga motra e tij e vetme Nanerli. Pas kësaj ai nuk u takua
kurrë më me Nanerlin. I ndodhur në gjendje shumë të vështirë ekonomike filloi
të merrte hua. Letrat e tij zemërcopëtuese ku lutej për të marrë të holla,
zbulojnë mjerimin në të cilin kishte rënë kompozitori i madh që donte me çdo
kusht të mbante lart nderin dhe reputacionin e tij. Në 1789-ën Moxarti udhëtoi
në Berlin e më pas në Frankfurt duke shpresuar për një pozitë më të mirë, por
asgjë. Bashkëpunimi me Emanuel Schikaneder, pronarin e një teatri në zonën e
klasës së mesme të Vienës, dhe trupën e tij, solli në skenë operan “Flauti
magjik”, që u bë menjëherë popullore e i dhuroi Moxartit një shije të fundit të
suksesit.
Pas premierës së saj në shtator të 1791-shit, dukej sikur
gjërat po merrnin për mirë për të dhe familjen e tij (tashmë dhe me dy djem).
Por për ironi të fatit, kur kishte punuar rreth 30% të veprës së parapaguar “
Rekuiem”, në Nëntor ai sëmuret rëndë. Pavarësisht nga mjekimet dhe përkujdesjen
e mjekëve më të njohur të Vienës, gjendja e tij sa vinte dhe keqësohej për tu
finalizuar me vdekjen e tij të parakohshme në 5 Dhjetor të 1791-shit. Nuk ka
asnjë raport në këtë datë mbi shkakun e vërtetë të vdekjes së tij. Teori për
vrasje apo helmim qarkullojnë deri në ditët tona. Mjekët folën jo me qartësi
edhe për komplikacione të reumatizmit apo temperaturës së lartë, por çdo gjë
mbetet mister. Volfang Amade Moxart u varros në një varrezë periferike pa shumë
ceremonira. Për shkak se familja apo admiruesit e tij nuk vunë menjëherë shenjë
dalluese mbi varrin e tij, vendodhja e saktë akoma nuk dihet.
Sot, pas më shumë 200 vjetësh, monumenti i Moxartit në atë
varrezë të thjeshtë është vendosur diku aty pranë, aty ku ndoshta kompozitori
më i madh i të gjitha kohërave prehet qetësisht.
Comments
Post a Comment