Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin
Izaura Ndoj
Behar Mera, është një emër i
dashur për publikun shqiptar. Humori dhe karakteri i tij e identifikojnë si
ikonë e humorit dhe skenës shqiptar gjatë dy dekadave. Në një intervistë për
“Summer Time” aktori i humorit Behar Mera, rrëfen fillimet e tij në skenë,
bashkëpunimin me partneren besnike të skenës Rita Latin, dashurinë për familjen
si dhe projektet që do ta ndjekin në vazhdim. Edhe pse artistë me
shpirt, ai në këtë intervistë tregon se mbi të gjitha është babai i dy vajzave,
Edrës dhe Ivës, dhe një bashkëshort i përkushtuar. Aktori i humorit dhe skenës
shqiptare Behar Mera, ka realizuar mbi 25 albume dhe ka marrë pjesë në shumë
kinokomedi dhe filma të realizuar nga regjisorët më të mirë të Shqipërisë. Ndër
videokasetat e tij më të mira janë: “Shoku Taip”, “Zoti pallosh”, “Të na rroj
komshiu”, “Një kokërr fik”, “Koqe kandari”, etj.. Ka interpretuar edhe në disa
filma të njohur artistikë me regjisorët më të njohur Edmond Budina dhe Fatmir
Koçi. Ndër këto filma spikat roli i tij te filmi “Tirana, viti zero”.
Përshëndetje Behar! Sapo jeni kthyer nga një eksperiencë në
Australi. Mund të na flisni pak mbi këtë aktivitet?
Po është e vërtetë. Ka disa ditë që jam kthyer nga një vend
i mrekullueshëm si Australia. Edhe pse për një periudhë të shkurtër dy javore
arrita të vizitoj pak nga mrekullitë e Australisë. Nga bashkatdhetarët ishin
organizuar 4 koncerte në të cilat unë isha i ftuar mes disa artistëve të tjerë
si, Rita Lati, Mariola Kacani, Jurgen Kacani, dhe klarinetisti virtuoz Nevruz
Vengo. Jam larguar nga ai vend me kujtime dhe eksperienca të jashtëzakonshme,
me një ndjenjë malli dhe dashurie për ato shqiptarë të mrekullueshëm që na pritën
e na shoqëruan gjatë gjithë atyre ditëve me një kënaqësi të veçantë. Këto
aktivitete do të mbeten të paharrueshme për jetën time.
Jeni cilësuar si ikona e humorit shqiptar për më shumë se 2
dekada. Si ndiheni nga ky vlerësim?
Faleminderit! Unë i jam mirënjohës publikut shqiptarë anë e
mbanë globit që ka vlerësuar humorin tim dhe pa diskutim që fjalët nuk arrijnë
ta tregojnë lumturinë dhe kënaqësinë time. Ju duhet ta dini që duartrokitjet
dhe vlerësimi i publikut dhe fansave
nxisin pasionin e udhëtimit të një artisti.
Ju fëmijërinë
tuaj e keni kaluar në qytetin e veriut. Edhe fëmijë jeni karakterizuar si
natyrë me humor?
(Qesh) natyrisht
që po, që në moshë fare të vogël kisha dëshirë të recitoja, tregoja barcaleta
dhe të imitoja. Përkrahësi, kritikuesi, vlerësuesi im më i fuqishëm në atë moshë
megjithëse të vogël ishte pasqyra...me të cilën komunikoja shumë. Por, në fakt është
e çuditshme kur e kujtoj tani pasi talenti im nuk spikaste vetëm në zhanrin e
humorit e të aktrimit por edhe në atë të muzikës. Unë studioja për veglën
muzikore trompe, dhe këndoja shumë bukur.
Si e kujtoni
daljen tuaj të parë dhe marrjen e duartrokitjeve të publikut?
Mbaj mend kur mbusha 19 vjeç
preka për herë të parë skenën në gjininë e humorit. përjetova emocione të jashtëzakonshme
dhe mora duartrokitje të zjarrta që në herën e parë të daljes time në skenë. Skena,
kur je në moshë kaq të re si me magji të krijon shumë personalitet dhe vendosmëri
në jetën artistike. Edhe për mua ato kujtime nxiten dëshirën dhe pasionin për të
vazhduar rrugën e bukur të vështirë dhe të suksesshme të aktrimit.
Partnerja juaj
besnike e skenës është Rita Lati. Si i keni raportet mendoni se do vazhdoni
akoma bashkëpunimin artistik me të?
Po është e vërtetë, me Ritën kam luajtur dhe interpretuar më
shumë role se me këdo artist tjetër. Ndoshta sepse kur bën humor e ndjen të
nevojshme ekzistencën e një partneri në krah qoftë mashkull apo femër. Nevoja e
të qenit çift në skenë të bën që të zgjedhësh partner ose partneren e duhur për ty, unë zgjodha Ritën. Bashkëpunimi
ynë në skenë solli sukses dhe pëlqim nga publiku, kështu që në do vazhdojmë të
japim edhe në të ardhmen atë që pëlqejnë artdashësit.
Cili ka qenë
momenti më i vështirë që jeni ndodhur në skenë apo para kamerave...Po në jetën
familjare?
Në skenë kam pasur vetëm momente të bukura sepse skena është
shtëpia ime. Më komod rri në skenës sesa në shtëpi (qesh), ndërsa për sa i përket
marrëdhënies time me kamerën në fillim ka qenë e vështirë ashtu siç është për këdo,
por më pas kamera u bë miku im më i mirë. Përsa i përket jetës familjare, gjej
rastin të falënderojë publikisht familjen time që më ka mbështetur dhe më ka
krijuar një atmosferë të ngrohtë e të qetë për të cilin artisti ka shumë nevojë.
Po momenti më i
veçantë?
Momente të veçanta janë shumë dhe kur janë shumë s’janë më të
veçanta. Tani që po bëni këtë pyetje më vjen ndër mend një dialog me Ritën përpara
një publiku dibran. Sapo nisi dialogu në skenë, unë gjithçka e transformova në
gjuhën dibrane, dhe Rita si një vlonjate që është ngeli në skenë dhe bënte vetëm
eeee duke mbajtur iso? Kemi qeshur me lot më pas.
Përveç karrierës
si artist, keni ndonjë profesion që ushtroni ose biznes?
Jo, jam përkushtuar tërësisht artit, ndoshta më vonë mund të
merrem dhe me diçka tjetër ku i dihet na shtohen fuqitë, mund të merremi dhe me
dy-tre punë.
Po familja sa ju
ka mbështetur në këtë rrugë të gjatë. Bashkëshortja dhe dy vajzat ju kanë
ndjekur në çdo sukses?
Zoti më
ka dhuruar dy vajza, Edrën dhe Ivën. I kemi rritur pa diskutim njësoj me shumë
dashuri dhe përkushtim. Por, jo të dyja janë njësoj, madje shumë të kundërta. Edra,
vajza e madhe është natyrë e qetë, e thjeshtë dhe i ngjan shumë nënës së saj me
karakter të fortë e sportive. Ndërsa, Iva është më çapkëne dhe e hedhur ashtu
siç janë vajzat e vogla në familje. Orientimin e ka drejt artit edhe pse unë
shumë herë nuk ja kam ushqyer. Tek Iva shoh një pjesë të vetes time, ka humor
dhe është e zgjuar.
Po njohja me
bashkëshorten si ndodhi. Mendoni se keni gjetur njeriun ideal. Na tregoni pak
rreth martesës?
Jetonim në një qytet të vogël
në të cilin të gjithë njohin njeri-tjetrin. Besa, bashkëshortja ime për mua
ishte vajza më e veçantë e atij qyteti. Ajo ishte volejbolliste me ekipin e “Korabit”
dhe unë fansi i saj kryesor, ku edhe kur humbte pikët unë thërrisja fort bravo Besa,
(qesh). E kam thënë dhe herë të tjera të gjesh bashkëshorten e duhur në jetë është
fat, dhe unë e pata këtë fat.
Keni menduar të
hiqni dorë nga humori?
Nuk është zgjedhje e imja të
heq dorë nga humori, pasi ai rrjedh nga brendësia e shpirtit tim.
Ju udhëtoni shumë
nëpër koncerte të ndryshme jashtë trojeve shqiptare. Është fitimprurës ky
profesion për një artist?
Aktivitetet jashtë Shqipërisë
të përcjellin emocione të veçanta sepse ke kontakt me shqiptarët që jetojnë
jashtë Shqipërisë. Kjo pjesë e shoqërisë ka shumë mall dhe nevojë për ne. Por, pa
diskutim që dhe shpërblimi është pjesë e kësaj eksperience.
Cilat janë
projektet që do t’iu ndjekin gjatë muajve në vazhdim?
Përpara na pret
një sezon veror ku do të jemi të pranishëm në shumë vende bregdetare, me këtë
rast edhe kemi mundësi të marrim rreze dielli e të pushojmë. Projektet për në
muajt në vazhdim janë të shumta ku mund të përmend, xhirimin e një filmi komik
të TVSH-s, koncerte me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë në Amerikë, përgatitja
e programit të vitit të ri në Televizionin Publik Shqiptarë, si dhe një udhëtim
tjetër jashtë kontinentit.
Comments
Post a Comment