Juliana Pasha: “It’s all abort you”, këngë që nuk vdes kurrë!
Ilda Lumani
Prej javësh ajo është shfaqur në
rolin e anëtares së jurisë në programin “X Factor Albania”, që transmetohet çdo
të diel në TV Klan. Me një look të ri, me një natyrë luftarake për të mbrojtur
vajzat e kategorisë së saj, herë-herë e ashpër me konkurrentët e tjerë, por
gjithmonë me sensin pozitiv për t’i thënë gjërat siç janë për të ndihmuar rritjen
profesionale të çdo artisti të ri. Ky është profili që ka krijuar ajo mes tre
kolegëve të tjerë. Është Juliana Pasha, këngëtarja e njohur, që të dielës së
kaluar la panelin e jurisë për të bërë atë që di dhe do më shumë të bëjë, të
këndojë. Ka interpretuar dy këngë “Fallin in love” dhe këngën që e bëri atë
pjesëmarrëse në Eurovizion, “It’s all about you”. Këtë të fundit e ka sjellë në
një version të ri, rock, duke shfaqur kështu edhe një temperament të panjohur
për publikun e gjerë deri më tani. Me një performancë të kuruar në çdo detaj,
Juliana ka ngritur publikun në këmbë, ndërsa ky interpretim ka qenë mjaft i
klikuar dhe komentuar edhe në rrjetet sociale. Sot, ajo vjen në këtë intervistë
për të na treguar më tej rreth këtyre emocioneve, por edhe punës me dy vajzat
konkurrente tashmë në gjysmëfinale, Xhesika dhe Sheila.
Juliana, javës së kaluar jeni
ngjitur në skenë për të interpretuar. Si ishte të linit panelin e jurisë për të
bërë atë çfarë ju doni më shumë, të këndoni?
Jam ndjerë shumë mirë që pata
mundësinë edhe njëherë të ngjitem në skenë. Sigurisht që jam ndjerë shumë mirë
në panelin e jurisë për të dhënë mendime, gjykime për artistët e rinj të “X
Factor Albania”, por kishte javë që më mungonte skena. Dhe e kam pritur me
shumë entuziazëm ditën kur do të interpretoja në këtë skenë. Jam ndjerë shumë
mirë edhe falë suportit që pata për të realizuar vërtet një performancë të
mirë.
Këngën hit “It’s all about
you” e keni sjellë në një version të ri, dhe jeni shfaqur si një rockere. Sa e
tillë ndiheni ju vetë?
Fakti që këndoj “live” çdo javë
përballë publikut, sigurisht, unë fsheh diku brenda shpirtit frymën rock-ere.
Çdo artist i ka gjithë rrymat muzikore brenda shpirtit, por falë natyrës së
këngës dhe entuziazmit që jep kënga, jepet mundësia të shfaq këtë ndjesi tek
publiku.
Me këngën “It’s all about you”,
kam eksperimentuar shpesh herë kudo që kam kënduar “live” dhe kam vënë re se sa
herë ka ardhur si një rock i fuqishëm ka pasur shumë impakt tek publiku. Kjo
ishte një nga arsyet që menduam që ta sillnim në këtë formë edhe në “X Factor”.
Është një këngë që nuk vdes kurrë.
Të dielën është nata e
parafundit, pastaj finalja. Besoni se do t’i keni të dyja konkurrentet në
finale?
Shpresoj shumë që si Xhesika dhe
Sheila të jenë në finale, pasi janë dy vajza tepër të talentuara, dy vajza që i
përshtaten më së miri formatit të “X Factor”, dy vajza që kanë treguar se dinë
t’i përballojnë të gjitha sfidat që ju janë vënë përpara. Personalisht mendoj
se që të dyja kanë mundësinë për të qenë fituese të “X Factor”. Nuk mund t’i
ndaj nga njëra-tjetra, sepse secila prej tyre ka veçantinë në personalitet dhe
vokal. Por jam e bindur që në katërshen që ka mbetur janë dy më të fortat.
Deri tani, grupi juaj ka ecur
më mirë në krahasim me tre mentorët e tjerë. Ndjeheni e kënaqur me punën tuaj?
Absolutisht që po. Është e
vërtetë që kategoria e vajzave ka qenë një kategori me talente të dukshëm, por
unë personalisht jam munduar që të mos u lë asgjë pa mësuar deri në detaje dhe
më vjen mirë që e gjithë puna është parë dhe vlerësuar nga publiku, duke
mbajtur në çerekfinale tre vajza dhe dy në gjysmëfinale.
Por, nëse nuk do të jetë
ndonjë nga konkurrentët tuaj që do të fitojë, si do të ndjeheshit?
Nuk e di. Unë shpresoj vërtet që
të fitojë një nga vajza, sepse kam besim tek secila prej tyre dhe vërtet besoj
se talenti i tyre duhet vlerësuar, megjithatë për mua ka qenë një kohë që jo
vetëm u kam mësuar atyre, por edhe unë vetë personalisht kam mësuar shumë duke
qëndruar pranë tyre, dhe më mirë se sa të ecja kaq gjatë me kategorinë time nuk
do të kisha shkuar.
Keni qenë pak më e ashpër ndaj
konkurrentëve të tjerë, ka qenë për të “mbrojtur” konkurrentet tuaja, apo për
shkak të defekteve të tyre?
Sigurisht që duke qenë mentor i
një kategorie, detyra ime ka qenë të mbroj sa më fort kategorinë time, defektet
kanë qenë si në kategorinë e vajzave, ashtu edhe në kategoritë e tjera, por
mendoj se kam qenë realiste në çdo moment kur jam treguar e ashpër, pasi kam
dashur që ajo ashpërsi të bëjë që konkurrentët të vlerësojnë komentet dhe të
vlerësojnë sinqeritetin dhe të punonin më shumë. Besoj se nëse nuk do të kishte
qenë ashpërsia, nuk do të kishte pasur as rendiment.( Nuk e keni idenë sesa e
ashpër jam me vajzat e mia)!
Për cilin nga konkurrentët, ju
ka ardhur më shumë keq që ka lënë garën?
Për Savjanën dhe Festinën!
Që prej shtatorit keni qenë totalisht
e angazhuar me “X Factor”, ka qenë i lodhshëm për ju?
Shumë e lodhshme, shumë e
ngarkuar, ndonjëherë pa kohë për familjen dhe punët jashtë “X Factor”.
Megjithatë është një eksperiencë që ia vlen të jetë në karrierën e një artisti.
Gjatë kësaj kohe nuk jeni
angazhuar shumë me muzikën, do t’i riktheheni menjëherë pas përfundimit të “X
Factor”, apo do të merrni një periudhë relaksi?
Aktualisht jam duke punuar për dy
këngë të reja, shpresoj që menjëherë pas mbarimit të “X Factor” të kem mundësi
që t’i sjell në treg këto dy këngë dhe këtë radhë nuk kam ndër mend t’i lë pas
dore.
Keni planifikuar diçka për
pushimet, apo jeni ende e përqendruar te “X Factor”?
I kam planifikuar pushimet që
vitin e kaluar, pasi vendi ku kemi pushuar së bashku me Altinin na ka pëlqyer
jashtë mase dhe kemi menduar të shkojmë sërish këtë vit.
Nëse do të zgjidhnit një
konkurrent për të bërë një bashkëpunim, kush do të ishte ai?
Besoj se më interesantja do të
ishte një bashkëpunim me të katërta vajzat, do të ishim një pesëshe e fortë në
tregun muzikor.
Look-u është një pjesë e
rëndësishme në televizion, kush ka qenë këshilltari juaj?
Një personi i besoj vazhdimisht
për gjithçka që ka të bëjë me look-un me paraqitjen e jashtme (Altinit), por
kohët e fundit stafit të përbërë nga një person i është shtuar edhe Miranda, që
është personi më i afërt që kujdeset për imazhin tim.
Do të vijoni të ndryshoni
diçka tek look-u, apo tani e tutje do t’ju shohim gjithmonë në këtë stil?
Po vjen vera dhe mund të ndodhin
shumë ndryshime, pres që të marr ngjyrë nga plazhi dhe pastaj të shoh.
Gjithsesi, personazhi im tashmë është i fiksuar në mendjen e publikut, ndaj do
të mundohem gjithmonë të jem Juliana!
Comments
Post a Comment