Monika Lubonja: Pasarela, pengu i adoleshencës sime



Ilda Lumani

Jo të gjithë mund t’i bëjnë realitet ëndrrat e tyre. Monika Lubonja ia ka arritur e madje ka vënë në jetë një peng të adoleshencës së saj. Pikërisht të sfilonte në një pasarelë të vërtetë. Rasti e solli këtë të enjte në sfilatën e Tatjana Isait. Ka kënaqur veten dhe ka marrë emocione krejt të ndryshme nga ato të skenës së teatrit, të cilat na i rrëfen në këtë intervistë mjaft interesante për suplementin “Summer Pages”, ku në fakt do të zënë vend jo pak tematika. Pikërisht emisioni “Gra të lira” dhe vetë liria e femrave në Shqipëri do të jenë pjesë e kësaj bisede, ashtu sikundër edhe një iniciativë e Qendrës “Art Blu”, (që Monika drejton) në mbështetje të fëmijëve të sëmurë me kancer, në bashkëpunim me Teatrin e Kukullave. Shfaqje e vlerësuar me çmim dhe që do të ketë një tur në qytetet bregdetare së shpejti. Për të gjitha këto, Monika rrëfehet... dhe rrëfehet gjatë. Prandaj, të gjithë ju që jeni nën çadrat në plazh mos e humbisni këtë intervistë mjaft interesante!

Monika, të enjten në mbrëmje jeni prezantuar për herë të parë si një modele në një sfilatë. Cili ka qenë ngacmimi juaj?
Të sfilosh për mua do të thotë diçka më shumë ndaj asaj që ti bën ose që ti ëndërron të bësh. Të them të drejtën që kur kam qenë adoleshente më ka pëlqyer shumë. Po çdo gjë në atë kohë ishte e ndaluar. Kënaqesha me revistat dhe katalogët që gjente tezja ime, dhe i shikoja pa fund dhe pa numëruar sa e sa herë që iu kthehesha. Kaq shumë i pëlqeja sa ia prisja Katalogun tezes dhe i vija në bllokun tim të kujtimeve. Por kjo mbetej pak e fshehtë se nga që isha e shëndoshë mendoja që do të më qeshnin. (Dhe të mos harrojmë dhe atë kohë). Në vit të dytë të Akademisë, bashkë me miken time Albana Micin, na thirrën tek Dajti disa fotografë italianë për të bërë reklama make up-i për revista. Sa e lumtur që isha se mua më thanë që do të reklamoja rimel sysh. Po ëndrra ngeli përgjysmë se as guximin nuk mora t’u them prindërve. Ata nuk e mësuan asnjëherë që unë isha fotografuar për modele. Ehhhhhhh isha në kohën e gabuar. (qesh)
Çfarë emocione përjetuat?
Kur më erdhi propozimi nuk ngurova të them “Po”. Thjesht më erdhi Monika e atyre viteve në mendje dhe me një dëshirë të parealizuar. Tani i thash vetes “hidhu, e gjithë pasarela është për ty, Monika!” Nuk mund të lë pa thënë sa e bukur që ishte po aq dhe e vështirë. Doja të bëja ndryshime të mëdha. Për shembull, të bëja flokët komplet ngjyra të theksuara të dilja dhe me tyle. Kur u futa për të bërë një kërkim në internet dhe pashë fotot e fundit të modeles që e pëlqej shumë, Beket, pashë një stil shumë zonjash që ishte ngjara mjalti, lajthia e lehtë. Aty u tërhoqa. Ndalova. Doja të qëndroja tek stili italian me ngjyra të ëmbla dhe të thjeshta dhe me shumë personalitet brenda. Nuk do ta provoja ekstravagancën e përzier me vulgaritet. I qëndrova Monikës Klasike.

Mendoni se kurrë nuk është vonë për të bërë ëndrrat realitet?
Pasarela ishte një emocion shumë më i madh se sa teatri. Thashë se më pushoi zemra kur u shfaqa. Qëndrova vetëm pesë sekonda dhe i thashë vetes: Këtë doje këtë bëje në formën më të mirë që mundesh. I gjithë ai moment është yti (qesh). Drejtova trupin (sa s’mu thye) ngrita kokën dhe vetëm ecja. Ishte si ëndërr, më pëlqente gjithçka që po bëja që nga buzëqeshja, që nga fustani dhe ai tyli më jepte një liri brenda vetes dhe blicat që ishin si dritë që më shoqëruan gjithë rrugës. Ishte një ëndërr shumë e bukur e realizuar tani. Kush tha që ëndrrat nuk realizohen. Vetëm guxo! Për këtë kënaqësi që mora do të falënderoja Tatjana Isai që më dha kënaqësinë të ndihesha edhe njëherë në atë moshë të bukur e plot me ëndrra: Faleminderit Tatjana!
Vitin e fundit ju kemi parë në emisionin “Gra të Lira”. Si do ta vlerësonit këtë eksperiencë?
Unë kam qenë disa herë e pranishme në emisione të ndryshme. Por, ky program të jep një shije tjetër. Të bën të mendohesh për të ikur nga ajo e zakonshmja që shohim përherë. Tek ky emision janë katër gra të ndryshme me katër personalitete komplet të kundërta me njëra-tjetrën dhe si i kalojnë situata e ndryshme që ju ka dhënë jeta. Ose në një këndvështrim tjetër në këtë emision janë 4 gra që pinë kafe e flasin në një tryezë si mes mikeshave. Është kënaqësi të punosh me një televizion si Digialb-i dhe me njerëz të përkushtuar siç janë vajzat e prapavijës. Duhet të falënderoj dhe ideatoren Flura Zhutën për këtë ide shumë të bukur. Ne ndihemi si në shtëpinë tonë kur fillojmë emisionin. Sa t’ju them një detaj të vogël asnjëherë nuk e mbyllim në kohë programin, sa Elvira shumë herë na bën me shenja “STOP”.

Sa e lirë ndiheni ju?
Ehhh, sa temë e gjatë dhe e pasqaruar deri në fund. Në fakt, të gjithë aderojmë për liri dhe s’e di a e kemi kuptuar fjalën liri në thelb. Unë ndihem e lirë deri aty ku fillon liria e tjetrës. Pse? Se në qoftë se unë me të vërtetë dua të jem e lirë dhe të bëj diçka jashtë mureve të paragjykimeve, këtu do të jem e vetme se s’do të kem as mendimin dhe as lirinë e tjetrit. Ne akoma marrim mendimet e të tjerëve për çdo gjë. Këtu fillon të çaloj problemi. Një veprim ose një thënie e jona të tjerë thonë: “ehhh e bëri për të tërhequr vëmendje te tjetra”. Unë jam rritur me një familje të lirë në të menduar e gjykuar, dhe sigurisht që jam e lirë shumë. Por ka raste kur jeta me dashje a pa dashje ta frenon këtë liri. Kushtet dhe mentaliteti në Shqipëri për mua janë akoma në hapat e parë për ta kuptuar fjalën LIRI. Është gjëja më e tmerrshme kur më marrin lirinë, dhe gjithmonë kam qenë e do të jem në krye për lirinë e veprimit, të fjalës e të mendimit. Kjo është një luftë shumë e gjatë dhe e vazhdueshme për mua.
Në opinionin tuaj, a ndihen të lira femrat në kryeqytet? Po në Shqipëri?
Një femër në kryeqytet mundohet për t’u bërë e lirë, shumë më të vështirë e kanë rrethet. Liria nuk është lyej kokën me të kuqe ose vishu me firmato ose gdhije në pub-e. Liria është si të kanë mësuar që e vogël në mendime, në gjykime, në përballjen që ti bën me jetën. Është shumë e gjatë si temë e mendimet janë nga më të ndryshmet dhe për mua të pafundme. Unë e dua dhe e kam kërkuar gjithmonë lirinë time. Lira është ajri që unë thith. Pa të është robëri.
Në dukje janë meshkujt që janë më të lirë se femrat. Me të ftuarit që keni pasur në studio, a ju ka rezultuar kështu? Cili është këndvështrimi juaj?
Aa... prit pak këtu. Në studio kam pasur me të vërtetë meshkuj me sharm dhe të mençur. Kanë ardhur e kanë pasqyruar shumë bukur punët e tyre. Nganjëherë doja t’i ngacmoja me pyetje. Në të gjitha rastet pashë që shumë pak kishin unazën e martesës në gisht. Dhe përgjithësisht intervistat janë që i duan bashkëshortet e tyre. Kur i pyet pse s’e kanë shenjën më të bukur të jetës së tyre të gjithë mundoheshin dhe e kalonin këtë pyetje. Sigurisht që do të vazhdoj t’i pyes derisa të marr një përgjigje të mençur dhe jo përgjigje Flu. Mendimi im është pikërisht ata s’janë të lirë. Ne e dimë të gjithë që jetojmë në një shoqëri shumë maskiliste në Shqipëri. Atëherë dhe liria është e kufizuar. Për mua i ka rrënjët shumë të thella në mentalitet dhe në vitet që propaganduan që “Burri të merr dhe jetën”, lëre pastaj për lirinë e mendimit e të veprimit. Unë them do dhe shumë kohë të arrihet liria e burrave.
Monika, përpos të tjerave ju keni marrë iniciativa private me qendrën tuaj “Art Blu” me Teatrin e Fëmijëve. Shfaqje që kishte dhe karakter social...
Të marrësh iniciativa në këto kushte ekonomike është pak e vështirë. Duke punuar 3 pjesë me teatrin, ku unë punoj ka qenë gjëja më e bukur dhe një nga eksperiencat më të vështira deri tani nga ana ime. Dihet se të bësh teatër dhe e vetme në këtë vend është pak rebelizëm e shoqëruar me çmenduri. Por, fal zotit ia kam arritur. Tani këto tre vitet e fundit po merrem me Teatrin e Kukullave, ku kjo gjë është akoma më e re për mua. Dhe të them të drejtën është një mrekulli më vete. Gjithmonë po ta njohësh dhe të jesh prezent në atë botë kukullash aq të bukura dhe sidomos kur interpreton ato përralla që ti je rritur që në fëmijëri. “Anse dhe Greta”, me regjisor Paolo Komentale, ka qenë një eksperiencë shumë speciale. Nuk mund të lë pa përmendur mjeshtren e kukullës në Shqipëri Shegushe Bebeti, që më ka dhënë dhe një mësim tjetër për pasionin dhe punën e saj të palodhur. Kjo është një iniciativë që e bëjmë për fëmijët e sëmurë me kancer dhe e shfaqim gjithmonë në fund të vitit në bashkëpunim me zv.ministrin e Shëndetësisë, Bardh Spahia.
Shfaqja juaj u vlerësua edhe me çmim. Mund të na tregoni më tej rreth kësaj sipërmarrjeje?
Një punë shumë e bukur që u kurorëzua dhe me çmimin që morëm këtë vit në festivalin e Pogradecit. Për momentin sinqerisht kurrë nuk e kisha menduar që në atë moment do më dridhej zemra. Një shfaqje që për mua e meritonte se ishte me aktorët më të talentuar të teatrit për fëmijë, Shegushe Bebeti, Sokol Marsi dhe më e reja e atij teatri po shumë e talentuar në gjurmët e mësuese se saj të rreptë Jorida Meta. Kjo më ka bërë të kërkoj vepra të reja me regjisor të huaj. Së shpejti do tw nisemi për një tur turistik në jug me trupën e shfaqjeve për fëmijë. Do të jemi prezent në orët e plazhit dhe në orët e mbrëmjes. Kjo do të jetë një tjetër eksperiencë e re.



Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk