Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lindja e një pavarësie, shugurimi i një Zoti tokësor


Më 4 korrik 1776, lindi ajo që nga shumëkush sot, quhet demokracia më e madhe e botës. Sot, shënohet 236-vjetori i Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

4 korrikun, ditën e Pavarësisë, ditëlindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe miratimin e Deklaratës së Pavarësisë më 4 korrik, 1776, sot e nderon me pietete të mëdha çdo amerikan. Kjo është një ditë, e cila festohet në të gjithë Shtetet e Bashkuara me parada madhështore, parada patriotike, me ekskursione dhe piknikë familjarë, e cila mbyllet me një natë të koncerteve dhe hedhjes në qiell të tonelatave të fishekzjarrëve, dhe është një arsye më shumë për të vendosur në çdo shtëpi flamurin amerikan.
"Amerika e bukur", "Shtëpia e lirë dhe e të guximshmeve", "Toka e mundësisë",  “America the beautiful”, “Home of the free and the brave”, “The land of opportunity”, këto janë frazat që ne do të dëgjojmë në mënyrë të pashmangshme në këtë 4 korrik, që vjen si një kremtim solemn teksa Shtetet e Bashkuara po festojnë, sot përvjetorin e 236-të, kur u deklarua pavarësia e saj. Nuk ka asnjë dyshim që ky është një festim madhështor patriotik...
Dita Kombëtare e SHBA
Çdo vit, më 4 korrik amerikanët festojnë së bashku me familjet e tyre, lirinë dhe pavarësinë me piknikë dhe tubime familjare. Autoritetet, shtetërore dhe federale kanë mobilizuar mijëra oficerë të policisë për të patrulluar rrugët dhe sheshet e qendrave të banuara. Forca të tjera të ruajtjes së rendit do të ruajnë hotelet dhe pikat tërheqëse për turistët. Miliona njerëz, si për shembull, në New York, dhe në disa shtete të SHBA do të jenë në gjendje të gëzojnë sonte spektaklin e mahnitshëm me fishekzjarrë, i cili është mbresëlënës sonte. Aktivitetet lidhur me ditën e pavarësisë përfshijnë dhe garat dhe ngjarjet sportive, e koncerte në skena të hapura me këngëtarë nga më të njohurit në SHBA.
Dokumenti i 13 kolonive
Deklarata e Pavarësisë është një dokument, nëpërmjet të cilit 13 kolonitë e Mbretërisë së Bashkuar nga Amerika e Veriut shpallën veten të pavarur nga Mbretëria e Bashkuar. Dokumenti u ratifikua nga Kongresi Kontinental më 4 korrik, 1776. Deklarata e Pavarësisë është një nga simbolet e lirisë, dhe më të dashura e të nderuara të Shteteve të Bashkuara. 236-vjetori i Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ose Ditëlindja e Amerikës! Kjo është dita kur lindi Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta amerikane, është ditë gëzimi, jo vetëm e amerikanëve, por edhe e kombit shqiptar.
Sot, më 4 korrik 2012, u mbushën 236 vjet nga dita që kur burrat më të ndritur të kombit amerikan nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, duke u betuar, ashtu siç thuhet edhe në deklaratë, për nderin e tyre, të kombit, të cilit ata i përkisnin. Kushtetuta amerikane e nënshkruar në vitin 1787, përshkruan bazën dhe strukturën e qeverisë të Shteteve të Bashkuara, e cila është e ndarë në tri degë, në ato ekzekutive, legjislative dhe juridike, që në një gjuhë më të thjeshtë janë Presidenti, Kongresi dhe Gjykata e Lartë.
Liri-Demokraci
Kur gjatë luftës për çlirimin e Kosovës shtrohej pyetja pse amerikanët duhet të vdesin për Kosovën, natyrshëm dilte përgjigjja e këtij kombi të madh: se burrat më të ndritur të këtij kombi, më 4 korrik, si sot, 236 vjet më parë, kishin vendosur të krijojnë shtetin e bazuar në lirinë dhe të drejtat e barabarta të secilit komb. Trashëgimia dhe porosia e tyre e çoi Amerikën në luftë, për të mbrojtur principet e lirisë dhe demokracisë amerikane edhe në Kosovë, dhe të gjitha ato vende të shtypura nga diktaturat. Për Amerikën gjëja më e shenjtë, e cila simbolizon edhe këtë ditë, është togfjalëshi liri-demokraci. Pra, liria e Kosovës ishte emër kuptimplotë për Amerikën dhe kombin shqiptar. 4 korriku kumbon thellë në zemër tek tri fjalët e para të Kushtetutës amerikane, "we the people", "ne populli", për të theksuar rolin e rëndësishëm që shtetasit amerikanë kanë në qeverinë e Shteteve të Bashkuara: Ato tre fjalë u bëjnë thirrje amerikanëve të mos harrojnë se përveç pushtetit që ata ushtrojnë ndaj qeverisë, nëpërmjet të drejtës së tyre të votës, ata duhet të mbajnë edhe përgjegjësinë për lirinë e vendit të tyre. Besojmë se askush më mirë se ne shqiptarët, nuk e ka kuptuar këtë, askush më mirë se ne shqiptarët nuk e di faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë betuar në nderin e tyre dhe që demokracia, liria e popujve, të mbrohet atje ku ajo dhunohet dhe shtypet. Armiqtë më të mëdhenj të Amerikës, nuk janë popujt, por janë diktaturat e diktatorët, shtypja e popujve liridashës, skamja dhe mjerimi i tyre. 

Miku më i Madh i Amerikës, është ai komb që do dhe lufton për paqen, lirinë dhe demokracinë, jemi ne shqiptarët. 4 korriku, Dita e Pavarësisë amerikane, aq sa i përket kombit amerikan, po aq na përket edhe shqiptarëve, kombit shqiptar. Kombi shqiptar feston 4 korrikun, ashtu siç feston 28 Nëntorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar, ashtu si feston çlirimin dhe lirinë e Kosovës, 12 qershorin 1999, e cila i është mirënjohëse për jetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Presidenti i parë historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ia ka dedikuar sa ishte gjallë, gjithë këtë mrekulli admirimit dhe respektit që kanë shqiptarët për Amerikën, presidentëve Uilson, Regan, Klintonit, që i tha ndal genocidit në Kosovë me intervenimin ushtarak sulmet ajrore të NATO-s, por edhe me të ashtuquajturën "Vija e Kuqe" në prag të Krishtlindjeve të Bushit të vjetër, por edhe presidentit George W. Bush, i cili i vizitoi për herë të parë trupat amerikane në Kosovë, fill pas inaugurimit presidencial, dhe në vizitën e parë të një presidenti amerikan në detyrë kur vizitoi Tiranën deklaroi "Kosova vetëm e pavarur nga Serbia".
Presidenti i ndjerë i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, patë thënë: "Ne shqiptarët i duam amerikanët, sepse ata na dhuruan lirinë, që ne dëshironim - pikërisht për këtë ka një respekt ideal. Me Amerikën ne jemi të vegjël, por miq të mëdhenj që mund të bëjmë edhe punë të mëdha".
SHBA dhe ne shqiptarët
Sot më 4 korrik 2012, kur Shtetet e Bashkuara po kremtojnë 236-vjetorin e Pavarësisë së tyre, kombi shqiptar dëshiron të tregojë me sinqeritetin e tij se shqiptarët, u janë mirënjohës miqve të tyre të shumtë amerikanë, ndër të cilët presidentit Woodrow Wilson, për përpjekjet që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për kombin tonë dhe për ruajtjen e miqësisë shqiptaro-amerikane, e cila këtë vit shënon 90-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Dhe kjo është në traditën amerikane, me politikën që ka mbajtur gjithnjë kundrejt Shqipërisë, të filluar prej presidentit të madh, Woodrow Wilson, kujtimi i të cilit ka mbetur i paharruar në zemrat e mendjet e shqiptarëve.
Në Konferencën e Paqes, në Paris, në fund të Luftës së Parë Botërore, Presidenti Woodrow Wilson, flaku poshtë Traktatin e Fshehtë të Londrës (1915), që sakrifikonte të drejtat legjitime të Shqipërisë dhe u kërkoi përfaqësuesve të fuqive të mëdha, respektimin e pavarësisë së plotë të Shqipërisë, duke deklaruar se "Kufijtë e botës nuk ndahen sipas madhësisë, por sipas kombeve që atyre u përkasin".
Mirëpo, duhet theksuar se megjithëse regjimi komunist i Enver Hoxhës, për 50 vjet i ndërpreu lidhjet me SHBA, tek zemrat e shqiptarëve në vite u rrit e u farkëtua miqësia shqiptaro-amerikane. Me këtë rast, shqiptarët nuk e harrojnë presidentin Bush (plakun), në prag të Krishtlindjeve, i cili vendosi "vijën e kuqe", vijë që sinjalizoi diktatorin Millosheviq, që kurrë Amerika s'do të lejonte një Bosnje të dytë, me shqiptarët. Vizitën në Shqipëri të Sekretarit të Shtetit, James Baker, në vitin 1991.
Vizita që bëri në Shqipëri, në qershor 2007, Presidenti i 43-të, SHBA-së, George W. Bush, padyshim që mbetet një nga vizitat më të rëndësishme, që ka bërë ndonjëherë një personalitet i lartë i politikës botërore, gjatë gjithë historisë së këtij vendi të vogël të Ballkanit, me tre besime fetare, që jetojnë në një bashkëjetesë dhe harmoni shembullore fetare. Edhe presidenti Bill Clinton u qëndroi besnik fjalëve të paraardhësit të tij, presidentit George H. Bush, Clintoni u bë njeriu më i dashur dhe më i besuar për shqiptarët kur premtoi: "Amerika do të jetë me Kosovën"! Amerika ishte me Kosovën në luftë, tani ajo është me Kosovën në paqe, me Kosovën në liri, me Kosovën në Pavarësinë e saj. Amerika ishte garant i ngadhënjimit të luftës ndaj diktaturës së egër të Millosheviqit dhe tani ajo është garant që Kosova të ndërtojë në paqe shtetin demokratik të Kosovës, pavarësinë e saj shtetin demokratik, sovran dhe të pavarur.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk