Elina Duni: Folku shqiptar më zgjoi në skenat evropiane
Izaura Ndoj
Muzika tradicionale e Evropës juglindore e shkrirë në ngjyrat e xhazit modern tashmë është bërë e njohur fal muzikës së kuartetit dhe zërit të Elina Dunit. Ajo është “Baresha” që vallëzon këmbëzbathur mbi livadhet e gjelbra, nëpër Evropë me bazë folklorin shqiptarë. Në një intervistë për “Summer Time” Elina Duni, na tregon fillimet e saj në muzikë, ikjen nga Shqipëria dhe rrugica “Siri Kodra që në moshën 10-vjeçare, pasionin për muzikën dhe folklorin shqiptar si dhe detaje mbi albumin e ri.
Elina Duni u largua nga Shqipëria në moshën 10-vjeçare dhe
ka kryer pjesën më të madhe të edukimit të saj muzikor në Zvicër. Çelësi i
suksesit të saj gjatë këtyre viteve është se ajo njeh mirë letërsinë dhe
folklorin shqiptarë. Cilësitë e saja, fryt i zhvillimit personal i cili filloi
që prej fëmijërisë, i kanë dhënë mundësinë të ndërthurë dijet e saja të të
gjithë skutave të xhazit vokal me dashurinë e saj për të komunikuar me traditat
muzikore të mëmëdheut Shqipëri…
Elina, prej disa
javësh keni qenë e angazhuar me një tur koncertesh së bashku me Gent Rushin në
jug të Shqipërisë?
Me Genti kam shumë vite që bashkëpunoj gati 11 vjet. Në
vitin 2001 kemi bërë një nga koncertet e para të jazz-it në Akademinë e Arteve
dhe tashmë kemi një projekt ku ai i bie fizarmonikës dhe unë i bie kitarës dhe
këndoj, një repertor i larmishëm pa lënë pas dhe muzikën xhaz. Ky projekt është
interesant dhe për faktin se ne tashmë u bën vite që bashkëpunojmë.
Tashmë emri juaj është
bërë i njohur në të gjithë Evropën. Po si kanë nisur fillimet tuaja në muzikë?
Kam filluar të këndoj që në moshën 5-vjeçare. Ka qenë Fatos
Qerimi ai që më ka zbuluar dhe tha se do bënin këngë për mua. Që në atë moshë
kam filluar të këndoj nëpër Festivalet e fëmijëve dhe Pionierëve, kam kënduar në
cirk, Radio Televizion, etj. Për mua skena ka qenë gjithmonë e natyrshme, dhe për
këtë arsye që e vogël kam qenë e ndjeshme ndaj muzikës. Kujtimet e para që kam
në jetë kanë qenë ndaj muzikës.
Ju kanë mbështetur
prindërit në këtë rrugë arti?
Dy prindërit e mi janë artistë; Spiro Duni regjisor dhe Besa
Myftiu shkrimtare. Kam pasur fatin që familja ime më ka mbështetur shumë në këtë
rrugë arti. Kam pasur fatin të punoj me babanë dhe nënë time ku kemi realizuar
spektakle dhe teatër së bashku. Më duket shumë bukur kur një familje arrin të
kalojë funksionalitet jashtë kornizave duke bashkëpunuar në skenë. Jemi thjeshtë
tre artistë që mundohen të bëjnë diçka në këtë botë.
Si i kujtoni fillimet
tuaja në muzikë. Kanë qenë të vështira ato momente?
Sigurisht që kanë qenë vite të vështira! Të ikësh nga kjo
rrugë ku ne jemi në këto momente “Siri Kodra” në moshën 10 vjeçe ka qenë një
lloj parajse. Unë kam jetuar një fëmijëri të jashtëzakonshme në Shqipërinë
komuniste e rrethuar njerëzit e mi më të dashur. Ka qenë e vështirë se të ikësh
në një vend kur ti nuk njeh as gjuhën gjithçka të duket e huaj, ka qenë një
shok shumë i madh. Ajo që më ka shpëtuar nga ky ndryshim i madh ka qenë muzika
edhe në Zvicër. Në këtë vend dëgjova për herë të parë “Bitellesat”, dhe për një
periudhë të shkurtër kohore ato u bën shokët e mi. Kudo që shkoja kisha një
kasetofon të vogël që e mbaja me vete gjatë gjithë kohës.
Çfarë ndodhi me Elinën
pas këtyre viteve?
Në fillim nisa pianon, pasi gjithmonë kisha dashur të
bëhesha një pianiste por, në Shqipëri më kishin dhënë violinën. Ishte diçka e
bukur për mua në atë kohë. Pas mbarimit të gjimnazit artistik nisa të interesohesha
për muzikë si jazz, bluz etj, isha vetëm 18-vjeçe kur vendosa se do të bëja
muzikë jazz.
Si e kujtoni daljen
tuaj të parë profesionale?
Gjatë gjithë atyre viteve unë kam qenë gjithmonë pjesëmarrëse
nëpër mjuzikëll si në akademi ashtu edhe nëpër koncerte të ndryshme. Por, dalja
ime më e rëndësishme ka qenë albumi im në 2008 “Bareshat” dhe në atë kohë kam bërë
dhe turneun tim të parë të vërtetët në skenat evropiane.
Si lindi projekti për
albumin “Bareshat”. Një album që pati kritika pozitive në mbarë Evropën?
Projekti për realizmin e albumit ka nisur në 2005, para 7
vitesh kur unë njoha Colin Valon, kitaristi dhe muzikant i jashtëzakonshëm.
Ishte propozimi i tij për të bërë pjesë të albumit “Baresha” pjesë nga folklori
shqiptar. Në fakt, unë nuk e njihja mirë folkun shqiptarë dhe për arsyen se
isha larguar në një moshë shumë të vogël. Puna nisi me disa kaseta të vjetra ku
pjesë e tyre ishte, Merita Halili, Eli Fara, Parashivisi Maku e cila për mua ka
qenë ikona e muzikës popullore dhe një frymëzim shumë i madh për mua si këngëtare
jazzi. Pas këtyre studimeve nisa të këndoj dhe jam çuditur me vete se si ky
tingull arrinte të dilte nga unë dhe më në fund ja gjeta çelsin. Ishte një
ndjenjë shumë e bukur. Kështu nisi dhe transformimi i duos me Colin Valon, trio
dhe kuartet.
Prej vitesh jeni bërë
një emër i njohur në Evropë për muzikën jazz së bashku me kuartetin tuja. Ju
mungon qyteti juaj ku jeni rritur?
Më magjeps shtegtimi dhe e adhuroj ndjenjën e të zbuluarit në
qytete të ndryshme të Evropës. Është fat që shumë njerëz e adhurojnë muzikën
jazz dhe gjithmonë ka takime dhe qytete të reja. Për mua momenti i turneut është
momenti më i bukur i muzikës. Çdo ditë energjia e jotja përqendrohet vetëm tek
koncertet dhe realizmi i tij.
Çfarë simbolizon për
ju muzika shqiptare?
Muzika shqiptare, është një muzikë shumë poetike. Sigurisht,
shqipja duke u shkruar vonë, ka qenë një gjuhë më tradita shumë të mëdha
gojore. Të gjitha traditat janë transmetuar midis brezave gojarisht, nëpërmjet
këngëve, rapsodët, poezitë etj. Për mua është gjuha e poezisë. Folku shqiptarë
ka një esencë shumë poetike shumë të madhe. Pra, shikimi im ka qenë një shikim
sublimes dhe kam pasur nevojë të identifikohem me rrënjët e mija sepse çdo i
mërguar e ruan origjinën e tij.
Cilat janë projektet
që do t’iu ndjekin në vazhdim?
Albumi i tretë “Matanë malit” është një homazh për Shqipërinë.
Në brendësi të tij ka vetëm këngë shqiptare, kompozimet të mija, por ka dhe këngë
të vitit 1962 e Vaçe Zelës që u kritikua në atë kohë. Ky album është një
udhëtim nëpër historinë shqiptare dhe për mua poezia është shumë e nevojshme.
Comments
Post a Comment