Gjuha letrare kombëtare shqipe, dhe përshkallëzimi i një debati shterp
Nga Stavri J. Dajo
Doktor i Shkencave, në universitetin “Aristotelis”, Selanik
Gjuha shqipe është pa dyshim, arritja më e madhe shpirtërore e popullit
shqiptar, në fillin e shekujve. Kjo, pos vlerës reale dhe simbolike, ka dhe një
kuptim shumë më të thellë për shqiptarët, se lidhet me vetë mbijetesën e tyre
dhe të vetë kombit. Për më tepër, kur mendon se shqipja ka mbijetuar me një
sistem të plotë, të pasur dhe të pandikuar gramatikor morfologjik, mes trysnisë
së dy gjuhëve më të moçme të rruzullit, greqishtes së vjetër dhe latinishtes,
të cilat, për kohën e tyre ishin “lingua franca”, kjo arritje merr vlera edhe
më të mëdha. Thënë ndryshe, shqipja e ka provuar veten se është dhe rezistente
dhe e gjallë. Në kohët moderne, Kongresi i Manastirit (1908), dëshmoi
historikisht se vizionarët mendjemprehtë të Rilindjes Kombëtare, që e lidhën
gjuhën (ose alfabetin e saj) me ekzistencën e vetë kombit shqiptar, e integruan
shqipen në gjuhët e favorizuara, se institucionalizimi (po, saktë,
institucionalizimi) i alfabetit latin, e bën shqipen, përveç të tjerash, të mos
ndihet inferiore sot, në kohën e rrafshimit agresiv internetik, dhe të mos
ndeshë vështirësi teknike, siç ndeshin gjuhët me alfabet cirilik, arab, kinez
etj.. Gati gjashtë dekada më vonë, mendimtarët mendjehapur të gjuhësisë
shqiptare, nga të paktat shkenca të mirëfillta, ndofta, në kohë të
obskurantizmit komunist, për të cilët ndjej një adhurim të përveçëm, E. Çabej,
M. Domi, Sh. Demiraj, A. Kostallari dhe brezi më ri i tyre, njësoi gjuhën
letrare kombëtare shqipe, me Kongresin e Drejtshkrimit (1972). Ishte një akt
madhor i kulturës dhe i shkencës shqiptare dhe, për mendimin tim, shkencërisht
i saktë. Në kohën që pati zëra, se e folmja gege dhe toske nuk janë dialekte të
një gjuhe, por dy gjuhë të veçanta, u provua katërçipërisht dhe në praktikë, se
shqipja është një, dhe kombëtare. Pa thënë ndonjë gjë të re, dua të përsëris se
Kongresi i Drejtshkrimit, nuk njësoi vetëm gjuhën, por edhe kulturën që shpreh
kjo gjuhë, sepse mishëron bashkimin e mëtejshëm të shqiptarëve. Për mendimin
tim, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, duhet të radhitet krahas
shpalljes së Pavarësisë, Kongresit të Manastirit dhe Çlirimit të Shqipërisë. Që
atëherë, evoluimi i gjuhës shqipe ishte i hovshëm dhe i paprapësueshëm. Të
gjitha llojet e ligjërimit (letrar, publicistik, shkencor), u pasuruan dhe u
njësuan. I vetmi “cen” që mund t’i faturohet këtij zhvillimi, ishte përpjekja e
tejskajshme purifikuese e gjuhës, por edhe kjo ka shpjegimin e vet, lidhet me
rezistencën pasive të gjuhëve të vogla për të mbijetuar. Nuk duhet të arrinte
në ekstrem, nën shembullin e dijetarëve rilindës, sepse shqipja (do të)
huazonte njësi leksikore, pra fjalë, si të gjitha gjuhët dhe jo mjete e forma
gramatikore, që të ndryshonte strukturat e veta. Por, cene të tilla nuk e
zbehin aspak madhështinë e aktit vizionar të gjuhëtarëve e profesorëve të
nderuar, që në atë terr kulturor, ditën të përcjellin pishtarin e shkencës së
vërtetë.
Për fat të keq, me përmbysjen e sistemit komunist, u orvat të përmbysej
“en masse” dhe kultura dhe shkenca komuniste, një pjesë e së cilës, jo pa
vlera. Një praktikë e tillë antishkencore, është edhe përshkallëzimi i debatit
shterp për gjuhën letrare kombëtare shqipe, një dukuri që habit shkencëtarët me
minimumin e ndërgjegjes gjuhësore. Thjesht se shqipja e sotme letrare, po
rrënjoset si e tillë në ndjesinë gjuhësore të mbartësve të saj, po bëhet gjuhë
mbarëkombëtare dhe mjet i komunikimit të shqiptarëve, që e flasin në Shqipëri e
diasporë, dhe kjo është një dukuri për ta duartrokitur. Sistemi i saj
morfologjik nuk përjashton futjen e elementeve (leksikorë dhe morfologjikë) nga
dy të folmet, përkundrazi. Epërsia e dialektit toskë, lidhet ndofta, me
ndihmesën më të madhe dhe ndofta dhe me kultivimin më të madh të dijetarëve nga
jugu (p.sh., Naimi) dhe jo, ma do mendja, me preferencat e gjuhëtarëve që e
institucionalizuan. Politizimi i debatit ishte akoma më i krupshëm. Por
gjithmonë, kur heshtin shkencëtarët, ose grinden (nuk debatojnë shkencërisht),
flasin politikanët parimelënë, ata që e përdhunojnë sa herë, shkencën. Dhe për
ta kuptuar këtë, nuk lypset shumë mund, mund të lexoni ligjërimin elegant të
specialistëve të gjuhës dhe ligjërimin politik të çdo politikani. Do të shikoni
që amplitudat janë tronditëse.Debati i çelur rishtas, për standardin dhe
drejtshkrimin e “ë”-së së patheksuar, dhe opinionet ndërhyrëse me vend të
Ardian Vehbiut dhe Anila Omarit, konfirmojnë edhe një herë, se shoqëria civile
e përcjell përnjëmend me indiferentizëm biblik, madje me mospërfillje kriminale,
cungimin e shqipes dhe alfabetit të saj, dhe ç’është më e keqja, stimulon një
debat shterp për një “hapjen” e standardit ndaj dialekteve, (duke patur
parasysh, kryesisht të folmen e gegërishtes) ndërsa në anën tjetër, demonstron
një mungesë tërësore kontrolli e pakujdesjeje, për evoluimin e shqipes së
sotme, herë me lektisje ndaj përdorimit të regjistrave të tjerë ligjërimorë, e
herë me inflacionin e pashpjegueshëm të barbarizmave të panevojshëm, që
tregojnë, pos të tjerash, lakuriqësinë gjuhësore të autoriteteve publike dhe të
shumë “intelektualëve të tjerë analfabetë”. Gjuha shqipe është një e mirë e
përbashkët, e trashëguar, që shqiptarët duhet t’ua përcjellin brezave, të plotë
e të pacunguar, madje më të pasur e më të vyer. Nuk është pronë e shqiptarëve
të sotëm, por një pasuri shpirtërore e marrë hua, që duhet t’ua përcjellim
brezave që do të vijnë.
Është një e vërtetë e pamohuar, se gjuha ka ligjet e veta të
zhvillimit, të pavarura dhe të mëvetësishme, por është po aq e vërtetë, se këto
ligje i institucionalizojnë shoqëritë civile, të cilat, kohë pas kohe, me aktet
e tyre ndërhyrëse, pra me reforma a reformime, “disiplinojnë” bartësit e
gjuhës, e sidomos ata të ligjërimit gojor, të cilët kanë tendencë shkëputjeje
nga rregullat gjuhësore normative. Dhe këtë punë e bëjnë dhe duhet ta bëjnë
vetëm specialistët e gjuhës, dijetarët e saj dhe aspak politikanët dhe ca më
shumë, politikanët me kulturë të mangët gjuhësore. Politikanët kanë për detyrë
të institucionalizojnë rekomandimet shkencore të specialistëve dhe të
respektojnë gjuhën normative, duke e përdorur atë saktë. Nuk besoj aspak, se
gjuha e sotme shqipe ka nevojë për reforma dhe përmbysje rrënjësore, për hapje
ndaj standardeve dialektore, ose për karakterizimin e tyre si variante
jostandarde (p.sh. gegërishten), për faktin se koineja letrare shqipe, ose
gjuha e përbashkët letrare shqipe, është e hapur ndaj të dy varianteve të saj
dialektore, të vetmet rezervuarë formash e njësish leksikore, se për fat të
keq, shqipja e shkruar është relativisht e re dhe akoma më i ri, alfabeti i
normuar i saj (d.m.th. rregullat drejtshkrimore). Gjuha shqipe ka pasur fatin e
mirë të ketë gjuhëtarë të mirë, por edhe përkthyes të zotë që kultivuan me
merak shqipen, kujtoni Fan Nolin, Dhimitër Paskon, Petro Zhejin, për të mos
harruar të gjithë ata mjeshtrit e tjerë të gjuhës shqipe, që i dhanë lexuesit
shqiptar vepra të letërsisë botërore, duke konfrontuar me dinjitet shqipen me
anglishten, frëngjishten, greqishten e vjetër apo latinishten… Një vepër
madhore. Këtyre ustallarëve duhet t’u heqim kapelën me mirënjohje!
Së fundmi, më duket krejtësisht e papërligjur, brengosja e disa
kolegëve sedërlënduar për gjuhën e “chat”-eve, që përdorin kryesisht grupmoshat
e reja, si një gjuhë “trendy”. Kjo dukuri është e mbarëpranishme në gjithë
botën, ca më shumë në anglisht dhe botën anglosaksone, ku e ka dhe amën, dhe ku
problemet e drejtshkrimit janë më të mprehta dhe më të mëdha. Në përmbyllje të
këtyre mendimeve, shpreh besimin tim të plotë shkencor, se shqipja, ndodhur
vërtetë mes udhëkryqesh dhe sfidash, si shumë gjuhë të mëdha e të vogla, në
kohën e gjuhës internetike, ka të ardhme dhe do të vijojë të jetë mjeti
komunikativ i shqiptarëve, për shumë e shumë mote.
Comments
Post a Comment