Ismail Kadare: Shqipëria dhe Greqia s’kanë qenë kurrë fqinj të mirë



Shkrimtari me famë botërore Ismail Kadare është i mendimit se Shqipëria dhe Greqia nuk janë aspak fqinj të mirë dhe kjo ka vite, madje shekuj. “Kemi qenë nën një fatkeqësi të përbashkët osmane dhe prapë shkonim jo mirë. U bëmë shtete të lira, gjithmonë vazhdon e njëjta gjë. Tani jemi të dy në NATO, gjithmonë ashtu”, shprehet Kadare. Në intervistën dhënë gazetës “Pobjeda” të Malit të Zi, Kadare vlerësoi se në gadishullin plot keqkuptime dhe psikoza të zymta, raportet Mal i Zi – Shqipëri janë një model i kundërt, model i së ardhmes së qytetëruar, që Evropa e Bashkuar duhet të dijë ta çmojë. Shkëpusim pjesë nga kjo intervistë e gjatë për këtë gazetë të Malit të Zi para vizitës së Kadaresë në këtë shtet, ku do t’i promovohet romani i tij i përkthyer “Darka e gabuar”.
Temat për veprat Tuaja i nxirrni nga historia shqiptare, nga mitologjia, folklori, por madje edhe nga viset, siç është Egjipti, por me referenca edhe ndaj aktualitetit. Ishin inspiruese piramidat dhe ndërtimi i tyre, historia greke dhe mitologjia. Keni shkruar librin ese për Eskilin. Pse Eskili?
Kadare: Letërsia, në mënyrë të natyrshme, intriseke lind si pasuri universale. Më lejoni të përsëris mendimin se ajo qysh në çastin kur lind, është njëherësh pasuria e popullit dhe gjuhës që e lindi, dhe po aq e gjithë popujve dhe gjuhëve të tjera. Unë si shkrimtar s’kam bërë gjë tjetër, veç i jam bindur këtij kodi të saj.
Kjo është e thjeshtë. Tek ju, siç më thatë, do të botohet romani im “Darka e gabuar”. Ky është rrëfimi për një darkë, le ta quajmë “problematike”. Pas jetës së tij shqiptare, me përkthimin në frëngjisht ky rrëfim ka pasur një jetë franceze, pastaj me radhë një jetë spanjolle, gjermane, holandeze etj., dhe së shpejti do të ketë jetën e tij malazeze.
Ju më pyesni: Përse Eskili?
Ideja për të shkruar diçka për Eskilin, ka ardhur fare thjesht: me rastin e botimit të veprës së tij komplete në shqip më 1985, pranoj të bëj parathënien. Pastaj truri vihet në lëvizje dhe gjithçka merr rrugë. Ky është ati i tragjedisë, pra një themelues i madh. Ky është autor i “Prometheut”, sfidantit të tiranisë. Përshkues i komploteve dhe vrasjeve në pallat. I përshtatshëm si rrallëkush për botën tonë komuniste, e sidomos për Shqipërinë tonë. E, veç kësaj, siç e thashë më lart, ky është zemëruar me shtetin, me teatrin, me spektatorët, shkurt, me gjysmën e popullit, një gjendje e njohur për shumë shkrimtarë të ish-Lindjes.
Një tjetër motiv që erdhi e u shtua më pas ishte njëfarë prove në të cilën desha të vë ndërgjegjen time prej shkrimtari: a do të isha në gjendje të shprehja adhurimin tim të thellë për një autor grek, pra për një ballkanas, për një fqinj? Juve mund t’ju duket e çuditshme disi kjo pyetje, sepse ju nuk jeni fqinjë me Greqinë. Kurse ne, jo vetëm jemi fqinjë, por s’jemi aspak fqinjë të mirë. Shkurt, që të flas pa doreza, Shqipëria me Greqinë fatkeqësisht nuk shkojnë aq mirë sa ç’do të duhej. E sidomos për dy fqinjë që janë nga dymijë vjet të tillë. Dhe kjo ka vite, madje shekuj.
Kemi qenë nën një fatkeqësi të përbashkët osmane, dhe prapë shkonim jo mirë. U bëmë shtete të lira, gjithmonë vazhdon e njëjta gjë. Tani jemi të dy në NATO, gjithmonë ashtu. Janë bërë qindra studime, doktorata, deklarata se kemi marrëdhënie të mira, se popujt janë të mirë, se na bashkon kjo e na bashkon ajo, e unë prapë po ju them se s’ka ndryshuar gjë. Ju mund të pyesni pse? E unë po ju them s’e di. Madje jam i bindur se në thelb, askush nuk e di, as grekët, as shqiptarët s’e dinë.

Herë pas here ka periudha qetësie, të gjithë mendojnë, e po, lavdi Zotit, kaloi më në fund nervozizmi, keqkuptimi për X çështje apo Y incident. Por s’është ashtu. Për acarimin më të parë kthehen prapë të gjitha: fyerjet e kota, nervat, xhelozia e ndërsjellë. U bënë shqiptarët të na mësojnë ne, grekëve. U bënë grekët të na shesin mend ne, shqiptarëve.
E shkrova pra sprovën për Eskilin dhe mendoja se, me siguri, grekët do thoshin: doli shkrimtari shqiptar të na zbërthejë neve Eskilin! Kurse shqiptarët mund të thoshin: po ky, i yni, ç’pati që lajthiti e u mahnit pas teatrit grek?
Për habinë time të madhe, ndodhi e kundërta. Libri im u botua e u ribotua në Greqi dhe shtypi e priti shumë mirë. Akoma më i gëzueshëm ishte për mua fakti që askush në Shqipëri nuk prishi buzët për këtë adhurim ndaj kulturës greke. Pra gjërat nuk janë aq pa shpresë sa ç’mund të duken në këtë gadishullin tonë.
Në Mal të Zi do të botohet i përkthyer në gjuhën malazeze romani Juaj “Darka e gabuar”, nga Shtëpia Botuese CID. Ka qenë ideja ime t’ju pyes se me cilin libër keni dëshirë t’i prezantoheni lexuesit në Mal të Zi. Keni vendosur të botohet “Darka e gabuar”. Pse jeni përcaktuar për këtë libër?
Kadare:Të them të drejtën, e kam dhënë këtë parapëlqim pa bërë ndonjë reflektim kushedi çfarë. Thjesht ashtu më është dukur: lexuesi shqiptar e ka pëlqyer veçanërisht këtë libër, pra edhe ai malazez do ta pëlqejë.
Të them këtu ca fjalë që ngjajnë si të dëgjuara: afërsia e dy popujve, letërsia që e shton afërsinë etj., etj., besoj se s’është nevoja. Ndërkaq, kur m’u bë pyetja për të bërë një zgjedhje për Malin e Zi, sinqerisht desha që të bëja zgjedhjen më të mirë, ashtu siç bëhet për lexuesin që e çmon, që e ndien veçanërisht të afërt. Dhe e bëra pa asnjë mëdyshje.
Eshtë paralajmëruar vizita Juaj në Mal të Zi në gjysmën e dytë të këtij viti. Me sa di, kjo është vizita Juaj e dytë. Keni qenë në këtë shtet edhe disa vite më parë. Si e përjetoni Malin e Zi, popullin malazez, historinë malazeze. Meqë jemi fqinj të parë, e ndajmë dhe e kemi ndarë fatin e njëjtë nëpër shekuj. Malazezët dhe shqiptarët kryesisht kanë jetuar në marrëdhënie të mira fqinjësore, me mirëkuptim dhe respektim të plotë.
Kadare:Vitet e fundit nuk udhëtoj shpesh, por në Mal të Zi do të vij me shumë dëshirë. Përsëri do të doja t’u shmangesha fjalëve etikisht korrekte dhe besoj se do t’ju bind. E kaloj një pjesë të kohës në Paris, ku, si kudo në Europë, bie fjala shpesh për Ballkanin, shtëpinë tonë të madhe problematike.
Hallet e kësaj shtëpie, neve që ndodhemi larg na duken shpesh më dramatike se ç’janë. Dhe fare natyrshëm, si ata që ndiejnë mungesën e diellit, ne ndiejmë nevojë për lajme të mira. Por, fatkeqësisht, lajmet e mira nuk vijnë kur i duam. Madje qëllon që kur ti i pret ato, si për inat, vijnë të kundërta. Atëherë ti në veten tënde përpiqesh të prodhosh pozitivitetin.
Pra, kur qëllon të ndihem i pikëlluar dhe dua t’i jap vetes shpresë, si një ndjesi e mirë në fillim, e pastaj si ide, më vjen ndër mend se ja, edhe atje në gadishullin e ashpër, nuk ka veç shtete që grinden, por ndodh edhe diçka e mirë. E një nga gjërat e mira është ajo që ndodh atje, në Veriun e Shqipërisë, pikërisht midis saj dhe Malit të Zi.


Dhe kjo që them nuk është aspak një ndjesi poetike-sentimentale. Marrëdhëniet e mira, për të cilat folët ju, midis Shqipërisë dhe Malit të Zi janë një lajm i mirë, për dy shtetet tanë, për dy popujt, për krejt gadishullin dhe, pse jo, për Europën. Nuk është diçka e rastit, por e vijueshme, me rrënjë historike, siç thatë ju. Në gadishullin plot keqkuptime dhe psikoza të zymta, raportet Mal i Zi – Shqipëri janë një model i kundërt. Model i së ardhmes së qytetëruar, që Europa e Bashkuar duhet të dijë ta çmojë.
Do të doja të theksoja këtu se ky proces i mbarë po ndodh midis dy popujve fqinjë, që s’janë aspak të dalluar për ndonjë urtësi shembullore, përkundrazi, janë popuj që dinë të bëjnë gabime, që janë mjeshtër për një gjë të tillë, madje që mund të nxjerrin dhe armët, ashtu siç i kanë nxjerrë kundër njeri-tjetrit. (Kjo mund t’ju duket disi e tepruar për njerëzit tuaj, por unë s’kam droje ta them për të mijtë). Kjo tablo, që dikujt mund t’i duket jo fort e lakmueshme, duhet të na bëjë ta çmojmë edhe më shumë këtë normalitet. Sepse pajtimi i ardhur përmes vështirësish, është më i qëndrueshmi se të gjithë.
Autori i librit “Shembujt e burrërisë dhe të trimërisë”, të këtij kodeksi unik moral, Mark Milani, njësoj i ka marrë shembujt e burrërisë, të moralit e të trimërisë dhe i ka përfaqësuar në atë libër, kur është fjala për shqiptarët dhe malazezët, pra nga populli malazez dhe shqiptar. Kjo është shenjë se shumë veçanti na bëjnë të ngjashëm, kurse fijet dhe lidhjet na bëjnë të afërt.
Kadare:Më vjen mirë që i dëgjoj këto fjalë prej jush. E kam lexuar një libër të Mark Milanit kohë përpara. Ndoshta është ky, libri ku linte porositë e tij për raportet me shqiptarët. Jam prekur nga këto porosi, sepse janë tepër të fisme dhe, si të tilla, e nderojnë personazhin e madh. Nga ana tjetër, ato nderojnë popullin malazez që, duke e çmuar personazhin, kanë treguar se e çmojnë mesazhin e tij.
Nuk është kaq e lehtë kjo gjë në Ballkan. Më 1984, gjatë një forumi shkrimtarësh në Athinë, kam pasur fatin të njihem e të bisedoj gjatë me Danilo Kishin. Një nga gjërat që më tregoi ishte se kishte pasur nënën malazeze. Dhe fill pas kësaj shtoi se nëna i kishte thënë diçka të mirë për shqiptarët, por ai kishte qenë i vogël dhe nuk e kishte kuptuar dot se përse m’u midis kohës kur acarimi jugosllavo-shqiptar ishte në kulm, nëna mendonte ashtu.

Diçka të ngjashme për afërsinë midis dy popujve më ka treguar trashëgimtari i derës suaj mbretërore, që e kam takuar disa herë në Paris, në darka të miqve tanë të përbashkët. (Vepra “Kurora e maleve” e gjyshit të tij, në mos gaboj, ka qenë e njohur në Shqipëri në kohën e mbretërisë). Kam mësuar nga goja e tij gjëra interesante, që lidheshin me doket e përbashkëta, p.sh. si pritej një mysafir malazez në një shtëpi shqiptare e si pritej mysafiri shqiptar në shtëpinë malazeze. E merrni me mend se sa e këndshme është që, në një darkë pariziane, të bisedosh për darka të vjetra, miqësore në Ballkan.
Pavarësisht dramave që kanë ndodhur, unë besoj në pajtimin ndërballkanik. Ballkanasit kanë përjetuar ndërlikime të mëdha. Ata do të jenë të aftë për të përballuar misionin më të madh, që ndoshta historia po iu vë përpara: paqen mes tyre. Por misionet serioze nuk janë si punë vodëvilësh. Ato kërkojnë seriozitet. Dhe serioziteti në këtë rast ka të bëjë me të vërteta të mëdha, prej të cilave s’duhet të kemi frikë.
Ne jemi njerëz të artit. Më mirë se të tjerët ne e dimë se historinë e madhe të botës nuk e përbëjnë egërsia dhe krimet, por lamtumira me to. E lamtumirë do të thotë shpërndarja e mjegullës, dalja e së vërtetës e, nëpërmjet saj, lehtësimi i ndërgjegjes nëpërmjet pendimit, kërkimit të ndjesës, dhe së fundi, paqtimi.
Ju jeni një popull që i përkisni familjes sllave, ne jemi, përkundrazi, një popull i vetmuar. Familja zakonisht i pasuron popujt, por edhe vetmia, në mënyrë të ndryshme bën të njëjtën gjë. Ndaj është diçka dyfish e bukur kur popujt e ndryshëm janë fqinjë të mirë.
Me çfarë dëshirash do të vini në Mal të Zi?
Kadare:Jam i ftuar si shkrimtar, e natyrisht do të vij si i tillë, për një libër që flet për një darkë të gabuar. Natyrisht që jam duke bërë shaka, kur po e lidh bujtjen time me atë që tregohet në këtë libër. Eshtë krejtësisht e kundërta, është një bujtje veçanërisht e gëzueshme për mua. Jam kurioz të marr kontakt me lexuesin malazez. Dhe jam kurioz, veç të tjerash, se a ngjan ende ndopak rituali i pritjes së mysafirit shqiptar, ashtu siç ma ka treguar princi juaj.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk