Jonida Onuzi: Baleti mbetet pasioni im


Izaura Ndoj 
Ishte vetëm 11 vjeç, kur ka prekur skenën dhe ka rrëmbyer duartrokitjet e para si balerina fluturuese, në Teatrin e Operas dhe Baletit. Por sot, balerina soliste Jonida Onuzi, rrëfen për “Summer Time”, ndjesinë e të qenurit nënë për herë të parë, dashurinë për djalin dy muajsh, pasionin për baletin si dhe projektet që do ta rikthejnë në shtator, pranë Teatrit të Operas dhe Baletit. “Të them të drejtën, akoma më duket e pabesueshme. Deri në momentin që fëmija vjen në jetë, nuk mund ta çosh nëpër mend se çfarë ndjesish të forta dhe të pakrahasueshme janë”, - shpreh Jonida. Balerina Jonida Onuzi, prej shumë vitesh ka marrë pjesë në shumë aktivitete koncertore të shkollës, jo vetëm në skenat shqiptare, por edhe ato të huaja. Përveç pasionit për baletin, gjatë kësaj interviste ajo na tregon më shumë për jetën e saj artistike, emocionin e të qenurit nënë, si dhe projektet në vazhdim.

 
Jonida, prej disa kohësh keni sjellë në jetë fëmijën tuaj të parë. Mund të ndani me ne disa momente?
Është e vërtetë, kam lindur një djalë dhe është gati dy muajsh. Të them të drejtën, akoma më duket e pabesueshme. Deri në momentin që fëmija vjen në jetë, nuk mund ta çosh nëpër mend se çfarë ndjesish të forta dhe të pakrahasueshme janë. Është një mrekulli që të fal Zoti, që del nga trupi yt dhe është një dashuri e paimagjinueshme. E gjithë bota jote vërtitet rreth tij, dhe asgjë më nuk ka rëndësinë që kishte patur më parë, madje dhe ato që deri dje mund të kishe menduar se ishin më të rëndësishmet. Fëmija të ndryshon jetën, ta zbukuron, është një ndjenjë aq e fortë sa nuk ka fjalë për ta përshkruar.


Përveçse një balerinë e zonja, ju shikojmë që jeni dhe një nënë e kujdesshme, apo jo?
Të them të drejtën, jam 100% e përkushtuar ndaj djalit tim, dhe këtë e bëj me dashurinë më të madhe dhe përveç kësaj, kam një bashkëshort të mrekullueshëm që më ndihmon shumë dhe çdo gjë ma bën më të lehtë. Gjithmonë kam qenë e kujdesshme për çdo gjë që kishte të bënte me mua, me jetën time në çdo aspekt. Tani, me djalin jam shumë herë më shumë dhe kjo është normale besoj, për të gjitha nënat. Është një kujdes dhe një përkushtim që të vjen natyrshëm dhe nuk ndjen asnjë lodhje kur shikon sytë e tij dhe të fal një buzëqeshje. Në atë moment, do falja gjithë botën!



Ajo që po më bën përshtypje është eleganca juaj. Si keni mundur të qëndroni në formë?
(Qesh) Nuk kam bërë asgjë, madje kam ngrënë që të mund të ushqeja djalin, por besoj që është organizmi që ma bën pak më të lehtë.
Si nis dhe si përfundon dita për Jonidën? Dita nis me një zgjim herët në mëngjes, dhe tani me një zile ndryshe, ose ka të ngjarë që edhe s’ke fjetur fare gjithë natën. Një mëngjes të shpejtë, dhe më pas angazhimet me djalin, familjen dhe miqtë. Por, çdo ditë është e mrekullueshme dhe mundohem ta shijoj në maksimum, sepse asgjë nuk përsëritet më.


Si e kujton ngjitjen e parë në skenë, në këto momente?
Kam qenë dhjetë vjeçe, sapo kisha filluar klasën e pestë dhe pas një përzgjedhjeje të dy klasave, u caktuan pesë çifte për të kërcyer “Tarantelën”, në një shfaqje që do të zhvillohej tek Piramida. Mbaj mend emocione të pakrahasueshme, pasi ishte hera e parë që ngjitesha në një skenë të vërtetë, të shumë ëndërruar.
Jeni pjesë e një brezi që ka shumë pak hapësira për të debutuar në skenë, dhe për të treguar vlerat që ndoshta s’ju mungojnë. Si mendoni ju?
Përkundrazi, unë do të thoja që ne jemi një brez shumë me fat. Kemi kërcyer shumë, nga veprat më të bukura shqiptare e botërore, në skenat tona e të huaja. Mbase jo për të gjithë kjo është e vërtetë, por një pjesë e mirë e brezit tim e kanë gjetur veten fare mirë do të thoja unë, qoftë nëpër televizione, në teatër apo diku tjetër. Shkollën e baletit e mbarojnë shumë nxënës, por më të mirët e gjejnë veten dhe i tregojnë vlerat e tyre, por kjo do një punë sistematike dhe shumë vullnet.

 Nëse nuk do ishe bërë balerinë, cili do të ishte profesioni juaj?
Gjithmonë jam munduar ta çoj nëpër mend se çfarë do të isha bërë, nëse nuk do të isha një balerinë, por gjithmonë ngelet një pikëpyetje sepse e dua kaq shumë këtë profesion, sa që çdo mendim tjetër që më vjen ndërmend, e largoj menjëherë.
Kush ka qenë eksperienca më e bukur që të ka lënë mbresa, pas kaq vitesh?
Nuk do të doja të bëja një përzgjedhje kjo apo ajo, sepse të gjitha eksperiencat janë të mrekullueshme dhe me veçantitë e tyre. Megjithatë, në një numër të madh debutimesh në skenat tona dhe të huaja, do të veçoja baletin e parë të plotë që unë kam kërcyer, që në fakt është dhe i pari në gjininë e tij, në stilin kontemporan, baletin “Franceska Da Rimini”.
Po eksperienca më e vështirë për ju?
Më e vështira do të thoja në Chicago. Chicago, sepse të debutosh së bashku me trupën e “Joeffrey Ballet”, një nga teatrot më të mira në botë me balerinë të jashtëzakonshëm, është një ëndërr. Fillimi gjithmonë është i vështirë, sepse shkon në një vend ku s'njeh asnjeri, s'njeh as mënyrën e punës, as mentalitetin. Por, me shumë punë dhe vullnet gjithçka shkoi më së miri, madje ftesa u përsërit sërish.
Cilat janë projektet që do t’iu rikthejnë në skenë?
Tani për tani, përkushtimi im i vetëm është fëmija im, por në shtator, kur të filloj punë do të nis të angazhohem sipas kalendarit të Teatrit të Operas dhe Baletit.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk