Luar Arani: Jeta ime mes Berlinit dhe Tiranës, triumfuese


Izaura Ndoj
Pasioni dhe talenti janë dy elementët bazë që e kanë ndjekur zërin brilant të skenës shqiptare. Kjo është Luar Arani, këngëtarja e cila tashmë është bërë një emër i afirmuar i muzikës së lehtë. Në një intervistë për “Summer Time”, Luar Arani na rrëfen fillimet e saj në muzikë, jetën mes Berlinit dhe Tiranës, pasionet e saj si dhe projektet që do ta rikthejnë për të pasionuarit e muzikës. Luar Arani, ka nisur të këndojë që në moshën 5-vjeçare nëpër festivale të ndryshme, por pasioni për muzikën e ndoqi gjatë gjithë kohës, duke mos hequr dorë asnjëherë. Në moshën 16-vjeçare realizoi dhe bashkëpunimin e saj të parë, me këngëtarin Flori Mumajesi, me këngën “Përgjithmonë”, një këngë që u prit mjaftë mirë dhe pati sukses. Gjatë kësaj interviste, Luari na rrëfen bashkëpunimin e fundit si dhe disa momente të veçanta të karrierës artistike.

Prej disa kohësh, ju keni sjellë këngën më të re, shoqëruar me një klip të veçantë. Kjo këngë erdhi falë bashkëpunimit me një produksion të huaj?
Klipi është realizuar në Drimadhes, me ndihmën e “Pro videos” dhe ekspeditës Blu, ndërkohë që montazhi, ngjyrat, përpunimet e shumë elementë të tjerë që e bënë shumë atraktiv këtë klip, janë bërë nga kompania e huaj “Redcon Pictures”.
 
Këtë herë, Luari erdhi ndryshe. Kënga erdhi e gjitha në anglisht, në bashkëpunim me një producent të huaj?
Është hera e parë që unë sjell një këngë anglisht, nga një producent i huaj pra, Alandy, me ndihmën e “Dmb management”. Ritmet e këngës, gjithashtu më sollën ndryshe.

Prej disa vitesh jetoni në Berlin. Por, fëmijëria është një ndër momentet ku spikat talenti. Cilat janë momentet tuaja fëminore më të veçanta?
Fëmijëria ime ka qenë shumë e veçantë, pasi dashuria familjare më ka bërë të jem kjo që jam sot. Qyteti im i lindjes është Tirana, dhe kam me të vërtetë shumë momente të bukura, kryesisht me motrën time të vogël, familjen ose me gjyshërit e mi, nuk mund t’i veçoj dot.

Ju vazhdoni të studioni në Universitetin e Berlinit. Pse pikërisht kjo zgjedhje?
E bëra këtë zgjedhje, sepse Berlini ka shkollat më të mira për biznes, në Gjermani. Pra, dega që unë studioj, tek ekonomiku dhe juridiku shtetëror, një shkollë që të premton një të ardhme të sigurt. Nga ky fakt unë u ndjeva shumë mirë që të shkoja atje.

Talenti juaj për muzikën ka lindur që në vogëli, por bashkëpunimi me kompozitorin Flori Mumajesi ishte një sukses që u arrit në një periudhë të shkurtër?
Kam kënduar që 5 vjeç, dhe Florin e kam njohur që kur kam qenë 10 vjeçe, për festival fëmijësh. Në moshën 16-vjeçare, pothuajse vendosa të bëj një album me Florin, ku ai propozoi dhe bashkëpunimin, është një këngë që gjithmonë do më kujtohet, sepse është dhe fillimi im në muzikë. Teksti, muzika, zërat e të gjithë komponentët që krijuan këtë këngë, lanë mbresa tek njerëzit dhe mbase prandaj kënga pati sukses aq shpejt.

Si është marrëdhënia juaj me librin?
Jam e apasionuar mbas librave, kam lexuar shumë e vazhdoj të lexoj po aq dhe tani. Autori Dan Brown më pëlqen shumë.


Sa kohë ju zë muzika gjatë ditës?
Të them të vërtetën, ka ditë kur mund të zërë dhe 20 orë të ditës sime, duke lënë pas çdo projekt tjetër.

Si nis një ditë e zakonshme për ju, në Berlin?
Zgjohem,vë muzikë në sfond, rregullohem, kafe, sepse pa të nuk bëj dot, dhe nisem për në universitet.

Luar, jeni nga ato vajza që nuk keni bërë ndryshime në paraqitjen tuaj, ndoshta ky është dhe çelësi i suksesit tuaj nëpër klipe, ose thënë ndryshe, keni qëndruar besnike e kësaj performance?
Nuk është e thënë që duhet të ndryshosh gjithnjë që të kesh sukses, unë dhe flokët nuk i kam lyer asnjëherë, dhe e vetmja arsye është se nuk e di çdo më shkojë ose nëse do ja vlejë me të vërtetë ndryshimi. Mendoj se e bukura dhe e thjeshta shkojnë shumë bashkë.

Kemi parë shumë këngëtare të reja që gjenden nën vorbullën e fiksimit pas linjave, po Luari është e fiksuar?
Nuk mund të them e fiksuar, por sigurisht që mundohem të ruaj linjat.

Tashmë keni finalizuar dhe këngën tuaj të gjashtë. A mbështeteni te profesionistët në videoklipet tuaja, apo janë idetë tuaja ato që ndjekin linjën e videoklipeve dhe bashkëpunimeve?
Çdo gjë varet nga grupi i xhirimit dhe kompaninë me të cilën bashkëpunon, megjithatë sigurisht që mendim nga vetja mund të jepet ndonjëherë, pasi ndodh që disa skena nuk të pëlqejnë dhe nuk je dakord. Ndërkohë, kur bashkëpunon disa herë me të njëjtin video producent, ai i di pak a shumë se çfarë niveli ti kërkon, kështu që bashkëpunimi bëhet dhe më i thjeshtë.

Pas një suksesi si një këngëtare e talentuar, edhe pse në një moshë të re, mendoni se keni arritur mjaftueshëm?
Nëse do të mendoj që kam arritur majat, do të mbetem gjithnjë poshtë. Gjithmonë duhet të kërkosh më shumë. Tani jam në një pikë të mirë dhe po bashkëpunoj me shumë producentë të huaj, të cilët më japin shumë kënaqësi me punën që bëjnë.

Cila është skena e ëndrrave tuaja?
Mendoj se për çdo këngëtare është skena e “MTV”-së, ose “Grammy Awards”!

Luar, shumë këngëtare të moshës tuaj, gjenden çdo ditë nëpër faqet e gossip-it apo mediave rozë. Mendoni se jeta personale duhet të jetë pjesë e karrierës tuaj artistike?
Mbase largimi im në Berlin ka bërë që të mos jem pre e këtyre debateve dhe as kam dashur ndonjëherë. Jam shumë e lumtur që s’jam bërë pjesë e këtyre, pasi jeta personale, prandaj quhet e tillë.

Cilat janë projektet tuaja në vazhdim?
Në këto momente ka përfunduar puna për disa këngë të reja, dhe së shpejti materialet e reja do të dalin në treg.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk