Bledar Laço: Emrat më të spikatur të muzikës shqiptare, në 100 vjet histori




Spektakli i të shtunave, sërish prezent në shtëpitë e shqiptarëve

Ilda Lumani
Prej vitesh, tashmë e shtuna në televizionin “Klan” ka krijuar traditën e spektakleve muzikore të treshes së suksesshme vëllezërve Laço, Pandi dhe Bledi, si dhe kompozitorit Adi Hila. Projekte që kanë marrë tashmë simpatinë e publikut që i ndjek me fanatizëm, ndërsa një tjetër projekt do të vijë në këtë sezon të ri nën logon “100 vjet muzikë”. Logo që shkon paralel me 100-vjetorin e Pavarësisë së vendit dhe që do të sjellë në këtë spektakël, sipas regjisorit të tij Bledi Laço, “emrat më të spikatur të krijimtarisë muzikore të një shekulli”. Në fakt, ky program është tejet origjinal dhe çdo detaj i tij ndoshta i vogël për lexuesit e kësaj interviste, në ekran nuk është aspak i tillë e kjo është arsyeja që Laço është pak i kursyer në gjëra konkrete në këtë intervistë. Megjithatë, ajo që pritet janë këngët që kanë bërë epokë, këngëtarët më të mirë të skenës, e gjithashtu mjaft autorë të ndaluar, apo të larguar nga skena.
Me një pjekuri artistike vjen në një projekt muzikor gjithëpërfshirës, çdo të thotë për ju të pasqyrosh 100 vjet muzikë, sipas konceptit tuaj regjisorial?
Sigurisht, një nga angazhimet më të vështira, jo vetëm të miat si regjisor e bashkautor i programit, por i gjithë grupit tonë realizues. Në të vërtetë, regjisura si në këtë qasje, si një art sintezë i gjithë elementëve bashkon në këtë rast edhe vështirësitë apo paqartësitë shumëplanëshe të një prezantimi dinjitoz dhe me shumë vërtetësi të kësaj nisme.
Kur e ka zanafillën ky projekt dhe sa ju është dashur të kërkoni dhe hulumtoni në muzikën e traditës shqiptare?
Po t'ju kthej paksa pas në kohë, do t'ju bëj të shihni me kujdes elementët mbështetës të këtij programi. Normalisht që viti jubilar, përgatitjet e gjithanshme dhe projektet e shumtë të lançuar nën siglën dhe logon e "100 vjet pavarësi", patën shkëndijën e tyre në ngjizjen e këtij formati që me thënë të drejtën duhej latuar shumë që të "mpiksej" në spektakolar. Pastaj konsultat, shkëmbimet e ideve dhe mendimeve, format e reja dhe studimi i hollësishëm për një iniciativë të tillë, të detyrojnë të mos e llogarisësh kohën dhe mundin.
Një shekull këngë, është baras me një shekull sukses? Kë do të cilësonit ju si dekadën më të suksesshme muzikore shqiptare?
Unë nuk do të doja t'i ndaja me dekada këto super krijime që normalisht do të dalin në paradë si suksese të muzikës shqiptare. Më mirë do të ruajmë boshtin tematik, zhanret e lëvruar, që më së paku të sjellim ato që i kanë rezistuar kohës dhe që duhet t’iu mbeten brezave. Jo për patriotizëm apo nacionalizëm ekstrem, por thjesht sepse mendoj që t’u servirim më të rinjve gjithë këtë trashëgimi potenciale krejtësisht të dallueshme nga të tjerët. Dhe që na përforcojnë më shumë pikëmbështetjen e identitetit kulturor. Nëse këto koncepte do të ndihen të tilla si jehona e madhe "o sa mirë me qenë shqiptar", atëherë besoj se do të kemi sukses.
Si është menduar skena e këngëve të këtij “shekulli”?
Duke qenë se jemi në një studio televizive, në bashkëpunimin me një nga kolonat më të forta të spektaklit televiziv të “Klanit”, skenografin Gaetano Castelli, jemi përpjekur të sjellim simbolikën e kësaj feste dhe elementët e saj në një skenë totalisht moderne e teknologjike, me sipërfaqe shumë të mëdha të ekraneve LED. Kjo bashkëlidhur dhe me konceptin e ndriçimit të drejtorit të fotografisë së spektaklit në Sky Italia, Marcello Iazzetti. Ka një ndërthurje organike të këtyre faktorëve në konceptin tërësor skenografik e vizual.
Cilët do të jenë emrat e kompozitorëve dhe këngëtarëve që do të jenë shtylla e programit tuaj?
S'mund të jem absolutisht konkret në emra, por do të jenë emrat më të spikatur të krijimtarisë muzikore, çfarë përmban gjithë kjo periudhë historike. Duke synuar të ndriçojmë ata që kanë mbetur në hije për shkak të kohës, dhe ata të cilëve koha dhe periudhat e vështira nuk ua zbehën apo përbaltën kontributin kolosal. Në fund të fundit, të gjithë kompozitorët, poetët e këngëtarët kanë vendin e tyre lapidar në terapinë e shpirtit të kombit. Me të gjithë krijimet, me të gjitha format, në të gjitha zhanret. 


Si do të kulmojë çdo mbrëmje? Si është menduar nata e spektaklit?
Logjikisht, ne do të sjellim muzikën më të mirë të kësaj kohe, përjashtuar muzikën serioze klasike dhe veprat e mëdha, të cilat kanë një trend tjetër jo të një zhanri kaq demokratik sa show. Ndaj, çdo numër në skenarin e mbrëmjes do të ketë peshën dhe rëndësinë e një kulminacioni në krijimtari. Si edhe në programet e tjerë bashkë me kolegët do të përpiqemi të sjellim interpretime dhe bashkëpunime të veçanta të parealizuara asnjëherë më parë.
Do të ketë një rrjedhë kronologjike të krijimtarisë muzikore apo miks të viteve dhe krijimtarisë?
Jo, nuk do të ndjekim një rend kronologjik dhe historik, sepse edhe vetë krijimtaria nuk ta lejon plotësisht këtë, me labirintet e saj të autorëve dhe kohës. Siç ju thashë, do të qëndrojmë më së shumti sipas tematikës dhe zhanrit, në një miks të kësaj natyre.
Cili është publiku që do ta përthithë më shpejt këtë spektakël?
Më duhet të bëhem pak parashikues tani, po them se për shumë net të së shtunave, ashtu si dhe më parë ne do të jemi prezent në shtëpitë e shqiptarëve me muzikën tonë, identitetin tonë dhe atë që na dallon prej të tjerëve. Besoj se të gjithë do ta gjejnë veten në mbrëmjet tona të ditës së shtunë.
Prej vitesh jeni një nga shtyllat e forta të spektaklit në televizionin “Klan”. Ndërkohë që paralelisht me ju bëhen spektakle të tjerë. Sa ndihet konkurrenca profesionale duke pasur parasysh se “100 vjet muzikë” është një spektakël origjinal?
Ju e precizuat që ky është një program origjinal dhe me shumë të papritura, po kjo brenda llojit, sepse nuk ka arsye të ndikojë absolutisht në marrëdhëniet me kolegët apo konkurrencën profesionale. Sigurisht që kjo e fundit, edhe brenda egos së një artisti të shtyn të kërkosh më shumë nga vetvetja dhe të kërkosh të japësh gjithmonë maksimumin. Aq më tepër që marrëdhëniet midis kolegëve këtu janë ndërtuar mbi respektin e mirëkuptimin reciprok, aq më shumë kur gjithçka krijohet dhe zhvillohet nën logon e KLAN.
Mund të na jepni ndonjë detaj tjetër të elementëve të show-t?
Gjithmonë, jo për ndonjë paragjykim dhe jo për fshehje të surprizave, nuk kam dashur të zbuloj apo veçoj elementë të veçantë të programit për t’ia bërë të ditur publikut, por sepse në këndvështrimin tim të gjithë detajet e rëndësishëm apo jo, përbëjnë një të tërë që publiku duhet ta shikojë, gjykojë e më pas të thotë fjalën e tij nëse i pëlqen ose jo. Kështu që më mirë t’i lëmë të gjitha gjërat të bëhen bashkë e pastaj të presim rezultatin.



Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk