Gjakova, mirënjohje kolosit shkodran të humorit, Gëzim Kruja
Festivali mbarëkombëtar “Komedia Fest”
ka ulur siparin e tij në Gjakovë. Në ceremoninë përmbyllëse të këtij festivali,
aktorët e shquar të skenës shqiptare që u shquan me rolet e shumta në komedi, Gëzim
Kruja, Sulejman Lokaj, Hysen Binaku dhe pas vdekjes, Hajrullah Zherka janë
nderuar me mirënjohje për vepër jetësore nga organizatorët e festivalit
“Komedia Fest”. Aktori i skenës shqiptare, Gëzim Kruja, i pranishëm në këtë
festival, ka thënë se mirënjohjen do ta ruajë sa të jetë jeta. “Ju falënderoj
për mirënjohjen, do ta ruaj tërë jetën se Gjakova e Shkodra jemi një”, - ka
thënë Kruja, i cili për disa minuta ka mbajtur në gaz me qindra shikues në
sallën universale të Pallatit të Kulturës në Gjakovë. Gëzim Kruja, ikona e
humorit shqiptar, ka shkruar mbi 15 komedi, 10 recitale, 2 libra me monologë gazmorë.
Gjatë karrierës së tij artistike ka interpretuar mbi njëmijë role në skeçe të
ndryshme dhe ka 52 vite që ushtron profesionin e humoristit. Në vitin 2004 ka
marrë titullin “Krenaria e Qytetit”. Në vitin 2005 ka marr titullin “Naim
Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 është vlerësuar me titullin “Mjeshtër i
Madh”.
Pjesëmarrja
Përveç vlerësimit që i është bërë
“Mjeshtrit të Madh” shkodran, Teatri Kombëtar i Komedisë në Tiranë ka përshëndetur
me premierën “Harroje dashurinë” me autor dhe regji të Erion Kames. Komedia, e
cila mbylli festivalin, u mirëprit nga publiku dhe u vlerësua për tematikën
bashkëkohore dhe interpretimin realist. Kjo shfaqje do të jetë edhe premiera që
do të çelë sezonin e ri artistik të institucionit tonë në datën 29 dhe 30
shtator në orën 19:00.
Festivali
Përveç trupës nga
Shqipëria, për shtatë ditë para publikut në Gjakovë janë dhënë edhe shfaqjet
nga trupat e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit profesionist të Gjakovës,
Teatrit Shqiptar të Shkupit, Tetarit të Fierit, të Pejës dhe të Mitrovicës.
Gjatë një jave, festivali ka qenë mjaft i ndjekur, ku kanë dominuar të rinjtë. Lekë
Rezniqi, organizator i këtij festivali, ka shprehur se Gjakova është një qytet
i vlerave, artit dhe kulturës, bazuar në historinë e pasur të rajonit të
Gjakovës nga ngjarje të shumta historike e deri tek personalitetet e shquara të
kombit. “Qëllimi i këtij festivali është që të mbrohen këto vlera artistike dhe
kulturore, po ashtu të ofrojmë përkrahje për zhvillimin e artit edhe më tej.
Kësaj radhe, fokusi ynë është që përmes këtij projekti t’i bashkojë trevat me
anë të organizimit të aktiviteteve të ndryshme kulturore gjatë javës së
festivalit”, - tha Rezniqi për mediat.
Comments
Post a Comment