Robert Aliaj: Pas mikpritjes shqiptare, rikthehem me një format të ri
Robert, sapo ka nisur sezoni i ri artistik dhe akoma nuk ju kemi parë të angazhuar me ndonjë emision apo spektakël. Me çfarë po merreni aktualisht?Ambicia dhe pasioni që ka për artin e kanë bërë të jetë një artist me përmasa dimensionale. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Robert Aliaj Dragot rrëfen punën mbi ekspozitën që do të hapë në Belgjikë, përvojën e shkëlqyer që pati në emisionin “3 për një strehë” ku testoi për disa javë bujarinë dhe mikpritjen shqiptare, punën me Festivalin e Filmit “Tirana 48 Hour Film Project”, si dhe pritshmëritë e tij si artist. Përveç këtyre fushave të artit, Roberti na tregon edhe për projektet e tij në muzikë dhe rikthimin e tij me një format të ri televiziv, ku do të shpalosë realitetin shqiptar në çdo familje. Një pasion që është rritur bashkë me të. Robert Aliaj Dragot është artist multi-disiplinor bashkëkohor shqiptar. Përveç si piktor, ai njihet në Shqipëri edhe si një këngëtar i suksesshëm i muzikës se lehtë i viteve ‘80 – ‘90. Pas vitit 1990, Dragot kryen një karrierë ndërkombëtare duke u njohur në të gjithë Europën për ekspozitat e tij vetjake. Ai ka ekspozuar në gjithë Europën dhe në SHBA, ku shumë vepra të tij gjendën në shumë koleksione private e publike.
Aktualisht jam duke përgatitur një
ekspozitë që do të bëhet në një galeri në Gent, në një qytet të Belgjikës. Do të
jetë një “one man show” shumë minimalist dhe i kursyer, që nëpërmjet një
simbolike dhe në mënyrë figurative dhe konceptuale do t’i referohet realitetit
të vështirë shqiptar.
Pas shfaqjes si moderator në një emision televiziv, do të vazhdoni ende
të jeni pjesë e këtyre formateve?
Aktualisht jam duke punuar për
një tjetër reality-show, i cili ka për qëllim të tregojë ngjarje jete dhe
protagonistët e tyre që nuk mund të gjejnë hapësirë në faqet e para të
gazetave. Në të vërtetë, udhëtimet e mia do të karakterizohen nga spontaniteti,
jeta, sinqeriteti njerëzor i komunikimit. Këto udhëtime do të jenë të
mbështetura në takime humane të rastësishme, nuk do të jenë udhëtime turistike
të zakonshme, por me tepër me një përqasje (aproch) njerëzore e sociale, për të
zbuluar si jetojnë bashkëqytetarët tanë, ku jetojnë, si mendojnë, është më tepër
për t’iu dhënë shansin njerëzve të thjeshtë të rrëfejnë jetën e tyre, dhimbjen
dhe preokupimin e tyre, dhe të tregojnë pse jo dhe filozofinë e tyre!
Mendoni se arritët sukses me “testimin” që i bëtë mikpritjes shqiptare?
Ndërsa sezonin që sapo mbarova me
“Vizion Plus” e quaj të mjaftueshëm. Nuk mendoj se do të doja ta testoja më tej
mikpritjen shqiptare, e cila nuk mungoi kudo që shkova. Edhe një herë tjetër u
rikonfirmua miti i vjetër i mikpritjes shqiptare, gjë që do ta quaja repetitive
dhe jo me ndonjë vlerë të veçantë zbuluese, nëse do të shkoja më tej me
testimin e saj. Tani unë mendoj për një format më të evoluar, ku njerëzit e
thjeshtë të kenë më tepër hapësirë mediatike, me ngjarjet e jetës së tyre ata
do të bëhen protagonistë të emisionit tim, do të bëhen pikërisht ata që nuk
mund të gjejnë hapësirë në faqet e para të gazetave për të thënë fjalën e tyre.
Kjo gjë që do t’ju lejojë shikuesve një vizion të realitetit të pa dhunuar e të
pa manipuluar, ideale për të përcjellë mesazhe sociale dhe njerëzore në çdo
episod.
Po Festivali i Filmit, “Tirana 48 Hour Film Project”, në çfarë faze
është?
Është herët të flasim sot, sepse
jemi akoma në proces të aplikimit, kur dihet që ne shqiptarët gjithçka e lëmë
për minutën e fundit. Por, tashmë është iniciuar regjistrimi on-line i edicionit
të 3-të të fundjavës konkurruese të “Tirana 48 Hour Film Project 2012”. I cili
do të zhvillohet me datë 16 nëntor. Këtë vit do të jetë një edicion special me
rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Krijues të filmave nga i
gjithë vendi dhe nga të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët do të konkurrojnë
për realizimin e një filmi të shkurtër brenda 48 orëve. Filmi fitues do të
konkurrojë me filmat fitues nga e gjithë bota për titullin "Best 48 hour
Film of the Year 2012". Të interesuarit mund të aplikojnë, duke u
regjistruar fillimisht në mail-listën tonë në faqen e internetit, http://www.48hourfilm.com/tirane.
“Tirana 48 Hour Film Project” do
të ndikojë në rritjen e jetës kulturore të qytetit të Tiranës”, në zbulimin dhe
stimulimin e kineastëve të rinj të talentuar shqiptarë, do të ndikojë fuqishëm
në prodhimin e filmave të rinj nëpërmjet prurjeve të forcave të reja krijuese.
“Tirana 48 Hour Film Project” do të kontribuojë fuqishëm në promovimin e
imazhit të qytetit të Tiranës në nivel ndërkombëtar, ku serioziteti dhe
angazhimi i pjesëmarrësve do ta shndërrojë kryeqytetin në një nga qendrat e
kinematografisë botërore, duke krijuar kështu lidhje të ngushta me metropolet e
tjera botërore si; Parisi, Londra, Berlini, Casa Blanca, Hong Kongu, Singapori,
Seuli, Sidnei, Mumbai, Pekini, Los Angeles, New York, Chicago, San Francisco
etj. Festivali, kontribuon në krijimin e një rrjeti bashkëpunimi kombëtar dhe
ndërkombëtar të krijuesve të rinj. Infrastruktura e Festivalit në rang
ndërkombëtar krijon mundësitë e bashkëprodhimit me producentë të huaj amerikanë
dhe europianë.
Vështirësitë janë pjesë e çdo institucioni. Po ju keni hasur vështirësi
në realizim e tij?
Vështirësitë që po hasim më
detyruan ta shtyjmë zhvillimin e Festivalit. Vështirësitë e “Tirana 48 Hour
Film Project” nuk janë vetëm financiare, nuk kanë lidhje vetëm me krizën
aktuale. Ne jemi viktimë e mentalitetit tonë kolektiv të prapambetur, të cilin
e shprehim qartë në këto momente, kur në vend që t’i përvishemi punës, presim
zgjidhje nga të tjerët.
Përveç se jeni piktor, jeni aktivizuar në kinematografi, një sukses
tjetër i juaji është edhe muzika. Mendoni të realizoni ndonjë këngë apo klip të
ri?
Kam shumë projekte për muzikën,
të cilat kanë mbetur ende në sirtar, fatkeqësisht jo vetëm për mungesë kohe.
Cilat janë projektet tuaja artistike në vazhdim?
Para se të mbërrija në mëmëdheun
tim të dashur, në Bruksel këtë periudhë kam qenë vazhdimisht i angazhuar për
realizimin e një ekspozitë në Gent, një qytet shumë kulturor e artdashës në
Belgjikë. Ndërkohë që një tjetër ekspozitë është në vazhdim në Bruksel.
Izaura Ndoj
Comments
Post a Comment