Xhesika Polo: Dueti me Mateus Frrokun, gjetje
Ilda Lumani
Xhesika Polo, konkurrentja më e
vogël e edicionit të parë të “X Factor Albania” duket se ka qenë më aktivja në
rrugën e muzikës. Kjo jo vetëm me koncertet e organizuara nga ky programacion
gjatë verës, por se ajo nuk i ka lënë pas dore edhe iniciativat personale, siç
ishte pjesëmarrja në festivalin e këngëtarëve të rinj “Hit Fest” ku fitoi
çmimin e tretë. Për të vijuar me pjesëmarrjen në festivalin më të njohur dhe të
preferuar të artistëve në vend, “Kënga Magjike”, të cilin Xhesika edhe e çeli.
Në këtë rrugë, Xhesi vjen me një bashkëpunim tejet të suksesshëm, me Mateus
Frrokun, një tjetër talent i zbuluar në një show televiziv, siç ka qenë “Ethet
e së premtes mbrëma”. Muzika dhe rruga e ngjashme e dy të rinjve i ka bashkuar
ata në studion e kompozitorit të suksesshëm Elgid Doda në këngën “Më shumë të dua”,
këngë që menjëherë goditi tek audienca. Sesi do të shkojë rrugëtimi i Xhesikës
ka ende kohë, por shenjat duken në favor të saj. A do të jetë ajo një
finaliste? Ja si e sheh vetë Xhesika këtë pjesëmarrje.
Xhesika, si erdhi ideja për të marrë pjesë në Festivalin “Kënga
Magjike”?
Ishte zgjedhja më e mirë që mund
të bëja pas pjesëmarrjes në evenimentin muzikor “X Factor Albania” dhe “Hit fest”,
një festival prestigjioz siç është “Kënga Magjike”.
E kujt ishte ideja për të realizuar këtë duet?
Me anë të një mikeshës sonë, na
përshtateshin shumë zërat dhe kështu vendosëm të ishim bashkë.
Kush janë autorët e këngës?
Autori i vetmi dhe i
pazëvendësueshmi është Elgid Doda.
Ky vit flitet të jetë viti i bashkëpunimeve në “Kënga Magjike”. Çfarë
mendon se duhet të vlerësojë publiku ndryshe tek ju të 2 (Mateus & Ty)?
Unë deri tani nuk kam dëgjuar
ndonjë që ta përcaktojë me saktësi. Mendoj se thjeshtësinë tonë dhe realizimin
e këngës, impaktin që jep ajo tek publiku.
"Më shumë të dua" është një tekst romantik dhe tepër i
fuqishëm. Ke arritur ta artikulosh këtë fjalë/tekst edhe në jetën tënde reale?
Jo, sepse, siç e the, është një
tekst tepër i madh dhe i fuqishëm, unë jam akoma e vogël (qesh).
Xhesi, ti ke marre pjesë edhe në “Hit Fest”, ku u pozicionuat e treta,
njësoj si në “X Factor”. U zhgënjyet? Pretendonit më shumë?
Ai ishte gjykimi i jurisë, i
drejtë apo jo, nuk me ngelet mua ta them. Rëndësi ka që mes të gjithë
këngëtarëve unë u vlerësova me një çmim.
Gjatë verës keni qenë në tur në disa qytete të Shqipërisë, çfarë ju
bëri më shumë përshtypje? Çfarë ndjesie është të këndosh para turmave?
Përshtypje të madhe më bëri
publiku i mrekullueshëm dhe artdashës që na bënte të dilnim në skenë të qeshur
dhe me shumë dëshirë. Është ndjesi tepër e veçantë që zor se përshkruhet me
fjalë.
“X Factor 2” po fillon dhe pak nga pak të tjerë të rinj do të marrin
vëmendjen e audiencës. Përse do të të kujtojnë me shumë njerëzit nga pjesëmarrja
juaj në “X Factor”?
Për atë çka unë kam qenë dhe kam
dhënë, për atë mori emocionesh të pafundme, Xhesika konkurrentja më e vogël e “X
Factor Albania 1” dhe për ZËRIN TIM.
Si është marrëdhënia juaj sot me konkurrentet e tjerë? Me kë mbani
miqësi? Dhe pse nuk e mendove bashkëpunimin me një prej tyre, por zgjodhe një
personazh tjetër?
Marrëdhëniet i kam mbajtur
thuajse me të gjithë. Jemi miq tepër të mirë. E kisha menduar, por dueti me
Mateusin doli një gjetje tepër e suksesshme deri tani.
Comments
Post a Comment