Tefta Radi, vjen me “Migjeni, ky uragan”
Albert Vataj
Gazetarja dhe folësja e shumënjohur e Televizionit Shqiptar,
Tefta Radi ka risjellë në kinemanë ABC filmin dokumentar kushtuar shkrimtarit
Millosh Gjergj Nikolla, bën me dije “Kosovapress”. "Migjeni, ky
uragan" është jo vetëm emri me të cilin Radi ka pagëzuar dokumentarin e
saj, për jetën dhe veprën e Migjenit, por edhe një status që skaliti poetin në
memuarin e kohës.
Sipas “Kosovapress”, dje në kinemanë ABC është shfaqur
premiera e filmit dokumentar kushtuar shkrimtarit Millosh Gjergj Nikolla, me
titull "Migjeni, ky uragan". Dokumentari mbështetet mbi dëshmi
autentike, në rrëfimet e personave që kanë pasur kontakte me shkrimtarin e madh
por gjithashtu pasqyron jetën, veprën dhe virtytet njerëzore që ka pasur si
shkrimtar dhe mësues. Ideatorja dhe skenaristja e dokumentarit, gazetaria Tefta
Radi deklaroi se pas një pune hulumtuese, përmes këtij dokumentari vijnë edhe
fakte te reja e te panjohura më parë për shkrimtarin. Sipas saj, të gjitha së
bashku zbulojnë shkrimtarin siç e vlerëson ajo gjeni, Millosh Gjergj Nikolla,
që jetoi pak, por la pas një vepër të plotë që u parapriu kohërave. Ajo
shpjegon se figura e tij vjen në dokumentar si një qenie e madhe sociale, me
gjenialitetin e mendjes, të penës, më historitë e dhimbjes e të dashurisë.
“Motivet që më shtyn të bëjë këtë dokumentar për Migjeni
janë të shumta. Së pari që e dashuroj Migjenin dhe krijimtarinë e tij. Së dyti
kam burim mirënjohjeje, njerëz nga familja, Radi që kanë punuar me Migjenin në
Pukë. Gjithashtu, unë kam punuar disa vite në Pukë, kam hulumtuar rreth tij,
kam pasur fatin të njihem më nxënësit e tij, që mbeten dëshmitarët e fundit të
viteve 1930, më mirë se ata askush nuk mund të dëshmoj. Jam përpjekur të sjell
dëshmi autentike, megjithatë nuk mund të them se kam arritur gjithçka, sepse
kërkimet për Migjenin mund të vazhdojnë, të tjerë dokumentar mund të bëhen, të
tjera të dhëna dhe fakte mund të rrinë”, ka thënë Radi. Në dokumentar nuk
mungojnë edhe dëshmitë e trashëgimtarëve të familjes Nikolla, mbesës Angjelina
Ceka dhe nipit Gjergj Pero. Mjaft fakte interesante sjellin edhe studiuesit,
Mojkom Zeqo, Adriatik Kallulli e te tjerë.
Mbesa e Migjenit, Angjelina Ceka, e cila sjellë dëshmi të
reja nga jeta e shkrimtarit, thotë se edhe në ta kaluarën ka pasur disa
dokumentar të shkurtër televiziv që i janë kushtuar Migjenit. Mirëpo, sipas
saj, dokumentari i Tefta Radit, "Migjeni, ky uragan", është më i
plotë dhe i realizuar në mënyrë perfekte. “Mendoj se ky dokumentar është më i
plotë,është trajtuar me dashuri,dhe Tefta edhe si një mësuese që ka qenë në
Pukë dhe duke njohur psikologjinë dhe traditat e Pukës,ka hyrë në brendësi të
viteve dhe jetës së Migjenit,në kohën kur ai ishte mësues në Pukë”, ka thënë
Ceka.
Comments
Post a Comment