Enver Petrovci: Ali Pashë Tepelena, roli kontradiktor që e kam peng




Enver Petrovci rrëfen sfidën me dy rolet në dy filma artistik, ndjesitë e të qenit aktor teatri si dhe pengun e karrierës artistike. Enver Petrovci, ka arritur një karriere shumë të suksesshme në Teatër nëpër mbarë ish Jugosllavinë duke u vlerësuar një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe. Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të mirëpritura duke arritur famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare. Është një ndër themeluesit e degës së Artit Dramatik dhe Akademisë së Arteve në Universitetin e Prishtinës në vitin 1989, ai kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në këtë Universitet dhe formon kuadro të reja të aktorëve në Kosovë.

Festivali i Filmit Shqiptarë ju ka rikthyer në arenë me dy role. Në filmin “Sekretet” me regji të Spartak Pecanit dhe me një rol klasik tek filmi “Gomarët e kufirit”....?
Në edicionin e 13-të të Filmit Shqiptarë konkurroj me dy role tepër specifik për nga karakteri. Tek “Gomarët e kufirit” kam një rol klasik, ku luaj një oficer jugosllav dhe them se do të ketë impakt pozitiv tek publiku shqiptarë.

Mendoni se ky konkurrim në Tiranë është një sfidë për ju si aktor?
Mendoj që sfida është brenda lojës së aktorit në çdo pjesëmarrje. Nëse një aktori i jepet mundësia për një rol qoftë i vogël apo i madh, përballja me publikun është shumë e fortë.

Si e shikoni rikthimin e Festivalit të Filmit pas pesë vitesh në Shqipëri, një film që ka ndjekur traditën e prodhimeve kinematografike shqiptare ndër vite?
E pres me pozitivistet këtë rikthim të Festivalit të Filmit. Do të doja të ritakohemi të paktën njëherë në dy vite, pasi e meritojmë si kinematografi shqiptare. Në fakt, pesë vite është një shkëputje shumë e madhe dhe filmat që kanë qenë në kohën kur janë xhiruar para pesë vitesh kanë qenë hit, kanë qenë filma të fokusuar nga publiku, ndërsa sot e kanë humbur atë shikueshmëri të dikurshme pasi dhe koha ka ndryshuar shumë.

Ju, konsideroheni si ‘veteran’ i kinematografisë shqiptare ku keni jetuar mes dy vendeve të ndryshme. Si e shikoni zhvillimin e kinemasë së Shqipërisë dhe Kosovës duke ditur që i keni prekur skenat e dy vendeve?
Mendoj se nuk po bashkëpunojmë sa duhet, sa e meritojmë. Të gjithë fajësojnë politikën, por këtu nuk ka të bëjë me politikë është faji i vetë artistëve që nuk punojnë më tepër. Bashkëpunojmë, por shumë pak dhe me raste artistët shkëmbejnë vlerat dhe skenat e tyre mes dy vendeve. Mendoj se i vetmi faj i politikës është se këtu nuk investohet më tepër, po të ishte investuar pak më tepër do të kishim më tepër bashkëpunim. Në këtë rrugë besoj se do të ecim gjatë për tu bashkuar definitivisht si artistë shqiptarë.

Karriera juaj artistike si aktor ka spikatur në film dhe teatër. Ju ku ndjeheni më mirë?
Pa krahasim në teatër! Jo vetëm unë por çdo aktor ndjehet më mirë në teatër pasi është më sfiduese, më provokative. Të jem i sinqertë merita në film i takon regjisorit, producentit, skenaristit, por për aktorin më pak. Ndërsa, teatri i takon aktorit dhe aktores. Në teatër pa një aktor të talentuar nuk mund të bësh asgjë, ndërsa në film pa një regjisor me ide dhe koncepte nuk mund ta realizosh filmin siç duhet.


Gjatë gjithë karrierës artistike gama e roleve tuaja ka marrë kthesë gjigante! Deri më tani keni ndonjë peng të pa realizuar, qoftë në teatër apo film?
Kam pasur shumë dëshirë për të vënë në skenë Ali Pashë Tepelenën. Mendoj se është një personazh interesant për teatrin shqiptar. Me kënaqësi do ta luaja si rol dhe do të investoja në këtë projekt. E kam hedhur si ide dhe në Prishtinë ka nisur një regjisor të bëj adaptimin e romanit të Sabri Godos “Ali Pashë Tepelena”. Mendoj se i përngjaj Ali Pashë Tepelenës, me trup me moshë edhe e dua si personazh pasi është kontradiktor. Nëse një ditë do të bëhej një film serioz kushtuar kësaj figure, mendoj se do nominohej për “Oscar”. Kur them për Ali Pashë Tepelenën mendoj për ambiciet botërore dhe jo shqiptare.

Cilat janë projektet tuaja në vazhdim pas përfundimit të Festivalit të Filmit?
Kam në dorë një tekst, njëri nga teatrot që janë në Tiranë më ka ofruar të jem në rolin e regjisorit. Shpresojmë të realizohet.
Izaura Ndoj


Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk